Skënder Gega: Ja pse u kualifikua Skënderbeu!

482
Sigal

 Trajneri i Kombëtares U-21 analizon triumfin historik të korçarëve në Ligën e Kampioneve

Trajneri i Kombëtares U-21, Skënder Gega, në analizën e tij për triumfin e korçarëve ndaj azerbajxhanasve të Neftçit në Ligën e Kampioneve, vlerësoi forcën e grupit të kampionëve të Shqipërisë. “Skënderbeu bëri një ndeshje të madhe”, – tha Gega për gazetën “Telegraf”. Në lidhje me sfidën e sotme të Kukësit ndaj boshnjakëve të Sarajevos Ligën e Europën, ish-mbrojtësi i famshëm i Partizanit dhe i Kombëtares, theksoi se kuksianët i kanë të gjitha shanset për të kaluar në turin e tretë  “Kukësi me kualifikimin në turin e dytë në prezantimin e tij të parë bëri një histori që duhet marr shembull”, – theksoi Gega.

  – Zoti Gega, Skënderbeu eliminoi të martën azerbajxhanasit e Neftçit, duke kaluar në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve. Cili është komenti juaj?

– Skënderbeu realizoi një fitore të madhe dhe unë bashkohem në gëzimin e skuadrës korçare, pasi kualifikimi u arrit jo pa mundim. Gjithsesi, Skënderbeu dëshmoi si në ndeshjen e parë në Baku, ashtu dhe në atë të kthimit në Korçë, si ishte ekipi më mirë. Nuk humbi asnjë takim dhe, për më tepër nuk pësoi asnjë gol. E konsideroj si një arritje të madhe të futbollit shqiptar në arenën e Ligës së Kampioneve, pasi ky kualifikim u arrit pas  shtatë vjetësh nga një skuadër shqiptare. Më vjen mirë që, investimet e kryera, si në grupin e lojtarëve, ashtu dhe në infrastrukturë morën shpërblimin e tyre.

– Duke u ndalur në një analizë të ndeshjes, nisur edhe nga një këndvështrim teknik, për ju si një trajner dhe ekspert i mirëfilltë futbolli, ku dominoi Skënderbeu?

– Skuadra korçare u vendos shumë mirë si ekip, kjo nisur edhe nga fakti se trajneri Mirel Josa, tashmë e njihte më mirë kundërshtarin. Gjithsesi, barazimi pa gola në ndeshjen e parë e bëntë shumë të ndërlikuar takimin e dytë, pasi nuk duhej të pësonim gol. Ekipi e filloi me shumë kujdes lojën në pjesën e parë duke kundërsulmuar shumë fort. Rastet nuk munguan, edhe mund të kishim shënuar qysh në këtë pjesë. Mendoj se, në pjesën e dytë u bëmë zotër të fushës, kjo edhe për shkak të një kondicioni fizik më të mirë se Neftçi. Shpërdoruan raste për gol, dhe, sipas mendimi tim, ndeshja duhej të mbaronte brenda 90 minutave të rregullta, pa kaluar në shtesë.

– Nisur edhe nga ndeshja e parë, takimi në Korçë ishte shumë i komplikuar. Cila ishte arma më e fortë e Skënderbeut?

– Si ekip luajti me një disiplinë taktike, për t’u marrë shembull. E interpretoi shumë mirë lojën, duke kaluar shumë shpejt nga faza mbrojtëse në atë sulmuese dhe anasjelltas. Skënderbeu pati shumë raste për shënim, por për shkak të nxitimit dhe të moskoordinimit në fazën përmbyllëse të aksioneve, apo dhe fatit nuk arriti të shënojë.

– Pas dy dështimeve të mëparshme me APOEL-in dhe Debrecenin, erdhi edhe suksesi i shumëpritur. Cilët do të veçonit nga lojtarët?

– Të gjithë dhanë maksimumin e tyre, nga portieri dhe deri te sulmuesi. Gjithsesi, më la shumë mbresa për klasin e tij kapiteni i ekipit të Skënderbeut, Bledi Shkëmbi. Lojtarë si ai janë shumë të rëndësishëm për çdo ekip. Dua të veçoj dhe autorin e golit, Orelesin, i cili ishte në një ditë shumë të mirë. Në fund vendosi grupi, disiplina dhe shpirti që ata shfaqën në fushë.

– Kur u hodh shorti i Ligës së Kampioneve, u tha se Skënderbeu ishte disi i pafat me kur ra Neftçi, një skuadër me përvojë dhe me buxhet të madh, por tashmë të kualifikuar janë korçarët…

– Kundërshtari pati një nënvlerësimi të forcës së Skënderbeut, kjo nisur edhe nga dy sezonet paraardhëse të korçarëve në Ligën e Kampioneve. Por, si në Baku, ashtu dhe në Korçë, Skënderbeu tregoi se, në futboll jo gjithmonë fiton ai ekip që ka buxhetin më të madh.

