Shqipëria e mbyll 2013-ën në vendin e 57-të në FIFA

420
Sigal

Vitin 2012 e mbylli në vendin e 63-të. Në korrik vendosëm rekordin, të 37-tët në botë

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit e mbyll vitin 2013 në vendin e 57 të këtij klasifikimit botëror të FIFA-s. Në raport më një vit më parë, Kuqezinjtë e mbyllën vitin 2012 në vendin e 63 me 518 pikë, ndërsa këtë fundvit është 6 pozicione më lart dhe me 571 pikë të grumbulluara. Ndeshja e fundit ndërkombëtare e Shqipërisë, barazimi pa gola i regjistruar ndaj Bjellorusisë në miqësore e zhvilluar, më 15 nëntor në Antalia të Turqisë u dhuroi tetë pikë kuqezinjve, që tashmë e shohin vetën në vendin e 57-të nga 207 ekipe që aderojnë në FIFA. Kombëtarja e De Biazit ka 571 pikë dhe ndodhet në renditjen botërore midis Uellsit (56) dhe Australisë (58), ndërsa në renditjen specifike të UEFA-s pozicionohemi në vendin e 30-të midis Uellsit (29) dhe Sllovakisë (31) nga 53 federata. Renditja më e mirë historike e Shqipërisë i përket muajit qershor, kur u  pozicionuam në vendin e 37-të, por në harkun e katër muajve kemi bërë jo pak, por 21 pozicione prapa. Kështu, në muajin korrik ishim në vendin e 38-të; në gusht në vendin e 45-të; në tetor në vendin e 53-të dhe në muajt nëntor e dhjetor në vendin e 57-të. Edhe në janar 2014 pritet që të jemi në vendin e 57-të, pasi në këtë periudhë nuk zhvillohen ndeshje. Pas kuqezinjve tanë vijnë skuadra si Australia pjesëmarrëse në botërorin e Brazilit, apo dhe Sllovakia. Ndërkohë që nuk ndryshon renditja as në 10 vendet e para me Spanjën kampione e Botës dhe Europës që ruan kreun e klasifikimit me rreth 200 pikë epërsi nga Gjermania e vendit të dytë. Podiumin e kreut e plotëson Argjentina që është afër formacionit të drejtuar nga Joakim Lëv por e kërcënuar nga Kolumbia e vendit të katërt. 6 muaj përpara botërorit Brazili e sheh veten në vendin e 10 edhe pse ambiciet janë që në muajin korrik të jetë mbretëresha e re e botës, për të synuar titullin e 6-të. Në 10 më të mirat vijojnë të jenë me radhë nga vendi i pestë edhe Portugalia, Uruguai, Italia, Zvicra dhe Holanda që ka të grumbulluar vetëm 4 pikë më shumë sesa Brazili.

RENDITJET GJATË

VITIT 2013

Janar 2013      63

Shkurt 2013     71

Mars 2013       64

Prill 2013      48

Maj 2013        43

Qershor 2013    38

Korrik 2013     37

Gusht  2013     38

Shtator 2013    45

Tetor 2013      58

Nëntor 2013     57

Dhjetor 2013    57

  

Tare shënjestrën Abrashin dhe Gashin

 Igli Tare kërkon përforcime për skuadrën dhe do ta bëjë që në Janar. Drejtuesi i Lacios ka shënjestruar 2 lojtarë me origjinë shqiptare për mesfushën që janë Shkëlzen Gashi dhe Amir Abrashi që të dy të Grasshopersit. Jo vetëm kaq por Tare ka pranuar hapur se i pëlqen edhe sulmuesi i Sëlltikut, Georgios Samaras për të cilin do të vendosë me trajnerin Petkoviç.

