Shqiptarët, që kanë “tradhtuar” flamurin kuqezi në “Londër 2012”

245

 Kamponi i botës në mundje, Elis Guri, garon për Bullgarinë. Donald Suxho për SHBA-të, Sava Lika për Greqinë

Edhe pse Shqipëria zyrtare u përfaqësua me Lojërat Olimpike “Londër 2012”, fillimisht me 11 sportistë (përfshirë dhe xhudisten nga Kosova, Majlinda Kelmendi), e më pas me 10 olimpistë pas përjashtimit të peshëngritësit Hysen Pulaku, për shkak se rezultoi me doping, në Lojërat e 30-ta Olimpike kanë marrë pjesë edhe katër të tjerë, por për flamujt e shteteve të tjera: mundësi Elis Guri, për Bullgarinë; hedhësja e shtizës, Sava Lika, për Greqinë; volejbollisti Donald Suxho, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, boksieri Ibrahim Balla për Australinë.

“BULLGARI” ELIS GURI
Mundësi i njohur shkodran, Elis Guri, i cili katër vite më parë në “Pekin 2008”, përfaqësoi Shqipërinë, duke u renditur në vendin e 8-të në stilin greko-romak (rezultati i dytë më i mirë i vendit pas atij të Romelës, vendi i 6-të po në Kinë), tani mbron ngjyrat e Bullgarisë, “atdheut të tij olimpik”. Elis Guri është një nga tre mundësit shqiptarë, të cilët kanë garuar në Lojërat Olimpike, përfshirë Sahid Prizrenin (“Pekin 2008”) dhe Shkëlqim Troplinin (“Atlanta 1992”). Në fakt, “tradhtia” e Elis Gurit, nëse do ta etiketonim kështu braktisjen e tij, ka të bëjë pikërisht me mospërfilljen e tij: një trajtim financiar shumë i dobët, anulim të bursës olimpike dhe pezullim nga aktiviteti. Rruga e vetme që gjeti “shtruar”, kampioni i botës në peshën 96 kg, të fituar Kampionatin Botëror të Mundjes, në Stamboll (2011), me flamurin e Bullgarisë, ishte pikërisht lënia e nënshtetësisë shqiptare dhe marrje asaj bullgare. Guri i ka dhënë edhe një medalje bronzi “Bullgarisë së tij”, në Europianin e Dortmundit (2011), ashtu si më parë kishte fituar po bronzin në Tamepere të Finlandës (2008), por për Shqipërinë, atdheun natyral të tij. Tani, 29-vjeçari Guri nuk garon më për Vllazninë (e fillimeve të tij), apo për Partizanin (ku fitoi disa tituj kampion), por për Liteksin e Loveçit. Një keqardhje e madhe, por dhe një akuzë e hapur për paaftësinë e institucioneve sportive shqiptare, duke filluar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS), Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Federatës Shqiptare të Mundjes (FSHM), por dhe sportit shqiptar në përgjithësi. Ne i kemi shumë të pakët kampionët, ndoshta nuk numërohen as me gishtat e njërës dorë, dhe nuk dimë as t’i mbajmë dhe as t’i duam ata.

“AMERIKANI” DONALD SUXHO
Volejbollisti i njohur, Donald Suxho, përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës në “Londër 2012”. Korçari 36-vjeçar (196 cm) është një sportistët me më shumë përvojë te ekipi amerikan. Donaldo, djali i Petraq Suxhos, një trajner i njohur i Kombëtares shiptare të volejbollit në Shqipëri, luan në Itali me skuadrën Sislej Trevizo. Suxho e nisi karrierën e tij te Skënderbeu, duke fituar më pas një vend në ekipin në ekipin Kombëtar të rinjve. Më pas, Donald Suxho ishte zëvendëstrajner i ekipit Kombëtar, ndërkohë që dhe vëllai i tij, Rando, ka luajtur volejboll në vendin tonë. Familja e tij emigroi në SHBA në vitin 1996. Donaldi mori pjesë në “Athinë 2004”, ndërkohë që mungoi në “Pekin 2008”, për arsye dëmtimi. SHBA-të fituan medaljet e arta në Kinë, dhe janë në rrugë të mbarë për të fituar sërish titullin në “Londër 2012”.

