Shuhet ikona e “17 nëntorit” dhe kombëtares shqiptare, Ali Mema

495
Sigal

E djeshmja ka qenë një ditë e trishtë për të gjithë sportdashësit shqiptarë, pasi u nda nga jeta një nga ikonat e futbollit kombëtar, Ali Mema. Ish-lojtari i njohur i Tiranës dhe kombëtares shqiptare, u shua në moshën 76-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Ali Mema vjen nga dinastia Mema, një familje që ka nxjerrë disa futbollistë, duke filluar nga vëllezërit e Aliut, Osmani dhe Haxhiu, për të vijuar me nipin Sulejman Mema dhe djalin e tij, Ardian Mema, i cili aktualisht është trajner i Tiranës. Ali Mema do të mbetet në memorien e sportdashësve shqiptar si një nga mesfushorët më të shkëlqyer të brezit të Tiranës së viteve 60-70, teknik dhe shumë virtuoz, duke u cilësuar si një nga më të mëdhenjtë e brezit të tij.

Të shkëlqyera kanë qenë dhe paraqitjet e tij me ekipin kombëtar ku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Për shumë vite me radhë Mema iu dedikua trajningut duke qenë në krahun e ish trajnerit të Tiranës Enver Shehu. “Të dashur miq të familjes së madhe të futbollit, me hidhërim kam mësuar lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të Ali Memës, një ish-mesfushor i shkëlqyer i Tiranës dhe ekipit kombëtar, drejtues futbolli dhe mik i mirë. Në këtë moment hidhërimi për futbollin shqiptar dua ti shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve.

Ai ishte një ikonë e futbollit shqiptar dhe një nga më të ndriturit e familjes simbol të futbollit të Tiranës, dhe si i tillë do të kujtohet gjithmonë nga komuniteti futbollit”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së Armand Duka, sapo ka mësuar lajmin e dhimbshëm. Homazhet në nderim të Ali Memës do të zhvillohen ditën e sotme, datë 27 mars 2019, nga ora 10:00-12:00 në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”.