Sulmuesi ka realizuar 17 gola në Zvicër. Në total, 28 lojtarë kanë tundur rrjetën 140 herë
Shkëlzen Gashit i mjaftuan 71 minuta lojë për të shënuar katër gola dhe për t’u adhuruar nga 9700 fansat në “Letzigrund” mes duartrokitjeve pa fund. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u votua si “Lojtari i ndeshjes” në fitoren e thellë 5-0 të Grasshopersit ndaj Jang Bojs në kampionatin zviceran. “Shou” i gjahtarit të Grasshoperit nisi në minutën e 5-të, e më pas vazhdoi në minutat
41’, 50’ dhe 54’. Goleada e Gashit u ndoq edhe nga ish-trajneri i Kombëtares zvicerane, Kobi Kuhn. Gashi u ngjit në kuotën e 17 golave në Superligën zvicerane, teksa ekipi i tij ka shënuar 60 gola në 32 ndeshje. Grashopersi ndodhet në vendin e dytë, duke siguruar në vend në Ligën e Europës. Mesfushori shqiptar është shumë pranë “Këpucës së Artë” me 17 gola. Gashi ka shansin të bëhet shqiptari i trete në historinë e futbollistëve shqiptarë nëpër Botë pas Kliton Bozgos (2 herë në Slloveni me Mariborin) dhe Besart Berishës (në Australi me Brisbejn Roar). Shkëlzen Gashi hyn edhe në librin e futbollisteve të paktë shqiptarë, që kanë shënuar mbi katër gola në një ndeshje zyrtare jashtë vendit. Të tjerët janë Edmond Dosti, Kliton Bozgo, Igli Tare, Elton Shabani, Hamdi Salihi dhe Besart Berisha. Shkëlzen Gashi është legjionari shqiptar që ka shënuar më shumë këtë sezon (ende i pambyllur). Në total janë 140 gola të realizuar nga 28 lojtarë në Itali, Gjermani, Zvicër, Greqi, Poloni, Bullgari, Izrael, Azerbajxhan, Ukrainë, etj. Në Superligën zvicerane kanë shënuar dhe Jahmir Hyka (Lucern, 2) dhe Armando Sadiku (8 gola në total, 6 me Luganon e Challenge League dhe 2 me Zyrihun e Superligës). Në Serinë A në Itali, Lorik Cana ka shënuar dy gola për Lacion; Ledian Memushaj ka realizuar 8 gola për Karpin e Serisë B; dhe nga një gol kanë shënuar Elseid Hysaj për Empolin dhe Edgar Çani për Karpin, po në Serinë B. Nuk mungon edhe goli i Valdet Ramës me Real Valadolin në Primera Divizion në Spanjë, madje një gol “ala Lionel Mesi”. Në Bundesligën e dytë gjermane, Ilir Azemi (Grojther Fyrth) ka shënuar 13 gola; Alban Meha (Padeborn, 12 gola); Edmond Kapllani (FSV Frankfurt, 1 gol), ndërkohë që Mërgim Mavraj (Grojther Fyrth) dhe Odise Roshi (FSV Frankfurt) kanë shënuar nga një gol. Gola kanë shënuar në Greqi edhe Emiljano Vila (PAS Janina, 3); Andi Lila (PAS Janina, 1) dhe Ergys Kaçe (PAOK, 1). Edhe në Azerbajxhanin e largët nuk mungon goli i Ansi Agollit me Karabakun, me të cilën është shpallur së fundi edhe kampion i vendit. Në Bullgari, dy lojtarët shqiptarë të Liteks Loveçit, Armando Vajushi e Jurgen Gjasula, kanë realizuar përkatësisht nga 10 e 9 gola. Në Poloni, Bekim Balaj ka shënuar 7 gola për Jagiellonian, ndërsa Sebino Plaku vetëm 1 gol për Slaskun. Në Ukrainë, mbrojtësi Armend Dallku dhe sulmuesi Ahmed Januzi kanë shënuar nga 1 dhe 2 gola për Vorskla Poltavën.
