Shtatë “mrekullitë” e Aldo Bumçit dhe realiteti i hidhur i sportit

521
Sigal

 Ministri (edhe) i Sporteve vazhdoi ritualin demagogjik të sukseseve në analizën për vitin 2012, por dështimet e nxjerrin zbuluar

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, e paraqiti me tone “rozë” situatën në sportin shqiptar, duke përdorur nuanca të një demagogjie të pastër në analizën vjetore të institucionit që ai drejton nga korriku i vitit 2011, ku mbizotëruan termat e suksesit, dhe aspak të identifikimit të realitetit të hidhur sportiv që mbizotëron në vendin tonë, sidomos katërvjeçarin e fundit. Në analizën vjetore të zhvilluar dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tej shifrave dhe statistikave për mbështetjen dhe investimet në disa projekte në fushën e turizmit dhe kulturës, ministri Bumçi paraqiti edhe një listë të gjatë të mbështetjes, organizimit dhe realizimit të një numri aktivitetesh gjatë vitit 2012, aq sa la të kuptohet se sporti po jeton në një realitet të mrekullueshëm. Ndërkohë që në fushën e sportit për vitin 2013, ministri Bumçi përmendi organizmin në Shqipëri të Kampionatit Europian për të Rritur në sportin e Peshëngritjes (5–14 Prill 2013; organizimin në Shqipëri të Kupës së Botës për të Rinj në sportin e mundjes (tetor 2013; pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare në Turqi 2013 dhe krijimin e Ligës Mbarëkombëtare të Futbollit (Shqipëri–Kosovë), por, ai nuk tha asgjë në lidhje me zhvillimin apo nxitjen e  politikave tatimore, të cilat do të ndihmojnë në stimulimin e sportit. Një legjislacion, që mbi të gjitha, do të shërbejë për realizimin e Programit Kombëtar të Sportit, nisma për përmirësimin e legjislacionit sportiv. Ai nuk përmendi asgjë, në lidhje me ndonjë nismë të nismë ligjore për përmirësimin e Kodit të Procedurës Penale ku do të propozojmë që të parashikohen dënime penale për ata individë që kryejnë akte dhune në mjediset sportive. Në projektin “Bumçi 2013” nuk u tha asnjë rresht në lidhje me trajtimin e sportit shqiptar në nivel lokal rajonal kombëtar duke shmangur monopolizimin e zhvillimeve të aktiviteteve sportive vetëm në zonat urbane të vendit.

 1. DËSHTIMI NË “LONDËR 2012”

 Ministri Bumçi e konsideroi si sukses “realizimin e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike ‘Londër 2012’, me pjesëmarrjen e 11 sportistë” (rekord, e quajti ai). E vërteta është krejt ndryshe. Shqipëria dështoi në Lojërat britanike, pasi nga 11 sportistë që u nisën drejt kryeqytetit anglez, vetëm nëntë prej tyre morën pjesë në garat përkatëse (nga 11 në “Pekin 2008”): peshëngritësi Hysen Pulaku u përjashtua nga qyteti olimpik përpara se të fillonin Lojërat, për shkak se rezultoi pozitiv (u gjet me substancën “stanozolol”, një substancë e vjetër dhe lehtësisht e dallueshme), duke u bërë u bë i pari sportist shqiptar përdorues dopingu në Olimpiadë; ndërkohë që atletja Klodiana Shala – rekordmene përsa i përket numrit të pjesëmarrjeve të saj në Olimpiada: “Sidnej 2000”, “Athinë 2004”, “Pekin 2008” dhe “Londër 2012 – u tërhoq nga gara e saj për arsye shëndetësore. Për më tepër, renditja më e mirë i Shqipërisë ishte vendi i 9-të i arritur nga peshëngritësi Briken Calja. Tetë të tjerët ishin një dështim i vërtetë, përsa u përket pozicioneve që ata arritën: notarja Noel Borshi, vendi i 40-te nga 42 sportistë; notari Sidni Hoxha, vendi i 37-të nga 60 sportistë; qitësi Arben Kuçana, vendi i 20-të nga 44 sportistë (në pistoletë-ajër) dhe vendi i 37-të nga 38 sportistë (50 metra pistoletë); peshëngritësja Romela Begaj, vendi i 11-të nga 19 sportistë; peshëngritësi Daniel Godelli nuk u klasifikua në dygarësh dhe peshgënritësi Endri Karina, vendi i 14-të nga 21 sportistë. Edhe shpresa më e madhe e Shqipërisë për medalje, kosovarja Majlinda Kelmendi u eliminua në raundin e 1/16-ve. Duke i shtuar edhe polemikat e shumta dhe akuzat reciproke, midis Komitetit Olimpik Shqiptar, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe Agjencisë Kombëtare të Dopingut, në lidhje me rastin “Pulaku”, aventura shqiptare në “Londër 2012” është më shumë se një dështim. Gjithsesi, pjesëmarrja për herë të parë në Lojërat paraolimpike “Londër 2012” me një sportist (Haki Doku) në sportin e çiklizmit, si dhe mbështetja e aktiviteteve sportive te personave me aftësi të kufizuara, duhet konsideruar një sukses.

