Shqiptarët në Kupat e Europës

566
Sigal

Skënderbeu në vazon e dobët në Ligën e Kampionëve. Kukësi e Flamurtari tek të fortit

Teksa të gjitha verdiktet futbollistike sezonale janë dhënë dhe janë mësuar emrat e katër ekipeve që do të përfaqësojnë futbollin shqiptar në Europë: Skënderbeu në Ligën e Kampioneve; Flamurtari, Kukësi e Laçi në Ligën e Europës, tashmë mbetet të zbardhen emrat e kundërshtarëve të tyre. Në fakt, edhe pse shorti do të hidhet zyrtarisht më 23 Qershor, vazot me emrat e kundërshtarëve janë bërë të njohur. Si zakonisht, skuadrat janë ndarë në dy vazo: ekipet e forta, pra ato me koeficient të lartë dhe ekipet e dobëta, pra ato me koeficientët të ulët. Sigurisht, që “ëndrra” e presidentëve dhe trajnerëve të ekipeve tona është të përballen me skuadrat më të dobëta të mundshme. Duhet të shpresohet që mund të bjerë një prej atyre më të “dobëtave” në letër, që shanset për t’i eliminuar janë reale.

LIGA E KAMPIONËVE

Korçarët marrin pjesë për herë të katërt rresht në Ligën e Kampioneve, dhe vetëm sezonin e kaluar mundën të kalonin një tur, kur eliminuan Neftçi Baku të Azerbajxhanit. Skënderbeu ndodhet në vazon e të dobëtëve, me koeficient 4,600 dhe do të përballen me ekipet më të forta të turit të dytë kualifikues. Lista e 16 ekipeve, që do të jenë në vazon e parë dhe që njëri prej tyre do përzgjidhet për t’u përballur me kampionët e Shqipërisë, përbëhet nga skuadra me traditë në Ligën e Kampioneve. Ekipe që koeficientin e UEFAs e kanë shumë herë më të lartë se ai i Skënderbeut dhe mbi të gjitha kanë buxhete marramendëse krahasuar me atë të bardhekuqve. Sëlltiku do të dhuronte një duel të paharrueshëm për korçarët (fitimprurës gjithashtu), duke u pasuar nga klube si Dinamo e Zagrebit. Steaua Bukuresht është kundërshtari me koeficientin më të lartë, i ndikuar edhe nga paraqitja mbresëlënëse në Europë edicionin e kaluar. Një listë me klube mjaft të fortë, të cilët në letër nuk e “diskutojnë” kualifikimin për në raundin tjetër: Steaua Bukuresht (Rumani, me koeficientin më të lartë 39,451),  Sëlltik (Skoci), Bate Borisov (Bjellorusi), Sparta Pragë (Çeki), Dinamo Zagreb (Kroaci), Ludogorec (Bullgari), Makabi Tel Aviv (Izrael), Sherif (Moldavi), Maribor (Slloveni), Slovan Bratislava (Sllovaki), Aktobe (Kazakistan), Ventpilis (Letoni), Karabag (Azerjabaxhan), Helsinki (Finlandë), Dinamo Tbilis (Gjeorgji, me koeficientin më të ulët 6,975), si dhe kamionët e Polonisë e Serbisë. Nëse arrin të kalojë një raund të Ligës së Kampioneve, Skënderbeu ka mundësinë të ketë një aventurë të gjatë në Europë. Rregullorja e re e UEFA-s u jep mundësinë skuadrave që, nëse shkojnë deri në raundin e tretë kualifikues (korçarët e nisin nga raundi i dytë) dhe eliminohen, atëherë ata do të marrin pjesë në fazën “play-off” të Ligës së Europës

