S’ka trajner turk, Lika mbetet i “kuq”

464
Sigal

Partizani beson ende trajneri aktual, pavarësisht humbjeve, por priten gjoba për lojtarët

Partizani beson te trajneri Hasan Lika, duke e konfirmuar atë zyrtarisht, pavarësisht tri humbjeve rresht me Lushnjën, Vllazninë dhe Skënderbeun. Pas votëbesimit të presidentit Gaz Demi, erdhi edhe vendimi i Bordit të Klubit të Futbollit, për konfirmimin në bankinë të Likës. Në fakt, u fol për një “opsion turk” për bankinën e kuqe, parë dhe rezultatet e dobëta, ku në tri ndeshjet e fundit, Partizni jo vetëm që nuk ka marrë asnjë pikë, por edhe nuk ka shënuar asnjë gol. “Në mbledhjen e tij të sotme (djeshme), Bordi i Klubit të Futbollit Partizani zhvilloi një mbledhje analizë për ecurinë e ekipit, vendin në klasifikim në raport me objektivat, masat për përmirësimin e situatës, etj. Pasi dëgjoi analizat dhe shpjegimet dhëna nga stafi teknik, Bordi vendosi të konfirmojë besimin te trajneri Lika dhe pjesa tjetër e stafit teknik dhe i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm që në përputhje me Rregulloren e Klubit të marre masa administrative ndaj fenomeneve të mungesës së përgjegjësisë dhe angazhimit të duhur për rezultatet sportive të skuadrës”, – thuhej në komunikatën e 15 herë kampionëve të Shqipërisë. Fitorja e fundit e Partizanit është ajo në derbin me Tiranën, tri javë më parë, ndërkohë që edhe në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Adën e Velipojës (të mërkurën luhet ndeshja e kthimit). Në fakt, pas humbjes me Skënderbeun në media u fol se Partizani po projekton një trajner turk për drejtimin e ekipit, sigurisht nëse situata aktuale nuk përmirësohet. Partizani ka  sponsor gjeneral “ALBtelecom”-in, që është në pronësinë e një kompanie turke. Pikërisht, kjo e fundit  u ka propozuar drejtuesve që, nëse u nevojiten specialistë të kualifikuar në trajnim, janë të gatshëm t’u ofrojnë disa alternativa nga Turqia dhe në fund të përzgjedhin më të përshtatshmin. Nga burimi nga vjen lajmi mësohet se sponsori është i gatshëm të marrë përsipër edhe barrën financiare, që do të duhet për trajnerin turk. Sigurisht koncorsiumi turk, që ka në pronësi “ALBtelecom”, që në fillim ka pohuar se po financon te Partizani në mënyrë që ekipi të ngjitet aty ku e ka vendin. Në fakt, skuadra nuk është plotësisht e kompletuar me organikë cilësore, për të qenë ndër pretedentët për titull, kështu që pritet të futet fuqishëm në merkaton dimërore, pasi tani i ka dhe resurset financiare për të rekrutuar lojtarë me përvojë. Nëse nuk ka përmirësim të shpejtë të situatës, përflitet se ndryshimet në drejtim mund të ndodhin edhe më parë, pa pritur fundin e vitit. Për momentin në ambientet që diskutohet për të kuqtë e kryeqytetit në qarkullim janë tre emra. Dy nga këto janë përfolur edhe më parë dhe bëhet fjalë për dy “ish”-ë, Shpëtim Duro dhe Skënder Gega. Ndërsa i treti që përflitet, është trajneri Ilir Daja, i cili është shpallur kampion me Elbasanin dhe Dinamon. Gjithçka është në kuadrin e fjalëve që shoqërohen për çdo ekip, që nuk ka ecuri të mirë, pasi trajneri Lika ka besimin e presidencës për të vijuar punën.

Mungon njeriu “gol”, 270 minuta pa shënuar

 Goli i fundit i Partizanit e mban firmën e Ertan Demirit, shqiptarit nga Maqedonia, i cili realizoi golin e tij në derbin me Tiranën, çka e ngjiti bindshëm Partizanin në vendin e tretë. Por, pas tri humbjeve radhazi të kuqtë zbritën tre pozicione dhe tani janë në vend të gjashtë (14 pikë). Partizani ka shënuar vetëm 7 gola në 10 ndeshje, ndërkohë që ka pësuar 9 gola, pra ka një golaverazh negativ, -2. Vetëm gjashtë lojtarë e kanë gjetur rrugë e rrjetës, ku realizuesi më i mirë është 34-vjeçari Ertan Demiri, me dy gola. Pesë golat e tjera mbajnë firmat e Hyshmerit, Thanës, Mitrajt, Sodjes. Aktualisht Partizani ndodhet në kuotën e 14 pikëve, duke qenë 8 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Skënderbeu dhe vetëm 3 pikë larg vendit të nëntë që të zbret një kategori më poshtë. Pra, Partizani tani është më shumë i përfshirë në luftën e zonës së poshtme sesa të kreut. Por, duke ditur që skuadrat janë të ngjeshura në klasifikim, çdo rezultat pozitiv të ngjit në renditje dhe anasjelltas, një humbje të zbret disa shkallë. Prandaj, nëse Partizani i trajnerit Hasan Lika arrin të gjejë ritmin e shtatë javëve të para, në kuadrin e 2-3 javëve sërish mund të flitet për një Partizan që synon vendet e para.

