Shqipëria e nis direkt me një Botëror

736
Sigal

Kombëtarja Shqiptare e Femrave njeh kundërshtaret në eliminatoret Kampionatit Botëror 2015

 Shqipëria e futbollit për femra njohu kundërshtarët e saj, për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2015 për Femra, që shënon edhe në debutimin e saj të parë historik zyrtar në arenën ndërkombëtare. Ky është Kampionati i VII Botëror. Shorti i hedhur në Nijon të Zvicrës e vendosi Kombëtaren e drejtuar nga Altin Rraklli në grupin 1 paraeliminator, së bashku edhe me Maltën, Luksemburgun dhe Letoninë. Ndeshjet do të zhvillohen në Maltë, nga 4 deri më 9 prill të vitit 2013. Në grupin 2 bëjnë pjesë Mali i Zi (debutues), Gjeogjia, Ishujt Faroe dhe Lituania (pritëse e ndeshjeve). Dy vendet e para të çdo grupi do të vazhdojnë më pas në fazën kualifikuese të grupeve, ku do të bashkohen edhe më 38 skuadra që kanë koeficient më të mirë. Shorti i kësaj faze do të hidhet, më 16 prill 2013, ndërsa do të formohen shtatë grupe me nga gjashtë skuadra. Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje, nga 20/21 shtator 2013 deri më 17 shtator 2014. Shtatë fituesit e grupeve do të kualifikohen në finalet e Botërorit, që do të zhvillohet në Kanada. Katër vendet e dyta të renditura statistika më të mira se vendet e para, të treta, të katërta dhe të pesta në grupet e tyre do të shkojnë në dy raunde “play-off”-i me eliminim direkt.

 SHQIPËRIA – Kombëtarja Shqiptare e Femrave është formuar në vitin 2011 dhe ajo drejtohet nga ish-sulmuesi i Kombëtares së meshkujve, Altin Rraklli. Kavajasi ishte trajneri i skuadrës Tirana AS, që fitoi Kampionatin e Parë të futbollit për femrave në vitin 2010. Shqipëria nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare, ndërkohë që ka luajtur pesë ndeshje miqësore, tri me Maqedoninë dhe dy me Malin e Zi, që të gjitha të fituara me rezultate bindëse. Aktualisht, në renditjen botërore të FIFA-s, ajo pozicionohet në vendin e 167-të me 1424 pikë, duke lënë pas Malin e Zi (1154). Edhe në renditjen e zonës Europiane, ku marrin pjesë 50 ekipe kombëtare, ne ndodhemi në vendin e 49-të duke lënë pas malazezët. Duke parë koeficientët e kundërshtarëve në grupin tonë eliminator të Botërorit për Femra, Malta renditet në vendin e 40-të me 5,650 pikë; Luksemburgu në vendi e 42-të, me 5,113 pikë dhe Letonia, në vendin e 44-t me 4,014 pikë. Skuadra me koeficientin më të mirë në Europë është Gjermania, 43,460 pikë, e ndjekur nga Suedia (42,503 pikë) dhe Franca (40,251 pikë)

 BOTËRORI – Kampionati Botëror “Kanada 2015” është i shtati në radhë, por do të jetë i pari me 24 ekipe pjesëmarrëse, ndërkohë që do të luhen 52 ndeshje, të cilat do të luhen në muajt qershor-korrik 2015. Kështu, që Europa (UEFA) do të prezantohet me tetë skuadra, Azia me 5, Afrika me 3, Amerika Qendrore dhe Veriore me 3,5, Amerika e Jugut me 2.5, Oqeania me 1 dhe Kanadaja si vend organizator. Kampionati do të zhvillohet në gjashtë qytete: Edmonton, Monkton, Monreal, Otava, Vankuver dhe Uinipeg. Kampione në fuqi e Botës është Japonia, ndërkohë që Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara e kanë fituar atë nga dy herë secila. Kosovarja Fatmire Bajramaj është shpallur Kampione e Botës me Gjermaninë. Kampionati i Parë Botëror për Femra është zhvilluar në vitin 1991.

  BOTËRORI I FEMRAVE 2015

SHORTI PARAELIMINATOR

GRUPI 1

Shqipëria

Luksemburgu

Malta*

Letonia

GRUPI 2

Gjeorgjia

Ishujt Faroe

Lituania*

Mali i Zi

* Vendet pritëse të ndeshjeve

 Kampionet e Botës

 1991 Shtetet e Bashkuara

1995 Norvegjia

1999 Shtet e Bashkuara

2003 Gjermania

2007 Gjermania

2011 Japonia

STATISTIKAT

Pesë ndeshje, pesë fitore

 Kombëtarja shqiptare në futboll për femra deri tani ka arritur pesë fitore në po aq miqësore të zhvilluara. E fundit mban datën e 22 majit 2013, pasi mundën Maqedoninë me rezultat të pastër 2-0 në miqësoren e luajtur në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” në Pogradec. Kjo ishte fitorja e tretë në po aq ndeshje me Maqedoninë, pas dy të parave 1-0 (në Pogradec) dhe 4-1 (në Ohër). Këtë sezon vajzat e trajnerit Altin Rraklli fituan fillimisht në transfertën malazeze në Bar 4-2 me skuadrën vendëse, vijuan serinë pozitive në Shkodër ndaj të njëjtës rivale 4-3.

