Skënderbeu komandon Superligën

581
Sigal

Kampionët e Shqipërisë fituan në mënyrë bindëse 3-1 me Vllazninë në Shkodër. Incidente në “Lçro Boriçi”

Skënderbeu triumfoi bindshëm ndaj Vllaznisë (3-1) në “Loro Boriçi” duke marrë kreun e Kategorisë Superiore, pas ndeshjeve të javës së 6-të. Kampionët  e Shqipërisë kanë koleleksionuar 13 pikë, po aq sa Teuta, ndërkohë që Partizani ndodhet tashmë në vend të tretë me 11 pikë. Ashtu si dhe sezonin e kaluar, “vrasësi” i Vllaznisë është Pero Pejiç, me kroatin që shënoi një dopjetë në ndeshjen e djeshme, ndërkohë që një vit më parë kishte realizuar tre golat në fitoren 3-0 të korçarëve.  Golin tjetër të Skënderbeut e realizoi Gjergji Muzaka, festimit e të cilit pranë ultrasve të Vllaznisë, provokuan incidente që sollën edhe pezullimin për dy minuta të takimit.  Ndërsa Skënderbeu, regjistroi fitoren e katërt – më shumë se kushdo tjetër në këto gjashtë javë, Vllaznia pësoi humbjen e dytë në shtëpi, pas asaj me Flamurtarin në javën e parë (0-1). Shkodranët ndalen pas një serie rezultatesh pozitive, ndërkohë që tani e shohin veten në vendin e katërt. Ndeshja nis e hapur, me sulme dhe kundërsulme nga të dyja palët. Korçarët dalin shpesh në kundërsulm nga e majta, ku vepron Muzaka, i cili kroson topat në qendër të zonës kuqeblu, për te sulmuesi i vetëm, Pejic. Aty ka punë Semina dhe Rajoviç, që arrijnë ta neutralizojnë shtatlartin kroat. Brenda 10 minutave të para të ndeshjes, Skënderbeu fiton tri goditje nga këndi, që nuk sjellin rezultat, ndërkohë që momentin e artë për t’i zhbllokuar shifrat e ka Shtubina në minutën e 7-të. Asistin e mrekullueshëm që ka marrë nga Hajdari, mesfushori shkodran nuk e dërgon dot në rrjetë, vetëm pesë metra përballë portierit Shehi, i vetëm me këtë të fundit.. Në minutën e 26-të, Elvin Beqiri merr një pasim të zgjuar nga Tafili, që ia ka rrëmbyer topin Shkëmbit në gjysmëfushën korçare, gjendet i vetëm me portierin Shehi, por kapiteni kuqeblu gabon shënjestrën. Një rast ideal i shpërdoruar nga kuqeblutë.  Në minutën e 29-të,  sulmuesi i Skënderbeut,  Pero Pejiç shënon në portën e Vllaznisë, por kontestojnë kuqeblutë për pozicion jashtë loje, por gjyqtari Bardhyl Pashaj nuk është i këtij mendimi. Është sërish Pejiç i ai që i çoi shifrat në 2-0  në  minutën e 38-të. Kundërsulm i shpejtë i kampionëve pas një goditjeje këndi të Vllaznisë. Andi Ribaj përparon me shpejtësi dhe pason për Pejic. Kroati nuk gabon, por e dërgon topin në shtyllën e majtë dhe në rrjetë. Pero Pejiç i ka shënuar Vllaznisë pesë gola në dy ndeshjet e fundit në “Loro Boriçi”. Në pjesën e dytë,  Trajneri Canaj ul në stol Gocajn, i rikthyer nga dëmtimi, duke besuar e vlerat e të riut Kruja, mjaft efikas në sfidat pararendëse. Duhej të vinte minuta e 53-të, kur Vllaznia të ngushtonte rezultatin e ndeshjes dhe praktikisht të rihapte gjithçka. Arsen Hajdari ndërmerr një veprim individual nga e majta e sulmit shkodran, futet disi më në qendër dhe pa hezituar godet nga rreth 13 metra largësi. Topi i drejtohet trekëndëshit të Shehit, që s’ka çfarë të bëjë, veçse ta nxjerrë atë nga rrjeta. Kuqeblutë dhe tifozëria e tyre e shumtë në numër marrin zemër, por në momentin e tyre më të mirë ndëshkohen sërish. Eshtë minuta e 60-të, kur zhvillohet një dyluftim mes Pejicit dhe Rajovicit në vijën anësore, që lë të dëmtuar mbrojtësin malazez të kuqebluve, i shtrirë përtokë. Megjithatë, loja vazhdon nga korçarët, teksa Orelesi përparon në të majtë të sulmit, kroson në qendrën e zonës vendëse, aty ku Muzaka zhytet me kokë dhe shënon golin e tretë. Shkodranët kontestojnë për mosrespektim të “fair-play”-it nga korçarët, duke parë Rajoviçin e dëmtuar, por asgjë nuk kthehet mbrapsht. Rajovic nuk mund të vazhdojë më tej, ndaj trajneri Canaj e zëvendëson me të riun Dema. Tensioni që vjen edhe nga shkallët e stadiumit i bën të gabojnë të besuarit e Canajt, që tashmë tentojnë me topin e gjatë, ngaqë mesfusha e tyre nuk funksionon si duhet. Por gol tjetër nuk ka kjo sfidë, që foli për kampionët e Mirel Josës. Skënderbeu është rikthyer në majë të renditjes, teksa në javën e 7-të do të përballet me Laçin në Korçë, ndërsa Vllaznia do të luajë me Teutën në Kavajë. Një shans për shkëputje për kampionët në fuqi.

