Shuhet ëndrra amerikane për Guralecin

507
Sigal

 Ndërron jetë në SHBA nga ataku në zemër sportisti shqiptar. Trajneri: “Ishte një djalë e shkëlqyer”

Një ëndërr e shuar amerikane për një sportist shqiptar me të ardhme. Serxho Guraleci, lojtari shqiptar i futbollit amerikan, bejzbollit, ndërroi jetë ditën e hënë nga një pushim i papritur i zemrës, teksa 22-vjeçari po stërvitej në palestër në një seancë rutinë në “Premier Training Center”, në Makomb Tounship. Me gjithë përpjekjet e të pranishmëve për ta mbajtur në jetë, ata nuk mund ta shpëtonin. Familjarët do të presin ngushëllime në shtëpinë e tyre (të mërkurën dhe të enjten), ndërsa funerali do të mbahet të premten në Kishën Katolike Shqiptare, të St.Paulit, në Roçester të Shteteve të Bashkuara. Policia mjekësore ende nuk i ka bërë të ditura shkaqet që çuan në vdekjen e tij të papritur. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje të trishtueshme, një infermiere si dhe një polic jashtë shërbimit, të cilët ishin të pranishëm në “Premier Training Center”, në Makomb Tounship, deklaruan se në këtë qendër sportive nuk kishte një defibrilator, për të bërë të mundur shpëtimin e jetës së lojtarit fatkeq, pajisje të cilën sipas ligjit amerikan duhet ta kenë që të gjithë stafet mjekësore të klubeve të këtij vendi.

 TRAJNERI – Sportist i njohur i ekipit të Universitetit “Uejn Stejt”, në Shtetet e Bashkuara, Serxho Guraleci ishte shumë i dashur nga tifozët. Trajneri i “Uejn Stejt”, Pol Uinters tha se, Guraleci ishte me një grup lojtarësh teksa po kryenin stërvitje. Ai vetë mori telefonatën në kohën kur Serxho Guraleci ishte në spital. “Pak minuta më pas, unë mora një telefonatë ku më thanë se ai kishte ndërruar jetë”, – tha Uinter për mediat amerikane. “Më vjen shumë keq për familjen e tij. Ai ishte një djalosh shumë i angazhuar, dhe të humbasësh një njeri të tillë në familje, unë e kam vështirë ta marr me mend. Dhe unë ndihem gjithashtu i trishtuar edhe për djemtë e tjerë të skuadrës, pasi ata e humbën atë. Ai ishte dhe do të mbetet lojtari ynë i dashur Serxh”. Guraleci luajti si titullar në 25 nga 48 ndeshjet e “Uejn Stejt” dhe ishte përzgjedhur në ekipin e dytë të përzgjedhur si “All-Gliac”, si një lojtar titullar. Edhe Rik Bi, një ish-trajner i Guralecit në shkollën e lartë të futbollit, në Stërling Hajts Stivenson, mbeti i shokuar nga lajmi, “Ai ishte një djalosh trupmadh, një djalë i fuqishëm”, – tha Bi. “Gjithmonë kishte një buzëqeshje në fytyrë”. Guraleci luante në mbrojtje dhe dallohej për ndërhyrjet e tij të fuqishme.

 GURALECI – Jeta e Serxho Guralecit në Shtetet e Bashkuara mund të përmblidhet me dy fjalë: punë e fortë dhe sakrifica të mëdha. Guraleci po studionte për kinesiologji dhe një edukim të dytë, në Universitetin “Uejn Stejt”. Djaloshi shqiptar punoi fort për të përmirësuar së anglishten e tij, por dhe për të shkëlqyer në mësime. Ai kishte një pasion të veçantë për futbollin amerikan, aq sa tërhoqi vëmëndjen e trajnerit të tij, i cili e mori në ekipin e parë të “Uejn Stejt”. Si një lojtar i të rinjve, Guraleci ndihmoi “Uarriors” (“Luftëtarët”) të mbërrinin në kampionatin e NCCA Division II, për herë të parë në historinë e shkollës. “Ai ishte shumë i lumtur, të ishte i aftë për të luajtur në ndeshjet e kampionatit kombëtar”, – tha Bi. “Ishte ndoshta kulmi i karrierës së tij. Është një histori shumë e hidhur, pasi ai ishte një djalë i shkëlqyer. Ne të gjithë mbetëm të befasuar. Ai ishte si një “qen lodër i madh” dhe dëshironte të bënte mirë gjithçka në jetë”. Sipas trajnerit, Serxhoja mund të bëhej lojtari më i fuqishëm në skuadrën e tij. Trajneri i “Stërling Hajts Stivenson”, Stiv Goralski tha se Serxho Guraleci jetoi “ëndrrën amerikane”. “Ai ishte një djalosh, i cili erdhi nga Europa së bashku me familjen e tij. Ai u bë një një futbollist i mirë dhe punoi për këtë në kolegj. Ai ishte duke jetuar ëndrrën amerikane”, – tha trajneri Goralski.

