Skënderbeu-Kukësi, beteja e titullit

499
Sigal

Në rast se korçarët fitojnë me kundërshtarët të mërkurën, atëherë matematikisht shpallen kampionë

Skënderbeu-Kukësi është padyshim sfida më e nxehtë e javës së 31-të të Kategorisë Superiore, ndeshjet e së cilës do të luhen në mesjavë, të mërkurën në orën 16:00. Përballë njëri-tjetrit do të jetë dy ekipet kryesuese të kampionatit, por me Skënderbeun që kryeson me +7 pikë ndaj Kukësit. Si për koincidencë, edhe sezonin e kaluar këto dy skuadra e mbyllën në këto pozicione, për të shkruar më pas historinë në kompeticionet europiane, me kuksianët që kaluan për herë të parë tri ture në Ligën e Europës. Ndeshje vlerësohet shumë si nga kampi i Skënderbeut, ashtu dhe nga ai i Kukësit. Një fitore e Skënderbeut e mbyll edhe matematikisht çështjen e titullit, pasi do të ruhej distanca prej +7 pikësh ndaj vendit të dytë sido që të ishte rezultati i Partizanit ndaj Laçit. Për këtë presidenti i kuksianeve, Safet Gjici i ka premtuar një superpremio lojtarëve nëse marrin 3 pikë në Korçë. Sipas numrit 1 të verilindorëve, do të përballen me njëra-tjetrën dy skuadra që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar në vitet e fundit. Gjici shtoi më tej se ekipi do të shkojë për rezultat pozitiv në Korçë, ku fitorja padyshim që do të gëzonte të gjithë tifozerinë e Kukësit. Shuma e premios pritet të jetë rreth 20 milionë Lekë. Në fakt, trajnerit Mirel Josa i duhet të mposhtë Kukësin, që Skënderbeu të fitojë titullin e katërt rresht kampion, ndërkohë që trajneri tiranas të regjistrojë suksesin e dytë radhazi me klubin korçar, pas atij të sezonit 2012-2013. Edhe pse në Korçë e dëshironin shumë edhe fitimin e Kupës së Shqipërisë – do të ishte hera e parë për bardhekuqtë – fitimi i titullit kampion dhe pjesëmarrja për herë të katërt në Ligën e Kampioneve është një kënaqësi e madhe. Por, më përpara Skënderbeu duhet të fitojë me Kukësin, pasi në rast se humbet, diferenca do të shkonte në 4 pikë, ndërkohë që korçarët do të luajnë të shtunën me Partizanin në “Qemal Stafa”. Gjithsesi, në Korçë kanë nisur përgatitjet për ta festuar para kohë titullin e pestë kampion në historinë e tyre, teksa katër të mëparshmit janë fituar në vitet 1933, 2011, 2012 dhe 2013.

 Kuksianët, në Korçë me mendjen te Kupa e Shqipërisë

 Kukësi ka siguruar për herë të dytë pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Vendi i tretë në kampionat, me pikë të barabarta, nga 50, me Partizanin e vendit të dytë, dhe qenia në finalen e edicionit të 62-të të Kupës së Shqipërisë ia jep këtë mundësi. Këtë të mërkurë, Kukësi do të luajë në Korçë kundër Skënderbeut kryesuese, me të cilin ka një diferencë prej -7 pikësh. Sipas mesfushorit të Kukësit, Gerhard Progni, skuadra do të luftojë fort për vendin e dytë, ndaj do të udhëtojë drejt Korçës vetëm për rezultat pozitiv. “Një vit më parë e mbyllëm sezonin në vendin e dytë, ndaj nuk duam të shkojmë me zbritje. Objektivi ynë në Korçë mbetet rezultati pozitiv sepse duam të jemi sërish nënkampionë të Shqipërisë”. 27-vjeçari premton një ndeshje spektakël, e cila do t’i kënaqë tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit Skënderbeu. “Do të ishte më mirë nëse do të përballeshim për titullin, megjithatë unë besoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur për tifozët. Në fund le të fitojë më i miri”. Objektivi  më i rëndësishëm i sezonit mbetet Kupa e Shqipërisë, ku në finalen e 17 majit do të përballet me Flamurtarin. “Do të ishte një arritje e madhe për qytetin dhe tifozët e Kukësit nëse arrijmë ta fitojmë këtë trofe”, – tha mesfushori Gerhard Progni, i cili përpara se të vishte fanellën e Kukësit ka luajtur me Flamurtarin.

TRI JAVËT E MBETURA

Java 31/(30 prill)

Skënderbeu-Kukësi

Laçi-Partizani

Lushnja-Teuta

Bylis-Besa

Vllaznia-Flamurtari

Kastrioti-Tirana

Java 32/(3 maj)

Partizani-Skënderbeu

Laçi-Kastrioti

Kukësi-Lushnja

Teuta-Bylis

Besa-Vllaznia

Flamurtari-Tirana

Java 33/(10 maj)

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Bylis-Kukësi

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari

RENDITJA

1 Skënderbeu      30   +20 57

2 Partizani    30   +8   50

3 Kukësi             30   +6   50

4 Teuta         30   +4   45

5 Laçi           30   +4   45

6 Flamurtari 30   +4   44

7 Tirana       30   +1   43

8 Vllaznia           30   +7   41

9 Besa          30   +2   38

10 Kastrioti  30   -11  29

11 Lushnja          30   -20  26

12 Bylis       30   -25  24

Përballje gjigantësh në “Alianc Arena”. Guardiola: “Do të provojmë përmbysjen e madhe”

