Shqipëria fiton në letër me Norvegjinë

499
Sigal

Duke analizuar statistikat e lojtarëve të thirrur, Kuqezinjtë janë superiore përsa u përket golave

Shqipëria dhe Norvegjia ndodhen në përgatitjet të ethshme për përballjen e tyre të dytë, për eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”. Në takimin e parë, të zhvilluar në “Uleval” të Oslos, fituese doli Kombëtarja jonë (1-0), falë eurogolit të Hamdi Salihit, që solli edhe rokadën në renditje dhe dy pikë më shumë për kuqezinjtë. Takimi i 7 qershorit konsiderohet si ndeshja e “shekullit” për Shqipërinë, pasi ajo s’ka qenë kurrë më parë kaq afër ëndrrës për të qenë në finalet e një kompeticioni të madh. Gjithsesi, në lojë përveç Norvegjisë janë dhe katër ndeshje të tjera, teksa me kundërshtarët e radhës ajo ka fituar dy dhe ka humbur po dy.

 PËRVOJA

Duke i parë në letër dy “ushtritë” e thirrur nga trajnerët Xhani De Biazi dhe Egil Olsesn, konstatojmë se, Norvegjia ka më shumë përvojë përsa u përket numri të ndeshjeve që kanë lojtarët: 516 takime ndërkombëtare, kundrejt 383 që kanë futbollistët tanë. Nuk duhet harruar fakti se, gjashtë lojtarë shqiptarë thirren për herë të parë: Ilir Berisha, Jurgen Gjasula, Ergys Kaçe, Vullnet Basha, Azdren Llullaku dhe Amir Abrashi. Te Norvegjia, i vetmi lojtar që nuk numëron asnjë ndeshje është portieri Sten Grytebust. Shqipërisë i mungon kapiteni zyrtar Lorik Cana, por dhe Andi Lila dhe Odise Roshi, që kanë relativisht një numër të konsiderueshëm ndeshjesh dhe e bëjnë atë “pak më të papjekur”. Lojtari me më shumë ndeshje te Shqipëria është Erjon Bogdani (76), njëherësh edhe lojtari i tretë me më shumë takime te Kombëtarja jonë, pas Altin Lalës (79) dhe Klodian Duros (78). Bogu është dhe lojtari më i vjetër në moshë te ne: 36 vjeç. Te Norvegjia, “plakushi” është mbrojtësi Kjetil Vaehler (37 vjeç, 31 ndeshje), ndërsa lojtari me më shumë takime ndërkombëtare është Brede Hangeland i Fulhamit: 83 ndeshje, 4 gola.

 EFIKASITETI

Shqipëria e fiton dukshëm këtë tregues që, parakupton edhe efikasitetin e lojtarëve dhe vendos fatin e ndeshjeve. Kombëtarja jonë ka realizuar me lojtarët e thirrur në total 41 gola, kundrejt 29 që ka në llogarinë e tij ekipi norvegjez. Shënuesi më  i mirë i Shqipërisë aktuale është Erjon Bogdani, me 19 gola, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i Kombëtares. Te Norvegjia, realizuesi më i mirë është Erik Huseklep i Bran Bergenit, me 7 gola. Realizuesi më i mirë historik i Norvegjisë është Jurgen Juve me 33 gola. Të dy trajnerët kanë thirrur nga katër sulmues secili. Duke e parë vetëm këtë tregues, sulmi ynë ka realizuar 33 gola, në raport me 14 golat e norvegjezëve. Pra, Bogdani ka shënuar pesë gola më shumë se i gjithë sulmi nordik. Golat tek ekipi ynë ndahen: Bogdani 19, Salihi 10, Çani 4 dhe Llullaku 0 (ende s’ka debutuar). Te Norvegjia golat e sulmuesve ndahen: Huskelep 7, Elyounousi 6, King 1 dhe Soderlund 0. Salihi është i vetmi lojtar që ka shënuar në ballafaqimin e fundit, pasi dy takimet e tjera me Norvegjinë datojnë në vitet 1998-1999.

 LEGJIONARËT

Dy formacionet kanë tipologji krejt të ndryshme përsa i përket gjeografisë së kampionateve ku luajnë futbollistët. De Biazi ka thirrur 26 lojtarë, ku vetëm katër prej tyre luajnë në kampionatin shqiptar (Shehi, Osmani, Arapi dhe Lilaj), ndërkohë që 22 të tjerë (pra gati 85% e ekipit) aktivizohet jashtë vendit. Olseni ka thirrur 24 lojtarë, por vetëm 13 prej tyre luajnë në Norvegji (55%), ndërsa 11 të tjerë janë legjionarë. Futbollistët shqiptarë luajnë në 13 vende të ndryshme: Itali (5), Suedi (2), Zvicër (2), Greqi (2), Azerbajxhan (2), Gjermani (2), Kinë (1), Rumani (1), Iran (1), Ukrainë (1), Spanjë (1), Turqi (1) dhe Bullgari (1). Norvegjezët janë të shpërndarë në: Angli (2), Gjermani (2), Suedi (2), Belgjikë (1), Danimarkë (2), Francë (1), Holandë (1) dhe Austri (1). Norvegjia ka dhe dy lojtarë kosovarë: Ardian Gashin (31 vjeç, Helsingborg, Suedi) dhe Valon Berishën (20 vjeç, Red Bull Salzburg, Zvicër).

