Shqipëria U-17 në kërkim të kualifikimit të katërt

567
Sigal

Kombëtarja më e vogël kuqezi ka kaluar vetëm tri herë në fazën “Elite Round” të një Europiani

Shqipëria U-17 i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar për në raundin e “Elite Raund” të Kampionatit Europian, nëse “djemtë” e Xhemal Mustedanagiçit do të fitojnë sot me Finlandën. Kombëtarja jonë vjen pas fitores 2-1 me Bjellorusinë, ndërkohë që finlandezët kanë regjistruar dy humbje në po aq ndeshje dhe ndodhen në kuotën e zero pikëve. Në ndeshjen e parë, Shqipëria humbi minimalisht 1-0 me Rumaninë, kryesuesen e grupit tonë. Entuziazmi në kampin kuqezi është i madh, pasi të gjithë kërkojnë kualifikimin e katërt në “Elite Round” në historinë e këtij ekipi përfaqësues. Shqipëria është kualifikuar vetëm tri herë në fazën e dytë eliminatore të një Kampionati Europian. Kjo ka ndodhur në vitin 1994, 2003 dhe 2012. Ndeshja Shqipëri-Finlandë do të luhet në Korçë, ndërsa ajo Rumani-Bjellorusi në Pogradec. Kjo është hera e tretë që, në vendin tonë do të zhvillohen eliminatoret e Kampionateve Europiane të moshave. Në shtator të vitit 2007, u zhvilluan në Tiranë dhe Durrës, kualifikueset e U-17, ku morën pjesën përveç Shqipërisë, edhe Franca, Holanda dhe Lituaninë. Në tetor të vitit 2012, në Vlorë dhe në Fier, u zhvilluan kualifikueset e U-19, ku përveç kuqezinjve të Foto Strakoshës ishin dhe Belgjika, Italia dhe Bjellorusia. Për lexuesit e gazetë “Telegraf”, po sjellim tre kualifikimet historike në fazën e “Elite Round” të Shqipërisë U-17.

EURO 1994

Në turin eliminator të Kampionatit Europian 1994 të moshës U-16, Shqipëria bënte pjesë në grupin 5, së bashku edhe Lihteshtejnin dhe Maltën, në këtë të fundit u zhvilluan edhe ndeshjet (28 shkurt-4 mars 1994). Kombëtarja jonë i fitoi të dyja takimet: 1-0 me Lihteshtejnin dhe 2-0 me Maltën, duke zënë vendin e parë në grup dhe kualifikuar për finalet e turneut, i cili u zhvillua në Irlandën e Veriut (26-30 prill 1994). Kombëtarja jonë bënte pjesë në grupin A, së bashku edhe me Bjellorusinë, Austrinë dhe Spanjën. Në ndeshjen e parë humbi 1-0 me Austrinë, barazoi 1-1 em Bjellorusinë dhe humbi 4-0 me Spanjën, por fitues të grupit dolën Bjellorusia dhe Austria.

EURO 2003

Në turin e parë eliminator të Euro 2003, ndeshjet e të cilit u luajtën në në Lituani, 21-25 tetor 2002, Shqipëria U-17 bënte pjesë në grupin 10, së bashku edhe me Holandën, San Marinon dhe Lituaninë. Kuqezinjtë barazuan 1-1 me “tulipanët” si dhe fituan 3-1 me Lituaninë vendase dhe 1-0 me San Marinon. Ekipi ynë zuri vendi e dytë, me 7 pikë, po aq sa Holanda dhe u kualifikua për turin pasardhës. Në turin e dytë kualifikues (24-28 mars 2003, takimet u luajtën në Kastoria të Greqisë), ekipi ynë bënte pjesë në grupin e 5-të, së bashku edhe me Hungarinë (fituese të grupit), Zvicrën dhe Greqinë. Shqipëria humbi ndeshjen e parë 1-0 me Greqinë, po 1-0 humbi me Zvicrën dhe barazoi 3-3 me Hungarinë, duke zënë vendin e fundit (1 pikë).

EURO 2012

Kualifikim për herë të tretë i një turi të parë eliminator: Shqipëri-Sllovaki 2-1, Gjermani-Shqipëri 1-0 dhe Estoni-Shqipëri 1-1. Vendi i dytë në grup dhe automatikisht në Elite Round. Meritë e trajnerit boshnjak, Xhemal Mustedanagiç, autorëve të golave, Franca Ymeraliaj dhe Amri Jonuzi, dhe, sigurisht gjithë skuadrës. Kështu, Gjermania (vendi i parë) dhe Shqipëria (vendi i dytë) u kualifikuan për raundin tjetër. Në shortin e hedhur, më 29 nëntor 2012, Shqipëria ra në një grup me Holandën, Serbinë dhe Irlandën. Kombëtarja jonë humbi 4-0 me Holandën, 3-0 me Serbinë dhe fitoi 2-1 me Irlandën.

