Shtatë goleadat e Barcelonës kundër Real Madridit në shekullin e 21-të

474
Sigal

Me fitoren 5-1 të Barcelonës kundër Real Madridit, në javën e dhjetë të La Liga-s, për këtë sezon, tashmë ka shkuar në shtatë numri i goleadave të regjistruara nga katalanasit ndaj “Los Blancos”, deri më tani, në këtë shekull. Rezultati i parë i thellë ishte në sezonin 2004-2005, kur Frank Rijkaard udhëhiqte Barcelonën dhe mori fitoren 3-0 ndaj të bardhëve të García Remón.

Samuel Eto e hapi sërinë e golave në minutën e 28-të, duke mposhtur Iker Casillas, ndërsa Van Bronckhorst vendosi për 2-0 në minutën e 42-të. Ronaldinho do ta vuloste triumfin e të tijve, duke shënuar golin e tretë nga penalltia, në minutën e 76-të.

Fitorja e dytë e të tilla përmasave erdhi një vit më vonë, në kryeqytetin spanjoll. Rezultati 0-3 do të mbahet mend si dita kur “Santiago Bernabéu” iu dorëzua Ronaldinhos. Braziliani ishte, me një dopietë, heroi i vërtetë të fitores mbi ekipin e drejtuar nga Luxemburgo, megjithëse Etoo zhbllokoi shifrat e bardha në minutën e 15-të.

Goleada e tretë mbërriti në sezonin 2009-2010, me të famshmin rezultat 2-6. Katalanasit i dhanë një goditje të rëndë rivalit më të madh në La Liga. Të besuarit e Pep Guardiolës e “qëndisnin” futbollin asokohe dhe të bardhët nuk mund të bënin asgjë për të shmangur disfatën e rëndë në shtëpi. Fillimisht shënoi Higuain, por Henry, Puyol dhe Messi e përmbysën rezultatin në 1-3. Ramos i ngushtoi më vonë shifrat në 2-3, por Henry dhe Messi e rrumbullakosën “dajakun” mbi Real Madridin në mënyrë përfundimtare.

Një vit më vonë, azulgrana-t do t’i bënin madrilenët të vuanin shumë, të turpëroheshin dhe të pranonin “manitan” (5-0). Xavi, Pedro, Villa (dy herë) dhe Jeffren ishin golashënuesit e një tjetër pasditeje të përsosur të futbollistëve të Pep Guardiolës. Pavarësisht nga çdo gjë, Mourinho bëri një reflektim të mrekullueshëm pas vërshëllimës përfundimtare të asaj ndeshjeje: “Barça është një skuadër e konsoliduar, Real Madridit i mungojnë ende shumë gjëra”.

Tashmë, në vitin 2015, Barça do ta pushtonte “Santiago Bernabeu” përsëri, me një fitore bindëse (0-4). Suarez, Neymar dhe Iniesta shënuan golat në ditën që u largua Isco me karton të kuq. Ky triumf do të nënkuptonte fundin e Rafa Benítez në stolin e merengues-ve. Ky rezultat do të shkaktonte zbarkimin e Zidane në “Chamartín”.

Në dhjetor 2017, historia do të përsëritej praktikisht falë një rezultati 0-3 në kryeqytetin spanjoll, në të cilin Suárez, Messi dhe Vidal ishin “vrasësit”. Zidane përjetoi një nga momentet e tij më të hidhura si trajner i të bardhëve, në një ditë që katalanasit e vunë praktikisht në pjatë kampionatin e La Liga-s ndaj rivalit të tyre të përjetshëm.

Goleada e shtatë dhe e fundit u regjistrua dje, më 28 tetor 2018. Tripleta e Suarez, goli i Coutinho dhe ai i Vidal e bënë rrjetën e Marcelos të padobishme. Siç ka ndodhur në fitoren kundër Rafa Benitezit, fitorja e djeshme mund të shërbejë për të ndryshuar drejtimin e stolit të Real Madridit.

Julen Lopetegui është një “karrige në rërë”, tashmë, në pritje të verdiktit të Florentino Perez i cili duket se është marrë për largimin e tij, por duhet gjetur zëvendësuesi./telesport