Skënder Gega: “Spanja? Më pëlqejnë sfidat e mëdha”

521
Sigal

 Trajneri i Kombëtares U-21 flet për “Telegraf” pas hedhjes së shortit të Kampionatit Europian

Trajneri i Kombëtares U-21, Skënder Gega, ndau ekskluzivisht për “Telegraf” emocionet e para pas hedhjes së shortit të Kampionatit Europian U-21 2015, të hedhur dje në Nion të Zvicrës. Shqipëria U-21 ra në një grup me Kampionen në fuqi të Europës në atë moshë, Spanjën, ndërkohë që grupin tonë (4) do ta kompletojnë edhe Austria, Hungaria dhe Bosnja-Hercegovina. “Do ta vlerësoja një short të kënaqshëm. Sigurisht, që e prisnim të përballeshim me ekipe të forta, kjo dhe për shkak të ndarjes së skuadrave në vazo. Do ta konsideroja si një kënaqësi të veçantë, faktin që do të përballemi me Spanjën, kampionen në fuqi të Europës për U-21”, – tha Gega për gazetën, ndërkohë që ishte në kontakte të vazhdueshme me shefin e Ekipeve Kombëtare, Redi Jupi, të pranishëm gjatë shortit. Fituesit e dhjetë grupeve dhe katër vendet e dyta më të mira do të avancojnë për më tej në fazën “play-off”, për të përcaktuar shtatë formacionet që do të marrin pjesë në finalet e kompeticionit. Finalet  do të luhen në Çekosllovaki, në qershor të vitit 2015.

  – Zoti Gega, Kombëtarja U-21 që ju drejtoni njohu kundërshtarët e saj në eliminatoret e Kampionatit Europian 2015, ku spikat pa dyshim Spanja, ndërkohë që në grupin tonë janë edhe Austria, Hungaria dhe Bosnja. Si do t’i vlerësonit rivalët ?

– Do ta vlerësoja një short të kënaqshëm. Sigurisht, që e prisnim të përballeshim me ekipe të forta, kjo dhe për shkak të ndarjes së skuadrave në vazo. Do ta konsideroja si një kënaqësi të veçantë, faktin që do të përballemi me Spanjën, kampionen në fuqi të Europës për U-21. Të dyja ndeshjet me spanjollët, si të parën në Spanjë (9 shtator 2013) ashtu dhe atë të kthimit në Shqipëri (18 nëntor 2013), i presim me shumë entuziazëm, pasi e di që djemtë do të përpiqen të japin maksimumin, për të shfaqur ato vlera që kemi. Asnjë nga ekipet e tjera, Austria, Hungaria apo Bosnja, nuk është një kundërshtar i dobët, përkundrazi kanë rritje vitet e fundit. Kanë eksperienca të mira. Gjithsesi, dua të theksoj se ne jemi gati për ta përballuar këtë fushatë kualifikuese, më mirë se ajo paraardhëse, të cilën e mbyllëm në vendin e fundit.

 – E keni përsëritur shpesh se, jeni një trajner që i pëlqeni sfidat. Si është për ju të përballeni me kampionët e Europës?

 – Ndeshja me Spanjën është shumë bukur për shumë arsye, pasi do të luajmë kundër lojtarëve që janë pjesë e ekipeve më të njohura në Europë dhe në Botë, përfshirë Barcelonën dhe Realin e Madridit. Ndeshjet me ekipet e mëdha mbahen mend dhe kujtohen shpesh jo vetëm nga trajnerët, por sidomos nga lojtarët. Futen në arkivën e tyre. Spanja është lidere e futbollit botëror, kështu që për ne është sfidë dhe kënaqësi.

 – Tashmë janë fiksuar edhe datat e ndeshjeve me kundërshtarët. Sa i kënaqur jeni me kalendarin?