El. Euro 2015

Ndeshjet, Grupi 1

Sot, 23.10.2013

Rumani-Bjellorusi 14:30

Shqipëri-Finlandë 14:30

19.10.2013

Bjellorusi-Finlandë 1-0

Rumani-Shqipëri 1-0

21.10.2013

Finlandë-Rumani 0-1

Bjellorusi-Shqipëri 1-2

RENDITJA

Rumania 6

Shqipëria 3

Bjellorusia 3

Rumania 0

Kapiteni i Shqipërisë rrëfehet për jetën e tij futbollistike: “Te PSG-ja u bëra mesfushor”

  Lorik Cana: “Kam qenë sulmues, shënoja shumë”

 Lorik Cana, mbrojtësi kosovar i Lacios, njëherësh edhe kapiteni i Shqipërisë, rrëfeu gjatë një interviste për revistën “Lazio Style” fillimet e tij futbollistike, duke zbuluar se e ka nisur si sulmues. “Jam lindur sulmues, qysh i vogël shënoja shumë gola. Pastaj duke u rritur kam luajtur pas sulmuesit të parë, “pykës”, e më pas në mesfushë, përpara mbrojtjes. Te Paris Sën Zhermeni vazhdova në këtë rrugë dhe u perfeksionova si mesfushor përpara qendërmbrojtësit”. Cana këtë rol e ka luajtur edhe me Olimpikun e Marsejës, dhe më pas me Sanderlendin në Angli dhe Gallatasarajin në Turqi. Babai i tij, Agim Cana, duke folur për të birin tha për mediat italiane: “Ai ka një karakter luftëtari dhe qysh i vogël ka qenë kapiten. Kam punuar me të, për të mësuar gjuhët, dhe fakti që njihte qysh në moshë të re italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht e ka ndihmuar atë në rolin e kapitenit në klube të ndryshme”.

  De Biazi, sot firma mbi kontratë

 Trajneri Xhani De Biazi hedhë sot firmë në kontratën e tij të re me Federatën Shqiptare të Futbollit për të firmosur kontratën e re, e cila e lidh me kombëtaren kuqezi deri në përfundim të kualifikueseve për Euro 2016. Të dielën e kaluar, trajneri dhe presidenti Armand Duka bënë të ditur arritjen e marrëveshjes, zyrtarizimi i së cilës bëhet sot, duke hedhur firmat mbi letër. De Biazi do të punojë me një grup më të vogël, në kërkim të rezultateve, në varësi edhe të kundërshtarëve të Shqipërisë në eliminatoret e europianit francez. Shorti për kualifikimet e Europianit të 2016- ës do të hidhet më 23 shkurt 2014 në Pallatin e Kongreseve në Nisë, Francë. Ndërsa pas kualifikimeve, shorti për skuadrat që do luajnë në këtë Europian do të mbahet më 12 dhjetor 2015. Sipas formatit që tashmë është aprovuar nga UEFA, ky kampionat nuk do luhet më me 16 skuadra, por me 24 të tilla.

  Mojes: “Januzaj, një talent i veçantë”

 Mançester Junaitid do të luajë sot kundër Real Sociedad, në ditën e tretë të Ligës së Kampioneve, ku një hap fals mund ta vështirësojë rrugëtimin e djemve të Dejvid Mojes drejt fazës eliminatore. Sipas mediave angleze, kundër spanjollëve pritet të luajë edhe kosovari Adnan Januzaj, aq shumë i kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi. Trajneri i Mançester Junaitid, Dejvid Mojes, foli me superlativa për Januzajn: “Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe po bën progres të jashtëzakonshëm me kalimin e kohës. Jam i sigurt se Januzaj do ta konsumojë pjesën më të madhe të karrierës së tij me Mançester Junaitid. Adnani është një talent i veçantë”.

Mojes u përqendrua edhe te sfida e radhës, duke e pranuar se për Real Sociedad do të jetë e vështirë të luajë në një stadium mitik si “Old Trafford”, duke shtuar se shpreson që skuadra mike ta shijojë eksperiencën e parë në skrofullën e “Djajve të Kuq”.