Skënderbeu, e treta e vërteta

486
Sigal

Të dielën, finalja e Superkupës: Skënderbeu-Laçi. Korçarët i kanë humbur dy finalet e fundit

Sezoni i ri futbollistik shqiptar nis të dielën (18 gusht, ora 19:00), me finalen e Superkupës midis kampionit Skënderbeu dhe fituesit të Kupës ë Shqipërisë, Laçit. Ky është edicioni i 20-të i Superkupës, teksa e Tirana e ka fituar atë dhjetë herë në 19 finalet e luajtura. Skënderbeu synon ta fitojë për herë të parë Supekupën e Shqipërisë, një trofe që i mungon “vitrinës” korçare, ashtu si dhe Kupa e Shqipërisë. Katër herë kampionët e Shqipërisë ishin finalistë edhe në dy sezonet e fundit, por ata nuk arritën ta fitonin atë, duke humbur në të dyja rastet me Tiranën: si në Korçë (1-0, 2011) dhe në “Qemal Stafa” (2-1, 2012). Tani në Korçë besojnë se, ky është rasti më i mirë për ta fituar këtë trofe, pasi në finale do të kenë Laçin, fituesin e Kupës së Shqipërisë, një skuadër më modeste. Skënderbeu bëri një paraqitje të pëlqyeshme në Ligën e Kampioneve, ku për herë të parë kaloi një tur – eliminoi azerbajaxhanasit e Neftçit, përpara se të mposhtej nga kazakistanezët e Shahker Karagandyt. Gjithsesi, aventura e korçarëve vazhdon në fazën “play-off” të Ligës së Europës, ku shorti i ka vendosur kundër ukrainasve të Çernomorets Odesës (me të cilët luajnë Kristi Vangjeli dhe Elis Bakaj).

Josa kërkon “bis”

“Sigurisht që të gjithë trofetë e mundshëm na duhen. Çdo ekip luan për të fituar trofe dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Do të hyjmë në fushë për ta fituar. Mendoj se mund t’ia arrijmë qëllimit”. Mirel Josa synon jo vetëm të bëjë “bis” trofesh sezonalë – fitoi titullin kampion me Skënderbeun, por dhe “bis” të Superkupës. Skënderbeu do të luajë me formacionin më të mirë të mundshëm kundër Laçit dhe më pas do të mendojë për ndeshjen kundër Çernomorets. “Skënderbeu do të luajë me formacionin më të mirë të mundshëm kundër Laçit”, – tha Josa. Trajneri tiranas e ka fituar të më parë, pikërisht me Tiranën në sezonin 2004-2005, kur fitoi me Teutën. Ndeshja e rregullt dhe shtesat përfunduan 0-0, ndërsa gjithçka u vendos nga “ruleta” e penalltive: triumfuan bardheblutë 5-4. Sezonin e kaluar, Mirel Josa, e humbi finalen 2-1 ndaj Tiranës së drejtuar nga spanjolli Hulian Rubio, me një autogol të realizuar nga kroati Marko Radash në minutën e 90-të. Më parë kishin shënuar Afrim Taku për Tiranën dhe Sebino Plaku për Skënderbeun. Në fakt, Josa, i cili ndeshej kundër ekipit më të cilin bëri emër si lojtar dhe trajner, duke fituar tituj të shumtë, e kishte marrë në dorëzim Skënderbeun vetëm pak ditë para finales, pas prishjes së kontratës të klubit korçar me çekun Stanislav Levi (sot drejton Slas Vroklav në Poloni, atje ku aktivizohet edhe ish-sulmuesi i Skënderbeut, Sebino Plaku.

DY FINALET E HUMBURA TË SKËNDERBEUT

 19.08.2012/ SKENDERBEU-TIRANA 1-2

Tirana triumfon me nëntë lojtarë

 Një Tiranë, që e mbylli ndeshjen me nëntë lojtarë, fitoi për herë të dhjetë Superkupën e Shqipërisë, duke mposhtur 2-1 Skënderbeun kampion, në finalen e zhvilluar në “Qemal Stafa”, ndërkohë që për trajnerin spanjoll të bardhebluve kjo ishte hera e dytë që e fitonte trofeun e tretë për nga rëndësia në vend. Rubio, i cili ka fituar tre trofe në Shqipëri, dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë, që të tria në finale me Skënderbeun, u shpreh tepër i lumtur për suksesin. Tirana kaloi e parë në avantazh me anë të riut Afrim Taku (39’), ndërsa Sebino Plaku barazoi përkohësisht për Skënderbeun në minutën e 51-të. Fitoren e Tiranës e vendosi autogoli i Marko Radasit të Skënderbeut, në minutën e 89-të.

