Shqipëria pa Shpresa, pesë humbje në po aq ndeshje

448
Sigal

U-21 Shqipëri-Bosnjë 0-1. Kuqezinjtë e Skënder Gegës firmosën dështimin e radhës në Europian

Shqipëria U-21 humbi 1-0 me Bosnjë-Hercegovinën në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit në ndeshjen e vlefshme, për eliminatoret e Kampionatit Europian 2015, duke regjistruar humbjen e pestë në po aq ndeshje në këtë fushatë kualifikuese. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi me penallti (38’) mesfushori i Splitit (në kampionatin kroat), Mario Kvesiç, pas faullit të Rrahmanit ndaj Meshanoviçit. Një lojë e paqartë e Kombëtares U-21, me mungesë të theksuar organizimi në mesfushë, me shumë pak befasi e fantazi në sulm, natyrshëm që do të favorizonte miqtë, të cilët u paraqitën më lart taktikisht dhe pasi shënuan golin, ditën ta mbrojnë atë në pjesën e dytë. Lojtarët e aktivizuar nga Gega ishin djem pa ndonjë eksperiencë të madhe, sidomos ata që vinin nga jashtë luajnë pak në skuadrat e tyre. Trajneri i kombëtares U-21 kishte grumbulluar një miks lojtarësh mes kampionatit shqiptar dhe legjionarëve. Nëse i referohesh kronikës së lojës, statistikat të ofrojnë vetëm dy raste në 90 minuta për kuqezinjtë tanë. Pra, shumë pak për ekipin e drejtuar nga Skënder Gega. Pjesa e parë nisi nën diktatin e miqve të cilët rrezikuan disa herë brenda pak minutave me Çajiç dhe më pas me Kvesiç e Maletiç. Rasti i parë për kuqezinjtë u shënua në minutën e 26-të me sulmuesin Neziraj që nuk mundi të shënonte edhe pse i kishte të gjitha mundësitë për ta kaluar skuadrën në avantazh, pasi u ndal nga portieri boshnjak, Jajalo. Në minutën e 34-t, trajneri Skënder Gega nxori nga fusha sulmuesin Hoxha duke e zëvendësuar me mesfushorin Kavazaj por 4 minuta më pas, Rrahmani ndaloi në mënyrë të parregullt Meshanovic duke shkaktuar 11-metërshin që u transformua në gol nga Kvesic. Me fillimin e pjesës së dytë, Shala u zëvendësua nga Muriqi por kjo nuk e ndryshoi fytyrën e ndeshjes për kuqezinjtë që vuajtën presionin e boshnjakëve. Në minutën e 56-të, arbitri ndëshkoi me karton të verdhë Kavazajn për simulim në zonën kundërshtare, ndërsa 7 minuta më vonë mesfushori Kruja tentoi një goditje nga jashtë zonës por pa e kërcënuar portën kundërshtare. Një tjetër rast e regjistroi Kavazaj disa momente më vonë pasi nuk arriti të shënjestronte portën. Minutat në vazhdim, kombëtarja shqiptare e rriti edhe më shumë presionin duke rrezikuar disa herë portën e Bosnje Hercegovinës, por pa arritur të shënonte golin që do të siguronte edhe pikën e parë në këto eliminatore. Me 5 humbje, Shqipëria U-21 mban vendin e fundit në grupin 4 që kryesohet nga Spanja, ndërsa Bosnje Hercegovina renditet një pozicion më lart me 6 pikë. Shpresat kanë humbur në të pesë ndeshjet që ajo ka zhvilluar në këto eliminatore, gjë që nuk ndodh prej shumë vitesh. Shpresat kanë humbur 2-1 me Hungarinë (në Durrës), 4-1 me Bosnjën (në Zenica), 1-0 me Austrinë (në Vlorë), 4-0 me Spanjën (në Logrono) dhe dje, 1-0 me Bosnjën në Elbasan. I kemi humbur kështu, dy ndeshjet direkt me Bosnjën, që duhet pranuar se ka një nivel të lartë përsa u përket moshave. Tri ndeshjet e fundit të Shpresave janë ato me Hungarinë në Budapest (14 nëntor), Spanjën në Tiranë (18 nëntor) dhe Austrinë në Vjenë (më 5 mars 2014).

U-21, ELIMINATORET E EURO 2015

SHQIPËRI-BOSNJË 0-1

Golat: Kvesiç 38’ (pen)

15 tetor 2013, stadiumi “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasan

SHQIPËRIA: Strakosha, Husaj, Prençi, Gjokaj, Rrahmani, Bunjaku, Shala (Muriqi 46’), Gino, Kruja, F.Hoxha (Kavazaj 34’), Neziraj (Taipi 55’). Trajner: S.Gega

BOSNJA: Jajalo, Jakupoviç, Kovaçeviç, Barishiç, Bevab, Maletiç (Bekic 55’), Duljeviç (Graovac 85’), Çajiç, Kvesiç (Runic 80’), Kruniç, Meshanoviç. Trajner: V.Jagodiç

Gjyqtarë: Sacha Amhof, Rafael Zeder, Alain Heiniger (Zvicër)

