Shqipëria luan sot “finalen” me danezët, për kualifikimin direkt

376
Sonte në 20:45 Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e kthimit përballë Danimarkës në Kopenhagen, të vlefshme për eliminatoret e Europianit 2016. Sfida është si një ‘finale’ për dy ekipet, pasi do të vendosë shumë për fatet e vendit të dytë në grup, pasi Shqipëria dhe Danimarka kanë nga 10 pikë të dyja dhe nordikët janë të dytët në grup vetëm për faktin se danezët barazuan 1-1 në Elbasan me gol në fushë kundërshtare. Debati për biletat që kanë blerë shqiptarët për të ndjekur ndeshjen ka marrë fund me vetëm 40 bileta të dorëzuara nga 4 mijë pas thirrjes së federatës daneze, por a do të ketë apo jo tifozë që nuk do të lejohen në stadium do të shikohet sonte.
Duka-De Biasi-Cana
Presidenti i FSHF, Armand Duka para ndeshjes deklaroi se “Danimarka është një kundërshtar për t’u respektuar. Nuk duhet të jemi euforikë por as nën presion. Nëse do të bëjmë të njëjtat gjëra si deri tani, e shikoj Shqipërinë në Francë 2016″. Ndërsa trajneri De Biasi pas mbërritjes në Danimarkë dhe zhvillimit të seancës së parë stërvitore u shpreh me superlativa për kundërshtarin.
“Ne kemi një ekip me djem të rinj që luajnë me zemër dhe vitet e fundit kanë fituar eksperiencë duke mos u mundur asnjëherë. Në takimin e parë barazuam 1-1, por kishim shanse për të shkruar në 2-0. Ndaj Danimarkës luajmë një pjesë të rëndësishme të objektivit dhe kam besim se do të dalim me një rezultat pozitiv”,- deklaroi ai. N
ë sallën e konferencave ka folur së bashku me teknikun edhe kapiteni, Cana që ka deklaruar se do të ishte i kënaqur edhe me një barazim sonte.
“Humbja është e papranueshme, ata janë favorit, por ne do të bëjmë lojën tonë, barazimi do të ishte një rezultat i kënaqshëm. Do të japim maksimumin në fushë, jemi të ndërgjegjshëm që na pret një ndeshje shumë e fortë, por nuk do të dorëzohemi në fushë, pasi do të realizojmë ëndrrën e shqiptarëve për pjesëmarrjen në kampionatin evropian”,- tha ai.
Formacioni
Shqipëria pritet që sonte të zbresë në fushë me formacionin 4-5-1. Strategjia e De Biasit pavarësisht lojtarëve që do të zbresë në fushë do të jetë mbrojtje e hekurt dhe kundërsulme të shpejta për të goditur kundërshtarin në moment të papërgatitur. Në portë i padiskutueshëm do të jetë Berisha, ndërsa përpara tij do të rreshtohen Cana me Xhimishtin në qendër, ndërsa nga krahët Agolli me Ajetin, pasi Hysaj është në diskutim nëse do të zbresë në fushë. Nëse mbrojtësi i Napolit s’do të luajë Ajti i bashkohet Canës në qendër, ndërsa Xhimishti ulet në stol.
Mesfusha do të jetë reparti më i populluar me Xhakën, Abrashin dhe Kukelin që do të jenë muskujt dhe mushkëria e kuqezinjve, ndërsa shpresa për gol do të varet nga teknika dhe shpejtësia e Lenjanit e Gashit nga krahët dhe finalizimit të Cikalleshit të vetëm në sulm. Në historinë e saj Shqipëria është përballur plot 9 herë me Danimarkën, nga të cilat ka fituar vetëm një herë, dy herë ka barazuar dhe 6 herë ka humbur.
Bilanci është negativ, por jo arsye për të mos besuar sonte. 
Sigal