 2. REDUKTIM DRASTIK I FONDEVE

 Ministri Bumçi, gjatë leximit të analizës për sportin, foli me pathos për mbështetjen financiare në lidhje me disa projekte në sportet e veçanta të aeronautikës, automobilizmit dhe motoçiklizmit si risi e zhvillimit dhe promovimit të këtyre sporteve në Shqipëri, fluturimet “Albania Open”, “Motorrally”, apo dhe mbështetja e alpinistëve shqiptarëve për ngjitjen në malin Everest. Absolutisht, është një gjë shumë e mirë. Por, ministri nuk e përmendi aspak se përse sportit vitin që shkoi (2012) iu akordua më pak financime se një vit më parë, madje edhe sesa në vitet 2011 dhe 2010. Edhe pse “Londër 2012” përkoi me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe propaganda zyrtare e lançoi fort mediatikisht, e vërteta është se fondi ndaj sportit u zvogëlua me të paktën 20% nga një vit më parë, duke ulur kështu numrin e aktiviteteve, e deri te anulimi i disa prej tyre. Sa për ilustrim: vetëm për atletikën në katër vitet e fundit, Ministria e Sporteve ka dhënë këto fonde: 9.5 milionë lekë në vitin 2009, 6 milionë lekë në vitin 2010, 6.6 milionë lekë në vitin 2011 dhe 6 milionë lekë në vitin 2012. Për qitjen, një tjetër sport i përfaqësuar në “Londër 2012”, kemi këto fonde: në vitin 2009, 3 milionë lekë, ndërkohë që në tre vitet e fundit: 2010, 2011 dhe 2012, shuma është përgjysmuar në 1.5 milionë lekë. Vetëm për Federatën e Peshëngritjes janë shtuar fondet, nga 12 milionë lekë në vitin 2009, në 17 milionë lekë për vitin 2012. MTKRS, ka 4 vjet që buxhetet e sportit i ka në ulje në masën 20-30%. Për sportin, në vitin e fundit janë akorduar 234 milionë lekë të reja, që janë përafërsisht 2 milionë dollarë, për të gjitha federatat, në formën e GRANT-it, ku përfshihen rroga sekretarësh, siguracione për administratën, qera të ndryshme, ujë, drita, aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Sporti nuk mund t’i shpëtojë realitetit të shoqërisë shqiptare, ashtu sikurse edhe efekteve të krizës (të papranuar) financiare. Fondi-grant është zvogëluar, ndërkohë që menaxhimi nuk kanë prodhuar rezultate.

 3. KONTRASTI ME BASKETBOLLIN

 Ministri e konsideroi sukses mbështetjen e ekipit kombëtar të basketbollit për meshkuj, për eliminatoret e Kampionatit Europian të Basketbollit Meshkuj gjatë muajit korrik –shtator 2012. (Në fakt, si për ironi, Kombëtarja e basketbollit e drejtuar nga Roland Avrami i humbi të gjitha ndeshjet, madje me rezultat shumë të thellë, duke lënë një shije të keqe). Por, ministri nuk e përmendi faktin tjetër, se ekipi Kombëtar i basketbollit për femra nuk pati mbështetje financiare për t’u regjistruar në eliminatoret e Europianit (Në “Euro 2011”, femrat i humbëm të tetë takimet, përfshirë dhe ato me Luksemburgun). Shqipërisë i mungon ekipi kombëtar i volejbollit, si për meshkuj ashtu dhe për femra, ndërsa këto nuk janë më në axhendën financiare të Ministrisë së Sporteve.

