Shqipëria zbret sot në fushë mes polemikash dhe një situate të rënduar

492
Sigal

Deniz TUFINA

Kombëtarja luan miqësoren me Jordaninë në përgatitje për Ligën e Kombeve, Panuçi në momentin e tij më të vështirë në drejtimin e përfaqësueses

Kombëtarja shqiptare zbret sot në fushë për ndeshjen miqësore me skuadrën e Jordanisë. Ky takimi do të jetë një parapërgatitje për sfidën zyrtare të Ligës së Kombeve, që përfaqësuesja jonë do të luajë me Izraelin, të dielën e ardhshme. Shqipëria vjen në këto përballje në momentin e saj më të vështirë, jo vetëm nga rezultatet e fundit negative, por edhe për faktin se marrëdhënia e trajnerit Panuçi me disa lojtarë apo me median ka qenë tepër e rënduar. Panuçi është kritikuar për neglizhencë ndaj futbollistëve të kampionatit shqiptar. Kjo gjë u vu re pas konferencës për shtyp të pa lajmëruar nga trajneri, pikërisht në orarin që po luheshin disa takime të superligës. Ky fakt përforcohet më tepër me listën e lojtarëve të grumbulluar nga italiani, ku figuron vetëm 1 lojtar nga superiorja, portieri i Partizanit, Alban Hoxha. Nga ana tjetër trajneri kuqezi ndodhet në një situatë të tensionuar me lojtarët e tij. Në konferencën e fundit për shtyp, Panuçi u shpreh se disa futbollistë të përfaqësueses meritonin grushte. “Nëse do të isha futbollist, do të isha zënë me grushte me disa lojtarë të kombëtares, por jam trajneri dhe duhet të mundohem t’iu tregoj se si duhet të luajnë dhe se sa shumë duhet të japin”- tha Panuçi. Kjo deklaratë i shtohet asaj për talentin, Kristal Abazaj, për të cilin Panuçi tha se ai pretendon të vijë në grumbullim kur ka 4 muaj pa luajtur, duke mos qenë madje as në stol. “Sa ka që nuk luan Abazaj. Sa ka që nuk zhvillon një ndeshje. Këtu jemi të çmendur. Nuk luan te Anderlehti fare. Më takoi jashtë stadiumit dhe më tha nuk ia dol dot, sa shumë punohet këtu. Këtu njerëzit mendojnë se është vend pune kombëtarja” – ishin fjalët e trajnerit. Aventura e Kristian Panuçit tek kombëtarja shqiptare nuk po shkon siç pritej. Trajneri italian erdhi mes pritshmërive të mëdha, pas suksesit të paraardhësit të tij, Xhani De Biazi, i cili arriti ta kualifikojë Shqipërinë në kampionatin Evropian të Francës në 2016. Nga Panuçi pritej të përsëriteshin suksesi dhe ecuria pozitive të arritura nga kombëtarja jonë në epokën e De Biazit, por deri tani pritshmërive ua kanë lënë vendin zhgënjimi dhe pesimizmi. Ndeshja me Jordaninë luhet sot, në orën 20:00, në “Elbasan Arena”.

10 ndeshjet e Panuçit me Shqipërinë, 3 fitore, 1 barazim, 6 humbje

Për sa i përket rezultateve të Shqipërisë nën drejtimin e Kristian Panuçit, bilanci flet për një ecuri negative me 6 humbje në 10 sfida. Nëse humbjet me Italinë dhe Spanjën mund të justifikohen, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ndeshjet përballë rivalëve të të njëjtit nivel, si Norvegjia, Skocia apo humbja me “inferiorët” e Kosovës.

Shqipëri 2-0 Lihtenshtein

Maqedoni 1-1 Shqipëri

Spanjë 3-0 Shqipëri

Shqipëri 0-1 Itali

Turqi 2-3 Shqipëri

Shqipëri 1-0 Norvegji

Kosovë 3-0 Shqipëri

Shqipëri 1-4 Ukrainë

Shqipëri 1-0 Izrael

Skoci 2-0 Shqipëri

Formacioni i mundshëm

Strakosha, Hysaj, Mavraj, Gjimshiti, Lenjani, Basha, Lila, Grezda, Memushaj, Gavazaj, Balaj