Shqipëria U-19 e mbyll me turp, mundet edhe nga Islanda

448
Sigal

Trajneri Nevil Dede premtoi kualifikimin, por Shqipëria e 19-vjeçarëve jo vetëm që nuk u kualifikua por u eliminua me turp nga raundi i parë eliminator i kampionatit europian të kësaj grupmoshe.

Kuqezinjtë i shkuan shumë afër fitores së parë në grupin 4 eliminator, ndeshjet e të cilit u zhvilluan në Belgjikë, por në fund u dorëzuan pa kushte edhe përballë Islandës. Ishullorët triumfuan 4-2 me përmbysje ndaj Shqipërisë U-19 dhe u kualifikuan në “Elite Round” si skuadra e dytë e grupit.

Cuni dhe Ndrecka i dhanë avantazhin e dyfishtë Shqipërisë U-19 brenda 30 minutave të para duke krijuar iluzionin e një suksesi pas dy humbjeve ndaj Greqisë dhe Belgjikës, por në pjesën e dytë Islanda shkurtoi menjëherë shifrat ndërkohë që kartoni i dytë i verdhë i marrë nga sulmuesi kryesor Armando Broja në minutën e 65-të i prishi komplet planet skuadrës së Dedes që më pas u shpërfytyrua dhe me një lojtar më pak pësoi 3 gola në harkun e 10 minutave nga Islanda duke u mposhtur 4-2 dhe duke pësuar humbjen e tretë në 3 takime në këto eliminatore.