 Gilman Lika: “Tirana, zgjedhja ime e parë”

 Ai është njeriu i merkatos në futbollin shqiptar. Gilman Lika, futbollisti më i lakmuar i momentit dhe me shumë opsione zgjedhjeje. Ofertat nuk mungojnë, ndërsa sulmuesi shkodran do të vendosë të ardhmen e tij në dy ditët e ardhshme. Lika është shprehur se Tirana vazhdon të mbetet zgjedhja e parë. Tratativat me klubin vazhdojnë. Në disa pika gjuha e përbashkët është gjetur. Mbeten pak të tjera për t’u diskuar, në një kohë që Skënderbeu, Flamurtari e Vllaznia qëndrojnë në pritje.

Jo vetëm Superliga. Një mundësi mbetet edhe largimi jashtë Shqipërisë. Sigurisht, nëse do të vinte oferta e duhur. Por deri atëherë, Lika ka zbuluar për herë të parë se i ka thënë “jo” interesimit të një skuadre iraniane dhe një tjetre nga Qipro.

Gilman Lika u transferua te Tirana në vitin 2011, ndërsa tani kur kontrata e tij me bardheblutë e kryeqytetit ka skaduar, duhet të vendosë nëse do të rinovojë ose do të pranojë ofertat e skuadrave të tjera që interesohen për të.

 Kampionati Europian i Futbollit në Sallë

 Shqipëria, e pafat ndaj Danimarkës

 Shqipëria humbi 4-2 me Danimarkën në ndeshjen e parë për eliminatoret e grupit F të Kampionatit Europian të futbollit në sallë, që po zhvillohen në Zvicër, por kuqezinjtë e Alban Hasanit e mbyllën takimin me një lojtar më pak, pas kartonit të kuq të Bllumbit. Kombëtarja jonë shënoi një gol të shpejtë, me anë të Ramadan Alajt, kur kishin kaluar vetëm 2 minuta e 53 sekonda lojë, duke befasuar danezët dhe mbyllur pjesën e parë në avantazh. Pas pushimi, Danimarka luajti më mirë dhe barazoi rezultatin në 1-1, me anë të Jensinit që mposhti Nebiun kur kronometri shënonte 21 minuta e 57 sekonda. Kuqezinjtë ranë në “kurthin” taktik të danezëve, të cilët kaluan në avantazh me anë të Luht (24’24), ndërkohë që pas gati tri minutash erdhi goli i tretë i Danimarkës me anë të Petersen (26’49). Shqipëria rigjeti ritmin duke ngushtuar diferencën në 3-2 me anë të mbrojtësit Bega (34:10), duke shtuar shpresat edhe për një baraizm të mundshëm, por dalja me karton të kuq e Bllumbit (36’12) dhe goli i vonshëm i Hugard (38’39) mbylli takimin. Sot, Shqipëria do të luajë sot kundër Norvegjisë, ndërsa të shtunën ndaj Zvicrës.

 Rrahmani, “blerja” e re Shpresave

Grupmoshat e reja  të Kombëtares së Shqipërisë vazhdojnë të rekrutojnë futbollistë nga Kampionati i Kosovës. Mbrojtësi i Drenicës, Amir Rrahmani, së fundi ka marrë ftesë për t′i mbrojtur ngjyrat e Kombëtares U-21, në një ndeshje miqësore kundër Maqedonisë. Lajmi konfirmohet nga vet 19-vjeçari, që konsiderohet një ndër mbrojtësit më cilësorë që aktualisht aktivizohen në futbollin e Kosovës.

