Skënderbe heroik, ndal BATE Borisovin

551
Sigal

LIGA E KAMPIONEVE/ Kampionët e Shqipërisë barazojnë 0-0 me skuadrën që ka mundur Bajernin e Munihut

Një Skënderbe heroik ia doli me sukses të ndalte gjigantët e BATE Borisovit në barazimin 0-0 në “Bonson Arena” në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Kampioneve (edicioni 2014-2015). Ky ishte barazimi i dytë në 11 ndeshje ndërkombëtare të kampionëve të Shqipërisë, përfshirë dhe atë me azerbajxhanasit e Neftçi Bakut (sezonin e kaluar). Rezultati i marrë nga korçarët ndaj një kundërshtari me emër e me një buxhet disa dhjetëra miliona eurosh lë të hapur mundësinë e kualifikimit në ndeshjen e dytë, që do të zhvillohet pas një jave në Korçë (22 korrik). Barazimi ndaj BATE Borisovit, një skuadre që ka dalë nëntë vjet rresht kampion i Bjellorusisë dhe që, për më tepër ka marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës dhe janë ndeshur me skuadrat më të forta të kontinentit, përfshirë Bajernin e Munihut (ka fituar 3-1 në sezonin 2012-2013), Realin e Madridit, Juventusin, Valenciann, Lilën. Skuadra e drejtuar nga një mjeshtër i taktikës, si trajneri Mirel Josa, zhvilloi një ndeshje dinjitoze dhe tepër luftarake, me dyluftime të forta (pesë kartonë të verdhë për korçarët), duke mos u shfaqur inferior karshi një kundërshtari me emër, që është mësuar të luajë edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Portieri veteran Orges Shehi u tregua i sigurt në portë, duke mos e lejuar prekjen e rrjetës. Skënderbeu funksionoi tepër kompakt përballë BATE Borisovit, që ushtroi presing të jashtëzakonshëm në kërkim të golit. Në minutën e 24’, Skënderbe rrezikoi me nigerianin Nuredin Orelesi. Goditja e mesfushorit kuqebardhë tronditi bjellorusët. Pjesa e dytë ishte më dominuese për vendësit, që nuk i reshtën sulmet e tyre drejt kuadratit korçar, por ata hasën në një barrikadë të vërtetë të ndërtuar dhe ideuar me kujdes nga Mirel Josa. Pas 70 minutash lojë, trajneri i Bate Borisov bën dy zëvendësime të menjëhershme në vijën e parë, duke dashur t’i japë një tjetër shtysë lojës së të tijve. Trajneri Josa vendos të bëjë zëvendësimin e parë në minutën e 74-t. Braziliani Ademir ia lë vendin Nimagës, një lojtar tipik sulmues ky, që i bashkëngjitet Sefës në repartin e përparmë. Trajneri i kampionëve të Shqipërisë guxoi shumë në këtë rast, duke tentuar të shfrytëzojë hapësirat e krijuara nga BATE Borisov, e hedhur e tëra në sulm. Kuqebardhët i luajnë 15 minutat e fundit me dy sulmues të deklaruar, duke iu përgjigjur me të njëjtën “monedhë” kundërshtarit, që pak e nga pak humbet qetësinë dhe në mënyrë dëshpëruese kupton se ndeshja ka prekur fundin dhe goli nuk ka dalë dot në dritë. Gjithçka do të nisë nga zero ndeshjen e kthimit në Korçë, kur do të vendoset edhe fati i skuadrës që kualifikohet për më tej. Kampionët e Shqipërisë, duke pasur edhe mbështetjen “lojtarin të 12-të”, tifozëve, dëshirojnë të përsërisin suksesin e edicionit të kaluar, kur eliminuan azerbajxhanasit e Neftçi Bakut: 0-0 në Azerbajxhan dhe 1-0 në Korçë. BATE Borisov është e vetmja skuadër bjelloruse që është kualifikuar në fazën e grupeve te Ligës së Kampioneve, pikërisht në sezonet 2008-2009, 2011-2012 dhe 2012-2013. BATE është themeluar ne vitin 1973 dhe ka fituar 10 here Superligën Bjelloruse.

 LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

Ndeshja e parë, 15 korrik 2014

BATE BORISOV-SKENDERBEU  0-0

Stadiumi “Bonson Arena”, Borisov

BATE: Çernik, Gayduçik, Khagush (Gordeyçuk 70’), Filipenko, Polyakov, Karnitski, Aleksieviç, Krivets (Pavlov 70’), M.Volodko, Sihneviç, Rodionov. Trajner: Aleksandr Yermakoviç

SKENDERBEU: Shehi, Arapi, Osmani, Ademir (Nimaga 74’), Vangjeli, Radaš, Progni (Jashanica 90+5’), Orelesi, Lilaj, Shkembi, Sefa (Ribaj 90+2’). Trajner: Mirel Josa

Gjyqtarë: Georgi Kabakov, Ivan Valçev, Martin Margaritov (Bullgari)

Kartonë të verdhë: Krivets 38’, Rodionov 54’ / Progni 43’, Radas 44’, Orelesi 50’, Arapi 70’, Sefa 72’

LIGA E KAMPIONËVE

Turi i dytë eliminator

15 korrik 2014

BATE Borisov-Skënderbeu 0-0

22 korrik 2014

Skënderbeu-BATE Borisov 20:00

SKËNDËRBEU NË EUROPË

LIGA E KAMPIONEVE

Sezoni 2001-2012

Skënderbeu-Apoel 0-2, 0-4

Sezoni 2012-2013

Sënderbeu-Debrecen 1-0, 0-3

SEZONI 2013-2014

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

Skënderbeu-Neftçi     1-0, 0-0

Turi i tretë eliminator

Shahkter-Skënderbeu       3-2, 0-3

LIGA E EUROPËS

Çernomerets-Skënderbeu 1-0, 0-1

(Çernomerets fitoi 7-6 me pen.)

