Shqipëria me statistika të frikshme, asnjë humbje dhe 7 pikë, si asnjëherë tjetër

487
Sado që kanë kaluar tre ditë nga ndeshja me Armeninë dhe sot u futëm në një muaj të ri, përsëri euforia dhe gëzimi që ka lënë ajo fitore vazhdon të mbajë pezull dhe të gëzuar një popull të tërë dhe kjo jo vetëm për 3 pikët e fituara, pasi në fakt u fitua shumë më shumë se kaq, duke filluar që nga renditja e deri tek reputacioni, ku u “thërrmuan” edhe disa rekorde negative. Nëse bëjmë një historik të shkurtër më mendje, gjë që nuk është shumë e vështirë pasi nuk kemi pasur ndonjëherë arritje të mëdha, vëmë re se Shqipëria aktuale është në kohën e lulëzimit, ku fitoret ndjekin njëra-tjetrën për të arritur kualifikimin.
Asnjë humbje në kualifikueset e Euro 2016- Nëse do ishte pyetur secili nga futbollistët, trajneri, stafi, tifozët etj., se si e mendonin ecurinë në kualifikuese të Euro 2016, të gjithë do të thoshin gjithçka tjetër, por jo këtë që aktualisht është arritur. E nëse po këtyre do u ishte thënë se pas 4 ndeshjesh nuk do të kishim humbur asnjë, duke realizuar kështu një rekord më vete, besoj se askush nuk do ta kishte besuar. Por ja ku jemi sot, me Shqipërinë e 4 ndeshjeve por të asnjë humbjeje, edhe pse ajo ndaj Serbisë na cilësohet si e tillë, duke mos dashur në fakt asnjëri nga ne që ta pranojmë pa u dhënë edhe vendimi final me 17 prill. Por edhe nëse nuk na jepen 3 pikët përsëri nuk mund të quhet e humbur një ndeshje të cilës iu luajtën vetëm 41 minuta, ndërkohë që siç dihet rëndom, një takim zgjat minimumi 90 minuta. 
7 pikë në katër ndeshje, si asnjëherë tjetër- Në këtë rast mund të përsëritet vetëm ajo çfarë u tha më sipër, por përsëri 7 pikë në 4 takimet e para Kombëtarja jonë nuk i ka arritur asnjëherë, e duhet thënë se në shumicën e takimeve kualifikuese Shqipëria nuk ka mundur të kapë as 7 pikë, e prandaj kjo shihet si një arritje e madhe, jo vetëm për shkak të krahasimit me faktet e dikurshme por në lidhje me drejtimin pozitiv që ka marrë ekipi, ku tani nuk numërohen më humbjet, nuk vërehen rekordet negative, e kjo për faktin e thjeshtë se nuk ka më të tilla, e do të vijë dita që ne do të humbim por bazat janë vënë për më mirë, duke shpresuar dhe luajtur gjithmonë për fitore, e të zhduket kompleksi i “inferiorit” pasi nuk është më e tillë kjo skuadër.
Përmbysja e rezultatit- Të shumtë janë ata që kur kanë parë Armeninë në avantazh i kanë pasur shpresat shumë të pakta për fitore, kjo jo për mungesë besimi ndaj skuadrës, por për atë se çfarë na ofron historia ndër vite e kësaj skuadre, pasi duhet të kthehemi pas në kohë për të gjetur takimin e fundit kualifikues të fituar pas pësimit të golit. Në fakt fitorja me Armeninë përkon me një 20 vjeçar të plotë, ose pothuaj të plotë, pasi takimi për të cilin po flasim është zhvilluar më 7 qershor 1995, luajtur ndaj Moldavisë, me këta të fundit që kryesonin 2-1 në fushën e tyre, por të besuarit e Neptun Bajkos shënuan dy gola që i dhanë një fitore të madhe 2-3. Në këtë rast flasim vetëm për ndeshjet kualifikuese, pasi sa për miqësoret rastet janë më të shumta dhe më i fundit, e padyshim që e mbajnë mend shumë vetë, është takimi ndaj Malit të Zi më 10 gusht 2011, luajtur në Shkodër, ku malazezët po kryesonin 1-2 por Hyka dhe idhulli vendas Salihi e kthyen rezultatin në 3-2 për Shqipërinë duke dhënë kështu një fitore të madhe.
Sigal