“Shqipëria e re” poshtëron Qipron

558
Sigal

Shqipëri-Qipro 3-1. Kuqezinjtë e nisin në mënyrë të shkëlqyer Botërorin dhe janë në vendin e parë

Shqipëria i bëri një nisje perfekte eliminatoreve të Botërorit 2014, duke arritur një fitore madhështore 3-1 ndaj Qipros, pikërisht në ndeshjen e parë zyrtare të Xhani De Biazit në bankinën e Kombëtare. Autogoli i Kontantinos Karambaladhisit në pjesën e parë, goli i vendimtar i Edgar Çanit dhe kryevepra e golashënuesit më të mirë të përfaqësueses, Erjon Bogdanit, kompletuan “hat-trick”-un kuqezi dhe vendin e parë në grupin E, pasi Zvicra fitoi 2-0 me Slloveninë, me golat e Granit Xhakës dhe Gokhan Inlerit. Përballja midis Zvicrës dhe Shqipërisë, të martën e ardhshme është ndezur tashmë. Një fitore e merituar e Shqipërisë, ndërkohë që Xhani De Biazi nuk e prishi traditën e e vendosur nga paraardhësit e tij, Dosenës, Brigelit, Bariçit, Hanit dhe Kuzhesë. Për Shqipërinë këto ishin eliminatoret e 11-të që merr pjesë, pas atyre në vitet 1966, 1974, 1982, 1986, 1990, 1994, 1998, 2002, 2006 dhe 2010.

 NDESHJA

Topi i parë u luajt nga Qiproja, por momenti i parë i takoi Shqipërisë, kur Alban Meha ekzekutoi bukur një goditje të lirë, por topi parakaloi tërë pasqyrën e portës, por pa u shfrytëzuar. Në minutën e 5-të, ishte sërish mesfushori i Padebornit, ai që i ofroi Hamdi Salihit një top të bukur, por sulmuesi kuqezi u mjaftua vetëm me një roveshjatë. Në minutën e 10-të, Lorik Cana, u ndëshkua me karton të verdhë për një ndërhyrje të gabuar, duke sjellë edhe pak tension midis lojtarëve. Një vendim i ashpër i gjyqtarit nga Kazakistani Artyom Kuchin. Loriku ishte ndër më të mirët në fushë, në 20 minutat e para, duke spastruar zonën disa herë me kokë. Një fillim, më shumë fizik, sesa teknik. Tepër taktikë nga të dy ekipet. Gjithsesi, Salihi ka humbur më shumë se një rast, për të ndëshkuar kundërshtarët. Dhe atë që nuk e bëri sulmuesi i DC Junaitid, e bëri i Luganos, Armando Sadiku, i cili provokoi kapitenin e Qipos, Mihalis Konstantinu, që të shkaktonte një autogol, ndërsa shërbimi ishte i kosovarit Alban Meha në minutën e 36-të. I pari asist për gol edhe i Alban Mehës, zbulimit të Xhani De Biazit, një nga mesfushorët më të mirë të Bundesligës 2. Meha, virtuoz në lojën e tij, goditi të paktën dy herë nga larg, por pa e shënjestruar portën qipriote, ndërkohë që, shërbeu disa herë për mbrojtësin Andi Lila, në daljet  e këtij të fundit në gjysmëfushën kundërshtare. Vila dhe Salihi kombinuan shumë bukur me njëri-tjetrin, Hamdiu goditi në rrotullim e sipër, por topi goditi shtyllën e djathtë pingule të Giorgalidhis. Mund të ishim 2-0! Dhe vjen minuta fatale: 45+2, kur francezi Vincent Labant ekzekutoi një goditje të lirë nga rreth 30 metra, në pozicion të prirët, dhe topi pasi kaloi tërë mbrojtjen tonë, pas mosreagimit të Dallkut dhe Canës dhe daljes së gabuar të Ujkanit, përfundoi në rrjetë. 1-1. E pabesueshme! Trajneri  Xhani De Biazi nuk u beson syve. 15 minuta më parë ai kishte gëzuar në maksimum për golin e Shqipërisë.

 Pjesa e dytë pati tjetër ritëm. Xhani De Biazi e kupton se diçka nuk funksionon në vijën e parë, dhe së pari ndërroi Armando Sadikun me Jahmir Hykën, dhe më pas Erjon Bogdanin në vend të Emiljano Vilës dhe Edgar Çanin në vend të Hamdi Salihit. Janë pikërisht këta lojtarë dy karta fituese të trajnerit italian. Edgar Çani shënoi golin 2-1 pas vetëm tri minutash pasi kishte hyrë në lojë, në të 82’, duke çliruar nga ankthi mbi 13 mijë shikuesit në “Qemal Stafa” dhe trajnerin Xhani De Biazi, ndërsa Erjon Bogdani me supergjuajtjen e tij në të minutën e 87-të gjunjëzoi Qipron dhe vulosi fitoren 3-1. Erjon Bogdani  e thelloi rekordin e tij, duke shënuar golin e 17-të, e duke e festuar ndeshjen e tij të 70-të me Kombëtaren, me një supergol të mrekullueshëm. Një fitore e bukur. E merituar. E një grupi të ri lojtarësh, por dhe me aromë Kosove, pasi jo pak, por më shumë se gjysma e ekipit titullar ishte me lojtarë nga Kosova, duke nisur nga portieri Samir Ujkani, mbrojtësit Lorik Cana (kapiten), Armend Dallku dhe Mërgim Mavraj, si dhe mesfushorët Alban Meha dhe Burim Kukeli. Kjo Shqipëri është gati të përballet me Zvicrën. Dhe me pesë shqiptarët e saj.

