Sigal

Skënderbeu është konfirmuar si një “mace e zezë” për Partizanin në këtë sezon të kampionatit shqiptar të futbollit, duke i mundur sërish rivalët e tyre, ashtu si në fazën e parë. “Ujqërit e dëborës” dolën fitimtarë me rezultatin 2-0, falë golave të ish-lojtarit të të kuqve, Gjergji Muzaka dhe të Bardhit në minutat e fundit. Supersfida që mbylli javën e 10-të të kampionatit të Kategorisë Superiore, nuk ka zhgënjyer si në fushë, ashtu edhe në shkallët e stadiumit.

Një ndeshje shumë e luftuar, mes kujdesit për të mos pësuar, por edhe dëshirës për të bërë diferencën, në të cilën Partizani është shfaqur relativisht superior, të paktën me rastet për shënim. Nga ana tjetër, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi u mbrojt me shumë kujdes dhe qarkullonte mjaft mirë topin, ndërsa herë pas here zbriti në sulm, duke vënë në vështirësi mbrojtjen e ekipit të Partizanit. Për të parë për golin e parë të ndeshjes, atë me vlerë 3-pikëshi për Skënderbeun, u desh të vinte minuta e 64′, kur Gjergji Muzaka gjuajti bukur në zonë dhe mposhti kapitenin e Partizanit, Alban Hoxhën. Mesfushori kryeqytetas kishte vetëm një minutë që ishte futur në fushën e lojës dhe u shërbye me një krosim mjaft të bukur nga krahu i majtë i sulmit korçar, duke goditur fluturimthi, ndërsa topi u përplas në shtyllë dhe u ndal në rrjetën e Alban Hoxhës. Partizani u mundua të rikthejë baraspeshën, duke tentuar të sulmojë me më shumë forca, por në minutat shtesë, skuadra e Skënderbeut gjeti edhe golin e dytë, kur pas një kundërsulmi, Bregu u shërbye në zonë dhe gjuajti mjaft bukur, duke çuar topin në rrjetë.

Pas kësaj ndeshjeje, Skënderbeu konfirmon edhe njëherë, se është skuadra kampione në fuqi dhe, se mbetet ekipi i vështirë për t’u mposhtur, teksa rikthehet të marrë kryesimin e renditjes, me 23 pikë, një më tepër se Partizani ndjekës. Partizani nga ana tjetër, pëson humbjen e dytë në kampionat, pas një serie prej 8 ndeshjesh radhazi me rezultate pozitive, ku numëronte 7 fitore dhe 1 barazim.

Partizani-Skënderbeu 0-2

Golat: Muzaka 64′, Bregu 95′

Formacionet

Partizani: Hoxha; Ibrahimi, Belica, Atanda, Kalari; Telushi, Hila, Asani, Bardhi, Mala; Mensah. Trajner: Skënder Gega

Skënderbeu: Teqja; Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi; Demte, Dita, Guexh, Gripshi, Bregu, Krasniqi. Trajner: Orges Shehi.

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Ermal Barushi, Ridiger Çokaj