Shqipëria kampione në Turneun Ndërkombëtar të Pakicave

929
Nga Fatmir EFICA
Një seleksion me futbollistë nga Kavaja e Vlora “gdhendin” një sukses të bukur. 
Nga Haga kthehen si “triumfatorë”, morën emocione pa fund, fituan përvojë të çmuar.

Edmond Hoxha me 6 gola del shënuesi më i mirë. Ekipi ftohet në turneun e Anversës.
Me iniciativën e Parlamentit Evropian, Unionit Organizativ të Pakicave të Papërfaqësuara (UNPO), para pak ditësh, është të zhvilluar Turneu Ndërkombëtar i Pakicave në Hagë të Holandës. Ky event ballafaqoi tetë kombe që garuan në Hagë. Duhet theksuar se Shqipëria është përfaqësuar për herë të parë në një aktivitet të tillë. Në përbërje të seleksionit shqiptar, kanë qenë futbollistë nga vetëm dy qytete, Kavaja dhe Vlora, aq të njohura për traditat e spikatura në futboll. Nga 9 qershori kur u nisën drejt Hagës në Holandës deri me 22 qershor kur janë kthyer në Shqipëri, ky turne do të mbahet mend gjatë për ato emocione që dhuroi për futbollistët 18-20 vjeç nga Shqipëria. Katër prej futbollistëve të talentuar ishin nga “Besa” e Kavajës që përfaqësohet në kategorinë e parë. Konkretisht Bruno Puja (portier), qendërmbrojtësi Denis Brahimaj, Andi Efica (mesfushor organizator) dhe sulmuesi Edmond Hoxha. Së bashku me trajnerin Ndriçim Kashami dhe menaxherin e FIFA-s z.Arben Arkaxhiu si dhe 9 lojtarë të tjerë evidentuar nga Vlora e rrethinat e saj. “Turneu Ndërkombëtar i Pakicave” zhvilluar në Hagë të Holandës, falë vlerësimit serioz dhe luajtjes me shumë motivim të ndeshjeve, solli kurorëzimin e një ëndrre të bukur të shpalljes kampion. Njëkohësisht fitimin edhe të një kupë tjetër nga sulmuesi kavajas Edmond Hoxha që u shpall golashënuesi më i mirë duke realizuar 6 gola në 4 ndeshje. Për këtë turne kanë shkruar edhe gazetat belge e holandeze duke i bërë jehonë jo vetëm përfaqësimit futbollistik të Shqipërisë, por edhe sjelljes, qëndrimit e kulturës së lartë që treguan futbollistët e stafi drejtues në këtë veprimtari mjaft interesante. Një arsye më e madhe kjo që ekipi shqiptar, nga organizatorët e turneut fitoi edhe një ftesë tjetër. Në mesin e muajit korrik të jetë në një tjetër turne që do të zhvillohet për 5 ditë në Anversa të Holandës, ose quajtur ndryshe në “qytetin e diamanteve”…
REZULTATET E ARRITURA NGA SELEKSIONI SHQIPTAR
Ndeshja 1: SHQIPËRIA – KURDISTANI 9-0
Shënues: E.Hoxha (3), Sh.Haruni (3), U.Seferaj 1, A.Efica 1, A.Rexhepaj 1
Ndeshja 2: SHQIPËRIA – KAMERUN SOUTH 2-0
Shënues: E.Hoxha, U.Seferaj
Ndeshja 3: SHQIPËRIA – BURUNDI 1-0
Shënues: E.Hoxha
FINALE: SHQIPËRIA – KAMERUN SOUTH 3-2
Shënues: Sh.Haruni (2), E.Hoxha 1.
PËRBËRJA NË TURNE E SKUADRËS SË SHQIPËRISË:
Formacioni nga “Seleksioni Shqiptar i Pakicave” ka pasur këta futbollistë:
Portier: Bruno Puja (Kavajë)
Mbrojtës: Bernardo Zeqiri (Vlorë) Denis Brahimaj (Kavajë), Emis Llanaj (Vlorë),
Mario Avdullaj (Vlorë)
Mesfushorë: Uiliard Seferaj (Vlorë), Andi Efica (Kavajë), Antonio Rexhepaj (Vlorë).
Sulmues: Festim Haruni (Vlorë), Edmond Hoxha (Kavajë), Joan Aliaj (Vlorë)
U aktivizuan: Bruno Malko (Vlorë), Saimir Haruni (Vlorë).
Skema e lojës: 4 – 3 – 3
Trajner: Ndriçim Kashami (Kavajë). 
Ja çfarë thanë posaçërisht për “Telegraf” disa nga protagonistët e turneut: 
Arben Arkaxhiu (menaxher i FIFA-s): Mbeta i surprizuar nga fitorja e këtij turneu. Futbollistët shqiptarë nga Kavaja dhe Vlora kanë qenë të mrekullueshëm. Bënë madje një sakrificë vetëmohuese në kushtet e luajtjes së ndeshjeve me eliminim direkt ku nuk lejohen gabime, apo dhe në kushtet e një vape rraskapitëse. Përballuan me intensitet ritmin e lojës. Ndonëse mbetëm me 11 vetë, pasi tre u dëmtuan, seleksioni shqiptar arriti një sukses të merituar që shërben si udhërrëfyes për turnet e tjerë.