17 gola
ka realizuar Shkëlzen Gashi me Grasshopersin gjatë këtij sezoni në Superligën zvicerane
4 gola
në një ndeshje kanë shënuar Dosti, Tare, Bozgo, Shabani, Salihi, Berisha dhe Gashi
Gola Lojtari Ekipi Kampionati
17 Shkëlzen Gashi Grasshopers Zvicër 1
13 Ilir Azemi Grojther Fyrth Gjermani 2
13 Besart Berisha Brisbejn Roar Australi 1
12 Alban Meha Padeborn Gjermani 2
10 Edmond Kapllani FSV Frankfurt Gjermani 2
10 Armando Vajushi Liteks Loveç Bullgari 1
9 Jurgen Gjasula Liteks Loveç Bullgari 1
8 Ledian Memushaj Karpi Itali 2
8 Armando Sadiku Lugano/Zyrih Zvicër 1/2
7 Bekim Balaj Jagiellonia Poloni 1
6 Xherdan Shaqiri Bajern Munih Gjermani 1
5 Hamdi Salihi Hapoel Akre Izrael 1
3 Emiljano Vila PAS Janina Greqia 1
2 Lorik Cana Lacio Itali 1
2 Jahmir Hyka Lucern Zvicër 1
2 Andi Lila PAS Janina Greqia 1
2 Ahmed Januzi Vorskla Ukrainë 1
1 Odise Roshi FSV Frankfurt Gjermani 2
1 Mërgim Mëvraj Grojther Fyrth Gjermani 2
1 Elseid Hysaj Empoli Itali 2
1 Edgar Çani Karpi Itali 2
1 Valdet Rama Real Valadolid Spanjë 1
1 Ergys Kaçe PAOK Greqi 1
1 Ansi Agolli Karabak Azerbajxhan 1
1 Labinot Haliti Uester Sidnej Australi 1
1 Sebino Plaku Slask Poloni 1
1 Armend Dallku Vorskla Ukrainë 1
1 Elis Bakaj Çernomorets Ukrainë 1
Për mesfushorin e Padebornit dhe të Kombëtares sonë kjo ishte hera e gjashtë në Top 11
Alban Meha, në skuadrën e javës të Bundesligës 2
Mesfushori Alban Meha dhe sulmuesi Ilir Azemi u përfshinë në 11-shen më të mirë të javës së 33-të Bundsligës 2. Për Albam Mehën, i cili aktivizohet me Padebornin kjo ishte hera e gjashtë në këtë sezon, që lojtari i Kombëtares shqiptare përzgjidhet në formacionin ideal. Meha shënoi golin e parë në fitoren 2-0 të Padebornit ndaj Erzgebirges në transfertë, e që konsolidoi vendin e dytë ën Bundesligën 2. Meha u vlerësua me notën 1.5 (shumë mirë) duke qenë dhe lojtari i ndeshjes Erzgebirge Aue-Padeborn. Për Ilir Azemin kjo ishte hera e katërt që përfshihet në “Top 11”. Kosovari i Grojther Fyrthit realizoi dy gola në fitoren e thellë 6-0 ndaj Energi Kotbusit. Fyrthi, ku luan edhe mbrojtësi i Kombëtares sonë, Mërgim Mavraj, ndodhet në vendin e tretë, pozicion që të çon në ndeshjet “play-off” me vendin e tretë nga fundi të Bundesligës 1. Ilir Azemi ka shënuar gjatë këtij sezoni 13 gola, ndërkohë që Alban Meha një më pak, 12. Sulmuesi tjetër shqiptar, Edmond Kapllani, ka realizuar 10 gola me FSV Frankfurtin. Nga përfundimi i Bundesligës 2 ka mbetur edhe një javë. Nëse Alban Meha do të ngjitet në Bundesligë, ai do të bëhet futbollisti i 20-të me shtetësi shqiptare në Bundesligë. Ja 19 të tjeret: Altin Rraklli, Hysen Zmijani, Igli Tare, Besnik Hasi, Rudi Vata, Altin Lala, Fatmir Vata, Mehmet Dragusha, Ervin Skela, Geri Cipi, Klodian Duro, Jurgen Gjasula, Bekim Kastrati, Besart Berisha, Mergim Mavraj, Edmond Kapllani, Jahmir Hyka, Valdet Rama dhe Odise Roshi.