“GREKJA” Sava Lika
Ekipi olimpik i Greqisë në “Londër 2012” përbëhet nga 106 sportistë, por një prej tyre është shqiptarja Sava Lika. Korçarja 42-vjeçare merr pjesë në garën e hedhjes së shtizës, ashtu si dikur këtë rol e bëri Mirela Manjani, që pasi mori pjesë në ekipin shqiptar në “Atlanta 1996”, përfaqësoi Greqinë në “Sidnej 2000” (medalje argjendi) dhe “Athinë 2004” (bronzi). Sava Lika, e cila emigroi përmes maleve në Greqi, në vitin 1997, ka përfaqësuar Shqipërinë deri në vitin 2002, por më pas një ofertë joshëse e Greqisë, bëri që ajo të pranojë “pasaportën sportive” të shtetit helen, duke qenë pjesëmarrëse edhe në Olimpiadën “Athinë 2004”. Rezultati më i mirë i Sava Likës është 63.13 metra, i realizuar në Kampionatin Botëror 2007, të zhviluar në gusht të vitit 2007, në Osaka, ku ajo zuri vendin e 5-të. Në Lojërat Mesdhetare “Peskara 2009” (ku merr pjesë dhe Shqipëria), Sava Lika zuri vendin e parë, me rezultatin 60.97 metra.

“AUSTRALIANI” IBRAHIM BALLA

Ibrahim Balla është një tjetër sportist shqiptar, që merr pjesë në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, por me flamurin australian. Boksieri 21-vjeçar është lindur dhe rritur në Australi (në Ueribi, të shtetit të Viktorias) dhe është formuar si boksier (amator), po në “vendin e kangurëve”. Balla, 173 cm i lartë, garoi në peshën deri 56 kg. Në turin e 1/32 arriti të eliminoi marokenin Aboubakr Lbida, duke fituar me pikë, ndërkohë që në raundin tjetër, atë të 1/16, u mposht nga bullgari Detelin Dalakiev. 21-vjeçari Balla vlerësohet si një sportist premtues, në Australi, kjo dhe për faktin se ai vjen nga një familje boskierësh. Babai i tij, Nuri Balla, ishte një kampion i shtetit të Viktorias, ndërkohë që xhaxhai i tij, Mitati (njëherësh edhe trajnerin i Ibrahimit), ishte një kampion i Australisë. Edhe vëllai i tij më i madh, Qemali, ka fituar tituj në Australi, ndërkohë që vëllai i tij më i vogël, Nasufi, është një boksier premtues. Ibrahim Balla fitoi titullin e tij të parë australian me të rinjtë, në vitin 2001, kur ai ishte vetëm 11 vjeç. Deri në vitin 2012, Balla ka fkruar pesë tituj kampionë në Australi, si dhe një medalje argjendi në Lojërat e Komunuelthit, të zhvilluara në Pune, të Indisë. Titujt e kampionit të Austrialisë dhe Oqeanisë në vitin 2012, i dhanë atij një vend për herë të parë në Lojërat Olimpike (“Londër 2012”). Balla është prej katër vjetësh anëtar i ekipit Kombëtar të Australisë.

ELIS GURI
PARAQITJET NË LOJËRAT OLIMPIKE

“Pekin 2008”
Vendi i 8-të me Shqipërinë
(Pesha 96 kg, stili greko-romake)

“Londër 2012”
Garon, më 5 gusht me Bullgarinë
(Pesha 96 kg, stili greko-romake)

MEDALJET

Kampionati Botëror “Stamboll 2011”
Ar, në peshën 96 kg (Bullgari)

Kampionati Europian “Dortmund 2011”
Bronz, në peshën 96 kg (Bullgari)

Kampionati Europian “Tampere 2008”
Bronz, në peshën 96 kg (Shqipëri)

