Skënderbeu merr komandën e kreut, Milinkoviç “driblon” me mungesat

586
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ U mbyllën dje dy ndeshjet e fundit të javës së katërt, bie Kukësi, të kuqtë nuk e njohin rrjetën
“Ujqërit e dëborës” u shfaqën dje në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit, aty ku u luajt sfida më kryesore e javës së 4-t, Kukësi-Skënderbeu. Korçarët kanë fituar 2-1, duke i dhënë Kukësit mësimin nr 1 në këtë sezon, se Kampion ishte në sezonin e kaluar. Pavarësisht angazhimit në Ligën e Evropës, gjatë gjithë kësaj ndeshjeje, Skënderbeu nuk shfaqi shenja lodhjeje në fushë, por e ka dominuar gjithë takimin. Duke iu referuar kronikës së lojës, ishin vendasit që e nisën me vrull takimin, madje krijuan edhe raste, ndoshta për ti treguar korçarëve se e dëshirojnë shumë tri pikëshin. Minuta e 8-të dhe e 27-të ishin më të “artat” për Kukësin, por më parë Bakaj dhe më pas Alijev, nuk patën orientimin e saktë me portën e Shehit. Skënderbeu kishte në vijën e parë Soue, i mbështetur fuqimisht nga Muzaka, ndërsa goli erdhi nga këmbët e Takut, pas një pasimi të saktë të tij për Ditën, pikërisht në minutën e 31-të. Goli sikur i zgjoi kuksianët, të cilët vetëm pesë minuta duruan, dhe e gjetën rrjetën me penallti. Alijev u pengua brenda në zonë, dhe arbitri Kridens Meta nuk ngurroi për penallti, të cilën në minutën e 36-të, Bakaj e ktheu në gol. Barazimi sikur e baraspeshoi lojën, kryesisht për pjesën e dytë, në të cilën Kukësi vuajti edhe largimin e Bakajt për shkak dëmtimi. Epërsia vazhdoi në anën e korçarëve, të cilët, jo vetëm që krijuan raste, por edhe shmangën një të tillë, si ai i minutës së 81-të kur kuksianët mundet të kishin rrezikuar. Krkotiç pasoi bukur për Gurin, por dalja e shpejtë dhe e zgjuar e portierit Shehi, bëri që topi të mbetet në duart e tij. Rrokullisja e minutave u duk sikur u kap nga monotonia, dhe barazimi po bëhej referencë e kësaj ndeshjeje, të cilën e prishi Muzaka në minutën e 83-të. Në manovrimin e tij në zonën e Kukësit, ai rrëzohet dhe Meta nuk ngurroi të tregojë pikën e penalltisë. Një shans i mirë ky, që te Skënderbeu është i zgjidhur me “penalltistin” Sabjen Lilaj. Duke shënuar, ai njëherësh fiksoi avantazhin e kësaj kryesfide të javës së katërt, njëherësh shënoi edhe golin e tij të tretë në këto katër javë, të tre nga pika e bardhë e penalltisë. Tashmë Skënderbeu merr komandën e kreut, ndërkohë që Kukësit do t’i duhet të mendojë më ndryshe mbrojtjen e titullit kampion, sepse trajneri Milinkoviç vetëm i qahet mungesave.
E hënë 2 tetor 2017, ora 14:00 në stadiumin “Zeqir Ymeri” të qytetit të Kukësit
KUKËSI-SKËNDERBEU 1-2
Shënues: Shënues: Bakaj (p) 36’/ Dita 31’, Lilaj (p) 83’
Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Alla, Hoxha, Imami, Musolli, Kërkotiç, Kale, Guri, Bakaj (Zeqiri 46’), Alijev (Shtubina 72’). Trajner:Mlladen Milinkoviç
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Jashanica, Aliti, Mici, (Radas 63’) Muzaka, Dita, (Sahiti 67’), Lilaj, Taku, Xhejms, Soue. Trajner: Ilir Daja
Gjyqtar: Kridens Meta (Tiranë)
KV: Kale 76′
MINUTAT E GOLAVE
31’ GOL 0-1 Taku pason me kokë për Ditën, i cili me një gjuajtje të kalibruar brenda zonës e dërgon topin në rrjetë 0-1 për Skënderbeun. Korçarët rrezikuan golin që në minutën e 29-të me anë të Muzakës.
36’ GOL 1-1 Në minutën e 35-të, Alijev pengohet brenda në zonën korçare, gjyqtari Meta sinjalizon për penallti. Pas disa protestave, në minutën e 37-të, Bakaj nga pika e bardhë barazon rezultatin.
83’ GOL 1-2 Pas një aksioni të korçarëve në zonën e Kukësit, Muzaka pengohet brenda në zonë, dhe përsëri arbitri Kridens Meta nuk heziton. Jep penallti për Skënderbeun, të cilën e realizon Lilaj.
Bilanci përgjithshëm
Nd 19, Fitore Kukësi 8, 
Fitore Skënderbeu 7, 
Barazime 4, Golat 23:22
Bilanci në Kukës
Nd 9, Fitore Kukësi 6, 
Fitore Skënderbeu 2, 
Barazime 1, Golat 14:8
Ndeshjet-Java e katërt
Të shtunën, 30 shtator 2017 
Laçi-Vllaznia 2-0
Flamurtari-Luftëtari 0-0
Të dielën, 1 tetor 2017 
Kamza-Teuta 1-1
Dje, 2 tetor 2017 
Kukësi-Skënderbeu 1-2
Shënues: Bakaj (p) 36’/ 
Dita 31’, Lilaj (p) 83’
Partizani-Lushnja 0-0 

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 4 10
2.Kukësi 4 7
3.Teuta 4 7
4.Flamurtari 4 7 
5.Laçi 4 6
6.Luftëtari 4 5
7.Vllaznia 4 4
8.Kamza 4 3
9.Lushnja 4 2
10.Partizani 4 2
Sigal