Shuhet ikona e Tiranës dhe Kombëtares, Ali Mema!

747
Sigal

Një lajm tronditës për futbollin shqiptar është përhapur me shpejtësi orën e fundit në kryeqytet: i madhi Ali Mema është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Ish-futbollisti i shquar i Tiranës së viteve ’60-70, por edhe i Kombëtares, kë ndërruar jetë për shkak të një sëmundjeje të rëndë.

Ali Mema, një nga figurat më të spikatura të dinastisë Mema, babai i trajnerit aktual të Tiranës, Ardian Mema, ka mbetur në memorien e të gjithë sportdashësve të brezit të tij si një nga mesfushorët më potentë të kohës. Mema ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm te Tirana jo vetëm si lojtar, por më pas edhe si trajner i saj. Edhe me ekipin kombëtar ka qenë një nga lojtarët më të fortë në ato vite.

Ali Mema

Klubi Tirana dhe Federata Shqiptare e Futbollit kanë reaguar të parat zyrtarisht me postime në faqet zyrtare. “Të dashur miq të familjes së madhe të futbollit, me hidhërim kam mësuar lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të Ali Memës, ish-mesfushor i shkëlqyer i Tiranës dhe ekipit kombëtar. Në këtë moment hidhërimi për futbollin shqiptar, dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. Ishte një ikonë e futbollit shqiptar, një nga më të ndriturit e familjes simbol të futbollit të Tiranës dhe i tillë do të kujtohet gjithmonë”, – ka deklaruar presidenti i FSHF-së, Armand Duka pas lajmit të hidhur. 

Kurse klubi Tirana, shkruan: “U prehsh në paqe Ali Mema! Është ndarë sot nga jeta Ali Mema, një nga ikonat e familjes bardheblu. Ish-futbollist, ish-trajner dhe pjesë e rëndësishme e historisë së klubit. Klubi i Futbollit Tirana i gjendet pranë familjes Mema në ketë moment të vështirë. I gjithë komuniteti bardheblu ngushëllon trajnerin e Tiranës, Ardian Mema, për humbjen e babait të tij”.
Homazhet në nderim të figurës së Ali Memës do të zhvillohen ditën e mërkurë, në orën 10:00, në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”. Lamtumirë kampion!