 Inter shenjëstron Ujkanin

 Mungojnë vetëm pak ditë nga mbyllja e merkatos dimërore në Itali dhe Interi akoma nuk ia ka lidhë kontratë me një zëvendësues të portierit Samir Handanoviç. Përveç emrave të Andujar dhe Karrizos, gazeta e madhe sportive italiane “La Gazzetta dello sport” shton edhe emrin e Samir Ujkanit. Palermo ka vendosur ta lërë të lirë shqiptarin, pasi në Sicili do të mbërrijë Sorrentino, edhe pse ky i fundit mendohej se mund të mbërrinte në Milano. Skenarët dhe pistat janë të shumta, por ato po qartësohen pak nga pak. E ardhmja e Samir Ujkanit është e destinuar të jetë larg Palermos. Nëse deri dje blerja e Sorrentinos nga Kievo ishte thjesht një hipotezë, në orët e fundit presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini ka bërë të ditur se është arritur akordi me portierin, dhe kanë mbetur vetëm detajet për tu përcaktuar.

Ky afrim do të mbyllet në bazë të 4.1 milion eurove, ndërsa Kievo bën gati ofertën për Bizarrin ose Karrizon e Lacios. Kjo lëvizje pritet të vendosë në merkato Samir Ujkanin i cili ka përfunduar në orbitën e Interit, pasi zikaltërit janë në kërkim të një zëvendësuesi për Handanoviç. Por zikaltërit nuk janë të vetmit që kanë shfaqur interes për portierin e përfaqësueses shqiptare, pasi për të po lëvizin Fiorentina dhe Lacio. “Vjollcët” po mendojnë seriozisht shitjen e Vivianos, dhe shohin tek Ujkani portierin e dytë që mund të konkurrojë me brazilianin Neto. Ndërkohë Lacio nëse largon Bizarri dhe Karrizon, do të kthejë sytë tek Ujkani si zëvendësues për marketin, çka do të bënte që numri i kuqezinjve tek bardhekaltërit të rritej. Por lista e skuadrave të interesuara për Ujkanin nuk përfundon këtu. Po sipas shtypit italian Bolonja dhe Kievo qëndrojnë në pritje. Emilianët nuk janë të bindur nga paraqitja e Aljardit ndërsa Kievo kërkon të zëvendësojë Sorrentinon. Megjithatë në këtë listë qëndron edhe vetë Palermo, e cila mund të vendosë të mbajë Ujkanin, edhe në rolin e portierit rezervë. Interi është në gjurmët edhe të mesfushorit kosovar, Blerim Xhemaili, aktualisht te Napoli. “Zikaltërit” kërkojnë ta marrin në huazim deri në fund të sezonit 26-vjeçarin.

  Dy kandidatë në vend të Kapllanit

 FSV Frankufurt pas dëmtimit afatgjatë të sulmuesit shqiptar, Edmond Kapllani, është duke kërkuar një “pykë” të re, për të përballuar fazën e dytë të Bundesligës së Dytë gjermane. Sipas gazetës “Frankfurter Rundschahu”, janë të paktën dy kandidatë në listën e hartuar nga trajneri Beno Mëhlman. Afati i merkatos dimërore mbyllet, më 31 janar dhe FSV Frankfurti, ekip ku luan edhe mesfushori Odise Roshi po bën çfarë është e mundur. Ndeshja e parë është, më 3 shkurt kundër Ingolshtadtit. Kapllani është shënuesi më i mirë i skuadrës, me shtatë gola.

 Mavraj nuk e lë ekipin “nën shi”

 Mërgim Mavraj është një kapiten i lindur. Mbrojtësi i Grojther Fyrthit në Bundesligën gjermane nuk dëshiron kurrë që ta lërë skuadrën “nën shi”. Ai po përpiqet të sjellë optimizëm te lojtarët. Grojtheri humbi 2-0 me Bajernin e Munihut, në ndeshjen e parë të fazës së dytë. “Ne nuk duhet ta lejojmë vetën të mendojmë gjithnjë në mënyrë negative, por duhet të shohim sesa të mëdha janë shanset tona, – tha 26-vjeçari Mavraj për mediat gjermane.