Skënderbeu “çmendet” për dy minuta në Vlorë, Laçi eliminon Kukësin me Rexhinaldon

606
Nga Agron KAJA
KUPA E SHQIPËRISË/ U luajtën dje ndeshjet e dyta gjysmëfinale, në “Zeqir Ymeri” ndërhyn FNSH-ja, në stadiumin “Flamurtari” ndeshja ndërpritet dy minuta
Dje u luajtën dy ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, dhe Laçi me Skënderbeun janë dy skuadrat finaliste të 27 majit 2018. Në “Zeqir Ymeri” të Kukësit, ku u luajt ndeshja mes Kukësit e Laçit, fati u buzëqeshi kurbinasve. Duke qenë se në ndeshjen e parë në Laç rezultati u mbyll i bardhë 0-0, në takimin dje, çdo gol i Laçit në rezultat të barabartë, e kualifikonte skuadrën kurbinase. Dhe kështu ndodhi, ku për këtë kualifikim mendoi Rexhinaldo, i cili ditë më parë krijoi konflikte me Presidentin Pashk Laska, por në fushë ndodhi ndryshe, ku edhe pse ka pasur tension gjatë gjithë ndeshjes, sulmuesi kryesor i Laçit pasi goditi shtyllën dhe humbi mundësi shënimi, në minutën e 79-të ai shënoi golin e barazimit të ndeshjes, dhe të kualifikimit të Laçit si finalisti i parë i Kupës së Shqipërisë për edicionin 2017-2018. Më parë, në minutën e 20-të, Kukësi kaloi në avantazh me anë të Gurit, i cili realizoi nga penalltia, duke u menduar se kuksianët do të ishin finalistë. Skuadra e drejtuar nga Pakult e administroi mirë ndeshjen në pjesën e parë, por në të dytën Laçi ndryshoi fytyrë, pasi trajneri Mezani e spostoi ekipin përpara, ku Rexhinaldo goditi shtyllën dhe dha sinjalin e madh për golin në minutën e 79-të. Goli solli tension dhe Kukësi e rriti presionin për golin në 11 minutat e fundit, por nuk mundi të shënonte asnjë gol tjetër. Në një ndeshje me 7 kartonë të verdhë, tregon qartë për tensionin e kësaj gjysmëfinaleje, por Laçi me meritë shkoi në finale, ku pret Skënderbeun, i cili dje në mbrëmje në stadiumin “Flamurtari” fitoi pastër 2-0 ndaj vlonjatëve. Të dy golat u shënuan në harkun e 2 minutave, ku në të 59-ën Soue dhe në të 61-tën Nimaga, i shuan ëndrrat e Flamurtarit për kualifikim në finale. Një humbje e madhe kjo për skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Duro, pasi këtu i kishte të gjitha shpresat për Evropën, por që tashmë duhet të ketë kujdes edhe për mbijetesën në Kategorinë Superiore. Por, edhe kjo sfidë gjysmëfinale mes këtyre dy skuadrave nuk i shpëtoi tensionit në fushë, e më shumë në shkallët e stadiumit. Në minutën e 35-të, gjyqtari e ndërpreu ndeshjen për shkak të sharjeve në kor nga tifozët vlonjatë, pasi mbrojtësi Osmani i Skënderbeut e largoi topin drejt tyre i nervozuar. Ndeshja u ndërpre për dy minuta, e pasi Osmani u ndëshkua me kartonin e verdhë, rifilloi në minutën e 37-të. Gjithsesi, kjo do të jetë finalja e katërt për Skënderbeun në Kupën e Shqipërisë, trofe që i mungon skuadrës korçare, ndërsa Laçi e ka fituar 2 herë, por edhe finalja e katërt, sikundër Skënderbeu.
Në fundin e ndeshjes Kukësi-Laçi 1-1, kur laçianët po festonin kualifikimin, kanë nisur incidentet në stadium. Nga tribuna janë hedhur shishe dhe sende të forta, ndërkohë që lojtarët e Laçit janë shoqëruar nga FNSH-ja për në dhomat e zhveshjes. Edhe në Vlorë, tifozët e ndërprenë ndeshjen për dy minuta
DEKLARATA TRAJNERËSH
Kukësi-Laçi 1-1
Peter Pakult (Kukësi): Nuk reaguam mirë në pjesën e dytë
“Situatë jo e mirë, e dëshironim të gjithë finalen. U mërzita shumë, mendoj se mund të bënim më shumë. Sot shënuam dhe kryesonim me meritë, por në pjesën e dytë luajtëm keq dhe nuk ishim aty ku duhej, ndaj Laçi gjeti barazimin dhe nuk mundëm të shënonim më. Nuk ishte i mirë reagimi ynë dhe Laçi përfitoi me golin që i kualifikoi në finale”.
Gentian Mezani (Laçi): Jam i kënaqur me mënyrën si interpretuam lojën
“Nuk e kam vënë në diskutim asnjëherë forcën e grupit. Ne kemi pasur momente jo të mira, por ekipi e ka forcën dhe mentalitetin fitues. Për protestat gjatë lojës nuk kam ndonjë koment, dua të gëzoj kualifikimin, dhe jam i kënaqur me mënyrën si e interpretuam lojën, pavarësisht gabimit te goli i pësuar. Më pas ishim perfekt, dhe kjo më kënaq shumë”. 

Flamurtari-Skënderbeu 0-2
Shpëtim Duro (Flamurtari): Vendosa të largohem nga Flamurtari
Trajneri Shpëtim Duro, menjëherë pas humbjes me Skënderbeun dje në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ka dhënë dorëheqjen nga Flamurtari. “Me keqardhje marr një vendim të pakthyeshëm. Ishte mundësi e fundit për kthesë. Me keqardhje jam i mendimit që nuk do jem më trajner i Flamurtarit. Duke pasur parasysh ndeshjet e fundit, por edhe eliminimin nga Kupa”, ishte kjo deklarata e Duros pas ndeshjes. Tashmë Flamurtarit i mbetet mbijetesa objektiv.
Ilir Daja (Skënderbeu): Kishim besim te finalja
Pas fitores së djeshme të Skënderbeut, trajneri Ilir Daja deklaroi se skuadra e tij ka hyrë e stresuar në lojë, por luftoi me dinjitet. “Kemi hyrë të stresuar në lojë. Nuk ishin aty ku duhet në pjesën e parë, por rëndësi ka që kemi arritur finalen. Treguam se ishim ekipi më i mirë në Shqipëri. Dhe. Nëse dikush ka një fije dinjitet dhe burrëri, duhet të kërkojë ndjesë për atë aktrim që u bë në mediat e shkruara, se Skënderbeu kishte bërë pakt me Flamutarin”.
Gjysmëfinalet 
Takimet e para
Datë 4 prill 2018
Laçi-Kukësi 0-0
Skënderbe-Flamurtari 0-1
Takimet e kthimit
Sot, 18 prill 2018
Kukësi-Laçi 1-1
Shënues: Guri 20’ (p)/ 
Rexhinaldo 79’
Flamurtari-Skënderbeu 0-2 
Shënues: Soue 59’, Nimaga 61’

FINALJA
Datë 27 maj 2018
Laçi-Skënderbeu 
Laçi në Kupën e Shqipërisë
Finalist 4 herë
Fitues 2 herë

Skënderbeu në Kupën e Shqipërisë
Finalist 4 herë
Fitues 0 herë
Sigal