LIGA E EUROPËS

Kukësi me koeficientin 2,600 dhe Flamurtari me koeficientin 2,350 ndodhen në vazon e ekipeve të forta, ndërkohë që Laçi me koeficientin 1,600 ndodhet në vazon e të dobëtëve, atje ku është pozicionuar edhe Shkëndija e Tetovës me koeficientin 2,300. Në këtë këndvështrim, Kukësi e Flamurtari duken më të favorizuar pas kundërshtarët do t’i kenë më të dobët. Kukësi kaloi sezonin e kaluar tre ture në Ligën e Europës, duke u bërë ekipi i parë shqiptar me këtë arritje. Flamurtari ka kaluar momente të mira dhe të këqija në Europë, duke kaluar ture apo dhe pësuar humbje të hidhura. Laçi e ka për herë të tretë prezantimin e tij, ndërkohë që nuk ka mundur ta kalojë asnjë herë turin. Shorti i kompeticioneve europiane do të hidhet më datë 23 qershor. Ekipet shqiptare, që marrin pjesë në Ligën e Europës, do e zhvillojnë ndeshjen e parë më datë 3 korrik, ndërsa ajo e kthimit do të jetë një javë më pas, më 10 korrik. Nëse arrijnë të kalojnë një raund, ndeshjet e ardhshme janë programuar më datat 18 dhe 25 korrik. Ndërkohë, Skënderbeu do e zhvillojë ndeshjen e parë më 16 ose 17 korrik, ndërkohë që dueli i kthimit do luhet më 23 ose 24 korrik.

KUNDËRSHTARËT E SKËNDERBEUT

Steaua Bukur.     Rumani

Sëlltik          Skoci

Bate Borisov       Bjellorusi

Sparta Pragë Çeki

Dinamo Zagreb   Kroaci

Ludogoretc  Bullgari

Makabi T.Aviv   Izrael

Sherif           Moldavi

Maribor        Slloveni

Slovan Bratis.     Sllovaki

Aktobe         Kazakistan

Ventpilis      Letoni

Karabag       Azerjabaxhan

Helsinki       Finlandë

Dinamo Tbilis    Gjeorgji

Kampioni     Poloni

Kampioni     Serbi

Vazo e dytë

Skënderbeu  Shqipëri

EKIPET KUNDËRSHTARE TË

FLAMURTARIT E KUKËSIT

Shkëndija Tetovë Maqedoni

Fola Elsh     Luksemburg

Krusaders     Irl.Veriut

Shirak          Armeni

Veris            Moldavi

Kabala         Azerbajxhan

Mika            Armeni

Sioni Bolnisi      Gjeorgji

Hibernians   Maltë

Sliema Underes  Maltë

Astana          Kazakistan

Fram Rejkiavik   Islandë

Vikingu       Ishujt Faroe

Kairat    Almati   Kazakistan

Laçi              Shqipëri

Turnovo              Maqedoni

Deri Siti       Irlandë

Dundalk       Irlandë

VPS Vaasa   Finlandë

Stjarman      Islandë

Banga           Lituani

Torshvan      Ishujt Faroe

Santa Koloma     Andorra

Silmae Kalev      Estoni

Atlantas Lituani

Fuglafjodur  Ishujt Faroe

Airbus          Uells

Glenavon     Irl.Veriut

Libertas San Marino

Aberivistith Uells

Santos Tarto Estoni

SHQIPTARËT NË KUPAT E EUROPËS

Tirana – 74 ndeshje

Partizani – 44 ndeshje

Vllaznia – 40 ndeshje

Dinamo – 40 ndeshje

Flamurtari – 26 ndeshje

Teuta – 24 ndeshje

Besa – 14 ndeshje

Skënderbeu – 10 ndeshje

Kukësi – 8 ndeshje

Elbasani – 6 ndeshje

Bylisi – 4 ndeshje

Apolonia – 4 ndeshje

Laçi – 4 ndeshje

Albpetroli – 2 ndeshje

Tomori – 2 ndeshje

Flamurtari synon Vujadinoviçin

 Pas fitimit të Kupës së Shqipërisë dhe prerjes së biletës në Ligën e Europës, Flamurtari dëshiron të përforcojë skuadrën me lojtarë cilësorë për sezonin e ardhshëm, ku do të përpiqet të jetë kompetitiv dhe në Kategorinë Superiore. Skuadra e Gjokës dëshiron nga klubi shkodran dyshen malazeze, Miroslav Vujadinoviç-Blazo Rajoviç. Portieri malazez 31-vjeçar (30 ndeshje) ka qenë një ndër lojtarët kryesor në mbijetesën e ekipit shkodran në Superiore. Megjithatë lojtari ka deklaruar se fillimisht do të qëndrojë disa javë i qetë dhe më pas do të vendosë për të ardhmen.

