Skënderbeu-Flamurtari, beteja për Superkupën

507
Sigal

Ky është edicioni i 21-të i kompeticionit. Rekordin e mban Tirana me 10 trofe të fituar

 Të dielën, më 17 qershor 2014 (19:00), kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu dhe fituesi i Kupës së Shqipërisë, Flamurtari, do të diskutojnë midis tyre finalen e Superkupës, në edicionin e 21-të kompeticionit. Kjo është finalja e 21-të e Superkupës dhe Flamurtari e ka fituar atë dy herë (1990, 1991): më 11 janar 1991 ka fituar me Dinamon 3-3 (5-4 penallti) dhe 11 janar 1992 Partizanin 1-0. Flamurtari ka humbur një finale Superkupe me Tiranën 1-0 me 16 gusht 2009. Skënderbeu e ka fituar atë vetëm një herë, më 18 gusht 2013 ne finale me Laçin 1-1 (4-3 penallti) dhe ka humbur ne dy finale te tjera me Tiranën me 18 gusht 2011 0-1 dhe 2-1 me 19 gusht 2013. Interesimi është padyshim i jashtëzakonshëm, dhe duke nisur nga kjo e enjte ka nisur dhe shitja e biletave njëkohësisht në Tiranë, Vlorë e Korçë. Çmime popullore të vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit me synimin për të krijuar një koreografi të denjë për rëndësinë e sfidës në shkallët e stadiumit, ku për tribunat A dhe B një biletë kushton 600 lekë, në sektorët D1 dhe D3 300 lekë dhe në tribunën D 2, 400 lekë. Grupimet e tifozerive të të dyja skuadrave kanë konfirmuar prezencën e tyre të shumtë në numër.

Tirana është edhe rekordmenia e Superkupës së Shqipërisë, me 10 trofe të fituara. Madje rezulton se klubi bardheblu është edhe ai që ka marrë pjesë më shumë se cilido tjetër në këtë finale, plot 13 herë (1989, 1994, 2000, 2001, 2002, 2003, 2004, 2005, 2006, 2007, 2009, 2011, 2012), nga ku tri herë ka dalë i humbur. Plus kësaj Tirana rezulton edhe si klubi i vetëm në Shqipëri që e ka fituar tri herë radhazi trofeun e Superkupës (2005, 2006, 2007), si dhe ka marrë pjesë 9 herë radhazi në këtë finale (2000, 2001, 2002, 2003, 2004, 2005, 2006, 2007, 2012). Siç shihet, dekada e parë e shekullit të ri është dominuar nga bardheblutë, të cilët ose arrinin të fitonin kampionatin, ose kupën, duke qenë gjithnjë në finalen e Superkupës. Skënderbeu është fituesi i fundit e këtij trofeu, pasi mundi vjet Laçin nga gjuajtjet e penalltive (4-3), pasi koha e rregullt dhe shtesat përfunduan me rezultatin e barabartë 1-1. Në vitin 1995 dhe 1997, ky trofe nuk u zhvillua fare nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në vitin 1993, trofeu nuk u dha (nuk u zhvillua), pasi Partizani ishte fitues i dyfishtë: kampionat dhe kupë. Në vitin 1996 dhe 1999 ndodhi e njëjta gjë. Trofeu i Superkupës nuk u dha, pasi Tirana kishte qenë një sezon më parë (më 1995- 1996 dhe 1998-1999) fituese e dyfishtë: kampionat dhe kupë. Katër edicionet e para të finales së Superkupës (1989 Dinamo-Tirana 2-0; 1990 Flamurtari- Dinamo 3-3 (5-4 p); 1991 Flamurtari-Partizani 1-0; 1992 Elbasani-Vllaznia 3-2) janë zhvilluar në të njëjtën datë, 11 janar. Nga 20 finalet e luajtura deri tani, 13 janë fituar nga ekipet kryeqytetase dhe vetëm në 7 raste kanë qenë skuadrat e rretheve që kanë dalë fitimtare. Në katër raste finalet kanë qenë “puro” kryeqytetase dhe vetëm në tri raste (përfshi aktualin) ka qëlluar që Superkupa të diskutohej mes dy ekipeve nga rrethet. Teuta nuk e ka fituar asnjëherë Superkupën, edhe pse ka dalë tri herë në finale, që të tria herët mundur nga Tirana. Në vetëm një rast janë luajtur brenda një viti dy finale të Superkupave: më 2001 u luajt Vllaznia-Tirana, finale që i përkiste vitit 2000 dhe tjetra Tirana-Teuta, që i përkiste vitit 2001. Rezultati më i thellë në finalet e Superkupave është Tirana-Dinamo 6-0, më 11.09.2002. Një “festival golash” kanë qenë edhe përballjet Flamurtari-Dinamo (3-3) dhe Tirana-Besa (4-2).

