Skënderbeu, “gjerdani i artë” me “pesë yje”

693
Nuk kishte ndodhur asnjëherë në 75 Kampionatet e tjerë të luajtur më parë në futbollin shqiptar që një skuadër ta fitonte atë pesë herë radhazi. Madje kjo nuk kishte ndodhur as edhe me skuadrat e kryeqytetit Tirana, Partizani e Dinamo, të cilat në total koleksionojnë 54 tituj Kampionë. Është thyer kështu një tabu me qendër në Tiranë ku Dinamo e kishte fituar 4 herë radhazi dhe Partizani e Tirana nga 3 herë. Këtë rekord e vendosi skuadra e Skënderbeut të Korçës, e cila njëherësh ka treguar se konsolidimi financiar i harmonizuar qartësisht me atë menaxherial dhe i përshtatur më së miri në fushën e lojës, është një nga faktorët e këtij suksesi. Ky kampionat me 10 skuadra dhe me 36 javë, ndoshta një nga sezonet më “sprintier” që kaloi shkarazi edhe mes dhunës, mes trukimeve e surprizave, për skuadrën korçare “stiloi” “gjerdanin” e 6-të të “Artë”. Në shtrirjen e tij ai zuri një hapësirë kohore në dukje e gjatë, ndërsa tani që mbaroi duket se shpejt u parakaluan 36 javë Kampionat të ndërthurura me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë me të gjitha turet e saj. Tani ndoshta për të respektuar më shumë fituesin, na duhet të kujtojmë edhe ndeshje të bukura me spektakël brenda, duele të forta dhe me grintë sportive me të gjithë elementët që futbolli i ka pjesë të tij. Ky Kampionat i 76-të do të veçohet në shumë tregues të tij më të spikatur, por në këto radhë po veçojmë tre prej këtyre shtyllave.
Formula me 10 skuadra, standard pozitiv
Kjo formulë me 10 skuadra ishte një “goditje” për ato klube sportive që kërkojnë më shumë populizëm në numrin e pjesëmarrjes, dhe si të tilla 4-5 prej tyre u lëkundën nga fillimi në fund për të zbritur një kategori më poshtë. Parë në këtë këndvështrim, kishte skuadra që në këtë kampionat luajtën nën një mjegull prej së cilës nuk mundën të shihnin se në cilën korsi duhet të vraponin. Zbritja e dy skuadrave një kategori më poshtë, asnjëherë nuk e zbehu luftën sportive në fushën e lojës, edhe pse Elbasani për më shumë se dy faza luajti si një skuadër e Kategorisë së Parë. Veç risive të tjera, kjo formulë bëri që edhe fundi i tabelës të luante futboll deri në fundin e tij për mbijetesë, së cilës i shpëtuan paq Teuta në javën e parafundit, e më parë Flamurtari me Vllazninë. Nga ana tjetër, kjo formulë me 10 skuadra në Kategorinë Superiore 2014-2015 bëri që 5 skuadrat të cilat kërkonin kreun e renditjes, apo edhe për një vend që të çonte në Europë, të “binin erë” futboll. Tek këto skuadra ky sezon gjeti identitetin e duhur, ndërkohë që Skënderbeu i parakaloi të gjithë duke fituar me zgjuarsi e meritë titullin e pestë radhazi, të gjashtin në historinë e tij. Në këndvështrmin e renditjes, këto ishin dy vlerat që dha kjo formulë e këtij kampionati me 10 skuadra, një formulë e cila i shërben cilësisë në kushtet e standardet që ofron futbolli ynë.
Financat e sezonit, “shtyllat” e progresit
Edhe në këtë sezon, financat kanë qenë “Thembra e Akilit”, duke kujtuar që në fillim se 70-80% prej skuadrave pjesëmarrëse nuk treguan luhatje në kahun negativ, një moment ky që duhet veçuar si vendimtar në ecurinë e 36 javëve të luajtura. Por, edhe në këtë Kampionat të 76-të në historinë e tij, nuk u bë e mundur që ana financiare të jetë të e konsoliduar në gjithë shtrirjen 10-mujore të tij. Dallimin e bënë skuadra si Elbasani e Vllaznia, pa anashkaluar edhe Apoloninë, të cilat kanë qenë realisht peng i financave të bashkive që i kishin në juridiksion edhe për anën financiare. Të gjitha këto skuadra me emër në futbollin shqiptar që kanë fituar edhe tituj Kampionë apo Kupa të Shqipërisë, u luhatën deri në ekzistencë. Dhe këtu më shumë se kurrë duhet thënë se klubet duhet të privatizohen, për të mos qenë më zar i kryetarëve të bashkive për fushata elektorale. Për më shumë se 10 sezone, në FSHF ekziston një rregull nëpërmjet të cilit klubet e Superiores janë të detyruar të kenë të ngrira në arkat e tyre fondet që u duhen për çdo sezon. Po kush i ngriu ato? Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Tirana e Laçi duhet thënë se ishin më korrektë në aspektin financiar, e këtu duhet futur edhe Flamurtari, i cili nuk i harmonizoi financat e mira me rezultatet negative. Ndoshta për sezonin e ri kjo do të jetë pjesa më detyruese në shërbim të vazhdimësisë, mbarrëvajtjes e cilësisë së futbollit tonë.
