Skandali – aktivizohet shefi i klubit, nuk plotësohej formacioni

462
Sigal

Rregullorja e re e FSHF-së, që nuk lejon ekipet e Kategorisë së Dytë të
aktivizojnë lojtarët që s’i përkasin prefekturës ku bën pjesë ekipi, është një
skandal më vete. Por, skuadra e Domosdovës është një nga më të prekurat, pasi
në merkato afroi plot 12 lojtarë nga qytete si Pogradeci, Devolli, Korça,
Tirana, Elbasani dhe Librazhdi. Shpenzime këto të bëra me synimin për t’u
ngjitur në Kategorinë e Parë.

 

Ndërkohë që ekipi prej dy muajsh stërvitet rregullisht, dy ditë përpara
startit të sezonit, kur drejtuesit bëjnë federimet njihen me ndryshimet e reja.
Por, pavarësisht se shefi i klubit, Ardit Facja vihet në dijeni për një gjë të
tillë, FSHF i federon këta lojtarë të skuadra e Domosdovës. Vetë Facja e
konsideron një keqkuptim të FSHF-së rregullin e ri dhe vazhdon punën, ndërsa
para ndeshjes me Devollin njoftohet nga zyrtarët e takimit se nuk mund të
aktivizonte lojtarët jashtë qarkut.

 

Në një situatë të tillë, ai telefonon menjëherë portierin Leka nga
Librazhdi që ishte i dëmtuar dhe me taksi mbërrin në Devoll. Edhe pse me
kavilje të krisur, portieri Leka udhëtoi drejt Devollit në kohë rekord dhe
luajti plot 90 minuta, por në fund të takimit përfundoi në spital. Mirëpo, në
një situatë të tillë absurde, edhe vetë shefi i klubit është futur në fushë,
pasi nuk plotësohej 11-tëshja e formacionit. Zyrtari i përrenjasakëve ka dalë
nga fusha 10 minuta nga fundi për shkak të një tërheqjeje, pasi ishte i
pastërvitur.

 

Deklarata

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Facja ka sqaruar gjithçka: “Ajo që
ndodhi në Devoll për faj të FSHF-së, e cila bën rregulla dhe heq rregulla sa
herë i teket, pa na lajmëruar më parë, është skandaloze. Humbëm ndeshjen e parë
të sezonit pasi u detyrova të luaja me lojtarë të dëmtuar, madje hyra të luaj
edhe vetë, sepse nuk plotësonim 11-tëshen e nevojshme për formacionin.

Ky vendim i federatës që na vihet në dijeni dy ditë para na hedh poshtë
të gjithë punën që kemi bërë këto muaj. Ne kemi bazuar skuadrën e këtij sezoni
te këta lojtarë që kemi afruar, pasi atëherë askush nuk na tha se do bëhej ky
rregull i ri. I bëjmë thirrje federatës që ta rishikojë këtë rregull dhe të
bëjë të mundur zhvillim normal të kompeticionit pasi po na detyron të tërhiqemi
nga gara.

 

Nuk kam ndër mend të luaj vetë për të plotësuar numrin e lojtarëve në
formacion, po ashtu të aktivizoj lojtarë të dëmtuar në role të kundërta. Nuk
është e drejtë kjo që po na bëhet, federata të marrë masa”, ka mbyllur Facja.
Ndërkohë që një problem të tillë po e hasin edhe ekipe të tjera të Kategorisë
së Dytë