 4. TË PATHËNAT MBI ANTIDOPINGUN

Ministri Bumçi vlerësoi miratimin dhe zbatimin e Rregullores së Komisionit Kombëtar Antidoping të miratuar nga Agjencia Botërore Kundër Dopingut në Sport, ËADA; botimin dhe promovimin e rregullores së funksionimit të Komisionit Kombëtar Antidoping për të gjithë organizatat sportive në vend, nënshkrimin e Marrëveshjes midis MTKRS-së dhe Laboratorit Grek të akredituar nga ËADA për kryerjen e analizave te kontrollit doping. Ai veçoi faktin, se janë kryer 45 kontrolle dopingu brenda dhe jashtë garës nga struktura përgjegjëse për kontrollin doping pranë Agjencisë së Shërbimit të Sportit. Por, për të ruajtur anën festive të analizës, zoti Bumçi, në materialin e tij nuk denjoi të përmendte qoftë dhe kalimthi se, peshëngritja shqiptare, federata e së cilës, përfiton fonde grant nqa MTKRS-ja dhe taksapaguesit shqiptarë përjetoi një nga vitet më të zinj, në aspektin e sportistëve të gjetur me doping. Peshëngritësja 38-vjeçarja Shqiponja Brahja, e cila zuri vendin e shtatë në kampionatin botëror të Parisit (me 171 kg të ngritura në dygarësh), ka rezultuar pozitive me ka rezultuar pozitive me substancën epitestosteron, në shkallën 65, afro 15 herë më lart se normalja 4. Brahja u përjashtua katër vjet nga aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, deri më 5 nëntor 2015. Ilir Suli rezultoi pozitiv me doping, për shkak të përdorimit të substancës së ndaluar “methandion”, jashtë kompeticionit. Kontrolli u bë në Tiranë, më 4 prill nga dy oficerë të ËADA-s. Pezullimi i Sulit, i cili ka rezultatin më të mirë të Shqipërisë në Olimpiada, vendi i pestë në “Sidney 2000”, është po katër vjet, skadon në prill të vitit 2016. Goditjen më të madhe shtanga shqiptare e mori me Erkand Qerimajn. Shkodrani fitoi titullin e Kampionit të Europës në peshën 77 kg, por pasi rezultoi me doping, përdorimi i substancës së familjes “Metyl hexanamine”, e përfshirë në listën e të ndaluarave qysh nga viti 2011. Fillimisht pezullimi i Qerimajt ishte dy vjet, por pas ankimimit Gjykatën e Arbitrazhit në Lozanë, koha iu ul në 15 muaj. Peshëngritësi Hysen Pulaku u bë i pari sportist shqiptar me doping në Olimpiadën. Ai u gjet me substancën “stanozolol”, një substancë e vjetër dhe lehtësisht e dallueshme, duke u përjashtuar nga Lojëra Olimpike “Londër 2012”. Peshëngritësit e tjerë shqiptarë që kanë dalë pozitivë janë Ilir Kafarani (2005), Fetije Kasaj dhe Isa Bala (2007). Raste të përdorimit të dopingut u konstatuan edhe në atletikë, ndërkohë që 12 futbollistë të Kategorisë Superiore dolën të pastër.