  Tirana, në krizë të plotë Magani mendon largimin

 Tirana e këtij sezoni është në sezonin më të errët të saj: vendi i fundit në kampionat dhe eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, qysh në turin e dytë. Bardheblutë ende nuk e kanë marrë veten nga eliminimi i parakohshëm nga Kupa e Shqipërisë, që u bashkëngjitet rezultateve negative në kampionat, ku situata mbetet akoma edhe më e vështirë. I tronditur nga zhgënjimi i radhës është së pari trajneri Gugash Magani, i cili po bën përpjekjet e fundit për të kthyer situatën, edhe pse optimizmi është në pikën më të ulët. Episodet e veçanta të sfidës me lagunarët ishin në qendër të bisedave mes vetë lojtarëve, që kurrsesi nuk e kishin besuar daljen nga Kupa. Për rreth 45 minuta, Magani zhvilloi një analizë me futbollistët për atë që ndodhi në “Qemal Stafa”, në momente të veçanta duke e ngritur zërin ndaj disa elementëve, që nuk ruajtën gjakftohtësinë përgjatë 120 minutave lojë. Të paktën deri në fundjavë është e kotë të drejtosh gishtin për të gjetur fajtorët, pasi 24 herë kampionët e Shqipërisë i pret një tjetër përballje shumë e rëndësishme në kampionat përballë Teutës. Vetë Magani ka lënë të kuptohet që mund të largohet nëse gjendjen do të vijojë të jetë e nderë, ndërsa nuk kanë munguar zërat edhe për tërheqjen e një prej donatorëve, Ndricim Babasit, i cili nuk ka mundur të krijojë impaktin e duhur te bardheblutë, edhe pse ka pasur dorë të lirë në vendimmarrje.

“Koha për të ndalur dhunën në sport”

 Xhevdet Zekaj

 Të thuash sot se përballë ekipit “rilindas” ka shumë sfida, nuk është asgjë e re, por  në këtë ambient të evidentosh se sfida e sportit është  vitale, e perceptueshme, e realizueshme dhe me plot vizion e qasje reale, kjo tashmë është një  realitet më se i qartë. Problemi që po trajtojmë sot është pjesë e seriozitetit dhe finaliteteve të ekipit qeveritar. Platforma e paraqitur nga zoti Fidel për rilindjen e sportit ka filluar të jetë e prekshme, e realizueshme dhe shpresëdhënëse. Kanë kaluar shumë pak ditë as 100 gjykoj unë, dhe shpresa e rilindjes ka filluar. Në aspektin shtetëror,  – me afrimin sportit pranë Ministrisë së Arsimit e Sportit; në aspektin ligjor,  – kanë filluar të bien kupolat e të fortëve në krimin e organizuar e për rrjedhojë nuk do ngelen jashtë as ata të sporteve. Tashmë ka filluar një bashkëpunim më serioz dhe efikas midis Policisë dhe aktorëve të sportit, dhe ky takim sot tregon se ka filluar dhe në aspektin e vlerësimit të vlerave, problematikës, ballafaqimin jo vetëm me anët e zeza të sportit, por dhe me përvojën, dhe me cilësinë që në të kallurën ka  qenë plot shkëlqim në sport. (Shkëlqim të cilin na e keni ofruar ju në një pjesë vitale të tij). E rëndësishme është se platforma e sportit që u artikulua për rreth dy vjet tashmë ka hyrë në rrugën e realizit. Këtë e konstaton në mobilizimin e një serë kapacitetesh intelektuale, sportive, të cilët po gjejnë mbështetje të gjerë nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve. (Tashmë sporti nuk është i katërti apo fundi i një ish “MTRK e S”, por një pjesë vitale e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve). Në këtë periudhë të shkurtër janë rideminsionuar marrëdhëniet me KOKSH dhe po ndjehet një gatishmëri maksimale nga shumë institucione, për ta m,mbështetur sektorin e sportit. Mjafton te kujtoj këtue qëndrimin e  z. Tahiri në rastin e dhunës ndaj arbitrave ne Mamurras, por dhe të policisë në Kukës dhe Korçë për të kuptuar seriozitetin dhe dritën e shpresën në tunelin e errët të futbollit shqiptar që në jo pak raste përjeton çaste dhune.

