Shqipëria bën “vetëvrasje”, dështojnë djemtë e De Biazit

502
Sigal

  Shqipëri-Gjeorgji 1-2. Kuqezinjtë zhgënjejnë në shtëpi. Sinjal i hidhur para ndeshjes me Norvegjinë

Një humbje që djeg, edhe pse ndeshje me Gjeorgjinë ishte thjesht një miqësore, e 90-ta historike për Shqipërinë, nga e para e vitit 1946 kundër Malit të Zi. Gjeorgjianët ripërsëritën fitoren 2-1 të regjistruar një vit më parë në Tbilisi (29 shkurt 2012), ndërkohë që trajneri Xhani De Biazi pësoi humbjen e dytë në po aq ndeshje kundër homologut të tij, Temuri Ketsbaia. Ashtu si në Gjeorgji, kur Shqipëria shënoi e para dhe nuk arriti ta mbronte rezultati, edhe në Tiranë ndodhi i njëjti skenar. Kuqezinjtë nuk fitojnë prej tri ndeshjesh miqësore, ndërkohë që skuadra tej eksperimenteve me ndërrimet e shumta nuk prodhoi një lojë bindëse, pavarësisht golit të Erjon Bogdanit dhe shtyllës së Ervin Bulkut. Trajneri Xhani De Biazi i besoi portën sërish Etrit Berishës, ndërsa në mbrojtje, mungesa e Mërgim Mavrajt, e kushtëzoi teknikun italian të bënte disa ndryshime. Vendin e kapitenit të Gruether Furth e zuri Tefik Osmani, i cili luajti në qendër përkrah Currit, ndërsa nga krahët Lila e Agolli. Kuqezinjtë luajnë me një mesfushë të përforcuar, me pesë lojtarë, ndërsa në sulm i vetëm është veterani Erjon Bogdani. Loja nis me një ritëm të ulët, ku të dy skuadrat në minutat e para kontrollojnë lojën e njëra-tjetrës. Shkëndinë e parë e dha Lorik Cana, me kapitenin që u aktivizua në mesfushë, me një gjuajtje nga distanca, por pa rezultat. Të besuarit e De Biazit gradualisht fitojnë terren dhe e shpërngulin lojën në gjysmëfushën mike. Dhe presingu jep rezultat në minutën e 25-të, ku pas një aksioni model me kombinime me një takim: Curri-Bogdani-Bakaj-Agolli, krosimi i këtij të fundit nga, gjeti Erjon Bogdanin të lirë brenda zone që, gjuan saktë me kokë dhe kalon Shqipërinë në avantazh. Ky është goli i 18-të i Bogdanit, që tashmë vetëm thellon rekordin e tij, si golashënuesi më i mirë i Shqipërisë. Për Bogun ky është goli i shtatë në ndeshjet miqësore, ndërkohë që 11 të tjerë i ka realizuar në takimet zyrtare. Pas shënimit të golit, kuqezinjtë e ulin ritmin e lojës, ndërsa janë gjeorgjianët ata që mundohen të hedhin më tepër vështrimin nga porta e Berishës. Në të 41’, Bakaj ktheu një top në mesfushën tonë, Lorik Cana u tregua i pavëmendshëm, duke u dhënë mundëi gjeorgjianëve të organizojnë një kundërsulm të shpjetë, Levan Kenia nga e majta lëshon një top në zonë dhe Mate Vatsadze (luan në Danimarkë me AGF Aarhus), që hyri si zëvendësues, i pambuluar në qendër të mbrojtjes sonë, zhytet me kokë dhe shënon golin e barazimit. Tanët nuk bëjnë asgjë për të kaluar në avantazh në minutat e mbetura të pjesës së parë. Në fraksionin e dytë të lojës, De Biazi bën menjëherë dy zëvendësime, Berisha në portë i lë vendin Ujkanit dhe Vajushi futet për të forcuar sulmin (del Osmani). Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Arapi, Sadiku, Bala, Muzaka si dhe Hysaj, në ndeshjen e tij të parë me fanellën kuqezez. Edhe trajneri Ketsbaja bën ndryshimet e veta në këtë pjesë loje, të cilat në fund rezultojnë efikase. Kuqezinjtë ushtrojnë presion dhe zhvendosin lojën në gjysmëfushën gjeorgjiane. Rastet nuk mungojnë, ku më i rrezikshmi ishte ai i Ervin Bulkut, gjuajtja e të cilit përplaset në shtyllë (80’), pas ekzekutimit të bukur të një gjuajtje të lirë nga rreth 25 metra. Minutat kalojnë dhe rruga e golin nuk gjendet, pavarësisht volumit të krijuar nga kuqezinjtë. Por, kur pritej avantazhi i vendësve, janë të besuarit e Ketsbajës që ndëshkojnë. Në minutën e 82-të Kankava nga e majta e sulmit lëshon një top në zonë, që gjen thembrën e mbrojtësit të Krivbasit, Uça Lobjanidze dhe përfundon në rrjetë. Gjeorgjia kalon në avantazh, ndërsa kuqezinjtë tashmë hidhen të tërë në sulm për të barazuar. Nxitimi i lojtarëve tanë bën që të mos ketë raste të pastra, përveç atij të minutës së 4-t shtesë ku Cana në ndihmë të sulmit gjuan me të majtën brenda zone, por grushton portieri gjeorgjian. Vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit maqedonas Dimitar Meckarovski regjistron fitoren 2-1 të Gjeorgjisë dhe humbjen e dytë në gjashtë ndeshje miqësore të De Biazit, dhe si për ironi po me Gjeorgjinë, ashtu si më 29 shkurt 2012. Shqipëria nuk ka dha një sinjal të mirë, teksa më 22 mars ajo do të udhëtojë drejt Oslos për ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2014, atë kundër Norvegjisë.