– Edhe Kukësi synon të bëjë mrekullinë, duke u synuar kualifikimin për në turin e tretë të Ligës së Europës. Në ndeshjen e parë, të zhvilluar në “Qemal Stafa” fitoi 3-2 me Sarajevon. A mund të besojmë sërish te mrekullitë?

– Për Kukësin vërtet duhet them komplimente për ecurinë e tyre. Në turin e parë eliminuan Flora Talinin pa humbje, duke bërë një paraqitje shumë dinjitoze. Përsa i përket përballjes me Sarajevon, pësimi i dy golave në shtëpi ia bën më të vështirë. I duhet të barazojë patjetër, pasi humbjet me diferencë një goli 1-0 apo dhe 2-1 e nxjerrin jashtë loje. Gjithsesi, si do që të shkojë ndeshja, Kukësi bëri një histori që duhet marrë shembull.

– A ndihemi tashmë më të fortë në Europë?

– Europa është emër i madh. Them se është një vit më i mbarë, ase ai i kaluar. E them me bindjes, se këto dy ekipe, Skënderbeu dhe Kukësi, na bëjnë të ndihemi mirë të gjithë.

– Si do ta vlerësonit dështimin e shpejtë të Teutës me moldavët e Daçia Kishinaut dhe të Laçit me luksemburgasit e Diferdanzhit?

– Të dy ekipet tona i kishin mundësitë të kalonin turin.

  Shakhter Karagandy, rivali i Skënderbeut

 FC Shakhter Karagandy, ashtu si Skënderbeu, konsiderohet si një nga surprizat më të mëdha të raundit të dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve. Skuadra nga Kazakistani i largët eliminoi bjellorusët e BATE Borisov, një skuadër që vitet e fundit ka marrë jo pak duartrokitje në evenimentin arenë të kampionëve. I krijuar në vitin 1958, Shakhter Karagandy e ka fituar titullin kampion vetëm dy herë gjatë dy sezoneve të fundit, ndërsa në vitin 2008 u përjashtua nga Premier League në Kazakistan për trukim ndeshjesh, ndërsa kualifikimi në raundin e tretë të një turneu europian është i pari, ashtu si edhe për kampionët e Shqipërisë. Në kampionatin aktual ku janë luajtur 20 javë, Shakhter Karagandy mban vendin e katërt në klasifikim me 28 pikë, 16 më pak se FK Aktobe që është edhe ekipi kryesues.

 Liga e Europës, Sarajevo-Kukësi (21:00). Në ndeshjen e parë, nënkampionët e Shqipërisë fituan 3-2 në “Qemal Stafa”

 Cungu: “Sot shkruajmë një tjetër faqe të artë”

  Kukësi synon sot të shkruajë një tjetër faqe të lavdishme në historinë ndërkombëtare të tij, kur të luajë sot ndaj Sarajevos në stadiumin “Asim Ferhativic”, në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Ligës së Europës. Në ndeshjen e parë, nënkampionët e Shqipërisë fituan 3-2 në “Qemal Stafa” dhe janë të bindur se do të arrijnë t’i eliminojë boshnjakët, ashtu siç bënë në turin e parë ndaj estonezëve të Flora Talinit. Kukësi është shumë pranë kualifikimit në turin e tretë eliminator të Europa Ligë, një sukses i arritur vetëm nga Flamurtari i vitit 1987. Kuksianëve të Armado Cungut u mjafton të menaxhojnë avantazhin 3-2 të arritur në “Qemal Stafa” ndaj Sarajevos. Trajneri Cungu tha për mediat, pak para nisjes nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, se nuk i duhet shumë impenjim për t’i karikuar futbollistët e tij. “Të gjithë janë të cilët janë të vetëdijshëm se mund ta shkruajnë emrin me germa të arta në historinë e futbollit shqiptar”, – tha trajneri shkodran. Sa i përket strategjisë, Cungu tha se atë do ta vendosë vetëm disa orë para ndeshjes. Mungesa e madhe e Kukësit është mesfushori shkatërrues, kosovari Behar Musolli, i dënuar nga UEFA me katër ndeshje, për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e “Qemal Stafës”. I bindur për kualifikimin është edhe presidenti Safet Gjici, i cili i ka premtuar skuadrës 100 mijë euro shpërblim. Sarajevo-Kukësi do të luhet në stadiumin Asim Ferhativic në orën 21:00 dhe do të gjykohet nga arbitri rus Mikail Viklov