12 gola
ka realizuar Alban Meha gjatë këtij sezoni me Padebornin në 24 ndeshje në Bundesligën 2
17 asistë
ka dhënë mesfushori gjatë 83 ndeshjeve me Padebornin ku ka shënuar në total 23 gola
Superliga me 10 ekipe dhe katër faza; e Para me dy grupe me nga 10 skuadra dhe tri faza
Revolucion “jeshil” në formatet e kampionateve
Edicioni aktual i Kategorisë Superiore është një hap larg mbylljes, në pritje të 90 minutave të fundit të saj. Edhe pse nuk dihet se cila do të jetë skuadra e fundit që do të zbresë në Kategorinë e Parë, tashmë është e ditur struktura e kampionatit të ardhshëm. Edicioni 76-të i futbollit shqiptar do të shohë dy kategori që do të ndryshojnë format. Ashtu siç është bërë e ditur nga vendimi Komitetit Ekzekutiv, sezoni i ardhshëm në Kategorinë Superiore do të jetë me 10 skuadra, ndërsa në Kategorinë e Parë do të jenë dy grupe me nga 10 skuadra. Nëse këtë edicion janë 33 javë kampionat, sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore do të jenë plot 36 javë, me skuadrat që do të ndeshen plot 4 herë brenda një sezoni. Ndërkohë në Kategorinë e Parë do të zhvillohen tre faza me 27 ndeshje, teksa dy të parat e çdo grupi do të kalojnë më tej. Megjithatë struktura përfundimtare e Kategorisë së Parë ende nuk është përcaktuar përfundimisht, pasi ekzistojnë dyshime për mënyrën e ndarjes së dy grupeve. Gjithçka do të vendoset në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv që do të mbahet në përfundim të edicionit, pasi të jetë shpallur edhe fituesi i Kupës së Shqipërisë. Ndërkohë për sa i përket shtimit të numrit të futbollistëve të huaj në fushë, mendohet që numri të qëndrojë i pandryshuar, pra me 4 futbollistë të huaj në të njëjtën kohë në fushën e lojës. Pas një sezoni të fortë dhe të luftuar deri në javën e fundit, mbetet për t’u parë risitë që do të sjellë struktura e re edicionin e ardhshëm, si në Kategorinë Superiore ashtu dhe në Kategorinë e Parë, ku lufta do të jetë po kaq e ashpër sa në elitë. Kampionati i ardhshëm, ai 76-ti, pra i sezonit 2014-2015 do të luhet me 10 skuadra dhe katër faza, ndryshe nga ky aktual ku janë 12 skuadra dhe tre faza. Gjatë njëzet kampionateve të fundit kanë parë të paktën pesë struktura të ndryshe, duke nisur jo vetëm numri i ekipeve pjesëmarrëse: 10, 12, 14, 16 apo 18, por dhe me 2, 3 apo 4 faza. Po kështu, edhe numri i skuadrave që binin direkt është i ndryshëm, 1, 2, 3 apo dhe 4. Numri minimal i ndeshjeve është 26, ndërsa ai maksimal është 36 (kampionat dhjetë ekipe dhe me katër faza). Sa për kuriozitet, kampionati me numrin më të madh të ndeshjeve është ai sezonit 1990-1991 (14 skuadra) që, zhvilluan secila nga 39 ndeshje. Kampionati parashikonte dy faza, me nga 13 ndeshje secila, ndërkohë që në fazën e tretë, shtatë ekipet më të mira zhvilloni shtatë ndeshje në shtëpi dhe gjashtë ndeshje jashtë. Kampion atë sezon doli Flamurtari. Sa për statistikë, ia vlen të kujtojmë se në edicionin 1995-1996, ka pasur 18 skuadra (binin dy të tilla), ndërkohë që në sezonin 1992-1993 ishin 16 skuadra, por që bënin tri direkt.
Sezoni E N F B
2013-2014 12 33 3 4
2012-2013 14 26 2 4
2011-2012 14 26 2 2
2010-2011 12 33 3 2
2009-2010 12 33 3 2
2008-2009 12 33 3 2
2007-2008 12 33 3 2
2006-2007 12 33 3 2
2005-2006 10 36 4 2
2004-2005 10 36 4 2
2003-2004 10 36 4 2
2002-2003 14 26 2 2
2001-2002 14 26 2 2
2000-2001 14 26 2 2
1999-2000 14 26 2 2
1998-1999 16 30 2 3
1997-1998 18 34 2 3
1996-1997 14 26 2 2
1995-1996 18 34 2 2
1994-1995 16 30 2 1
Shpjeguese: E – ekipe; N – ndeshje; F – faza; B – bien nga kategoria