 5. LIGA MBARËKOMBËTARE E FUTBOLLIT

Krijimi i Ligës Mbarëkombëtare të Futbollit konsiderohet si një nga katërr prioritetet e Ministrisë së Sporteve për vitin 2013. Iniciativa është e kryeministrit demokrat Sali Berisha. Deri tani ajo ka më shumë ngjyra patriotike “kuq e zi’, sesa mund të jetë një realitet i sezonit të ri futbollistik 2013-2014. Para pak javësh (më 7 janar 2013), pas shpallje së projektit ambicioz nga kryeministrit Berisha për Ligën Mbarëkombëtare,  ministri Aldo Bumçi pati një takim pune me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, ky i fundit i paraqiti edhe pengesat dhe pamundësitë e zhvillimit të një aktiviteti të tillë. Njëshi i FSHF-së, një njohës i mirë statutit të FIFA-s (Shqipëria bën pjesë nga viti 1930) dhe i UEFA-s (vendi ynë është bashkëthemelues në vitin 1954), deklaroi mjaft të qartë: UEFA dhe FIFA nuk e lejojnë zhvillimin e një aktiviteti të tillë, pasi të dyja vendosin si kusht pranimin së pari të Kosovë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në fillim, Kosova duhet të jetë një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, pas kësaj te anëtarësohet në dy organizmat më të lartë të futbollit europian dhe botëror. Rreth një vit më parë, FIFA refuzoi projekt-idenë e FSHF-së për kalimin e disa skuadrave të Kosovës në Superligën Shqiptare me arsyetimin se anëtarët e FIFA-s nuk duhet të luajnë ndeshje me klube që nuk janë anëtarë të FIFA-s apo anëtarë provizorë të konfederatës se kontinentit te tyre, në këtë rast, të UEFA-s. Pra, ideja e hedhur jo vetëm nga kryeministri Berisha, por edhe nga “Aleanca Kuqezi” nuk pengohen nga asnjë faktor shqiptar (Shqipëri dhe Kosovë), por nga statutet dy organizmat e futbollit europian dhe botëror, UEFA dhe FIFA, te cilat nuk e lejojnë zhvillimin e një aktiviteti të tillë

 6. FEDERATAT E NXEHTA

Ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Drejtoria e Sporteve me deklarimet e tyre të krijojnë përshtypjen e nië panorame të “bardhë” në shumësportëshin shqiptar, e vërteta ka ngjyra të errëta. Jo më larg se para 48 orësh, Shqipëria e gjen veten me dy federata mundjeje: Federata Shqiptare e Mundjes me president Martin Bibës (të zgjedhur, më 13 korrik 2011) dhe Federata Shqiptare e Mundjes me president Avin Hasën (të zgjedhur, më 19 janar 2013). Ashtu, siç ndodhi edhe në rastin e  Asamblesë së Jashtëzakonshme Zgjedhore (të përsëritur) të Çiklizmit (27 dhjetor 2012), kur Ministria e Sporteve nuk dërgoi një përfaqësues të saj, edhe në rastin e zhvillimit të Asamblesë së Jashtëzakonshme Zgjedhore të Mundjes (19 janar 2013), ajo nuk kishte përfaqësues, ndërkohë që në të dyja këto të fundit ishin përfaqësues të Komitetit Olimpik Shqiptar. Kështu, dashur pa dashur, me mospraninë (apo indiferencën e saj) ajo është të paktën indirekt përgjegjëse për krijimin e “federatave të nxehta”. Rasti i ndarjes së Mundjes në dy federata paralele, të kthen dy vjet pas, pikërisht në korrik të vitit 2011, kur falë ndërhyrjes së ndërkombëtareve, dy federata e atëhershme (të drejtuara nga Biba dhe Bezhani) u shkrinë në një. Me dy federata, njëra e njohur nga MTKRS-ja (dhe që përfiton grantet e saj), dhe një tjetër e njohur nga ndërkombëtarët është dhe Gjimnastika. Problemetika të mprehta ka pasur dhe në federata të tjera (not, taekëondo).

 7. MOSMBAJTJA E PREMTIMEVE

Janë disa rastet, kur Ministria e Sporteve nuk ka mundur të mbajë fjalën, të lërë projekte në mes të rrugës, apo t’i harrojë ato, për shkaqe të ndryshme dhe të panjohura, të paktën për publikun. Të trumbetuara me bujë, ato u lanë në mes. Kështu, një projekt për përzgjedhjen e “100 sportistëve të shekullit”, një iniciativë e drejtpërdrejtë e MTKRS-së, u la përgjysmë. Edhe pse iu dërgua shkresë zyrtare çdo federate për të sjellë emrat, ajo nuk u realizua, ndoshta për shkaqe sa objektive dhe subjektive. Po, kështu, edhe pse u fol shumë për mbështetjen financiare (me 3.7 milionë lekë) nga Ministria e Sporteve për Kupën e 100-vjetorit të Pavarësisë në futboll, ajo nuk u realizua.