FINALET E SUPERKUPËS

1989 Dinamo-Tirana 2-0

1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p)

1991 Flamurtari-Partizani 1-0

1992 Elbasani-Vllaznia 1-1 (3-2, pas shtesës)

1994 Tirana-Teuta 1-0

1998 Vllaznia-Apolonia 1-1 (5-4 p)

2000 Tirana-Teuta 1-0

2001 Vllaznia-Tirana 2-1

2002 Tirana-Dinamo 6-0

2003 Tirana-Dinamo 3-0

2004 Partizani-Tirana 2-0

2005 Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p)

2006 Elbasani-Tirana 0-2

2007 Tirana-Besa 4-2

2008 Dinamo-Vllaznia 2-0

2009 Tirana-Flamurtari 1-0

2010 Dinamo-Besa 1-3

2011 Skënderbeu-Tirana 0-1

2012 Skënderbeu-Tirana 1-2

2013 Skënderbeu-Laçi 1-1 (5-4p)

2014 Skënderbeu-Flamurtari 17 gusht

 “Goditje” nga FIFA, Shqipëria zbret 3 vende

 Kombëtarja shqiptare e futbollit zbriti tre vende në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, për muajin gusht 2014 në raport me atë paraardhës (korrik). Kuqezinjtë e Xhani De Biazit pozicionohen në vendin e 70-të nga 207 vende që aderojnë në organizatën më të madhe të futbollit në Botë. Shqipëria (437 pikë) ndodhet midis Afrikës së Jugut (69/ 438 pikë) dhe Bolivisë (71/434 pikë). Në renditjen europiane, Përfaqësuesja jonë pozicionet në vendin e 35-të midis Izraelit (34) dhe Bullgarisë (36). Përsa u përket kundërshtarëve të Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2016, Portugalia ndodhet në vendin e 11-të (1152 pikë); Danimarka (26/818 pikë), Serbia (31/723 pikë); Armenia (36/648 pikë). Ndeshja e parë e Kombëtares sonë për eliminatoret e Euro 2016 është ajo kundër Portugalisë, më 7 shtator 2014. Renditja botërore kryesohet nga Gjermania (1736 pikë), e ndjekur nga Argjentina (1604) dhe Holanda (1507).

NË FIFA

69 Afrika e Jugut    438  -3

70 Shqipëria         437  -3

71 Bolivia           434  0

NË UEFA

34 Izraeli           439  -1

35 Shqipëria         437  -3

36 Bullgaria         429  0

Shuhen ëndrrat e Vllaznisë, humbet 5-0

 Shuhen përfundimisht ëndrrat e Vllaznisë, për një vend në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve për femra. Skuadra shkodrane humbi thellësisht 5-0 ndeshjen e tretë dhe të fundit me lituanezet e Gintra Universitetas (golat nga: Vanagaite 55’; Veliçkaite 63’, 79’; Imanalijeva 85’ dhe Budryte 90+4’). Vllaznia e mbylli takimin me dhjetë lojtare, pasi Begolli u ndëshkua me kartonin e kuq në minutën e 20-të, çka ndikoi edhe në lojën e shkodranëve, të cilat i pësuan golat në pjesën e dytë. Pas tri ndeshjeve, Vllaznia grumbulloi katër pikë: një fitore 2-1 me Ki nga Ishujt Faroe, një barazim 0-0 me Apolon Limasol nga Qipro dhe një humje me Gintra Universitetas nga Lituania. Vendin e parë në grupin 6 e zuri Apolon Limasol, e cila kualifikohet direkt, ndërkohë që vendi i dytë, Gintra Universitatas, do të presë rezultatet e vendeve të dyta në grupet e tjera, për të parë nëse do të kualifikohet për më tej apo jo.