Golat

0-1

29’- Sulmuesi i Skënderbeut,  Pero Pejiç,  merr një top pas krahëve të mbrojtjes shkodrane, që aplikon pozicionin jashte loje, por kroati vihet në zotërim të topit dhe shënon në portën e Vllaznisë. Kontestojnë kuqeblutë për pozicion jashte loje, por gjyqtari Bardhyl Pashaj nuk është i këtij mendimi.

  0-2

38’- Kundërsulm i shpejtë i kampionëve pas një goditjeje këndi të Vllaznisë. Andi Ribaj përparon me shpejtësi dhe pason për Pejic. Kroati nuk gabon, por e dërgon topin në shtyllën e majtë dhe në rrjetë. Kuriozitet: Pero Pejiç i ka shënuar Vllaznisë pesë gola në dy ndeshjet e fundit në “Loro Boriçi”.

 1-2

53’- Arsen Hajdari ndërmerr një veprim individual nga e majta e sulmit shkodran, futet me në qendër dhe pa hezituar godet nga një distancë prej 13 metrash. Topi i drejtohet trekëndëshit të Orges Shehit,. Portieri i Kombëtares nuk ka ç’të bëjë tjetër vetëm të nxjerrë topon nga rrjeta. 1-2 kur ka dhe 37 minuta lojë.

1-3

60’- Një dyluftim mes sulmuesi Pejiç të Skënderbeut dhe mbrojtësi Rajoviç të Vllaznisë, lë të dëmtuar  mbrojtësin malazez te kuqebluve. Loja vazhdon dhe nigeriani Orelesi përparon në të majtë tëe sulmit, kroson në zonën vendese, aty ku Muzaka zhytet me kokë dhe shënon golin e tretë. 3-1!

.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA VI

VLLAZNIA-SKËNDERBEU  1-3

Shënues: Hajdari 53’ / Pejic 29’, 38’, Muzaka 60’

VLLAZNIA: Vujadinoviç, Beqiri, Rajoviç (Dema 63’), Sykaj, Semina, Belisha, Tafili, Gocaj (Kruja 46’), Shtubina (Gjini 85’), Hajdari, Busiç. Trajner: Agim Canaj

SKËNDERBEU: Shehi, Radash, Gdozdenoviç, Abazi (Ribaj 18’), Arapi, Lilaj, Orelesi, Muzaka (Fagu 90+3’), Shkembi (Dimo 90), Arapi, Pejiç. Trajner: Mirel Josa

Gjyqtarë: B.Pashaj, G.Koka, R.Cokaj

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA VI

Të mërkurën

KUKËSI-PARTIZANI 0-1

Thana 77’

LUSHNJA-TEUTA 1-1

Korreshi 21’ / D.Xhafaj 55’

TIRANA-KASTRIOTI    1-0

Semedo 7’

FLAMURTARI-BYLIS     2-2

Qejvani 29’, Beqiri 88’ / Gërxho 24’, 53’ (pen)

LAÇI-BESA 1-0

Vuçaj 23’