 Kombëtarja U-19 në Europian

 Shqipëria e Femrave do të marrë pjesë në një eveniment kontinental. Premiera kuqezi starton në kampionatin europian të sezonit 2013-2014 të U-19-ës, finalet e të cilit do të mbahen në Norvegji. Në shortin e hedhur në Nion të Zvicrës, Shqipëria – një nga tre kombëtaret debutuese në një kompeticion të tillë së bashku me Maltën dhe Malin e Zi – është në Grupin 7 (nga 11 në total) me Italinë, kampionen e Europës në 2008-n, Poloninë dhe Slloveninë. Ky është Kampionati i 13-të Europian për femra.

Kroati është favoriti kryesor për të marrë Slloveninë

 Kuzhe, kundër Kuqezinjve?

 Ish-trajneri i Shqipërisë, kroati Josip Kuzhe, është favoriti kryesor për të marrë drejtimin e Sllovenisë, kundërshtarit të Kombëtares sonë në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Nëse do të ndodhë kjo, atëherë sfida e 6 shtatorit të vitit 2013, do të jetë shumë intriguese për kuqezinjtë e Xhani De Biazit, pasi përballë do të kenë ish-trajnerin që i drejtoi në vitet 2009-2011, për eliminatoret e Botërorit 2010 (3 ndeshje) dhe Euro 2012 (10 ndeshje). Sllovenia ka shkarkuar përpara disa ditësh ish-trajnerin Slavisha Stojavoniç, ndërkohë që Josip Kuzhe, i cili ka drejtuar më parë dhe Kombëtaren e Ruandës, është një nga më të preferuarit e Federatës Sllovene. Mediat kroate dhe sllovene i kanë bërë shumë jehonë lajmit, madje Kuzhe ka bërë premtime të mëdha gjatë komenteve të tij. “Jemi në bisedime dhe ka mundësi reale që të ulem në bankinën e Sllovenisë. Për momentin ky ekip ka lojtarë shumë të talentuar dhe jam i bindur që mund të synojmë kualifikimin për në Botërorin e Brazilit. Unë nuk e kuptoj përse skuadra është në këtë gjendje pikësh por patjetër do bëjmë diçka më shumë nëse arrihet marrëveshja. Për momentin jemi në tratativa e sipër”, – citohet Kuzhe. Mediat sllovene shkruajnë se, Kuzhe ka dhe dy oferta shumë interesante nga pikëpamja financiare. Sipas tij, ai ka oferta nga kampionati japonez, ku dhe ka punuar më parë, por dhe nga Katari, ku i është ofruar një skuadër e Katar Stars League. Kuzhe ka drejtuar shumë skuadra në Kroaci, Gjermani, Bosnjë-Hercegovinë, Japoni, Australi dhe së fundi në Kinë. Kroati u shndërrua në një trajner popullor në Shqipëri, kjo dhe falë karakterit miqësor dhe të hapur për mediat dhe njerëzit e thjeshtë, madje kur ai pësoi një goditje cerebrale ai u vizitua në Spitalin Amerikan edhe nga ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Shqipëria dhe Sllovenia jaën së bashku në një grup në eliminatoret e Botërorit të Brazilit, dhe kuqezinjtë fituan 1-0 në “Qemal Stafa”, me një gol të Odise Roshit. Pas katër ndeshjeve të para, Shqipëria ka grumbulluar gjashtë pikë, ndërsa Sllovenia, tre.

 Strakosha provon legjionarët U-19

 Trajneri i Shqipërisë U-19, Foto Strakosha, përfundoi dje në Tiranë seleksionimin dyditor të lojtarëve shqiptarë, të cilët luajnë jashtë vendit. Lojtaret e rinj të datëlindjes 1995 kanë treguar veten e tyre, kanë prezantuar nivelin e momentit peëpara trajnerit Strakosha në Kompleksin Futbollistik të Kamzës. Gati 40 futbollistë u paraqitën pas kërkesës së stafit teknik të përfaqësueses së kësaj grupmoshe. Megjithëse kushtet atmosferike ishin me reshje të vazhdueshme, lojtarët e rinj u përpoqën të tregojnë më të mirën e tyre. Ky ishte edhe seleksionimi i fundit për vitin 2012.

 Mustedanagiç seleksionon 17-vjeçarët

Trajneri i Kombëtares se Shqipërisë U-17, Xhemal Mustedanagiç, para pak ditësh zhvilloi një seleksionim të lojtarëve të vitlindjes 1997. Ky ishte seleksionimi i fundit për ta, sepse te tjerat ishin zhvilluar më parë nën drejtimin e Sektorit Teknik dhe Sektorit të Ekipeve Kombëtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Angazhimi i lojtarëve të rinj ishte i fortë për të treguar vlerat më të mira në fushën e lojës. Sipas FSHF-së, trajneri Mustedanagiç vlerësoi praninë, përpjekjet dhe nivelin e treguar nga kryeqytetasit e rinj, por njëkohësisht vendosi përpara tyre një varg me kërkesa për të ardhmen.