 Pjesë nga analiza për sportin

 IV.  SPORTI

 1.   Aktivitetet sportive

–    Realizimi i pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike “Londër 2012” me pjesëmarrjen e 11 sportisteve.

–    Mbështetja e eliminatoreve të Kampionatit Europian të Basketbollit Meshkuj gjatë muajit korrik –shtator 2012

–    Mbështetja e eliminatoreve të Kampionatit Europian të volejbollit Meshkuj, gjatë muajit maj 2012.

–    Organizimi  i aktiviteteve ndërkombëtare të zhvilluara në Shqipëri në sportet e veçanta të Aeronautikës, Automobilizmit dhe Motoçiklizmit  si risi e zhvillimit dhe promovimit të këtyre sporteve në Shqipëri.

–    “Kompeticioni Albania Open” – Maj 2012

Takim ndërkombëtar i  fluturimeve të lira i cili u zhvillua nga data 8 deri 12 maj në Vlorë. Morën pjesë 180 persona, ushtrues të këtij sporti nga e gjithë bota. Ky aktivitet turistiko–sportiv i mbështetur nga MTKRS, është përfshirë dhe solli  një mbulim mediatik nga 4 shtete të huaja. Qëllimi i këtij aktiviteti është zhvillimi i sporteve të ajrit dhe gjithashtu prezantimi i bukurive natyrore të Shqipërisë dhe sidomos i bregdetit tonë duke qenë se aktiviteti zhvillohet më shumë në zona bregdetare.

–    “Moto Relly 2012”  (Qershor 2012)

Ky aktivitet ndërkombëtar turistiko – sportiv  është zhvilluar nga data 8-15 qershor 2012 në territorin e Shqipërisë me një itinerar që fillonte nga Razma duke vazhduar me tej në Thethi në Voskopojë, Himarë, për ta mbyllur në Tiranë. Kjo është gara më e madhe e tipit Motor Relly ku morën pjesë 22 shtete të Europës. E veçanta e këtij aktiviteti ishte edhe pjesëmarrja e gjerë e mjaft amatorëve të ardhur nga 22 shtete të Europës. Mbulimi mediatik është bërë  nga 8 shtete të huaja.

–    “Albania of Road 2012” (Qershor 2012). Një aktivitet i rëndësishëm promovues turistiko-sportiv “Albania of Road” u zhvillua ne Qershor 2012. Ky aktivitete u shtri në harkun e shtatë ditëve me një itinerar që përfshiu mjaft pjesë të territorit shqiptar. Në të morën pjesë shumë amatorë dhe aplikues të këtij sporti, por edhe mjaft të huaj të ardhur në Shqipëri jo vetëm për të ushtruar këtë sport por edhe për t’u njohur me vlerat turistike të vendit tonë.

–    Mbështetja e Kongresit europian të Alpinizmit i cili u zhvillua gjatë muajit tetor 2012 në Llogara.

–    Mbështetja e alpinistëve shqiptarëve për ngjitjen në Everest.

 2. Anti-Dopingu

 –    Miratimi dhe zbatimi i Rregullores së Komisionit Kombëtar Antidoping të miratuar nga Agjensia Botërore Kundër Dopingut në Sport, ËADA.

–    Botimi dhe promovimi i Rregullores së funksionimit të Komisionit Kombëtar Antidoping për të gjithë organizatat sportive në vend.

–    Nënshkrimi i Marrëveshjes midis MTKRS dhe Laboratorit Grek të akredituar nga ËADA për kryerjen e analizave te kontrollit doping.

–    Realizimi i 45 kontrolleve doping brenda dhe jashtë garës nga struktura përgjegjëse për kontrollin doping pranë Agjencisë së Shërbimit të Sportit.