Përse ka shfaqje dhunë sot? Duke u nisur nga përvoja botërore, por dhe nga ndodhitë këtu, mendoj se ajo ka të bëjë me një mentalitet mjeran edukativ e ligjor, mungesë zbatimi të ligjeve, statuteve, rregulloreve, konventave sportive, bashkëpunim të pamjaftueshëm brenda institucioneve sportive dhe me ato politike  e ligjzbatuese. Dhuna  apo huliganizmi sportiv është një plagë botërore, por këtu te ne ajo është një imitim i keq i asaj që në Europë ka ndodhur përpara shumë kohësh. Po, po imitim i keq e tragjik. Për çfarë arsye është zgjeruar kaq shume dhuna ne sport? Gjykoj se një nga shkaqet kryesore të këtij fenomeni është “etja për të fituar”. Në një shoqëri ku asetet financiare (paraja) vlerësohet më shumë se reputacioni dhe prestigji, kur në vend të parë është  rezultati dhe jo tifozët , ku është pa vlerë  cilësia e kënaqësia nga loja, atëherë, rëndom trajnerë e lojtarë kuptojnë se fitorja duhet të realizohet me çdo mjet. Madje disa presidentë apo “bosët” herë-herë me precedentë penalë duan fitime çasti, ku qëllimi justifikon çdo lloj mjeti. Në kësi rastesh, institucionet sportive janë shpesh qoshe e çerdhe militantizmi e të paaftësh, ku administratorët sportivë janë thuajse inekzistentë dhe shfaqen militantë që e zhysin sportin në dhunë. Ekipi i rilindjes në sport ka punuar gjatë për të realizuar programin apo sfidën për rilindjen e sportit shqiptar edhe kundër dhunës në sport. Komisioni mendon se duhet impenjim që të zbatohet  Konventa Europiane për Sportin e 15 gushtit 1985 e KËSHILLIT TE EUROPËS që ka në thelb  bashkimin e të gjithë anëtarëve në betejën kundër dhunës në sport, sidomos futbollit. Kjo u përforcua me Rezolutën e (76) 41 te Komitetit te Këshillit të Ministrave te Europës, e njohur si Karta Europiane e “Sportit për të gjithë). Në këto dokumente theksohet kontributi madhor që ka sporti në kuptimin e bashkëpunimin kombëtar e ndërkombëtar, në lidhje me grumbullimet masive të turmave sidomos në ndeshjet e futbollit, dhe sidomos në ndeshjet ndërkombëtare. Komisioni kundër dhunës kërkon nga organet e pushtetit dhe organizatat e pavarura sportive (FEDERATAT) edhe pse kanë detyra te ndryshme, që të mbështetin nëra tjetrën, duke marre secila përgjegjshmërinë në luftën kundër dhunës dhe sjelljeve vandale, huligane e që cënojnë rendi publik. Pra dominues të jetë PARIMI se organet shtetërore të pushtetit dhe organizatat sportive duhet të bashkojnë të gjitha fuqitë dhe bashkëpunimin në të gjitha hallkat e nivelet.