18.02.2011/ SKENDERBEU-TIRANA 0-1

Tirana fiton ndeshjen e incidenteve

 Falë një goli të sulmuesit Bekim Balaj (63’), Tirana fitoi për herë të 9-të Superkupën e Shqipërisë, duke mundur 1-0 në finale Skënderbeun në ndeshjen e zhvilluar në Korçë, një ndeshje dramatike dhe të turpshme për nga ana e organizimit, të nisur me 60 minuta me vonesë dhe e ndërprerë 20 minuta pas vetëm 10 minutave lojë, pas incidenteve të shumta, ku sipas raportimeve nga Korça ka pasur edhe tifozë të lënduar, nga të dyja skuadrat. Ajo që duhet të theksohet me forcë, se mungesa totale e organizimit nga ana e klubit vendas dhe nga Federata, prodhoi edhe prodhoi shumë incidente, për ta shndërruar atë, më të turpshmen në historinë e futbollit shqiptar.

Trajneri Stavri Nica: “Me punë arrihet gjithçka. Sukseset tona nuk janë rastësore”

 Finalja e parë e Laçit

 Laçi do të zbresë në finalen e Superkupës me statusin e fituesit të Kupës së Shqipërisë, trofe që e fitoi për herë të parë në historinë e klubit. Edhe finalja e Superkupës do të jeta e para për kurbinasit e drejtuar nga trajneri me përvojë Stavri Nica. Në fakt, një midis Skënderbeut (dy finale të humbura) dhe Laçit, do ta shkruajë për herë të parë emrin në “Librin e Artë” të fituesve të Superkupës, duke u bashkuar kështu me Dinamon (fituesja e parë në vitin 1989), Tiranën (rekordmene me 10 trofe), Flamurtarin, Elbasanin, Vllazninë, Partizanin dhe Besën. Pra, njëri midis Skënderbeut dhe Laçit do të jetë ekipi i tetë shqiptar që fiton Superkupën. Në fakt, Laçi zhgënjehu në paraqitje e tij të dytë ndërkombëtare, kur u eliminua në turin e parë të Ligës së Europës nga Diferdanzh i Luksemburgut: humbi 1-0 në Korçë dhe 2-1 në Luksemburg. Laçi vjen pas përgatitjeve të bëra së fundi në Austri, ku zhvilloi edhe tri ndeshje miqësore me ekipe të njohura, përfshirë dhe italianët e Hellas Verona, me të cilin humbi 3-0. Laçi vijon përgatitjet në prag të Superkupës me Skënderbeun, sfidë që po vlerësohet maksimalisht nga bardhezinjtë. Trajneri i kurbinasve, Stavri Nica, e ka të qartë se një sfidë e tillë është e rrallë për klubin që drejton, dhe ai synon “rrëmbimin” e trofeut të dytë sezonal pas Kupës së Shqipërisë. Duke folur për mediat sportive, Nica tha se ekipi ka marrë ngarkesë të plotë në përgatitoren e Austrisë: “Kemi treguar se gjithçka arrihet me punë dhe po krijojmë një traditë në këtë klub, duke qenë çdo vit një ekip i respektueshëm për kundërshtarin falë lojës që zhvillojmë në fushën e blertë, ndaj dhe sukseset tona nuk janë aspak rastësore. Finalen e Superkupës e kemi vlerësuar maksimalisht, pasi luhet për një trofe. Kupat dihet që janë stimujt për të gjithë ne që punojmë në këtë fushë. Normalisht, synimi ynë do të jetë fitorja dhe do tentojmë ta arrijmë atë. Përballë kemi një ekip si Skënderbeu, për të cilin nuk kam pse komentoj shumë, pasi të gjithë tashmë e njohim forcën e këtij ekipi, që po dominon futbollin tonë vitet e fundit. Jemi të ndërgjegjshëm për shkallën e vështirësisë së këtij takimi, por ne do tentojmë fitoren për të bërë tonin një tjetër trofe, pas atij të kupës”. Laçi është një nga skuadrat që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar vitet e fundit.

FINALET E

SUPERKUPËS

DHE FITUESIT

1989: DINAMO-Tirana 2-0

1990: FLAMURTARI-Dinamo 3-3 (5-4 p)

1991: FLAMURTARI-Partizani 1-0

1992: ELBASANI-Vllaznia 3-2 (me shtesa)

1994: TIRANA-Teuta 1-0

1998: VLLAZNIA-Apolonia 1-1 (5-4 p)

2000: TIRANA-Teuta 1-0

2001: VLLAZNIA-Tirana 2-1

2002: TIRANA-Dinamo 6-0

2003: TIRANA-Dinamo 3-0

2004: PARTIZANI-Dinamo 1-0

2005: TIRANA-Teuta 0-0 (5-4 p)

2006: TIRANA-Elbasani 2-0

2007: TIRANA-Besa 4-2

2008: DINAMO-Vllaznia 2-0

2009: TIRANA-Flamurtari 1-0

2010: BESA-Dinamo 3-1

2011: TIRANA-Skënderbeu 1-0

2012: TIRANA-Skënderbeu 2-1

SHËNIM

1993: Nuk u dha trofeu

1995: Finalja nuk u luajt

1996: Nuk u dha trofeu

1997: Finalja nuk u luajt

1999: Nuk u dha trofeu