 –    Pjesëmarrja për herë të parë ne Lojërat paraolimpike “Londër 2012” me një sportist në sportin e çiklizmit.

–    Mbështetja e aktiviteteve sportive te personave me aftësi të kufizuara

Projektet për vitin 2013

  (1) Organizmin në Shqipëri të Kampionatit Evropian për të Rritur në sportin e Peshëngritjes në datat 5 – 14 Prill 2013;

(2) Organizimin në Shqipëri të Kupës së Botës në sportin e mundjes në Tetor  2013;

(3) Pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare në Turqi 2013;

(4) krijimin e ligës së përbashkët në futboll Shqipëri–Kosovë.

 Erjon Bogdani, gol dhe sherr

 Erjon Bogdani shënoi një gol vendimtar për fatet e Sienës në Serinë A, duke i dhënë fitoren e parë skuadrës së tij, pas një serie prej gjashtë humbjesh. Për Bogdanin ky ishte goli tij i dytë sezonal, por ky kundër Sampdorias ishte me vlerën e tre pikëve. Sulmuesi shqiptar u fut në fushë në minutën e 63-të. Deri në ato momente, Siena në portën e Sampdorias nuk kishte rrezikuar as edhe njëherë të vetme. Tetë minuta pasi kishte hyrë në fushën e lojës, Bogdani merr një kros nga krahu nga mesfushori Sestu; shqiptari kërcen fuqishëm me kokë, duke kalibruar topin në shtyllën e dytë, rrjedhimisht duke lënë pa asnjë shans portierin e Sampdorias. Një gol prej Erjon Bogdanit të artë. Pak minuta më vonë, sulmuesi tregoi se gëzon një formë të shkëlqyer fizike pasi kalon mbrojtjen në duel shpejtësie dhe vihet diagonalisht përballë portierit Romero. Sulmuesi u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 75-të për një ndërhyrje të ashpër. Në fund të takimit mes dy lojtarëve të Sampdorias dhe bankinës së Sienës nisi një përleshje ku nuk u kursye as përdorimi i duarve. Në këtë sherr Bogdani u inkuadrua disa herë në TV ndërsa tentonte të qetësonte protagonistët. Në fakt, sipas trajnerit të Sienës, Jakini ka qenë pikërisht një përplasje mes Bogdanit dhe portierit Romero që ka shkaktuar gjurulldinë pas vërshëllimës së fundit.  “Në përfundim të ndeshjes ka pasur një përplasje mes portierit Romero dhe Bogdanit, të cilët janë sulmuar me njëri-tjetrin”, ka thënë trajneri i Sienës, Jakini. Gazeta “La Repubblica” e quan Erjon Bogdanin, si njeriun e rilindjes së mundshme të Sienës. Dhe më pas citon fjalët e tij dhënë menjëherë pas përfundimit të 90’: “Është fundi i një makthi? Po, por ne pavarësisht se rezultatet mungonin kemi punuar mirë. Duhet të nisim kampionatin tani, dhe duhet të luftojmë deri në fund për të shpëtuar”, fjalët e tij pas takimit. Për Bogdanin, që me siguri do të hiqet nga merkato, Siena mund të shpëtojë: “Duhet të luftojmë çdo ndeshje si të ishte një finale dhe në fund do të bëjmë llogaritë- shtoi shqiptari- Do të luftojmë me zemër. Kjo është e sigurt”. Futbollisti ka lavdëruar trajnerin e ri Jakini duke shënjestruar indirekt ish-trajnerin Serse Kozmi, që nuk i dha asnjë mundësi për të treguar veten: “Jakini ka sjellë organizim, motivime të reja- ka shtuar Bogdani- Ka dhënë mundësi shumë lojtarëve që më parë nuk luanin, që shkonin në stol apo edhe në tribunë. Tani ka shumë konkurrencë. Ai që meriton të luajë, futet në fushë…”. Në fund pak fjalë edhe për sherrin: “Më vjen keq që ndodhin këto gjëra, por ne duhet të mendojmë vetëm për gjërat pozitive, që do të thotë: kemi luajtur shumë mirë këtë ndeshje. Duhet të harrojmë momentet negative të saj”, përfundoi Er-Bomber.