Piro Dhima dhe Mirela Manjani
fituan medalje për Greqinë

Peshëngritësit, Piro Dhima, Luan Shabani, Viktor Mitro, Gjergji Xhelili, garuan për Greqinë në “Lojërat Olimpike” dhe jo për Shqipërinë, atdheun e tyre. Piro Dhima, apo Piros Dhimas siç quhet ai në Greqi, ka fituar katër medalje Olimpike, tri të arta: “Barcelonë 1992”, “Atlanta 1996” dhe “Sidnej 2000”, si një bronzi në “Athinë 2004”. Dhima, i cili emigroi në Greqi në vitin 1990, kur ai ishte vetëm 20 vjeç, është sportisti grek me më shumë medalje të arta individuale, ndërkohë dhe një nga peshëngritësit më të mirë të gjitha kohërave. Kur ai fitoi medaljen e artë në Barcelonë (në peshën deri në 82.5 kg), Piro Dhima deklaroi “Ja tin Eladha” (Për Greqinë), çka i solli atij shpërblime të majme, ndërkohë që në “Athinë 2004”, ai ishte flamurmbajtësi i Greqisë, në ceremoninë hapëse dhe mbyllëse të lojërave. Luan Shabani, apo Leonidha Sabanis (në Greqi) ka fituar medaljet e argjendta, në “Atlanta 1996” dhe “Sidnej 2000”, si dhe dy medalje të arta, në kampionatet botërore (1998 dhe 1999). Luan Shabani fitoi titullin Kampion i Europës më Shqipërinë në vitin 1990 (në Finlandë). Peshëngritësi Viktor Mitro, apo Viktor Mitrou (në Greqi) fitoi medaljen e argjendtë në “Sidnej 2000”. Hedhësja e shtizës, durrsakja Mirela Manjani, garoi për Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Atlanta 1996”, Sidnej 2000” (medalje argjendi) dhe “Athinë 2004” (bronzi) mbrojti ngjyrat e flamurit grek.

KOSOVARËT E ZVICRËS
Zvicra ka 106 olimpistë, por pjesë e ekipit Olimpik të futbollit janë dhe katër shqiptarë nga Kosova: Amir Abrashi, Vullnet Basha, Pajtim Kasami, Admir Mehmeti.

“LONDËR 2012”

Adriatik Hoxha, zhgënjimi olimpik i radhës!

Adriatik Hoxha, rekordmeni shqiptar i hedhjes së gjyles, ishte zhgënjimi i radhës i ekipit olimpik kuqezi në “Londër 2012”. Përfaqësuesi i vetëm i atletikës sonë – pas tërheqjes së vrapueses Klodiana Shala – u rendit i 37-ti nga 40 pjesëmarrës, por i fundit sipas rezultatit teknik, pasi 3 sportistë u skualifikuan për gabime teknike gjatë hedhjes. Lushnjari Hoxha e hodhi gjylen 17.58 metra, një rezultat që është më i dobët sesa rekordi kombëtar, 18.18 metra, i mbajtur po nga vetë ai, pra 60 cm më pak. Hoxha realizoi në provën e parë 17.58 metra, bëri faull në të dytën, dhe e hodhi 17.14 metra në të tretën. Ndërkohë që të gjitha rezultatet e tij të këtij viti janë po në këtë shifra: kampionati dimëror 17.57 m; Ballkaniada e sallave të mbyllura 17.58 m, Kupa e Shqipërisë 17.86 m dhe Mitingu i Tivarit 18.14 m (RK). Në finale shkuan 12 atletët më të mirë ku në vend të parë në këtë garë kualifikuese doli amerikani Risi Hofa me 21.36, i ndjekur nga gjermani David Shtorl me 21.15. Rezultati minimal që dha kualifikim për në finale ishte 20.25 metra arritur nga Ming-Huang Çang i Tajvanit. Pas Hoxhës, mbeten edhe 2 shqiptarë të tjerë në konkurrim në këto Lojëra Olimpike. Në 4 gusht do të paraqitet në pedanën e peshëngritjes, Endri Karina, në peshën deri 94 kg, garë që zhvillohet në orën 16:30, ndërsa më 5 gusht, do të konkurrojë qitësi ynë Arben Kuçana në disiplinën 50 metra me pistoletë për meshkuj në orën 10:00. Deri tani, rezultatet më të mira për ne kanë qenë vendi i 9-të i Briken Caljes në peshëngritje, i 11-ti i Romela Begajt po në peshëngritje dhe hyrja në 16-she nga ana e xhudistes Majlinda Kelmendi. Në not, Noel Borshi zuri vendin e 40-të nga 42 sportiste; Sidni Hoxha doli i 37-ti nga 60-të konkurrues në garën e 100 metrave stil i lirë. Qitësi Arben Kuçana doli i 20-ti nga 44 konkurrues në garën 10 metra pushkë-ajër. Atletja Klodiana Shala u tërhoq nga gara, ndërkohë që peshëngritësi Daniel Godelli u skualifikua, pasi nuk realizoi asnjë provë në peshën deri në 69 kg. I turpshëm mbetet përjashtimi i peshëngritësit Hysen Pulaku, për shkak se rezultoi me doping.