 – Ne e nisim me Hungarinë (7 qershor) në Shqipëri, përpara se të luajmë në Bosnjë. Do ta konsideroja të kënaqshëm kalendarin, pasi kemi një ndeshje në shtëpi dhe më pas një ndeshje jashtë. Kështu, pas Hungarisë dhe Bosnjës, do të presim në vendin tonë Austrinë (14 gusht) dhe më pas udhëtojmë drejt Spanjës (9 shtator). Këto mbyllin dhe katër ndeshjet e para, kështu që kemi mundësi t’i njohim më mirë dhe direkt kundërshtarët. Pjesa e dytë nisi me Bosnjën që vjen në Shqipëri (15 tetor), për të vazhduar me Hungarinë  në transfertë (14 nëntor). Ndeshja, më e shumëpritur edhe nga publiku shqiptar është ajo kundër Spanjës, që do ta luajmë më 18 nëntor dhe me të cilën i mbyllim dhe ndeshjet e vitit 2013. E mbyllim me Austrinë (5 mars 2014), që është dhe ndeshja e vetme gjatë vitit të ardhshëm. Sigurisht, që do të mundohemi të bëjmë sa më shumë pikë.

 – Për ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë, takim që do të luhet pas një javë, më 6 shkurt (në Laç), keni thirrur lojtarë që luajnë jashtë Shqipërisë, përveç Bathës së Besës. Sa besoni se, do ta justifikojnë besimin?

 – Ndeshja miqësore me Maqedoninë është në kuadër të testimeve të vazhdueshme, por dhe të seleksionimit të një grupi të ri lojtarësh që do të përbëjnë më pas dhe bazën e Kombëtares U-21, për eliminatoret e radhës. Kështu që, më mirë se në një ndeshje miqësore nuk mund të testohen dhe të shihen në aksion lojtarët. Thuajse të gjithë lojtarët e thirrur e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, me ndonjë përjashtim të vogël. Skuadra do të grumbullohet, më 3 shkurt, kështu që kam tri ditë kohë për ta përgatitur atë. Dua ta theksoj, se kam një grup të mirë lojtarësh. Në ndeshjen e fundit kundër Maqedonisë, të cilën e luajtëm në Austri, në maji të vitit të kaluar, barazuam 2-2, por kjo e 6 shkurtit është ndeshje tjetër, pasi dhe lojtarët që kam thirrur janë të tjerë.

 – Lista përbehet me lojtarë që luajnë në Gjermani, Angli, Irali, Greqi, Belgjikë, Zvicër, pra nga kampionate me emër dhe traditë në futbollin e moshave. Në letër duket një skuadër e frikshme…

 – Po, kam thirrur lojtarë nga disa kampionate. Dua të veçoj Leart Paçaradën, i cili luan me Bajer Levekurzenin dhe ka qenë pjesë e Gjermanisë U-17. Nuk është pak për një lojtar, sidomos shqiptar të jetë pjesë e një kombëtare si ajo e Gjermanisë. Po, kështu Valentin Gjokaj është kapiteni i 21-vjeçarëve të Derbi Kountit në Angli. Nëse do të dinë të paraqiten mirë me ekipin e Shpresave, jam i bindur që këta do ta kenë derën hapur për ekipin Kombëtar.

– Gega, jeni në krye të ekipit Kombëtar Shpresa prej më shumë se një viti, nga muaji nëntor i 2011-s. Keni pasur ndeshje të mira ndaj emrave të tillë si Rusia (një humbje 0-1 dhe një barazim 0-0) dhe Portugalia (një barazim 2-2 dhe një humbje 3-1). Tashmë, e njihni edhe mirë skuadrën?

 – Takimet i konsideroj shumë të mira, pasi dhe edhe skuadra reagoi. Janë nga ato humbje që, të vjen keq t’i konsiderosh të tilla, pasi krijuam shumë. Humbëm në Portugali, por treguam koncept futbolli. Me Rusinë, në Durrës, humbëm me një penallti. Gjithsesi, kjo është një analizë që i takon së kaluarës, prej së cilës kam nxjerrë mësimet e mia.

