Skënderbeu merr “arratinë”, Duro i quan “kamikazë” arbitrat në Kukës

666
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ U luajtën dje ndeshjet e javës së 18-të, faza e dytë mbyllet me shumë barazime në dy kahet e renditjes
Me ndeshjet e luajtura dje, java e 18-të e Kategorisë Superiore në futbollin shqiptar mbylli fazën e dytë të saj, për sezonin në vazhdim 2017-2018. Dhe rezultatet ishin interesante, pse jo edhe të papritur, jo vetëm se në pesë ndeshje u arritën tre barazime, por edhe për faktin se të dyja kahet e renditjes po ndryshojnë në raport me ndjekësit. Skënderbeu konfirmohet i pari, ndërsa e ndjekin Flamurtari me 8 pikë më pak, e Kukësi në vendin e 3-të me 11 pikë. Vlonjatëve u ka ikur fitorja nga duart, ndërkohë që trajneri Shpëtim Duro ka pasur kontestime për gjykimin dhe për golin e kuksianëve në fundin e ndeshjes. Ndërsa Kukësi me austriakun Pakult, e justifikoi barazimin me gjendjen jo plotësisht të mirë, të cilën skuadra e tij ende nuk e ka arritur të plotë. Laçi ngeci me Teutën, dhe më e veçanta e kësaj sfide është se barazimin ja morri ish-trajneri Stavri Nica, sot në stolin e Teutës së Durrësit. Këtë javë ka një rritje të Partizanit, i cili pasi e fitoi “derbin” e kryeqytetit 2-1 me Kamzën, e parakalon skuadrën kamzalie, për të thënë se korrigjimet duan kohën e tyre që të vijnë në fushën e lojës. Kjo javë ka qenë pozitive për skuadrën e Luftëtarit, e cila në dy ndeshjet e luajtura në këtë vit, ka arritur 1 fitore dhe 1 barazim, duke mos pësuar humbje. Barazimi 0-0 me Lushnjen, është një konfirmim i gjendjes së mirë të kësaj skuadre, njëherësh edhe i punës së mirë të trajnerit Hasan Lika, i cili e mori drejtimin e kësaj skuadre në situata mbijetesë në tabelën e renditjes. Por, edhe për “verdhëjeshilët” të drejtuar nga Hysen Dedja, kjo pikë e marrë në “Roza Haxhiu” ndoshta është sinjal i parë për të kërkuar mbijetesën, sepse dje Lushnja arriti në kuotën e 10 pikë, me dyshifrorë si të gjitha skuadrat e tjera të Superiores. Vllaznia mbetet në situata mbijetese. Me humbjen e djeshme në “Loro Boriçi”, skuadra e drejtuar nga tiranasi Anesti Gjoka, nuk po del nga errësira e zonës së mbijetesës. Me 15 pikë dhe në vendin e 9-të, Vllaznia duhet ti bëjë mirë llogaritë për dy fazat e tjera, sepse janë edhe 18 ndeshje për tu luajtur, me 54 pikë të tjera në lojë. Gjithsesi, dje ka qenë ndeshja e fundit para Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së, ku duhet thënë realisht se, futbolli i luajtur në fushën e lojës, edhe me problematikat e tij nga viti në vit në përmirësim, zyrtarisht është mbajtur larg nga politizimi.

KUKËSI-FLAMURTARI 1-1

Deklaratat e trajnerëve të kryesfidës
Shpëtim Duro, Flamurtari: Arbitrat kamikazë, Kukësi nuk e meritoi barazimin

Ka qenë i drejtpërdrejtë trajneri Shpëtim Duro i Flamurtarit, i cili pas barazimit 1-1 me Kukësin, në Super Sport deklaroi se arbitrat janë bërë protagonistë në këtë rezultat. “Në harkun e një viti që unë drejtoj Flamurtarin, është ndeshja e dytë që ky arbitër gjykon Kukësin me Flamurtarin. Madje tre ditë më parë, po ky gjyqtar ka drejtuar sfidën e Kukësit në Shkodër, ndërsa sot (dje), ky na e ka sakatuar skuadrën me kartonë, ndoshta nuk i besohej kur shënuam. Ndaj e them me bindje se Kukësi nuk meritoi pikën”, ishte kjo deklarata në formë proteste e trajnerit të Flamurtarit, i cili më pas tregon edhe synimin e skuadrës së tij në këtë sezon. “Të arrij objektivin Evropë këtë sezon, për mua është një sukses. Nuk mund ta konkurroj Skënderbeun, pasi është një ekip me struktura të konsoliduara”.
Peter Pakult, Kukësi: Meritonim tri pikë, penalltia ishte e saktë

Pas ndeshjes së djeshme me Flamurtarin, trajneri austriak i Kukësit, Peter Pakult, deklaroi për Super Sport se skuadra e tij meritonte tri pikët, por që goli i Flamurtarit i shpërqendroi lojtarët e tij. “Ne pësuam një gol i cili na shpërqendroi, por që në përgjithësi kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Ne meritonim fitoren, kishim dominimin tonë, por në fazën përmbyllëse nuk ishim mjaftueshëm të përqendruar”, kështu e vlerësoi Pakult barazimin e djeshëm me Flamurtarin në fushën e tij, duke e vlerësuar kundërshtarin si skuadër kompakte. “Flamurtari u shfaq një skuadër mjaft kompakte nuk ishim mjaft të përqendruar, ndërsa penalltia e dhënë në favor tonë nuk ka nevojë për diskutim, sepse topi është prekur me dorë”, ishte ky vlerësimi i trajnerit të Kukësit, Peter Pakult, për barazimin e djeshëm 1-1 me Flamurtarin.
Rezultatet-Java e 18-të
Dje, 4 shkurt 2018 
Laçi-Teuta 0-0 
Lushnja-Luftëtari 0-0 
Skënderbeu-Vllaznia 4-1
Shënues: Vangjeli 33’, 
Lilaj 62’, Muzaka 73’, 
Xhejms 84’/ Berisha 6’
Kukësi-Flamurtari 1-1
Shënues: Bakaj 83’/ Alvesh 41’
Partizani-Kamza 2-1
Shënues: Asani 7’, 23’/ 
Plaku 25’
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 18 40
2. Flamurtari 18 32
3. Kukësi 18 29
4. Laçi 18 28
5. Partizani 18 27
6. Kamza 18 26
7. Luftëtari 18 23
8. Teuta 18 17
9. Vllaznia 18 15
10. Lushnja 18 10
Sigal