Shtyrja e ndeshjes së Vllaznisë, Flamurtari shpërthen ndaj FSHF-së: Neveri…

597
Klubi i Flamurtarit ka reaguar dje ashpër pas ndryshimit të kalendarit. “Flamurtari denoncon me forcë thellimin e qëndrimit dashakeqës të FSHF-së dhe ndikimin e saj në garë, duke dënuar në mënyrë direkte ekipin tonë. Në mënyrë të paprecedentë, FSHF-ja ndryshon ditën e ndeshjes për çdo ekip në Kategorinë Superiore, por jo për Flamurtarin.
1. Ndryshohet kalendari për Laçin, ku ndeshja zhvendoset nga e shtuna në të hënë, me arsyen se fusha e ekipit pritës nuk është në kushte optimale.
2. Ndryshohet jo vetëm kalendari për Vllazninë, por nga ekip pritës kthehet në ekip udhëtues, duke e zhvilluar ndeshjen në fushën e Skënderbeut.
3. Ndryshon në mënyrë arbitrare, pa asnjë konsensus midis klubeve, datën për ndeshjen Flamurtari-Skënderbeu vetëm për të favorizuar korçarët me arsyen se disa lojtarë i ka të grumbulluar me Kombëtaret.
Nga njëra anë, skuadrat e sipërpërmendura kanë arritur të kenë miratimin e organit drejtues të futbollit për të plotësuar kërkesat e tyre, por për të njëjtën arsye, kur Flamurtari kërkoi të shtyhet ndeshja e javës të katërt kundër Luftëtarit, vetëm me një ditë, për shkak se firma, e cila kishte kryer punimet e fushës, nuk kishte dhënë OK, kjo nuk u pranua nga FSHF.
Por kulmi i maskaradës ka arritur sot (dje), kur është vendosur të shtyhet ndeshja Vllaznia-Lushnja, me arsyetimin se klubi shkodran nuk ka arritur të gjejë fushë për ta zhvilluar këtë takim!? Kujtojmë që Vllaznia sezonin e kaluar i ka zhvilluar të gjitha ndeshjet në ‘Reshit Rusi’. Çfarë ka ndryshuar nga vjet në sivjet, që në raste të tilla emergjence, të mos përdoret qoftë edhe për një ndeshje ky terren?
Me këtë veprim FSHF-ja favorizon në mënyrë indirekte rivalin tonë në ndeshjen e fundjavës, FK Lushnja. Ndërkohë që Flamurtari duhet të luajë dy përballje të rëndësishme brenda katër ditësh, Lushnja do të vijë në duelin e së dielës me plot 15 ditë pushim. Përbuzim me neveri mënyrën se si ekipi ynë vazhdon të dënohet me forma të tilla dhe shpresojmë në një reflektim për të lejuar sadopak që të kemi një garë të ndershme dhe jo të paracaktuar nga institucioni i futbollit.
Edhe pse jemi duke përmendur këto ekipe, theksojmë që nuk kemi asgjë kundër tyre, por jemi duke denoncuar dy standardet e FSHFsë në dëm të Flamurtarit. Vazhdojmë përpara, edhe pse e kemi FSHF-në kundër”, citohej në reagimin e vlonjatëve.
Sigal