 Trajneri: Ja pse nuk erdhi Kabashi i Juventusit

 Dy lojtarë, Mërgim Brahimi (Grashopers, Zvicër) dhe Elvis Kabashi (Juventus) nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Skënder Gega, pra nuk do të vijnë për miqësoren kundër Maqedonisë. “Kabashi i Juventusit, – sqaron Gega, – nuk do të vijë për arsye personale. Më shumë është një vendim i të atit të tij, ky i fundit pretendon se i biri, Elvis, duhet të thirret direkt dhe në Kombëtaren e madhe. Kjo, me arsyen se, Elseid Hysaj i Empolit u thirr nga De Biazi për miqësoren me Gjeorgjinë. Unë s’mund t’i lutem një lojtari, pasi jam një trajner. Nuk do të ishte etike”. Gega shton se, vendimi i fundit i Komitetit Ekzekutiv, që thotë se, kushdo lojtar që refuzon ftesën do të penalizohet, pavarësisht se i çfarë moshe është dhe nga cili ekipi i vjen ftesa. Kjo masë mund të prekë dhe Kabashin e Juventusit, të vlerësuar maksimalisht nga mediat italiane, lojtar për të cilin Juventusi pagoi 1.8 milionë euro për ta blerë atë. Gega tha se ka një sistem të tërë që funksion nga Kombëtarja U-17, U-19, U-21 dhe ajo A. “Është praktikë që, lojtarët kalojnë në këto filtra. Ne flasim për një sistem seleksionimi dhe të gjithë punojmë në funksion të ekipit të Parë”.

 KALENDARI

E nisim me Hungarinë, me Spanjën do të luajmë në shtator

 Përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve tanë do ta nisë aventurën e saj në shtëpi me një përballje ndaj Hungarisë më datë 7 qershor të këtij viti. Ajo që bie në sy në datat e ndeshjeve është se skuadra e drejtuar nga Skënder gega do të ketë një ndeshje në shtëpi dhe një në transfertë. Ndërkohë që kampionia në fuqi Spanja do të zbarkojë në Shqipëri më 18 nëntor të këtij viti, që përkon dhe me sfidën e fundit të 21-vjeçarëve tanë përpara publikut. Aventura e këtyre eliminatoreve mbyllet më 5 mars 2014 në Austri.