 

SEZONI 2014-2015

Liga e Kampioneve

Bate Borisov-Skënderbeu 0-0

 

Bilanci: 11 ndeshje, 4 fitore, 2 barazime, 5 humbje

Shqiptari Xherdan Shaqiri u bë lojtari i parë që shënon një tripletë më këmbën e majtë

 15 statistikat më të çuditshme të “Brazil 2014”

 Nga aftësia thuajse e pagabueshme e Kosta Rikës, për të nxjerrë në pozicion jashtë loje lojtarët kundërshtarë, e deri te autogoli i Marselo, i pari futbollist brazilian që shënon në portën e tij në historinë e Botërorëve. Ja 15 statistikat më të çuditshme të “Brazil 2014”.

1 – Lojtarët e Kosta Rikës i vendosën 41 herë kundërshtarët në pozicion jashtë loje: rekord në ketë edicion të Botërorit.

 2 – Autogoli i Marselos në takimin hapës Brazil-Kroaci ishte i pari për një lojtar brazilian në historinë e Botërorëve.

 3 – Gjatë gjithë Botërori, Argjentina ishte vetëm një herë në dizavantazh për shtatë minuta: në finalen me Gjermaninë.

 4 – Irani u bë ekipi i parë Kombëtar që pëson një gol në Botëror si nga Mesi ashtu dhe nga Kristiano Ronaldo.

 5 – Jasper Silesen u bë portieri i parë që u zëvendësua dy herë në një edicion të Kupës së Botës.

 6 – Julian Green shënoi me prekjen e tij të parë të topit në Botëror (në ndeshjen kundër Belgjikës).

 7 – Portieri algjerian Rais M’Bolhi krijoi dy raste për gol, kur shokët e skuadrës së tij krijuan vetëm tre.

 8 – Fabio Kapelo ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e tij në Botëror në rolin e trajnerit.

 9 – Xherdan Shaqiri shënoi tripletën e parë të shënuar me këmbën e majtë në Botërore (nga viti 1996 deri më sot).

 10 – Diego Benaljo ishte portieri i vetëm në këtë Botëror që tentoi një gjuajte nga porta në portë në ndeshjn kundër Argjentinës.

 11 – Kartoni i kuq i marrë nga Aleks Song ishte i teti i marrë nga një lojtar i Kamerunit në Botëror. Babai i tij, Rigobert Song ka marrë dy kartonë të kuq në një Kupë Bote.

 12 – Janë 32 golat e shënuar nga lojtarët që kanë hyrë në fushë së zëvendësues: një rekord në një edicion të vetëm të Botërorit.

 13 – Hondurasi është ekipi që ka luajtur më shumë ndeshje pa fituar kurrë në historinë e Botërorëve: nëntë të tilla.

 14 – Në 126 minuta të luajtura në këtë Botëror, Diego Kosta nuk gjuajtur dot asnjë goditje në kuadratin e portës kundërshtare.

 15 – Në ndeshjen kundër Greqisë, Japonia e mbajti kontrollin e topit në 74.3%, një rekord për japonezët në Botërore.

Formacioni ideal i Botërorit

 FIFA publikoi formacionin ideal të Botërorit, por në të mungojnë si argjentinasi Lionel Mesi (fitoi “Topin e Artë” si lojtari më i mirë), ashtu dhe braziliani Nejmar. Formacioni është ndërtuar nga të dhënat e kompjuterëve të FIFA-s, me parametrat e përpunuara nga sponsori kryesor “Castrol”. Në kritere merren parasysh përqindja e pasimeve, dylyftimeve të fituara, krijimi i rasteve e deri te lëvizjet në fushë, përfshirë edhe distancën e përshkruar. Formacioni ideal është një 4-4-2. Formacioni ideal sipas “Castrol Index”: Nojer (Gjermani, 9,33); De Vrij (Holandë, 9,70), Humels (Gjermani, 9,66), Tiago Silva (Brazil, 9,54), Rojo (Argjentinë, 9,51); Kroos (Gjermani, 9,79), Oskar (Brazil, 9,57), Lahm (Gjermani, 9,39), Hames Rodriguez (Kolumbi, 9,37); Roben (Holandë, 9,74), Myler (Gjermani, 9,63).

Formacioni i të dështuarve

 Botërori i Brazilit tashmë ka përfunduar. Gjermania kampione e botës vazhdon të jetë e dehur nga suksesi përballë Argjentinës në finale, por ndërkohë ka disa bilance që nuk mund të lihen pa bërë. Po ju paraqesim kështu formacionin ideal të humbësve dhe e nisim me Iker Kazillas. Në eliminimin tragjik e të parakohshëm të Spanjës dha një dorë edhe mbrojtësi Serxho Ramos. Pastaj në krahë qëndrojnë brazilianët, Dani Alves dhe Marcelo. Ka vend në këtë formacion yjesh të venitur edhe për Pepen. Nga Anglia vendin e meriton Steven Xherrad, Muntari plotëson mesfushën për penalizimin te Gana nga mungesa e disiplinës, ndërsa në krah ndodhet Antonio Valencia. Kun Aguero është zhgënjimi më i madh te Argjentina, sidomos në finale, ku prania e tij ishte thuajse inekzistente. Jo më pak kanë zhgënjyer Diego Kosta te Spanja dhe Fred te Brazili.