Skënderbeu “ha” Kukësin dhe kokën e Artim Shaqirit

468
Skënderbeu ka “ngrënë” jo vetëm Kukësin, por dhe “kokën”e trajnerit Artim Shaqiri. Menjëherë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit Kridens Meta, drejtuesit verilindorë, edhe pse skuadra është në luftë për trofeun e dytë më të rëndësishëm, që është Kupa e Shqipërisë, kanë shkarkuar teknikun Artim Shaqiri. Sepse humbja e djeshme e ka nxjerrë Kukësin nga lufta për titull, ndërsa finalja e Kupës së Shqipërisë e siguruar në mesjavë nuk i mjaftoi Shaqirit për të ruajtur pozicionin e tij në krye të skuadrës. Vendin e Shaqirit tashmë deri në fund të sezonit do ta zërë drejtori sportiv, Miodrag Radanoviç, që u afrua vetëm pak javë më parë në klub duke zënë vendin e të shkarkuarit Ramadan Shehu. Shaqiri mori drejtimin e Kukësit në fillim të sezonit duke pasur si objektiv kryesor pikërisht fitimin e titullit kampion. Në muajin mars pati një ftohje në marrëdhëniet mes Shaqirit dhe presidentit Gjici, por palët gjithsesi vazhduan bashkëpunimin. E këtë herë marrëdhënia e tyre arriti në fund, me Shaqirin që nuk është më trajner i skuadrës së Kukësit, pasi ishte emëruar në këtë detyrë pikërisht më 10 gusht 2014. E vërteta është se Kukësi e nxorri Skënderbeun jashtë Kupe, por korçarët janë hakmarrë në harkun kohor të tre ditëve. Një gol i Sabiel Lilajt i dha fitoren kampionëve në fuqi, që lënë 6 pikë mbrapa rivalët verilindorë duke i mundur për herë të parë në histori në kampionat brenda në fushën e tyre. Dalja me të kuq e Smajlit në pjesën e dytë kushtëzoi lojën e formacionit të Shaqirit që në inferioritet numerik nuk arriti të ruante barazimin. Tensioni i një ndeshje direkte për titullin dhe i rezultatit u ndje që në minutën e parë, me lojtarët që patën një moment nervozizmi mes tyre, i cili gjithsesi kaloi shpejt duke ja lënë vendin futbollit. Radas në të 3’ për pak sa nuk gjeti epërsinë me një goditje me efekt që u largua nga Stazhilla. Kukësi pati më shumë iniciativën, por rasti dhe njëherë tjetër iu paraqit Skënderbeut, vetëm se këtë herë Progni goditi jo mirë. Pit, që ishte një ndër më të mirët për verilindorët, në të 37-tën udhëhoqi vetë një aksion personal por goditja e fortë përfundoi jashtë. Pjesa e dytë nisi sërish e barabartë me ekuilibrin që u prish vetëm në të 61-tën, kur Smajli mori kartonin e dytë të verdhë duke lënë me 10 vetë Kukësin. Vetëm 3 minuta i mjaftuan Skënderbeut për të shfrytëzuar epërsinë numerike në fushë, me Berishën që, pasi nxorri jashtë loje Smajlin, hyri mirë ë zonë duke pasur për Lilajn, i cili shënoi golin e fitores. Kukësi dhe pse me 10 vetë nuk u dorëzua dhe dy minuta më pas Dushku erdhi mirë pas shpine për të goditur me kokë, por gjeti gati Shehin. Gjithsesi Skënderbeu dy minuta pati mundësinë për të mbyllur ndeshjen, me Stojkov dhe Berishën, por në të dyja rastet Stazhilla reagoi mirë duke mbajtur në lojë vendasit. Në të 85’ mundësia iu paraqit sërish Dushkut, që nuk i besoi hapësirës që kishte përpara tij duke gabuar në pasim. Mundësinë e fundit Kukësi e shpërdoroi në minutën e 93-të, ndërsa kështu thuajse ka dalë jashtë luftës për titull, ndërsa Skënderbeu ka prekur titullin e pestë kampion.
