Skënder Anxhaku, “Qytetar Nderi” i Përmetit

1283
Sigal

Vlerësim dhe respekt, për kontributin e Presidentit të Çiklizmit, për kontributin e shquar në sport

Këshilli Bashkiak i Përmetit votoi unanimisht, për të vlerësuar presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, me titullin “Qytetar Nderi i Përmetit”. Nderimi i lartë ndaj drejtuesit të “dyrrotakëve” kuq e zi u akordua, për kontributin e tij të çmuar në masivizimin e sportit në vend, por dhe për kontributin e spikatur në dobi të komunitetit të rrethit të Përmetit, vendit të origjinës së zotit Anxhaku, të “përkthyera” këto në ndihma për shkollën e mesme “Zyriha Xhako”, në Komunën Ballaban, por dhe kontribute për përmirësimin e jetës së sociale të zonës së njohur. Ceremonia zyrtare e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi i Përmetit” do të bëhet, më 24 maj të këtij viti, një datë e shënuar kjo për historinë e rrethit jugor, të dalluar për vlerat kulturore dhe historike që bart e gjithë zona. Vetë Anxhaku i kontaktuar nga gazeta “Telegraf”, e vlerësoi akordimin e titullit si një nder që i bëhet jo vetëm atij personalisht, por gjithë komunitetit sportiv. Pak ditë më parë Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, anëtar i të cilit është edhe presidenti i çiklizmit zhvilluan mbledhjen e tyre të radhës. Organizimi i këtij takim pune u bë në qytetin e Përmetit pasi KOKSH-i ishte organizator i Ditës Olimpike që u zhvillua në shkollën e mesme “Zyriha Xhako”, në Komunën Ballaban, më 18 prill. Të gjithë nxënësit e shkollës të veshur me bluzat e Ditës Olimpike u rreshtuan dhe nderuan simbolet olimpike duke lejuar kalimin e Flakës Olimpike rreth shkollës nën tingujt e Himnit Olimpik. Skënder Anxhaku është President i Federatës së Çiklizmit nga viti 2000, duke fituar votëbesimin e komunitetit të çiklizmit për katër mandate rresht, duke qenë edhe një prej figurave në të spikatura të botës sportive shqiptare. Ai u rizgjodh president i Federatës Shqiptare të Ciklizmit me vota unanime në asamblenë zgjedhorë që u mbajt në Hotel “Tirana International”, më 27 dhjetor 2012. Ish-çiklisti i Partizanit është promotor i shumë aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dhënë një ndihmesë të vlerësueshme në arritjet e çiklizmit shqiptar në nivel ballkanik dhe më gjerë. Shqipëria e çiklizmit është përfaqësuar vazhdimisht në aktivitet ndërkombëtare, ndërkohë që në Lojërat Olimpike Verore “Nanjing 2014” që do të zhvillohen, në datat 16-24 gusht 2014 do të marrë pjesë me dy çiklistë të rinj të talentuar. “Dyrrotakët” tanë kanë marrë pjesë në Kampionate Botërore e Europiane, në Lojërat Mesdhetare, Ture Ballanikë e sigurisht në turet çiklistike aq të mirëpritura në vendin tonë. Një nga sukseset më të spikatura është medalja e bronztë e Ilran Nikës në Botërorin “Toskana 2013” në Itali. 64-vjeçari Anxhaku është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërkohë që shtatorin e vitit të kaluar fitoi mandatin e tij në këtë status, përkrah emrave të tillë të shquar si Ela Tase, Agron Cuka, Erald Dervishi, Gëzim Panariti, Majlinda Pilinçi, Gjergj Leqejza dhe Ilir Gusho.

 4 mandate

ka Skënder Anxhaku në krye të Federatës Shqiptare të Çiklizmit

 2 mandate

ka biznesmeni si anëtar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar

“Nder dhe vlerësim”

 I kontaktuar nga gazeta “Telegraf”, Skënder Anxhaku e vlerësoi akordimin e titullit si një nder që i bëhet jo vetëm atij personalisht, por gjithë komunitetit sportiv. “Është një vlerësim, që më jep më shumë përgjegjësi ndaj popullit të Përmetit, me të cilin nuk i kam shkëputur kurrë marrëdhëniet. Sigurisht, që kjo më obligon të jem kurdorherë afër tyre. Falënderoj në mënyrë të veçantë Kryetarin e Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçe dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak për votën e tyre unanime”.