Komisioni kundër dhunës mendon se me bashkëpunim e vendosmëri  të plotë, duhet të bashkohemi dhe të marrim masa të përbashkëta me qëllim që të parandalojmë dhe godasim dhunën, apo sjellje të pahijshme të fansave jo vetëm gjatë kohës kur gara sportive zhvillohet por para, e pas saj për të shkatërruar atë mentalitet huliganist. Por kjo nuk mund te arrihet pa zbatimin pikë për pikë të legjislacionit sportiv, me standarde e me vendosmëri, larg konfliktit të interesave nga institucionet apo mungesës së pavarësisë. Palët të pranojnë konventën Evropiane për sportin, marrëveshjet midis organeve shtetërore dhe federatave apo shoqatave sportive jo vetëm në evidentimin e dhunës dhe shfaqjes së saj në veprimtaritë sportive, por dënimin konsekuent të saj, ku secila palë të mbaj përgjegjësinë e saj. Kjo kërkon koordinim politik e social, sportiv e ligjor nga organet qeveritare përgjegjëse, dhe këtë bashkëpunim na i kanë ofruar dhe premtuar e deri tani e kanë treguar si MAS dhe MB, por edhe nga shumë subjekte sportive apo shoqërore. Shkurt është e domosdoshme ky koordinim, prandaj nuk kemi ngritur komision me emra të mëdhenj e sugjestionues, me qeveritarë e politikanë, por me njerëz aktiv e sportiv, për t’u marrë atyre të gjithë kapacitetet në funksion të këtij koordinimi. Sot, Komisioni ka përgatitur dhe po realizon në praktikë masat për parandalimin dhe dënimin e dhunës  e shfaqur kjo jo vetëm në stadiume, apo afër tyre, por edhe për të goditur mentalitetin dhunues, që shpesh vjen edhe nga tribuna vip, nga njerëz me e pa pushtet. Kemi filluar të skedojmë dhe evidentojmë jo vetëm faktet por edhe problematika e individë  sipas zonave me precedentë dhunues,shpesh dhe me mandate zyrtarësh apo drejtues sporti të cilët pas një bashkëpunimi me federata përkatëse jo vetëm do tu mbyllen dyert e ambienteve sportive, por do të jenë ta izoluar dhe do marrin dënimin e merituar si në aspektin ligjor ashtu dhe në atë administrativ.(kujtoni Anglinë Kamera, thirrjet në polici,pasaportat etj,etj). Palët, Federata dhe organet qeveritare  janë të detyruar të informojnë, edukojnë, sensibilizojnë fansat, tifozët me pasojat dhe masat ndëshkues jo vetëm të skuadra të tyre, por edhe ata vet në raste dhune, dhe kjo do të bëhet, dhe kjo do realizohet nga qeveria keni mbështetjen maksimale për të realizuar këtë bashkëpunim. Por kërkohet koordinim dhe për  rritjen e cilësisë në sport, përmirësimi imediat e infrastrukturës, garantimi largësisë e sigurisë së tifozëve vendas e miq kundërshtarëve në stadiume, akte normative nga shoqëria sportive dhe policisë, tregtimi i pijeve alkoolike, kontroll mbi shitjen e biletave dhe protokollin e tribunave VIP, përmirësimi në stadiume me sisteme efektive si dhe në stadiume të shoqërohen me materiale edukative e informuese dhe për tifozët. Skeda, qendra e zërit , etj, kontroll rigoroz që fansat mos të sjellin në stadium mjete të forta apo të rrezikshme që shërbejnë si efekt dhune… Të dy palët është mirë të informojnë organet kompetente duke identifikuar personat me precedentë dhunues, dhe kjo të bëhet përpara se të fillojnë garat, apo përpara se të në ndodhin ngjarjet. Shkurt: Sfida ndaj dhunës është një ndërmarrje e vështirë, shumë e rëndësishme apo një bast i rilindjes në sport,  që mund të realizohet vetëm në bashkëpunim me të gjithë aktorët, ne sapo kemi nisur në rrugën e gjatë do të jemi dakord dhe me radikalizëm, apo siç thuhet: Më mirë nja fund i tmerrshëm, se një tmerr pa fund! Qeveria ofron vizion, (të shprehur prej dy vjetësh dhe marrë një miratim mbarëkombëtar), bashkëpunim, pavarësi të federatave, zbatim ligjor, reforma  radikale në funksion të cilësisë dhe përgjegjshmëri për ti thënë stop dhunës në sport. Komisioni kundër dhunës do të jetë një hallkë bashkëpunimi e interpretimi, dhe jo me emra zyrtaresh politikanësh që shkruajnë emrat dhe harrojnë të vinë, por me persona me integritet moral, idealistë për sportin pa dhunë dhe me një kontribut real në garat sportive, për të realizuar detyrat e tyre në bashkëpunim me të gjithë aktorët dhe sidomos dhe median.