Kahata i dhuron fitoren Tiranës ndaj Laçit
Tirana fitoi në fund ndaj Laçit për të besuar deri në fund te titulli kampion. Goli i Kahatas në minutën e 88-të ishte goli i parë i Tiranës ndaj Laçit në këtë sezon, por ndoshta mund të jetë dhe goli më i rëndësishëm i bardhebluve, që me këtë sukses ruajnë diferencën prej tre pikësh me kryesuesit e Skënderbeut me të cilët do të kenë pikërisht një përballje direkte. E mbështetur dhe nga një numër i konsiderueshëm tifozësh, që i ishin përgjigjur thirrjes së skuadrës duke mbushur tribunat e “Qemal Stafës”, Tirana u përpoq që në fillim të diktonte ritmin në lojë ndaj Laçit, e cila në mesjavë e kishte eliminuar në Kupë. Që në minutën e 12-të Tirana pati mundësinë për të marrë epërsinë, por Bakaj goditi rrjetën e jashtme. Laçi u kundërpërgjigj me Xhejms në kundërsulm, por ai nuk arriti të gjejë kuadratin. Ashtu siç gaboi në të 38-tën dhe Bakaj. Dy mundësitë më të mira Tiranës iu paraqitën në dy minutat e fundit me Bushiç që fillimisht goditi traversën, pasi devijoi një harkim të Kërçikut e Kahatën, i cili në të 45-tën, me 7 metra portë të hapur përpara tij e dërgoi topin mbi traversë. Dhe në pjesën e dytë Tirana ishte më këmbëngulëse me Sefën që ndezi sinjalin e parë të alarmit në portën e Vujadinoviçit. Në të 63-tën ishte portieri malazez ai që evitoi golin në portën e tij, ndërsa 3 minuta më pas Curri kërkoi një goditje stil gërshërë por goditja e tij përfundoi jashtë. Në të 69-tën, Bakaj provoi të gjente portën dhe me gju, por sërish në mënyrë të pasaktë. Mundësia më e mirë në këtë fraksion iu paraqit Currit në të 86-tën, por dhe ajo si të tjerat nuk përfundoi në portë por në trupin e Ndrecës. Gjithsesi forca e Tiranës në këtë sezon ka qenë shpesh besimi deri në fund dhe në të 88-tën, Kahata, ai që duhet të kishte shënuar në pjesën e parë i dha epërsinë bardhebluve duke bërë që të çlirohet më në fund publiku i “Qemal Stafa”. Në përfundim tre pikë të arta për Tiranën.
Deklaruan pas ndeshjes
A. Shaqiri (Trajneri i Kukësit) – “Goli i Skënderbeut erdhi falë një episodi dhe mund të them se kemi gabuar shumë pasi i lamë hapësirë kundërshtarit. Ndeshja nisi me tension dhe kjo na penalizoi pasi presioni ishte mbi ne. Ndikoi shumë kartoni i kuq pasi në ato momente ne pësuam një goditje psikologjike dhe nuk mundëm dot të mbyllim hapësirat. Kishim disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh, por nuk i shfrytëzuam si duhet. Më vjen keq që humbëm pikërisht në këtë ndeshje, të cilën duhet ta fitonim por i tillë është futboll. Prisja më shumë nga lojtarët e repartit ofensiv si Hoxha, Pit, apo Pejiç, por nuk ishin në ditën e tyre. Kukësi nuk do të dorëzohet deri në fund”.  
M. Josa (Trajneri i Skënderbeut) – “Ishte një fitore shumë e rëndësishme. Vinim për dy rezultate në Kukës, pasi edhe futbollistët kanë pasur një lodhje nga ndeshja e Kupës. Ne kemi pasur shumë mundësi të tjera për të shënuar, por në disa raste ishim të paqartë. Kam pakënaqësitë e mia në disa momete dhe do i shqyrtoj më vonë me lojtarët e mi. Skënderbeu është një ekip që di shumë mirë të luajë edhe i tërhequr, por treguam se si fitohen ndeshjet e rëndësishme. Përsa i përket titullit nuk mund te them kurrësesi se jemi shpallur kampion, pasi ka edhe ekipe te tjera në garë për titullin qoftë këtu edhe Kukësi. Do të luajmë deri në fund të sezonit për këtë titull kampion, që ne e meritojmë”. 