Partizani në Turqi

 Partizani mund ta zhvillojë fazën përgatitore në Turqi. Pas konfirmimit të trajnerit të ri dhe plotësimit të organikës së ekipit, 15 herë kampionët do të nisin edhe fazën përgatitore. Eksperienca në janar duket se ka qenë shumë pozitive për skuadrën.

Kursi UEFA “PRO”2

 Në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamzë po zhvillohet faza e katërt e Kursit UEFA “PRO” 2, me trajnerët që marrin pjesë në të. Kjo do të jetë edhe pjesa përfundimtare e këtij kursi, që zhvillohet për herë të dytë në Shqipëri. Kjo fazë do të vazhdojë deri më 31 maj.

Kuqezinjtë do ta nisin grumbullimin në Iverdon të Zvicrës, më 28 maj

 12 ditët e tri miqësoreve të Kombëtares

 Shqipëria do të zhvillojë pas pak ditësh tri ndeshje miqësoret me Rumaninë (31 maj), Hungarinë (4 qershor) e San Marinon (8 qershor), parë këto në optikën e kualifikueseve të Kampionatit Europian 2016. Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin, më datë 28 maj në Iverdon të Zvicrës, aty ku do të zhvillohet edhe miqësorja e parë me Rumaninë (19:00). Programi i këtij grumbullimi të gjatë do të jetë 12 ditë, të shoqëruar me tri ndeshje miqësore në mes.

 RUMANIA – Seanca e parë stërvitore në Iverdon të Zvicrës do të kryhet një ditë pas grumbullimit të skuadrës, më 29 maj në orën 10:30 teksa pasdite do të ketë edhe seancë të dytë. Ditën e dytë kuqezinjtë do të kryejnë vetëm një seancë stërvitore në orën 19:00. Të shtunën e 31 majit në orën 19 kuqezinjtë do të testojnë veten përballë Rumanisë.

 HUNGARIA – Në datën 1 qershor, delegacioni kuqezi do të udhëtojë drejt Budapestit për miqësoren e dytë me Hungarinë. Janë parashikuar dy seanca, më datë 2 qershor dhe një seancë më datë 3 qershor. Ditën e ndeshjes më 4 qershor ekipi do të jetë paradite nën urdhrat e trajnerit për të vijuar me ushtrimet taktike ndërsa në mbrëmje do të luhet miqësorja e dytë ajo ndaj Hungarisë.

 SAN MARINO – Delegacioni i kombëtares Shqiptare do të udhëtojë drejt Riminit më datën 5 qershor. Më datë 6 qershor me dy seanca në ditë, më 7 qershor një seancë e vetme. Më 8 qershor në përfundim të miqësores së tretë kombëtarja Shqiptare do të mbyllë misionin, me futbollistët që do të nisin zyrtarisht pushimet.

Duka-De Biazi ndjekin Kosovë-Turqi

 Kosova do të luajë sot një miqësore luksi me Turqinë (18:00), e dyta për Kombëtaren kosovare pas asaj inauguruese me Haitin (5 mars). Një delegacion i nivelit te lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, i kryesuar nga Presidenti Armand Duka dhe Sekretari Ilir Shulku do të jenë në Kosovë me ftesë të homologëve të tyre të Federatës së Futbollit të Kosovës. Krahas ndjekjes së takimit, Presidenti Duka dhe Sekretari Shulku do të takohen me homologët e tyre Presidentin Vokrri dhe Sekretarin Salihu. Në këtë ndeshje do të jenë i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares Xhani De Biazi dhe ai i U-21 Skënder Gega. Kombëtarja e Kosovës, e drejtuar nga Albert Bunjaki, do të luajë më 25 maj me Senegalin.

Biletat Shqipëri-Rumani

 Bileta aspak të lira për ndeshjen Shqipëri–Rumani, që do të luhet në stadiumin Municipal të Yverdon les Bains, të Zvicrës, më 31 maj në orën 19.00. Çmimet e biletave për ndeshjen variojnë nga 17 franga (19 dollarë) deri në 59 franga (66 dollarë), bileta më e shtrenjtë.

Futbolli i femrave

 Futbolli i femrave në qytetin e Korçën ka shpërthyer me një aktivitet futbollistik. Tre ekipe femrash: K.F.Skenderbeut, K.F.Elbasanit dhe ekipit të Strugës (Maqedoni) zhvilluan një triangolare midis tyre. Ekipi fitues u shpall ai i vajzave të Strugës.