SHQIPËRIA

Portierë

Samir Ujkani    20   0

Etrit Berisha   8    0

Orges Shehi     1    0

Mbrojtës

Admir Teli      14   0

Debatik Curri   38   1

Mërgim Mavraj   11   0

Renato Arapi    3    0

Tefik Osmani    2    0

Armend Dallku   60   2

Ilir Berisha    0    0

Ansi Agolli     38   2

Elseid Hysaj    3    0

Mesfushorë

Ervin Bulku     47   1

Jurgen Gjasula  0    0

Migjen Basha    2    1

Armando Vajushi 5    0

Sabien Lilaj    7    0

Amir Abrashi    0    0

Ergys Kaçe      0    0

Valdet Rama     1    0

Emiljano Vila   18   2

Vullnet Basha   0    0

Sulmues

Erjon Bogdani   76   19

Edgar Çani      10   4

Azdren Llullaku 0    0

Hamdi Salihi    42   10

SHQIPËRIA

Lojtarë:             26

Ndeshje në total:    383

Gola në total:       41

Sulmi në total       33

Më shumë ndeshje:    76 (Bogdani)

Më shumë gola:       19 (Bogdani)

NORVEGJIA

Portirerë

Rune Jarstein   29   0

Andre Hansen    1    0

Sten Gytebust   0    0

Mbrojtës

Brede Hangeland 83   4

Kjetil Vaehler  31   1

Tom Hogli       29   1

Espen Rud       28   1

Tore Reginiusen 14   2

Kim Madsen      4    0

Lars Vilsvik    4    0

R. Kristiansen  2    0

Mesfushorë

K. Grindheim    52   2

Daniel Braten   43   2

Ruben Jensen    23   0

M.Henriksen     16   1

Per Skjelbred   16   0

Ardian Gashi    11   0

H. Nordtveit    9    1

Valon Berisha   9    0

Magnus Lekven   3    0

Sulmues

Erik Huseklep   33   7

T. Elyounousi   19   6

A. Soderlund    12   0

Joshua King     5    1

NORVEGJIA

Lojtarë:             24

Ndeshje në total:    516

Gola në total:       29

Sulmi në total       14

Më shumë ndeshje:    83 (Hangelad)

Më shumë gola:       7 (Huseklep)

Tare në “Qemal Stafa” për Hysajn

 Elseid Hysaj mund të jetë titullar në ndeshjen e 7 qershorit kundër Norvegjisë pas një sezoni shumë të mirë të zhvilluar me skuadrën e Empolit në Serie B. Ndërsa në Itali janë të sigurt; Hysaj sezonin e ardhshëm do të luajë për Lacion. Një prapaskenë fantastike e zbuluar nga mediat italiane. Trajneri i përfaqësueses shqiptare ka biseduar me drejtorin sportiv të Lacios, Igli Tare, dhe i ka këshilluar që Hysaj të jetë pjesë e skuadrës së Lacios sezonin e ardhshëm. Tare do të jetë i pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa” për të ndjekur nga afër Hysaj. Kjo është dhe arsyeja përse Hysaj në ndeshjen kundër Norvegjisë mund të jetë titullar, pasi drejtori sportiv i Lacios dëshiron ta ndjekë nga afër mbrojtësin e talentuar. Hysaj ka një të ardhme fantastike përpara, pasi ai është 19 vjeç dhe sezoni i ardhshëm mund të jetë vendimtar për karrierën e 19-vjeçarit. Dhe Hysaj, sipas mediave në Itali, mund të jetë një futbollist i Lacios.

Zv.trajneri i Norvegjisë, Ola By Rise: “Do ta kemi shumë të vështirë në Tiranë, por duam fitore”

 “Misioni në Shqipëri”