 Bajern-Real, sot zbulohet finalisti i parë

 Sot, në “Alianc Arena” të Munihut do të luhet super ndeshja Bajerni i Munihut-Real i Madridit (takim i kthimit), në përfundim të së cilës do të zbulohet edhe emri i finalistit të parë të Ligës së Kampioneve për finalen e madhe të Lisbonës. Pas disfatës 1-0 që pësuan në “Santiago Bernabeu” dhe Pep Guardiola në konferencën e shtypit nuk e kurseu ironinë ndaj rivalëve të Realit të Madridit. “Ne nuk jemi në finalen e Ligës së Kampioneve. Jemi në disavantazh 1-0 por do të provojmë. Kam lexuar këtë javë se në Madrid që tani janë në finale, jo vetëm që janë në finale, madje jo vetëm që janë në finale por dhe e kanë fituar, prej asaj që kam lexuar se shkruhet në Madrid. Ne nuk jemi në këtë situatë. T’i shënosh 2 apo 3 gola Realit nuk është një mision i lehtë por ne do ta provojmë me të gjitha forcat”. Guardiola kërkon një Franck Ribery në versionin e tij më të mirë për të eliminuar Realin, e madje preferon që francezi të jetë sa më luftarak duke përdorur fjalën i nxehur. Guardiola nuk harron të vlerësojë dhe potencialin sulmues të Realit. “Edhe nëse përdorim të gjithë mbrojtësit më të shpejtë, nuk mund të frenohet shpejtësia që ka Reali përpara. Mënyra e vetme është t’i presësh në kufijtë e zonës. Nëse luajmë në kundërsulm? Edhe ky është një ndër opsionet që kemi marrë në vlerësim dhe jemi përgatitur. Ata ndihen që tani në finale, por ne do të bëjmë gjithçka për t’ju prishur festën”. Një rëndësi të veçantë në aktin e dytë të klasikes së Europës do të ketë padyshim dhe faktori “Alianz Arena”. “Kemi nevojë për tifozerinë tonë. Nuk besoj se jam unë si trajner ai që duhet të vendosë se çfarë duhet të bëjë tifozeria, dhe ata e dinë këtë. Reali i Madridit përfitoi nga ndihma e tifozerisë së tij fantastike dhe unë e di që tifozët e Bayernit do të jenë me ne, ata do të na ndihmojnë shumë, por nuk mund t’i shënojnë ata golat. Kjo varet nga futbollistët”, – tha Guardiola.

Shumë i kënaqur nga fitorja e thellë 4-0 me Osasunan në kampionatin spanjoll, trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti deklaroi se, të njëjtin reagim dhe shpirt luftarak pret nga skuadra për ndeshjen kundër Bajernit të Munihut. “Nuk do të shpikim asgjë, të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë sepse do të përgatitemi mirë. Kam shumë besim tek lojtarët e mi. Nëse Bale, Benzema dhe Kristiano janë mirë, qëllimi kundër Bayernit do të jetë të shënojmë, përpara se të mbrohemi”. Tekniku italian i Realit foli në vijim me detaje për gjendjen e secilit prej tredhëmbëshit të ofensivës. “Ronaldo është mirë, luajti me më shumë besim pas takimit të së mërkurës. Gjithçka shkoi mirë për të dhe për pjesën tjetër të grupit. Disa lojtarë patën mundësinë të pushojnë. Edhe Benzema po përmirësohet dhe nuk besoj se do të ketë probleme për të Martën, ndërsa Bale ka vazhduar stërvitjen pas gjendjes gripale që kaloi. Ashtu si Benzema, edhe ai do të jetë gati për sfidën me Bajernin”, – tha Ançeloti. Tekniku italian, Karlo Ançeloti, ka fituar po dy tituj me Milanin (2003 dhe 2007), ndërkohë që trajneri spanjoll Pep Guariola ka fituar dy tituj të Ligës së Kampioneve me Barcelonën (2010 dhe 2012),

Liga e Kampioneve, homazh për Vilanovën

 Përpara fishkëllimës së nisjes së dy gjysmëfinaleve të kthimit të Ligës së Kampioneve, Bajern-Real Madrid (sot) dhe Çelsi-Atletiko Madrid (të mërkurën) do të mbahet një minutë heshtje në nderim të Tito Vilanovës dhe Vujadin Boskovit, të ndarë nga jeta ditët e fundit. Lajmin e bëri të ditur UEFA. Në ekranet e stadiumeve do të transmetohet një montazh me pamjet e të dy teknikëve. Skuadra do të jenë të lira për të mbajtur shiritin e zi në krah. Para minutës së heshtjes do të ketë një komunikatë të shkurtër në gjuhën e të dy skuadrave në fushë.

LIGA E KAMPIONEVE

GJYSMËFINALET

Ndeshjet e kthimit

Sot, 29 prill

Bajern-Real Madrid   (0-1)

Nesër, 30 prill

Çelsi-Atletiko Madrid (0-0)

Në kllapa, rezultatet e ndeshjeve të para