Dje,

VLLAZNIA-SKENDERBEU  1-3

Hajdari 53’ / Pejiç 29’, 38’, Muzaka 60’

1    Skënderbeu 6    +4   12

2    Teuta      6    +4   12

3    Partizani  6    +3   11

4    Vllaznia   6    +5   10

5    Laçi       6    -1   10

6    Bylis      6    +2   8

7    Lushnja    6    -1   8

8    Kukësi     6    -2   7

9    Tirana     6    -4   7

10   Kastrioti  6    -3   6

11   Flamurtari 6    +0   5

12   Besa       6    -7   1

Golashënuesit

D. Xhafaj       Teuta      4

T. Bushiç       Vllaznia   3

A. Meto         Bylis      3

G. Muzaka       Skënderbeu 3

P. Pejiç        Skënderbeu 3

 

Mesfushori i Skënderebeut feston në mënyrë provokative golin e shënuar prej tij

 Incidenti i tifozëve me Muzakën, ultrasit konfrontohen  me policinë

 Pas një dylyftimi midis kroatit Pero Pejiç të Skënderbeut me malazezin e Vllaznisë, Bllazho Rajoviç,  ky i fundit  dëmtohet duke u rrëzuar në tapet. Gjithsesi, loja vazhdoi dhe nigeriani Nuredin Orelesi krosoi në zonën shkodrane,  atje ku Gjergji Muzaka goditi me kokë duke shënuar edhe golin e tretë për kampionët. Shkodranët kontestojnë për mosrespektim të “fair-play”-it nga korçaret, duke parë mbrojtësin Rajoviçi të dëmtuar, ndërkohë që Muzaka feston fuqishëm përballë grupimit “Vllaznit ultras”, me këta të fundit që të irrituar hedhin sende të forta në fushë dhe fyejnë keq mesfushorin kundërshtar. Një gjest i tejkaluar nga tifozeria shkodrane, e cila edhe mund të ndëshkohet nga Komisioni i Disiplinës. Nga “Loro Boriçi” raportohet edhe për një konfrontim të ultrasve kuqeblu me policinë lokale, por gjithçka u shua brenda disa minutave.

 Duel ballkanik në “Loro Boriçi”

 Vllaznia-Skënderbeu ofroi edhe një duel ballkanik midis tyre. Në “Loro Boriçi” luajtën jo pak, por shtatë të huaj:  katër për Skënderbeun dhe tre për Vllazninë. Me përjashtim të nigerianit Nuredin Orelesi, gjashtë të tjerët janë nga Mali i Zi, Kroacia dhe Serbia. Kështu, nga Mali i Zi janë portieri Miroslav Vujadinoviç dhe mbrojtësi Blazho Rajoviç, si dhe sulmueis kroat Tomislav Bushiç. Te Skënderbeu luajnë kroatët Marko Radash dhe Pero Pejiç (shënoi dje dy gola), si dhe mbrojtësi serb Ivan Gvozdenoviç.

 Fitorja me numër 34 e korçarëve

 Fitorja e djeshme e Skënderbeut e çoi në 34 numrin e fitoreve të korçarëve në 128 ndeshje historike me Vllazninë. Shkdoranët kanë regjistruar 68 fitore, ndërsa 26 ndeshje janë mbyllur në barazim. Golevarazhi është tejet pozitiv për kuqezblutë: 179-123. Fitorja e fundit e Vllaznisë datonte më 8 shkurt 2013 në Korçë, 0-1, falë golit të Arsen Hajdarit. Ekipi drejtohej nga i ndjeri Artan Bushati. Që të dy trajnerët: Agim Cana dhe Mirel Josa, i kanë drejtuar këto dy skuadra, pra si Vllazninë dhe Skënderbeun, në periudha të ndryshme kohore.

 Dëmtohet kosovari Leonit Abazi

 Në minutën e 18-të kryhet zëvendësimi i parë, i detyruar, për të dyja skuadrat në këtë ndeshje. Dëmtohet Leonit Abazi gjatë një dyluftimi me një lojtar të Vllaznisë. Kërkohet ndihma mjekësore për kosovarin e Skënderbeut, por nuk e vijon dot më tej lojën. Ai zëvendësohet nga fieraku Ribaj, çka ndryshon vendosjen e lojtarëve kampionë në fushë. Sulmi korcar përbëhet tashmë nga dy lojtarë, Pejic-Ribaj, ndërsa skema kalon në 4-4-2.