 Futbolli anglez dhe piratët shqiptarë

 Shqipëria iu bashkua Koresë së Veriut, duke u bërë vetëm vendi i dytë në botë, platformat televizive të të cilit nuk janë ftuar në tenderin për të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të kampionatit anglez, Premier League. Shkaku është se kompeticioni më i pasur i futbollit në botë do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të ndaluar piraterinë televizive. Marrëveshjet e reja televizive në më tepër se 200 vende do t’u japin klubeve të Premier League mbi dy miliardë sterlina për ciklin trevjeçar 2013-2016, duke sjellë në total rreth 5.5 miliardë sterlina nga të drejtat TV pasi të përfshihen edhe marrëveshjet e tregut të brendshëm me “Sky” dhe BT. Këto të ardhura shpenzohen kryesisht për pagat e majme të yjeve si Robin Van Persie, Uejni Runi, Karlos Tevez e deri te Demba Ba. Por, marrëveshjet televizive e ruajnë vlerën e tyre vetëm atëherë kur pirateria mbahet në nivel minimal dhe dekoderët e importuar nga Shqipëria janë shndërruar në një problem të madh në Britani, ku aktualisht është e mundur të shohësh direkt ndeshjet e Premier League në televizionet shqiptare. Nëse Shqipërisë nuk i ofrohet blerja e të drejtës televizive, ky problem zgjidhet, ndonëse kjo do të thotë se tifozët shqiptarë të futbollit anglez nuk do të kenë mundësi të shohin ndeshjet, të paktën nëse nuk blejnë dekoderë në Maqedoni apo Greqi. Vendosmëria e Ligës së futbollit për të mbrojtur fitime rekord nga të drejtat televizive do të përforcohet më tepër këtë javë, teksa dy britanikë përballen me burgimin e mundshëm për shkak të skemës së përfitimit të parave nga pirateria e ndeshjeve të futbollit. Gary Goodger, një 24-vjeçar nga Reading dhe Jack Bannister, 23-vjeçar nga Burnley, pas një procesi gjashtëditor muajin e kaluar, janë shpallur fajtorë, respektivisht për shkelje të së drejtës së autorit dhe përfitim të ardhurash nga krimi i kryer. Goodger drejtonte një uebsite të quajtur FreeFootyLive, ku transmetoheshin ndeshje të Premier League, sinjalin e të cilave e merrte nga transmetues të huaj, falë një antene gjigante satelitore në oborrin  e shtëpisë së tij në Reading dhe i përpunonte për transmetim në internet përmes shtatë kompjuterëve dhe nëntë dekoderëve satelitorë që iu gjetën në shtëpi. Antena, me diametër dy metra, përdorej nga Goodger për të marrë ndeshjet e kampionatit anglez që transmetoheshin direkt për audiencën në Lindjen e Mesme. Bannister ishte punësuar nga Goodger për sistemin e pagesave nga klientët e tij.

Marrë nga “Daily Mail”.

 Vila-Lila, të pafuqishëm para Olimpiakosit

 PAS Janina humbi 2-0 me Olimpiakosin e Pireut, kryesuesin absolut të kampionatit grek, ndërkohë që dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Andi Lila dhe Emiljano Vila luajtën si titullarë. Mbrojtësi kavajas luajti në të majtë të mbrojtjes së PAS Janinës, ndërkohë që durrsaku ishte i vetëm në majën e sulmit, në një skemë 4—2-3-1 të aplikuar nga trajneri i tij, Kristopulos. Lila e kreu mjaft mirë detyrën duke mbyllur disa aksione të ekipit vendas, madje ish-lojtari i Tiranës ndërmori edhe një goditje drejt portës së Olimpiakosit, të mbrojtur nga hungarezi Balazh Megyeri, ndërkohë dhe Vila shenjestroi disa herë kuadratin kundërshtar. Ndërsa Lila luajti gjithë takimit, Vila u zëvendësua në minutën e 81-të. Skuadra e Epirit nuk fiton prej katër ndeshjesh. Pas kësaj humbje, e shtata në 18 javë, PAS Janina pozicionohet në vendin e shtatë me 23 pikë.