G. Magani (Trajneri i Tiranës) – “Mendoj se fituam me meritë, edhe pse nuk ishte ndeshja jonë më e mirë. Mendoj se e dominuam kundërshtarin, por kishim një ngërç psikologjik, i cili mund të na penalizonte. Tirana është minë me sahat. Nëse nuk ke rezultat nuk mund të qëndrosh gjatë. Mund të them se na është kthyer edhe fati, por jemi pak nervoz. E pranoj këtë, sepse edhe ndeshjet janë me shumë tension. Kundër Laçit nuk është asnjëherë e lehtë. Në pjesën e parë nuk arrin të vertikalizonim si duhet, por u përmirësuam në pjesën e dytë. Tani na presin edhe ndeshje vendimtare. Dua vetëm që të luhet ndershëm”. 
A. Cungu (Trajneri i Laçit) – “Me 6 mungesa kundër Tiranës nuk ishte aspak e lehtë. Kampionati duket i largët. Dua të fitoj çdo sfidë, do të preferoja luftën deri në fund. Mbeten edhe 12 pikë, pse të mos besojmë”?
Java e 32-të (25-26 prill)
Flamurtari – Elbasani 2-1
Teuta – Partizani 0-1
Apolonia – Vllaznia 2-0
Kukësi – Skënderbeu 0-1
Tirana – Laçi 1-0
Renditja
Skuadra N F B H G+/_ P
Skënderbeu 32 21 6 5 50-16 69
Kukësi 32 19 6 7 48-22 63
Tirana 32 20 6 6 43-21 66
Partizani 32 19 6 7 35-22 63
Laçi 32 16 9 7 37-17 57
Flamurtari 32 10 8 14 27-30 38
Vllaznia 32 11 4 17 26-36 34
Teuta 32 8 2 22 26-46 26
Apolonia 32 6 4 22 13-48 22
Elbasani 32 4 1 27 17-64 13
Shqiptarët, lojë me hope në Serinë A
Shqiptarët e kombëtares sonë në Serinë A dje kanë luajtur me hope. Është aktivizuar 90 minuta Elseid Hysaj në ndeshjen Atalanta-Empol 2-2. Në të njëjtën kohë, edhe pse ka ardhur nga stoli, ka luajtur 18 minuta në ndeshjen Parma-Palermo 1-0, Andi Lila. Por nuk janë aktivizuar fare Lorik Cana, Etrit Berisha, Thoma Strakosha dhe Armando Vajushi në ndeshjen Lacio-Kievo 1-1. Po kështu nuk ka luajtur asnjë minutë në derbin Torino-Juventus 2-1, Migjen Basha. Dhe pas shumë kohësh është rikthyer në mbrojtje të portës së Palermos, Sajmir Ujkani, që ka luajtur 90 minuta.
Shkëlzen Gashi asist, por Bazeli mundet
Shkëlzen Gashi dje ka luajtur 90 minuta në ndeshjen Bazel-Luzerna 1-2. Madje ai ka dhënë asist për Delgadon, i cili në të 37’ka barazuar rezultatin 1-1. Por skuadra e Gashit nuk ka qenë me fat, ndërsa 90 minuta ka luajtur dhe Taulant Xhaka. Sakaq nuk janë aktivizuar as Aliti e as Hyka, dy futbollistë të kombëtares sonë, të cilët janë pjesë e Luzernës. Pavarësisht humbjes, Bazeli i Gashit e Xhakës është në vendin e parë në Superligën zvicerane.
Shqipëria U-17 humbet miqësoren me Austrinë
Pas barazimit të së shtunës me Meksikën, 0-0, në turneun ndërkombëtar të Austrisë, kuqezinjtë e U-17, të cilët drejtohen nga Xhemal Mustedanagiç janë vënë përballë skuadrës vendase. Madje ashtu sikurse ka ndodhur dhe më 17 dhe 19 mars, teksa në Shqipëri pat ardhur U-15 e Italisë dhe Austria ka qenë më e vogël në moshë se kombëtarja jonë. Dhe përsëri na kanë mundur 2-0, ndërsa golat për austriakët janë shënuar nga Baumgartner në të 19’ dhe Riegler në të 42’. Sot tanët kanë ndeshjen e tyre të fundit ndaj Brazilit.
Sigal