Skënderbeu në buzë të “greminës”, sugjerohet dënim kapital

564
Nga Agron KAJA
AKUZA/ Ja sugjerimi për Etikën e Disiplinën, në dokumentin e dërguar nga inspektorët e pavarur, në rolin e prokurorit të UEFA-s 
Heqja e titullit kampion në Kategorinë Superiore për sezonin 2015-2016, për Skënderbeun është duke u endur në “kalendat” e UEFA-s, e cila pasi morri një vendim paraprak për mos e pranuar në ndeshjet në Evropë për sezonin 2-16-2017, tashmë ka lëshuar një “silur” direkt rreth akuzës që i bëhet skuadrës korçare nga inspektorët e pavarur (prokurorët) të institucionit evropianë të futbollit. Lajmi vetëm dje është bërë publik, edhe pse nën zë flitej për një dënim 10 vjeçar për Skënderbeun. Kërkesa për këtë dënim nga Evropa dhe gjobë 1 milion euro, është sugjeruar që në datën 7 shkurt 2018, atë ditë kur në Durrës u zhvillua Asambleja Zgjedhore e FSHF-së. Lexuar kështu, duket se kemi të bëjmë me një lajm të madh, ndërkohë që duhet theksuar se nuk bëhet fjalë për përjashtim si një fakt i kryer, sepse është vetëm kërkesa e Inspektorëve të Disiplinës dhe Etikës në UEFA. Në dokumentin e siguruar nga gazeta “Telegraf” në rrjetet sociale e faqet zyrtare sportive, mësohet se inspektorët që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe bëjnë rolin e prokurorit për llogari të UEFA-s, kanë përpiluar një dosje kundër Skënderbeut dhe kanë dalë me kërkesën drejtuar Organit të Disiplinës, Etikës dhe Kontrollit në UEFA: 1. Përjashtim të Skënderbeut për 10 vite nga kupat e Evropës; 2.Gjobë 1 milion euro për Skënderbeun. 

Kjo letër është e firmosur nga avokati Migel Lietard Fernandez-Palasios, dhe Eksperti i Basteve Karl Dhont, të cilët kanë të drejtën që të shtojnë prova apo informacione shtesë në lidhje me këtë çështje. Ja se çfarë shkruhet konkretisht në vendimin e datës 7 shkurt 2018: 

“Bazuar në konsideratat e sipërpërmendura, Inspektorët e Etikës dhe të Disiplinës kërkojnë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë UEFA-s që të referojnë çështjen tek Komisioni i Apelit në UEFA, në lidhje me nenin 34(3) në Statutin e UEFA-s, dhe nenit 29 (3) në Rregulloren e Disiplinës. Inspektorët e Etikës dhe Disiplinës kërkojnë nga Komisioni i Disiplinës që të deklarojë se, KS Skënderbeu është i përjashtuar nga pjesëmarrja në çdo kompeticion të UEFA-s për dhjetë (10) vite, njëherësh edhe me një gjobë prej 1 milion eurosh. Po ashtu, Inspektorët e Etikës dhe të Disiplinës kanë të drejtat e tyre të shtojnë apo të ndryshojnë këtë raport me informacione apo prova të tjera, në lidhje me këtë çështje. Nion, 7 shkurt 2018”, 

kështu theksohet në dokumentin sugjerues rreth këtij dënimi kapital.
Gjatë fushatës për zgjedhjet në Asamblenë e FSHF-së, qarkulluan akuza sa i takon dënimit të Skënderbeut nga UEFA. Edhe gazeta “Telegraf”, nga burime të besuara atëherë, mësoi se do të dënohej Skënderbeu, madje shumë rëndë, por atmosfera e fushatës bëri që ky lajm të vendosej në plan të dytë. Gjithsesi, duke qenë një sugjerim, koha do të tregojë të vërtetën, por dhe për performancën e përfaqësuesve të Skënderbeut dhe të FSHF-së në këtë proces
Sigal