Skenarët që Argjentina mund të kalojë grupin, sa shanse mbeten për kualifikimin

501
Sigal

Humbja kundër Kroacisë e ka ndërlikuar së tepërmi situatën e Agjentinës dhe rrezikon seriozisht skualifikimin që në fazë të grupeve.
Mundësia që Argjentina të kualifikohet është e vogël pasi tani është në varësi edhe të rezultateve në ndeshjet e tjera.
Ja disa nga skenarët sa i përket mundësive që ka Messi për të vazhduar në këtë turne.

Gjithçka fillon nga ndeshja e nesërme mes Nigerisë dhe Islandës. Barazimi do të ishte rezultat i mirë për skuadrën e Sampaolit, pasi nëse mund Nigerinë në ndeshjen e fundit dhe Islanda nuk fiton ndaj Kroacisë, siguron kalimin e mëtejshëm. Ana negative është që Kroacia u kualifikua sot dhe mund të kursejë forcat ndaj Islandës, duke u mundur e duke parë islandezët të kalojnë turin.

Argjentina ka shanse edhe nëse Nigeria fiton nesër. Kjo do të bëjë që situata të diskutohet me të në duelin direkt dhe të shpresohet që Islanda të mos mundë Kroacinë. Nëse islandezët dalin triumfues në duelin e fundit, atëherë kualifikimi mes këtyre dy skuadrave do të vendoset nga golavarazhi i përgjithshëm.

Skenari më i keq për Argjentinën është nëse Islanda mund nesër Nigerinë. Atëherë islandezëve do u mjaftonte një pikë ndaj Kroacisë në ndeshjen e fundit. Edhe në rast se do të mundeshin nga Kroacia, Argjentinës do t’i duhej të fitonte me diferencë të thellë ndaj nigerianëve për t’i kaluar në renditje.