Ndriçim Kashami (Trainer): Triumfi ndaj kundërshtarëve që fizikisht luanin shumë fort, ishte tepër e vështirë. Sfidimi i tyre kërkoi energji e sakrificë. Natyrisht edhe vizion sportiv nga lojtarët. Kemi përdorur një skemë 4-3-3 duke evidentuar kundërsulmet e harmonizuar sa në krahë aq dhe në qendër. Manovra jonë e befasishme funksionoi falë treshes së lojtarëve Edmond Hoxha që shënoi 6 gola dhe dy mesfushorëve që paraqitën nivel fantastik Andi Efica i Besës dhe Shaqir Haruni i Vlorës, dha efektivitetin për të shënuar e fituar me meritë të 4 ndeshjet.

Bruno Puja (portier): Mikpritja holandeze më ka bërë shumë përshtypje. Patëm kushte ideale stërvitjeje. Në turne dhamë më të mirën. U përpoqa të jepja sa më shumë siguri në rolin tim për suksesin e skuadrës sonë. Mendoj se merituam gjithçka. 

Denis Brahimaj (qendërmbrojtës): Patëm punë me kundërshtarë të fortë. Kemi paraqitur motivim maksimal. Nga organizatori Festim Lato morëm falënderime të posaçme për stilin e lojës së shpejtë, me teknikë dhe fantazi, golat dhe emocionet. 

Andi Efica (mesfushor): Erdhën na ndoqën shumë shqiptarë me banim në Holandë dhe kjo ishte një nga gjërat që na mrekulloi. Treguam shumë vendosmëri dhe arritëm një sukses të bukur. Kolektiviteti i grupit qe vlera më e çmuar e paraqitjes që bëmë. 

Edmond Hoxha (Sulmues): Një turne për të mos u harruar. Ekipi funksionoi në bllok dhe nga trajnerët e huaj pati vlerësime për seleksionin shqiptar. Suksesin tim si golashënuesi më i mirë, ia dedikoj gjithë shokëve dhe drejtuesve të ekipit tonë.
Protagonistët dedikojnë mbresa, emocione e… kujtimeve të pashlyeshme

PROMOCION: Shqipëria kampione. Sukses i bukur. Me një skuadër të re. Të sapo formuar. Brenda një kohe tepër të shkurtër. Mjafton pasioni, shpirti i madh kolektiv për të dalë në pah edhe cilësitë e duhura sportive. Manifestuar madje potencialisht. Shqipëria ka tani edhe skuadrën “Seleksion të Pakicave Kombëtare” e cila diti të kurorëzohet me kupën e trofeut në Hagë të Holandës. Një arritje që i hap rrugën një perspektive edhe më të mirë, aq më tepër që në përbërje të skuadrës kanë qenë një grup futbollistësh të talentuar nga dy qytete me tradita të mëdha si Kavaja dhe Vlora. Një promocion i parë tepër pozitiv. Me nuanca nxitëse dhe inkurajuese.

TURNEU: U luajt me sistem “rrufe”. Tetë skuadrat pjesëmarrëse nga të gjithë kontinentet janë ndarë në dy grupe. Shqipëria ka qenë pjesë e grupit “B”. Në vetvete ka qenë pak e “lodhshme” ngarkesa e ndeshjeve të luajtura nën një të nxehtë shumë përvëlues nga temperaturat e larta të këtyre ditëve. Por futbollistët tanë nuk kanë dashur të ja dinë. Dëshmojë aftësi fantastike në grup. Shpërblehen me 4 fitore, 2 në fazën e grupit, 1 në gjysmë finale e padyshim dhe në finale ndaj një skuadre si Kamerun South që e patën mundur dhe në grup. Shënuam 15 gola e pësuan vetëm 2, një bilanc ky vërtetë shembullor.

TROFEU – Shqipëria është shpallur kampione. Gëzimi dhe entuziazmi i futbollistëve tanë nga Kavaja dhe Vlora, ka qenë vërtetë i pa përshkruar. Veçmas kupës së madhe është fituar edhe një Kupë tjetër më e vogël. I ka takuar sulmuesit kavajas Edmond Hoxha që realizoi 6 gola. “Boshti” i fortësisë së ekipit tonë që “prodhoi” këto rezultate pozitive ishin portieri Bruno Puja, qendërmbrojtësi Denis Brahimaj, mesfushori Andi Efica dhe sulmuesi Edmond Hoxha. Të gjithë pjesëtarë të ekipit Besa të Kavajës në kategorinë e parë. Pa nënvleftësuar kurrsesi pjesën tjetër të lojtarëve nga Vlora. Drejtimi nga trajneri e specialisti i mirënjohur kavajas Ndriçim Kashami si dhe manaxhimi efikas i bërë nga z.Arben Arkaxhiu dhanë efektet e tyre.

FTESA: Sapo Seleksioni Shqiptar ëshë shpallur kampion nga organizatorët e turneut është konfirmuar ftesa për të marrë pjesë në mesin e muajit korrik në një tjetër turne ndërkombëtar të pakicave. I cili do të zhvillohet në Antverpen të Belgjikës, ose thënë ndryshe në qytetin e “diamanteve”. Një përvojë e parë tashmë është kaluar me sukses. Ndaj dhe kënaqësia për këtë ftesë të re nxit e motivon më shumë. Madje është thënë që edhe me skuadrat e futbollit të femrave nuk do të mungojnë së shpejti që të jenë pjesë e turneve të tillë. 
Sigal