Skënder Gega: “Valentin Gjokajt i është bërë ftesë zyrtarisht”

293

Trajneri i Kombëtares U-21flet për “Telegraf”: “Talentet që do të thërrasim për ndeshjen kundër Anglisë U-23”

Federata Shqiptare e Futbollit është në kërkim të talenteve të rinj, që luajnë brenda dhe jashtë vendit, shqiptarë apo kosovarë, për të furnizuar kështu me “gjak të ri” dhe me lojtarë cilësorë ekipet përfaqësuese të çdo niveli, nga ai U-17 me boshnjakun Xhemal Mustedanagiç në bankinë dhe deri tek Kombëtarja A, me trajner italianin Xhani De Biazin. Kombëtarja U-21 e trajnerit Skënder Gega përgatitet të luajë një miqësore luksi me Anglinë U-23, një ndeshje që do të luhet më 16 tetor në “Niko Dovana” të Durrësit. Një pjesë e mirë e lojtarëve që mbyllën fushatën kualifikuese të Europianit të U-21 e kanë kaluar moshën, ose janë në prag të këtij kufiri, kështu që, trajneri Gega ka ndërmarrë disa udhëtime jashtë Shqipërisë, me synimin e rekrutimit e futbollistëve të talentuar. Së fundi, ish-mbrojtësi i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare ishte në Angli, me synimin për të ndjekur dy lojtarë që luajnë në kampionatet e atij vendi: Andri Thanojin e Grimsbi Toun (Kategoria e Pestë angleze) dhe Valentin Gjokajn e Derbi Kauntit (Kategoria e Dytë).

Zoti Skënder Gega, Kombëtarja U-21 që ju drejtoni, për shkak edhe të kufizimeve të moshës së lejuar të futbollistëve është në proces të vazhdushëm normal ristrukturimi dhe rifreskimi të skuadrës me lojtarë të rinj. Para pak ditësh ju udhëtuat drejt Anglisë. Cili ishte qëllimi i vizitës suaj?

Është normale për çdo ekip Kombëtar, pra nga U-17 dhe deri tek ai A, të jetë në kërkim të lojtarëve të rinj, e që gëzojnë një formë të mirë, dhe që mund të jenë të vlefshëm për përfaqësuesen. Në këtë këndvështrim edhe unë si trajner i Kombëtares U-21, nisur edhe nga specifikat që kanë ekipet e moshave, por dhe si pjesë e politikave futbollistike të Sektorit të Ekipeve Kombëtare, jam në kërkim të lojtarëve, të cilët mund të jenë të denjë për të veshur fanellën e përfaqësueses. Aktualisht, në Angli luajnë dy lojtarë shqiptarë, të cilët mendoj se mund bëhen pjesë e Kombëtares U-21: Andi Thanoi, që luan me Grimsbi Tounin (në Konferencën Kombëtare, Kategoria e pestë në Angli), si dhe mbrojtësi kosovar Valentin Gjokaj i Derbi Kauntit, ekipi i këtij të fundit luan në Championship, kategorinë e dytë angleze. Pikërisht ky ishte dhe qëllimi i vizitës sime.

Cilat ishin përshtypjet tuaja?

Në fakt, unë ndoqa në aksion vetëm njërin nga lojtarët, Andi Thanoin, pasi ndeshja midis Nontigam Forestit dhe Dervi Kountit, ku aktivizohet Valentin Gjokaj, nuk u zhvillua për shkak të kohës shumë të keqe dhe terrenit të papërshtatshëm. Pra nuk arrita dot ta shikoja. Bisedova gjatë me Thanoin dhe ai ra dakord që të aktivizohej me Shqipërinë. E pashë Andin, si në stërvitje ashtu dhe në ndeshje, madje kam marrë një DVD të tij, të cilin është duke e studiuar Sektori i Ekipeve Kombëtare.

Emri i Gjokajt është përmendur shpesh në mediat shqiptare dhe ato shqipfolëse, si në Kosovë, Maqedoni, si një lojtar cilësor. A keni kontaktuar më të?

Po. Kam folur dhe jam në kontakte të vazhdueshme me atin e Valentinit, prej të cilit kam marr edhe garancinë se ai do të bisedojë me Gjokajn, për të marrë mendimin e lojtarit. Unë do t’i konsideroja bisedime të mbara, pasi dhe sipas babait të tij, Valentini e ka shprehur disa herë dëshirën e tij për të luajtur për Shqipërinë. Ai ka lindur në Zvicër, është formuar si futbollist po aty, tek Lucerna, përpara se ai të transferohej në Angli te Derbi Kounti. Është një mbrojtës shumë i mirë, një 19- vjeçar i fuqishëm fizikisht, dhe për këtë ka merituar edhe shiritin e kapitenit të skuadrës së U-21.

A i është bërë ftesë zyrtare Gjokajt?

Po, pas bisedimeve paraprake, tani Valentin Gjokajt i është nisur edhe ftesa zyrtare për të qenë pjesë e Kombëtares. Vendimi final i takon atij, nëse do ta pranojë ftesën apo jo. Ne jemi të bindur se, ai do ta pranojë atë. Familja e tij ka dëshirë që, djali i tyre të veshë fanellën kuqezi. Për momentin atij nuk i është bërë asnjë ftesë nga Zvicra, kështu që ne jemi gati ta kemi pjesë të Kombëtares. Dyert për të janë të hapura.

Në programin e Kombëtares U-21 është dhe miqësorja e luksit me Anglinë U-23. Kur do të zhvillohet ajo?

Ndeshja miqësore kundër Anglisë do të zhvillohet, më 16 tetor, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Sigurisht, është një takim që e kemi vlerësuar shumë, pasi është një miqësore e rrallë, të paktën që luhet në vendin tonë. Më duhet të theksoj, së nëse ne do të luajmë me ekipin U-21, Anglia do të vijë në Shqipëri me një formacion U-23, me lojtarë që luajnë ndër ekipet më të mira të Premier Ligës. Është një test i mirë, por fakti që Anglia vjen me lojtarë më të mëdhenj në moshë, sesa ne, është paksa problem. Gjithsesi, do të na jepet mundësia për të parë gjendjen e shumë lojtarëve tanë, përpara se të nisin eliminatoret e Europianit të ri. Ne, nga ana tjetër, do të thërrasim lojtarë të rinj, pasi futbollistë si Sadiku apo dhe të tjerë e kanë kaluar moshën.

Cilët janë disa nga emrat e lojtarëve të rinj?

Ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendje shumë lojtarë, që luajnë në kampionate të ndryshme në Europë, përfshirë Italinë, Greqinë, Zvicrën, ndërkohë që një bazë e mirë vazhdojnë të mbeten edhe futbollistët kosovarë. Dy futbollistë që mendojmë se do t’i thërrasim shumë shpejt janë dy mbrojtës, Aleksandër Kuro dhe Marko Duni, që të dy të Panionosit në Greqi. Të dyve do t’u bëjmë ftesë. Gjithsesi, kemi një grup të madh lojtarësh në ndjekje dhe janë vëzhgim. Kush do ta meritojë do të thirret në ekip.