 Bogdani, 17 gola

Erjon Bogdani  e thelloi rekordin e tij, duke shënuar golin e 17-të, e duke e festuar ndeshjen e tij të 70-të me Kombëtaren, me një supergol të mrekullueshëm. Një Super Bogdani.

Debutuesit

Katër lojtarë bënë debutimin në ndeshjet zyrtare me Shqipërinë: mbrojtësi Mërgim Mavraj, mesfushorët Alban Meha dhe Burim Kukeli dhe Alban Meha, si dhe sulmuesi Armando Sadiku.

Kosovarët

Portieri Samir Ujkani, mbrojtësit Lorik Cana (kapiten), Armend Dallku dhe Mërgim Mavraj, si dhe mesfushorët Alban Meha dhe Burim Kukeli.

Shqipëri-Qipro 3-1

Golat: Konstantinou 36’ (aut), Çani 84’, Bogdani 87’ / Laban 45+3’

Shqipëria: Ujkani, Mavraj, A.Lila, Dallku, Cana, Kukeli, Bulku, Meha, E.Vila (Bogdani 72’), Salihi (Cani 81’), Sadiku (Hyka 58’). Trajner: De Biazi

Qipro: Georgallides (Mastrou 46’), Charalambous, Merkis, Dossa Júnior, Aloneftis, Nikolaou, Charalambidis (Christofi 56’), Makridis, Laban, Demetriou, Konstantinou (Avraam 76’). Trajner: Nikolas Nioplias

Gjyqtarë: A.Kuchin, Y.Belskiy, S.Zhappasbaev (Kazakhstan)

Kartonë të verdhë: Cana 11’, Meha 46’, Bogdani 88’ / Laban 46’

Bilanci me Qipron

5 ndeshje; 2 fitore, 1 barazim, 2 humbje, golat: 12-67

19/08/1998    Nikosia:     Qipro-Shqipëri 3-2

15/08/2000    Tiranë:       Shqipëri-Qipro 0-0

18/08/2004    Nikosia:     Qipro-Shqipëri 2-1

12/08/2009    Tiranë:       Shqipëri-Qipro 6-1

07/09/2013    Tiranë:       Shqipëri-Qipro 3-1

Grupi E

Norvegjia, Sllovenia, Zvicra, SHQIPËRIA, Qipro, Islanda

20:30           Slloveni-Zvicër         0-2

20:45           Islandë-Norvegji       2-0

20:30           Shqipëri-Qipro          3-1

RENDITJA

 1     Shqipëria     1     1     0     0     3

2     Islanda 1     1     0     0     3

3     Zvicra   1     1     0     0     3

4     Qipro           1     0     0     1     0

5     Norvegjia     1     0     0     1     0

6     Sllovenia      1     0     0     1     0

Ervin Bulku: “E nisem mbarë”

 Mesfushori Ervin Bulku tha pas fitores me Qipron se, u ndje mjaft mirë me Burim Kukelin në mesfushë. “Unë jam ndjerë gjithmonë mirë në fushë dhe nuk ka rëndësi se cilët emra janë atje. Të gjithë jemi njësoj, luajmë për uniformën kuqezi dhe për kombin tonë, ndaj nuk ka rëndësi se kush del në fushë. Përpiqemi të arrijmë fitore e të gëzojmë të gjithë njerëzit. Nga minuta e 60-të, trajneri ndryshoi vendosjen taktike. Unë kalova para mbrojtjes, me Vilën e Kukelin pak më përpara. U mundova të zbatoj detyrat që më ngarkoi trajneri, pastaj vlerësimin për lojën time mendoj se e bëjnë më mirë të tjerët dhe jo unë. Zvicra? Çdo ndeshje është shumë e vështirë. Kështu ishte edhe kjo e sotmja, mos të nisemi nga shifrat dhe nga emri që ka Qiproja. Morëm tri pikët dhe e rëndësishme është që e nisëm mbarë”.

 Armando Sadiku: “Jam i lumtur”

 Sulmuesi Armando Sadiku tha se, autorësia e golit të parë i takon atij, dhe jo lojtarit qipriot. “Ishte gol i imi, sepse mbrojtësi e kapi para meje dhe më pas e preka unë. Ishte shumë rrëmujë dhe në fillim as unë nuk e kuptova mirë. Jam shumë i kënaqur që shënova golin e parë dhe zhbllokova rezultatin. Trajneri dhe e gjithë skuadra besuan tek unë, prandaj jam vërtet i lumtur që ndihmova ekipin për këtë fitore të rëndësishme për ne. E prita pak me emocione, por jam i kënaqur që e shfrytëzova mundësinë që m’u dha. Ata janë sulmues shumë të mirë, megjithatë trajneri më zgjodhi mua dhe u mundova të jap 100 për qind. Zvicra? Sigurisht, nëse më jepet edhe atje mundësia do të përpiqem të shënoj.