Infrastruktura, me dritëhije që s’zhduken
Në përgjithësi, në infrastrukturë futbolli në Kategorinë Superiore ka një përmirësim të dukshëm me fushat e stadiumet me stadarde optimalë. Sot duket një kombinim serioz mes FSHF-së e shtetit shqiptar për ta përsosur infrastrukturën, kryesisht në ato qytete ku spikasin skuadrat e Kategorisë Superiore. Duke përjashtuar Tiranën ku skuadrat e kryeqytetit Tirana e Partizani “ngujohen” vetëm në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” (më shumë për burokraci), ky stadium po mbetet si në një lojë “yç”. Nga ana tjetër, brenda këtij përmirësimi të infrastrukturës në fusha e stadiume, duhet thënë se në disa klube futbolli ajo ose nuk mirëmbahet në parametrat e duhur, ose shfrytëzohet edhe në procese stërvitore javore. Disa nga këto skuadra, në mungesë të terreneve stërvitore, i kanë kthyer stadiumet në “super-kalçeto”, e kësisoj në stinën e dimrit në këto fusha mund të luash me baltën dhe pellgjet e ujit, ndërsa rrotullimi i topit mbetet “peng” i tyre. Në këtë këndvështrim, mund të thuhet se nga ana e FSHF-së nuk ka një “diktat” të prerë në kornizën e rregullores. Duke parë gjendjen jo fort normale në disa fusha e stadiume ku luajnë skuadrat e Superiores, FSHF-ja nuk ka bashkëpunuar konkretisht me Bashkitë që i kanë në pronësi stadiumet e fushat sportive. Duke bërë “një vesh shurdh e një sy qorr”, kjo ka sjellë keqpërdorimin e terreneve.
SKËNDERBEU/ KORÇË
Themeluar: 15 Prill 1909
Emri i plotë: Klubi Futbollistik “Skënderbeu”
Pseudonimi: “Ujqërit e Dëborës”
Stadiumi: “Skënderbeu”, 10.000 vetë
Adresa: Rruga “Gjergj Kastrioti”, 7001, Korçë
Tel: +355 (82) 422 241/ Fax: +355 (82) 422 241
E-mail: kf_skenderbeukorç[email protected]
Kampionate të fituara: 6 (1933, 2010-2011, 2011-2012, 2012-2013, 2013-2014, 2014-2015)/ Kupa të fituara: 0/ Superkupa të fituara: 1 (2012-2013)
Uniformat zyrtare: Bardhë e Kuqe
Trajner: Mirel Josa/ Sekretar klubi: Gjergji Raidhi
Drejtorë teknikë: Stefi Lubonja, Ilirjan Përmeti
President: Adrian Takaj
KUPË SIMBOLIKE!
Burime nga FK “Skënderbeu” deklaruan dje për gazetën “Telegraf” se Kupa që u dha në ceremoninë e fitimit të titullit Kampion nga skuadra korçare, nuk ishte origjinale. Sipas rregullit në FSHF, skuadra që e fiton këtë titull 5 herë radhazi merr një Kupë prej ari. Por, duke qenë se FSHF-ja nuk e kishte gati origjinalen, gjatë ceremonisë zyrtare të titullit ka dhënë një Kupë simbolike, ndërkohë që origjinalja po përgatitet në Rumani dhe do t’i jepet Skënderbeut pasi të jetë e derdhur në ar.
VERDIKTET/ SUPERIORE 2014-205
Kampion: Skënderbeu (Champions, Turi i Dytë)
Nënkapion: Kukësi (Europa Ligë, Turi Elimin.)
Vendi i tretë: Partizani (Europa Ligë, Turi Elimin.)
Vendi i nëntë: Apolonia (zbret në Kategorinë e Parë)
Vendi i dhjetë: Elbasani (zbret në Kategorinë e Parë)
RENDITJA PËRFUNDIMTARE 
SUPERIORE 2014-205
Skuadrat Nd Pikë 
1.Skënderbeu 36 79 
2.Kukësi 36 75 
3.Partizani 36 73 
4.Tirana 36 72
5.Laçi 36 69
6.Flamurtari 36 38
7.Vllaznia 36 35
8.Teuta 36 29
9.Apolonia 36 25 
11.Elbasani 36 14 
GJYQTARËT
Faktori që s’ngre nivelin e Superiores
Megjithëse ka disa elementë dukshëm cilësorë në Kategorinë Superiore 2014-2015, nuk anashkaljmë faktin se edhe në këtë sezon gjyqtarët u dukën si pjesa më e lëkundur, të cilët kanë bërë që në futbollin tone, në raste e ndeshje të veçanta, të mos jenë shumë të besuar. Duke veçuar kryesisht ato takime ku kanë luajtur skuadra që renditeshin në vendet e kreut, në shumë ndeshje të tjera gjyqtarët nuk e kanë pasur nivelin e duhur për Kategorinë Superiore. Nëse renditim ndeshjet ku gjyqtarët kanë çaluar profesionalisht, do të duheshin shumë radhë, por nëse themi se edhe në këtë sezon kur ka patur short të drejpërdrejtë për takime të veçanta, nuk u përmirësua figura e gjyqtarit, kjo është një e vërtetë që nuk ndikoi në rritjen e cilësisë së gjykimit. Dhe nëse do ta krahasojmë këtë sezon që u mbyll me sezonin e kaluar kur gjyqtarët hidheshin në short, me ato çka evidentojmë e kemi të drejtën të mendojmë që këtë sezon më shumë ata u caktuan me “gisht”. Kësisoj, kjo është një dilemë më vete e këtij sezoni që u mbyll, ndërsa për sezonin e ri, ky element duhet të hyjë “fjalëkryqin” e detyruar për t’u zgjidhur drejt nga FSHF-ja.
Sigal