NDESHJET E PARTZANIT

Kastrioti-Partizani 0-2 F

Laçi-Partizani       1-0  H

Partizani-Bylis            2-2  B

Besa-Partizani       0-1 F

Partizani-Flamurtari 0-0  B

Kukësi-Partizani           0-1  F

Partizani-Tirana           1-0  F

Lushnja-Partizani    2-0  H

Partizani-Vllaznia   0-1  H

Skënderbeu-Partizani 3-0  H

Partizani-Teuta 9 nëntor 2013

Bilanci: 10 ndeshje; 4 fitore, 2 barazime, 4 humbje. Golaverazhi 7-9. Vendi i 6-të me 14 pikë.

RENDITJA

V.Ekipi         N         P

1 Skënderbeu    10        22

2 Teuta         10        19

3 Vllaznia      10        17

4 Lushnja       10        15

5 Laçi          10        14

6 Partizani     10        14

7 Kastrioti     10        12

8 Bylis         10        11

9 Flamurtari    10        11

10 Kukësi       10        10

11 Tirana       10        10

12 Besa         10        8

“Demat” nuk kanë më “artistë” të kalibrit të Lin Shllakut apo Mexhit Haxhiut në mesin e fushës

Të kuqve u mungon “truri”

 Partizani është një nga skaudrat më të famshme dhe më popullore në Shqipëri dhe në gjirin e tij, qysh nga kampionati i parë, ai vitit 1947 dhe deri në fillim të viteve 1990 (kur dhe fitoi kampionatin e fundit) ka pasur disa nga “fantazistët” më të mirë që ka nxjerrë futbolli shqiptar. Bakalli, Shllaku, Merja, Resmja, Bylyku, Haxhiu, Bizi, Tomori, Fagu, Pano, etj, janë vetëm disa nga artistët e skuadrës së kuqe, e cila ka fituar 15 kampionate dhe 15 kupa, duke qenë ekipi i tretë më shumë tituj në vend, pas Tiranës (39) dhe Dinamos (31). Qarkullimi i topit është një tjetër problem i shfaqur te të kuqtë e kryeqytetit. Skuadra nuk është e aftë që me një qarkullim të thjeshtë dhe pasime të sakta, të marrë drejtimin nga porta kundërshtare. Prandaj, organizimi i aksioneve më shumë i mbetet spontanitetit dhe daljes me topa të gjatë. Partizanit i mungon “truri” në mesfushë, pasi deri në përfundim të javës së dhjetë nuk është parë një futbollist i aftë të marrë përsipër organizimin e aksioneve. Pra, Partizani e ndjen shumë mungesën e një futbollisti fanatzist, që do të lidhte dy repartet, mesfushë-sulm. Deri para disa javësh, ndërtimi i aksioneve te Partizani bëhej nga krahët dhe peshën kryesore e mbante Mentor Mazrekaj. Por duket se kundërshtarët e kanë gjetur çelësin për të ndalur Partizanin, sepse nëse i bllokon si duhet Mazrekajn, të kuqtë bëhen inekzistenë para portës. Rasti më i freskët ishte ndeshja me Skënderbeun, ku në kuadrin e 90 minutave kryeqytetasit nuk regjistruan asnjë gjuajtje në kuadratin e portës së Orges Shehit. Partizani ishte thuajse i “padukshëm” në metrat e fundit të fushës dhe shikohej pasiguri e madje gabime elementare në pasime dhe qarkullim topi, kjo edhe për shkak të presionit të madh, pasi luanin kundër kampionëve në fuqi dhe liderëve të kampionatit.

Kundër Teutës lejohet vetëm fitorja

 Partizani ka nevojë jetike për të mos pësuar zhgënnjimin e radhës, në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë. Këtë fundjavë mbyllet faza e parë e kampionatit të 75-të kombëtar të Kategorisë Superiore, dhe Partizani pret në shtëpi Teutën (aktualisht në vendin e dytë). Por para se të shkohet te sfida përmbyllëse e kësaj faze, në mesjavë të kuqtë duhet të mendojnë për kualifikimin në raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Në mesjavë Partizani pret Adën, ballafaqimi me të cilën para dy javëve në Velipojë përfundoi barazim 1-1. Pra, para se të mendohet për sfidën me Teutën, të kuqtë duhet të sigurojnë kualifikimin me velipojakët. Pa dyshim që kjo ndeshje me Adën do të krijojë hapësirë edhe për ndonjë element që nuk ka luajtur shumë. Kupa mbetet objektiv i Partizanit, pasi nga kjo veprimtari mund të sigurosh përfaqësimin në Europë.