Skënder Gega: Kampionati ende i hapur, afrimet e reja nuk jan gati

442
Sigal

Partizani do të luajë nesër në orën 14:00 një ndeshje të rëndësishme ndaj Laçit në transfertë. Trajneri Skënder Gega foli para takimit nga një konferencë për shtyp. Ai mendon se kampionati është i gjatë dhe pavarësisht diferencës në renditje, nuk do të thotë se Partizani është shpallur kampion.

“Llogaria jonë është e thjeshtë, ne shohim ecurinë tonë. Ndeshja me Laçin është e rëndësishme, kundërshtari është ekip i mirë. Takimi i djeshëm bëri që Kukësi të shkëputej me humbjen e pësuar, por kjo nuk do të thotë që kampionati është vendosur. Ka edhe 15 ndeshje, do i shohim na vazhdimësi. Për ne i rëndësishëm është Laçi. Do mundohemi të marrim maksimumin. Kemi ardhur me meritë këtu. Do marrim masat që të eliminojmë çdo firo të mundshme.

Siç e patë edhe dje, Teuta kishte disa ndeshje pa fitore. Dje tregoi se gjërat ndryshojnë shpejt, me një performancë të mirë. Ne jemi të gatshëm, e vlerësojmë Laçin. Luan mirë në shtëpi, ka linjën e vet. Mbrohet mirë dhe janë djem të rinj me ego. E shoh të vështirë. Jemi të ndërgjegjshëm, nuk i nënvlerësojmë dhe as i mbivlerësojmë”.

Formacioni – “Hila nuk do të jetë, do mungojë edhe Lum Rexhepi. Nuk duam ta rëndojmë, ka edhe ndeshje të tjera. Pjesa tjetër është gati dhe ka punuar mirë për këtë ndeshje. Nesër do shihet kush do të luajë. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Rexhepi bën që të ketë lëvizje të vogla. Do ruajmë mënyrën si luajmë. Kemi 25 lojtarë, luajnë 11. Të gjithë duhet të jenë gati kur t’u jepet rasti. Do luajë grupi më i mirë, ai që i përshtatet Laçit. Nuk e ndryshojmë formatin për hir të numrit të madh të lojtarëve. Nuk duhet të devijojmë nga rruga. Sa jemi të parët do të thotë se gjërat kanë shkuar mirë”.

Titulli-  “Ata që kanë qenë këtu e kanë Partizanin për zemër. Opinioni i ‘ish’-ëve na bën krenarë, por na shton edhe përgjegjësinë. Gjërat nuk janë të lehta. Do i marrim ndeshjet njëra pas tjerr. Parashikimet janë individuale. Nuk vendoset gjë nesër. Që pasi dolëm të parët është folur për titull. E kam thënë se duhet t’i shohim ndeshjet një e nga një”.

Rivalët- “Jemi në pozitat tona. Kemi luajtur me Skënderbeun dhe fituam me lojë bindëse në Korçë. I shohim gjërat siç janë. Për mua ka rëndësi të jetë grupi i plotë, pastaj gjërat do shkojnë mirë. Jemi bazuar te puna dhe harmonia që kemi. Çdo ndeshje, qoftë me Tiranën, qoftë me çdo rival me traditë, apo ato të rinjtë, duhen vlerësuar”.

Afrimet e janarit- “Nuk kanë debutuar për shkak të gjendjes fizike. Kur kemi marrë lojtarët, kanë pasur këtë gjendje, pa ekip. Ka një arsye pse nuk luajnë. Janë lojtarë me vlera, por ende nuk kanë gjendje fizike. Po mundohemi t’i sjellim në maksimum. Ka edhe 15 javë, edhe nëse do jenë në 100% në javët e fundit, do të jetë mirë për ne. Kampionati nuk mbyllet tani”.