Skënderbeu ndëshkohet nga mbrojtja, një pikë e merituar në grup

533
Nga Agron KAJA
UEFA EVROPA LIGË/ U luajtën dje ndeshjet e dyta në grupe, skuadra korçare nuk e mban dot avantazhin, ka përmbysje në Beograd
Ndoshta dje ka qenë një ndeshje për tu fituar nga Skënderbeu, dhe kjo nuk ndodhi. Përballë zviceranëve të Jang Bojs, skuadra korçare ka bërë një nga ndeshjet e saj më të mira në përfaqësimet në Evropë, madje ka luajtur si i barabartë me një kundërshtar që si nga bastet sportive, ashtu edhe nga analistë të shumtë në Evropë, vlerësohej si favorite për të fituar. Gjithsesi, një barazim që tregoi se Skënderbeu ka vlera e potenciale që të përballojë ndeshje me nivel si ajo e djeshmja në “Elbasan Arena”, duke shpresuar që në vazhdimësi të tregojë edhe më shumë, jo vetëm me lojë. Në pjesën e parë kishte një rrjedhshmëri të lojës nga të dyja skuadrat, madje nuk munguan edhe rastet për shënim. Disa herë u vu në vështirësi portieri Ballmos i Jang Bojs, por nuk ishte minuta e golit për në pjesën e parë. Edhe zviceranët e kërkuan rrjetën e portës sonë, ku Asale, Mboumi dhe Abisher munde të na kishin ndëshkuar. Duke u mbyllur e barabartë 0-0 pjesa e parë, për të dyja skuadrat tensioni për pjesën e dytë ishte prezent, por Skënderbeu i menaxhoi më mirë minutat e fillimit. Gjithmonë protagonist ishte Soue, i cili tregoi forcë ndaj mbrojtjes së Jang Bojsit. E fitoi çdo dyluftim me ta, dhe arriti të shënojë vetëm një herë në minutën e 65-të, pas topit të zgjuar që mori nga Muzaka. Ishte goli i parë për korçarët në këto dy ndeshje në grup, dhe u duk se fitorja do të ishte pranë. Pas golit, zviceranët e forcuan më shumë lojën e tyre, luftuan më fort për topin e parë, edhe pse Skënderbeu e qarkulloi dendur e saktë topin, nga mbrojtja në mesfushë. Por vetëm 17 minuta zgjati avantazhi i korçarëve, pasi duhej bërë ai gabim në mbulimin e sulmuesve kundërshtarë. Pikërisht në minutën e 72-të, Asale e gjeti veten të zbuluar brenda zonës sonë, pas një aksioni të shpejtë nga e djathta e sulmit të tyre, dhe me një gjuajtje të shpejtë shënoi golin e barazimit. Një pikë e merituar për Skënderbeun, por ashtu si në ndeshjen e parë në Kiev, edhe dje, nuk mundi ta menaxhojë epërsinë deri në fundin e ndeshjes. Gjithsesi, mbeti i jashtëzakonshëm me lojën e tij. Në ndeshjen tjetër të Grupit B, Partizan i Beogradit ka humbur një sfidë të vështirë me ukrainasit e Dinamo Kievit, pasi e ka kryesuar pjesën e parë në avantazhin 2-0. Në 45 minutat e dyta ishin ukrainasit që bënë diferencën duke e përmbysur rezultatin në favorin e tyre, e duke mbajtur kështu kreun e grupit me 6 pikë të plota në dy ndeshje. 
E enjte 28 shtator 2017, ora 21:05 në stadiumin “Elbasan Arena”
SKËNDERBEU-JANG BOJS 1-1
Shënues: Soue 65’/ Asale 72’
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Jashanica, Aliti, Mici, Muzaka (Dita 77’), Lilaj, Xhejms, Gavazaj (Taku 20’), Sahiti (Nimaga 67’), Soue. Trajner: Ilir Daja
Jang Bojs: Von Ballmos, Byrki, Von Bergen, Vytriç, Jos (Mbabu 76’), Abisher, Sanogo, Sulejmani (Nsame 70’), Shik (Fasnhat 70’), Asale, Moumi Ngamaleu. Trajner: Adi Hyter
Gjyqtarë: Kevin Blom kryesor; Çarls Shap dhe Jost Van Zuilen asistentë; Hessel Steegstra i katërt ( nga Holanda)
Kartonët: KV-Nimaga/ Asale
MINUTAT E GOLAVE
65’ GOL 1-0 Soue e kalon në avantazh Skënderbeun. Pas një pasimi të saktë të Muzakës për sulmuesin, sulmuesi i Skënderbeut hyn në zonë, dhe me një gjuajtje të shpejtë me të djathtën e kalon topin në rrjetën e portës zvicerane.

72’ GOL 1-1 Mbrojtja e Skënderbeut gjendet e papërgatitur, kur një top nga e djathta i Ngamaleu gjen Asale të vetëm në zonë. Sulmuesi nuk e ka të vështirë të shtyjë topin në rrjetë, i pa mbuluar nga mbrojtja korçare . 
Sigal