 UEFA inspekton stadiumin e Elbasanit

 UEFA interesohet për ecurinë e stadiumit te Elbasanit. Një delegacion i institucionit te futbollit europian mbërriti në Shqipëri për të parë dhe vlerësuar punimet e deritanishme në impiantin ku do të zhvilloje ndeshjet zyrtare Kombëtarja  shqiptare e futbollit. Specialistët europianë janë interesuar ne mënyre të veçantë për problemet e transmetimit televiziv dhe lehtësimin e kushteve për median.

   Vlera e formacionit bazë të futbollistëve madrilenë arrin në 386 milionë sterlina

 Reali i Madridit, 11-shi  më i shtrenjtë në histori

 Reali i Madridit vendosi një rekord, kur hodhi në fushë 11-shin  titullar në ndeshjen e Supekupës së Europës ndaj Valencias në Kardif (të fituar 2-0), duke paraqitur formacionin më të shtrenjtë në historinë e futbollit spanjoll dhe atij Botëror. Vlera e 11 lojtarëve bazë shkon në 386 milionë sterlina, ndërkohë që gjithë vlera e lojtarëve shkon në 527 milionë sterlina. Lojtari më i shtrenjtë i blerë nga klubi madrilen është uellsiani Garet Bejl me 85 milionë sterlina (vlera e blerjes së tij nga Totenhemi). Pas tij vjen Kristiano Ronaldo me 80 milionë sterlina (vlera e blerjes së tij nga Mançester Junaitid), ndërsa futbollisti i tretë më i shtrenjtë është blerja e kësaj merkatoje verore, kolumbiani Hames Rodriguez: 63 milionë sterlina. Portieri Iker Kazijas, si prodhim i akademisë së Realit të Madridit ka vlerën zero, pasi nuk konsiderohet blerje. Pesë milionë stërlina kushton portugezi Karvajo. Serxhio Ramos kushton 21 milionë sterlina, portugezët Pepe e Kontreao, si dhe gjermani Toni Kros kushtojnë nga 24 milionë sterlina; francezi Benzema 27 milionë sterlina; kroati Luka Modriç kushton 33 milionë sterlina.

Nojer-Roben-Ronaldo, luftë për më të mirin

 Kristiano Ronaldo, fituesi i freskët i Superkupës së UEFA-s dhe i Ligës së Kampioneve me Realin e Madridit, si dhe dyshja e Bajernit të Munihut, Manuel Nojer dhe Arjen Roben janë tre kandidatët për të fituar trofeun e “Lojtarit më të mirë” në Europë për sezonin 2013-2014. Lojtarët fituan më shumë pikë nga sondazhi i dytë, në të cilën morën pjesë gazetarë nga të 54 federata europaine që aderojnë në UEFA. Të tre lojtarët ishin pjesë e një liste prej dhjetë lojtarësh, të cilët iu nënshtruan votimit paraprak. Lojtari më mirë do të shpallet gjatë një votimi “live” në Monako, më 28 gusht gjatë hedhjes së shortit të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve. Ronaldo është midis të nominuarëve për katër vite rresht. Ai shijoi një vit të jashtëzakonshëm me Realin e Madridit në Ligën e Kampioneve, ku dhe theu rekordin për shënimin e më shumë golave gjatë një sezoni, duke fiksuar shifrën 17.

  Fituesit e mëparshëm

Frank Riberi (2012/13)

Andres Iniesta (2011/12)

Lionel Mesi (2010/11)

Dash FRASHËRI