Kartonë të verdhë: Rrahmani 37,  F.Hoxha 28’, Kavazaj 56’ / Jakupovic 15’, Maletic 13’, Jajalo 90+2’

EL.EURO 2015

GRUPI 4

NDESHJET E

KOMBËTARES U-21

07.06.2013, Durrës

Shqipëri-Hungari 1-2

11.06.2013, Zenica

Bosnjë-Shqipëri 4-1

14.08.2013, Vlorë

Shqipëri-Austri 0-1

09.09.2013, Logrono

Spanjë-Shqipëri 4-0

15.10.2013, Elbasan

Shqipëri-Bosnjë  0-1

14.11.2013

Hungari-Shqipëri 14.11

18.11.2013

Shqipëri-Spanjë 18.11

05.03.2014

Austri-Shqipëri 05.03

Gega, asnjë fitore në dhjetë ndeshje

 Edhe pse trajneri Skënder Gega vlerësohet shumë në ambientet futbollistike për njohuritë e tij në trajning – ish-mbrojtësi i Partizanit dhe i Kombëtares ka drejtuar ekipe edhe në Shtetet e Bashkuara, atje ku jeton prej vitesh, ai nuk ka regjistruar asnjë fitore në dhjetë ndeshjet e tij me Shpresat: pesë për eliminatoret e Euro 2013 dhe pesë për eliminatoret e Euro 2015.

Bilanci i tij është dy barazime: 2-2 me Portugalinë në Durrës dhe 0-0 me Rusinë në Moskë, si dhe tetë humbje: me Rusinë (1-0), Portugalinë (3-1), Moldavinë (2-1), Hungarinë (2-1), Bosnjën (4-1 dhe 1-0), Austrinë (1-0) dhe Spanjën (4-0). Edhe në tri ndeshjet e mbetura të këtij edicioni eliminator, ato ato me Hungarinë në Budapest (14 nëntor), Spanjën në Tiranë (18 nëntor) dhe Austrinë në Vjenë (më 5 mars 2014), vështirë se mund të arrihet fitorja.

E fundit është regjistruar dy vjet më parë, ajo 4-3 kundër Moldavisë, më 6 shtator 2011 nga Artan Bushati

 Dy vjet pa fitore

 Për të gjetur se kur ka fituar për herë të fundit Kombëtarja U-21, duhet të rikthehesh dy vjet pas në kohë. Pikërisht, më 6 shtator 2011, kur Shpresat – atëherë të drejtuara nga i ndjeri Artan Bushati – fituan 4-3 me Moldavinë, një takim i zhvilluar ën Korçë. Pjesa e parë përfundoi pa gola. Ionita (55’) shënoi i pari për Moldavinë, ndërkohë që barazoi Sadiku (60’). Sërish Ionita (61’, me penallti) i dha avantazhin 2-1 moldavëvë, por barazoi Brahimi. Me dy gola të bukur brenda dy minutave: 79’ dhe 80’, të realizuar nga Telushi dhe Sadiku, Shqipëria kaloi në avantazh 4-2, teksa goli i Ginsarit (në të 89’) shërbeu sa për statistikë. Në minutën e 90-të, Platika i Moldavisë doli më karton të kuq. Rezultati i ndeshjes +7 krijoi shumë dyshime se ai ishte i fiksuar. Gjithsesi, nga ai takim dhe deri në ndeshjen e djeshme kundër Bosnjës, Shqipëria nuk ka realizuar asnjë fitore në 11 sfidat e zhvilluara, duke “shijuar” megjithatë dy barazime të mëdha: 2-2 me Portugalinë në Durrës dhe 0-0 me Rusinë në Moskë.

 U dëmtua në “Qemal Stafa” Shaqiri, dy muaj larg fushave

 Transferta e Zvicrës në “Qemal Stafa”, në atë fitore 2-1 të helvetëve ndaj Kombëtares sonë, po rezulton shumë e hidhur për Xherdan Shaqirin dhe këtu nuk bëhet fjalë për koret kundër mesfushorit me origjinë shqiptare. Lojtari i Bajernit të Munihut pësoi një dëmtim në sfidën e së premtes dhe fillimisht u mendua për pak ditë pushim, por gjatë orëve të fundit, analizat më të detajuara nxorën një tërheqje të rëndë që pritet ta mbajë lojtarin rreth dy muaj. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, 22-vjeçari shprehet i shqetësuar dhe shton se është shumë i mërzitur për këtë dëmtim që do ta mbajë larg skuadrës së Bajernit të paktën deri në fillim të vitit 2014. Shaqiri shton gjithashtu se një dëmtim të ngjashëm e ka pësuar kohë më parë edhe në këmbën e majtë, prandaj premton se do të punojë shumë për t’u rikthyer sa më shpejt në fushën e blertë. Problemet fizike të mesfushorit shqiptar e rëndojnë situatën në kampion bavarez pasi Guardiola nuk ka të gatshëm as mbrojtësin Holger Badshtuber por edhe dy mesfushorët Thiago Alkantara e Javi Martinez. Gjatë ditëve të fundit, Bastian Shavajnnsteiger është rikthyer i gatshëm ashtu si edhe Mario Goetze që nuk ka arritur të rigjejë ende formën më të mirë fizike.