 Në prag të ndeshjes eliminatore kundër Shqipërisë, zëvendëstrajneri i Norvegjisë, Ola By Rise, shprehet optimist në një shkrim të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Federatës Norvegjeze të Futbollit, me titull shumë domethenës” “Misioni në Shqipëri”. Sipas tij, disa lojtarë do ta kenë shumë të vështirë të përshtaten me ndeshjen e Tiranës pasi disa prej tyre sapo kanë përfunduar kampionatet respektive, ndërsa të tjerët janë në mes të kampionatit vendas. Ai shton gjithashtu se kjo ndeshje nuk vjen në momentin e duhur, pasi gjatë kësaj periudhe edhe kombëtarja U-21 është angazhuar në ndeshjet e Europianit që do të zhvillohet nga datat 5 deri në 18 qershor në Izrael. Ndihmësi 53-vjeçar i Olsenit shton se katër elementë të skuadrës shpresa janë bashkuar tashmë me kombëtaren që do të udhëtojë drejt Shqipërisë dhe në këndvështrimin e tij, ekipi që do të përballet me kuqezinjtë, do të jetë një miks mes lojtarëve me eksperiencë dhe prurjeve të reja. Nga ana tjetër, ai konfirmon largimin përfundimtar të Xhon Arne Rise, dëmtimet e mbrojtësit Xhonatan Par dhe sulmuesit më të rrezikshëm të skuadrës norvegjeze, Mostafa Abdellaue por nuk konfirmon nëse ky i fundit do të mungojë. Sipas asistentit norvegjez, mungesë me peshë do të jetë edhe ajo e mesfushorit me origjinë ganeze, Alek Tetej. “Gjithsesi, ne kemi në përbërje një grup të rinjsh që mund të na hyjnë në punë në Tiranë ku stadiumi do të jetë i tejmbushur pasi Shqipëria, papritur po luan shanset e saj për një vend në Kupën e Botës. Gjithsesi, pavarësisht atmosferës së nxehtë që do të gjejmë në Tiranë, ne do të luftojmë për të arritur një fitore”

Ola By Rise hedh poshtë të gjithë emrat e publikuar ditët e fundit në mediat vendase për pasardhësin e mundshëm të Rises, duke theksuar se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Në fund ai shprehet se skuadra duhet të zbresë e motivuar në fushën e lojës për t’i bërë ballë presionit të stadiumit “Qemal Stafa”.

  Kur Norvegjia na mundte 2-1 në vitin 1999

 Ia vlen të kujtojmë se, në të vetmen përballje me Norvegjinë në Tiranë, në një ndeshje të zhvilluar para 14 vjetësh, më 5 qershor 1999 për eliminatoret e Euro 2000, kemi humbur 2-1 me Astrit Hafizin në bankinë. Norvegjia nuk merr pjesë në finalet e një evenimenti të madh ndërkombëtar futbollistik, qysh nga Euro 2000.

TRI NDESHJET

 NORVEGJI-SHQIPËRI 2-2

E mërkurë, 14 tetor 1998

Shënues: Rekdal 82’ (p), Berg 88’ / Bushi 38’, Tare 52’

Stadiumi “Uleval”, Oslo, 17 700 shikues

Kualifikueset e Euro 2000

Shqipëria: Strakosha; Shulku, Xhumba, R.Vata, Lala, Fakaj, Haxhi, Bushi (84’ Halili), B.Kola (90’ Dalipi), Tare, Rraklli (81’ Bogdani). Trajner: Astrit Hafizi

SHQIPËRI-NORVEGJI 1-2

Shënues: Tare 13’/ Iversen 3’, A.Flo 83’

E shtunë, 5 qershor 1999

Stadiumi “Qema Stafa”, Tiranë, 12 mijë shikues

Kualifikueset e Euro 2000

Shqipëria: Strakosha; Shulku, Xhumba, R.Vata, Lala, Fakaj (63’ Bellai), Haxhi, Bushi, B.Kola (70’ Duro), Tare, Rraklli (81’ Bogdani). Trajner: Astrit Hafizi

NORVEGJI-SHQIPËRI  0-1

Shënues: Salihi 67’

Stadiumi “Ulevall”, Oslo, 12 mijë shikues

Kualifikueset “Botërori 2014″

SHQIPËRIA: E.Berisha, Dallku (Hysaj 80’), Cana, Mavraj, Agolli, A.Lila, E.Bulku, Basha, Roshi, Salihi (90’ Curri), Çani (Bogdani 75’). Trajner: Xhani De Biazi

Qershori, muaji ters i Kombëtares

 Duke parë statistikat, muaji qershor s’është aspak në favor të Shqipërisë, përsa u përket ndeshjeve zyrtare ndërkombëtare. Në 19 ndeshje, për eliminatoret e europianëve dhe botëroreve, bilanci është tepër i hidhur: 5 fitore dhe 14 humbje. Tre fitore janë arritur në “Qemal Stafa” (kundër Lituanisë, Gjeorgjisë dhe Luksemburgut) dhe dy në transfertë (kundër Moldavisë dhe Luksemburgut). Në 8 ndeshje në vendin tonë kemi arritur 3 fitore dhe 5 humbje.

 45 ndeshje ne “Qemal Stafa”

 Shqipëria ka zhvilluar 45 ndeshje në “Qemal Stafa”, përsa u përke eliminatoreve të kampionateve botërore. Bilanci është jo pozitiv: 12 fitore, 6 barazime dhe 27 humbje. Ndeshja me Norvegjinë do të jetë e 46-ta. Fitorja e parë është ajo me Finlandën (1-0, el. Botërori 1974), ndërsa e fundit ajo me Slloveninë (1-0, el. Botërori 2014). Barazimi i parë është ai me Irlandën (1-1, el. Botërori 1966) dhe barazimi i fundit ai me Danimarkën (1-1, Botërori 2010). Humbja e parë është ajo me Holandën (0-2, el. Botëror 1966), ndërsa e fundit ajo me Islandën (1-2, el. Botërori 2014).