NDESHJET

07.06.2013 Shqipëri–Hungari

11.06.2013 Bosnjë–Shqipëri

14.08.2013 Shqipëri-Austri

09.09.2013 Spanjë–Shqipëri

15.10.2013 Shqipëri–Bosnje

14.11.2013 Hungari–Shqipëri

18.11.2013 Shqipëri–Spanjë

05.03.2014 Austri–Shqipëri

LISTA U-21

PORTIERË

Orestis Menka – Levadhiakos, Greqi

Amarildo Çekrezi – Anderleht, Belgjikë

MBROJTËS

Agonit Sallaj – Biel-Bien, Zvicër

Valentin Gjokaj – Derbi, Angli

Gentian Duraku – VFR Nojmunster, Gjermani

Armir Rrahmani – FC Drenica, Kosovë

Kastriot Dermaku – Melfi, Itali

Leart Paçarada – Levekursen, Gjermani

MESFUSHORË

Shpend Matoshi – FC Kiaso, Zvicër

Andi Thanoj – Grimsbi Taun, Angli

Mërgim Bajraktari – FC Thun, Zvicër

Mërgim Brahimi – Grashopers, Zvicër

Gjelbrim Taipi – FK Shkëndija, Maqedoni

Klodian Gino – Olimpiakos, Greqi

Elvis Kabashi – Juventus, Itali

Erolin Shala – Old Grin Land, Norvegji

Idriz Batha – FK Besa Kavajë

SULMUES

Valon Ahmeti – Sud Tirol, Itali

Liridon Selmani – Hamstad, Suedi

Vasil Shkurtaj – CD Tondela, Portugali

Trajner: Skënder Gega

SHORTI EURO U-21 2015

Faza eliminatore

GRUPI 1

Anglia

Uellsi

Finlanda

Moldavia

Lituania

San Marino

GRUPI 2

Rusia

Danimarka

Sllovenia

Bullgari

Estonia

Andorra

GRUPI 3

Holanda

Skocia

Sllovakia

Gjeorgjia

Luksemburgu

GRUPI 4

Spanja

Austria

Hungaria

Bosnja

Shqipëria

GRUPI 5

Zvicra

Ukraina

Kroacia

Letonia

Lihtenshtejni

GRUPI 6

Gjermani

Rumania

Mali i Zi

Irlanda

Ishujt Faroe

GRUPI 7

Suedia

Turqia

Greqia

Polonia

Malta

GRUPI 8

Izraeli

Portugalia

Norvegjia

Maqedonia

Azerjbaxhani

GRUPI 9

Italia

Serbia

Belgjika

Qipro

Irlanda e Veriut

GRUPI 10

Franca

Bjellorusia

Armenia

Islanda

Kazakistani

Trajneri “qeth” kapitenin Mavraj

  Edhe kapitenët mund të rinë në stol. Kjo pritet t’i ndodhë Mërgim Mavrajt, kapitenit kosovar të Grojther Fyrthit. Trajneri Mik Byskens ka vendosur të mos e përfshijë lojtarin e Kombëtares shqiptare në formacionin në ndeshjen kundër Shalke 04, takim që do të luhet të shtunën (15:30). Në fakt, trajneri do të bëjë ndryshime drastike në formacion, kjo dhe për situatën e vështirë që po kalon Grojtheri në kampionatin gjerman, teksa renditet në vendin e fundit. Gazeta gjermane “Bild” shkruan se Mavraj është dhe i sakrifikuari i madh. “Shqiptaro-gjermani, – thekson ‘Bild’, – për herë të parë nuk ishte pjesë e formacionit të parë, gjatë ndeshjes brenda grupit”. Çka mund të përkthehet qartë se, Mavraj nuk do të jetë në formacionin kundër Shalkes. Kjo për shkak se, “gjuha e trupit”, pra performancës së Mavrajt e ka bërë trajnerin të dyshojë. Vetë Mavraj, duke folur për “Bild” tha: “Edhe mund të ndodhë që, unë të mos luaj. Ne jemi në një situatë, që na duket me të vërtetë një mallkim. Kjo vlen për të gjithë ekipin. Kështu që, askush nuk duhet të ankohet”. Kundër Shalkes do të jetë  zëvëndëskapiteni Klajne ai që do të udhëheqë skuadrën në fushë. “Është pikante, – nënvizon tabloidi gjerman, – pasi Mavraj ka zëvendësuar pikërisht atë në fillim të këtij sezoni”. Përveç Mavrajt, në rolin e shikuesit do të jenë edhe Serkan Sararer dhe Kristofer Note.

 Partizani blen nigeranin Feliks Udoh

 Partizani nuk ndalet edhe në ditën e fundit të transferimeve, pasi mësohet se drejtuesit e kuq kanë afruar pranë ekipit të tjerë përforcime. Portieri serb Zlatan Adroviç, që është përgatit me ekipin prej ditësh, do të jetë pjesë e ekipit në fazën e dytë, kështu që portieri është federuar dje. Për sulmin është afruar sulmuesi me përvojë, Oriand Abazaj, i cili në fazën e parë ishte pjesë e Laçit. Gjithashtu kanë afruar edhe një mbrojtës të majtë dhe pikërisht bëhet fjalë për nigerianin Feliks Udoh, 19-vjeç, i cili vjen i huazuar nga Bylis.