  SHQIPËRI-GJEORGJI    1-2

E mërkurë, 6 shkurt 2013, stadiumi “Qemal Stafa”

Shënues: Bogdani 25’ / Vatsadze 41’, Lobzhanidze 82’

Shqipëria: E.Berisha (Ujkani 45’), Osmani (Vajushi 45’), Curri, A.Lila, Agolli (Arapi 73’), Roshi (G.Lika 76’), E.Bulku (Muzaka 89’), Cana, Vila (Hysaj 61’), Bakaj (Sadiku 55’), Bogdani (Bala 66’). Trajner: De Biazi

Gjeorgjia: Kvaskhvadze, Lobzhanidze, Grigalava (Okriashvili 46’), Kandelaki, Khizanishvili, Kashia, Kobakidze (Dzaria 63’), Dzalamidze (Kankava 46’), Kenia (Gelashvili 60’), Targamadze, Mchedlidze (Vatsadze 20’, Tomashvili 78’). Trajner: T. Ketsbaja

Gjyqtar: Dimitar Nakarovski (Maqedoni)

  MIQËSORET E DE BIAZIT

 1) 29.02.2012, Tbilisi

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

2) 22.05.2012, Madrid

Katar-Shqipëri 1-2

3) 27.05.2012, Stamboll

Iran-Shqipëri 0-1

4) 15.08.2012, Tiranë

Shqipëri-Moldavi 0-0

5) 14.11.2012, Gjenevë

Kamerun-Shqipëri 0-0

6) 06.02.2013, Tiranë

Shqipëri-Gjeorgji 1-2

 Bilanci: 6 ndeshje, 2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.

 90 ndeshje miqësore

 Nga ndeshja e parë miqësore kundër Malit të Zi, më 22 shtator 1946, të fituar 5-0 dhe, deri te takimi i fundit miqësor ndërkombëtar kundër Gjeorgjisë, më 6 shkurt 2013, të humbur 2-1,  Shqipëria ka zhvilluar 90 miqësore (33 fitore, 25 barazime dhe 32 humbje.

Banderolat për Çamërinë

 Tifozët kuqezinj vendosën dy banderola të mëdha kushtuar çështjes çame, me tekste patriotike “Çamëria kërkon drejtësi! Pro rezolutës çame në parlament”.

 Atmosferë e ftohtë

 Atmosfera e ndeshjes ishte përgjithësisht e ftohtë, kjo dhe për shkak të emrit të kundërshtarit dhe kohës së keqe. Të pranishëm ishin rreth 3500 shikues.

Një Bogdan “18-karatësh!”

 Erjon Bogdani përmirësoi rekordin e tij, përsa u përket golave të shënuar me ekipin Kombëtar. Sulmuesi 35-vjeçar është në kuotën e 18 golave. “Er-Bomber” ndiqet nga afër nga Alban Bushi (14 gola), Ervin Skela (11) dhe Altin Rraklli (11). Igli Tare, Sokol Kushta kanë shënuar nga 10 gola. Bogdani është në aktivitet dhe mund ta thellojë rekordin, ndërkohë që tre ndjekësit e tij më të afërt e i kanë dhënë fund. Bogdani është lojtari i nëntë, që i shënon gol Gjeorgjisë, pas Tares (3 gola), Rrakllit (1), B.Kolës (1), Hasit (1), Bushit (1), Agollit (1) dhe Çanit (1). Golat e Bogdanit sipas ekipeve, të cilëve ai u ka shënuar: Malta (3), Danimarkë (2), Ukrainë (2),  Maqedoni (1), Kazakistan (1), Bjellorusi (1), Portugali (1), Qipro (2), Mali i Zi (1), Francë (1), Luksemburg (1), Katar (1), Malta (1). Golat sipas ndeshjeve: 11 gola në ndeshjet zyrtare, 7 në miqësore

18 golat

 1: Shqipëri-Maqedoni, 2-0, M

2: Shqipëri-Maltë, 3-0, M

3: Shqipëri-Maltë, 3-0, M

4: Danimarkë-Shqipëri, 3-1, Z

5: Shqipëri-Kazakistan, 2-1, Z

6: Ukrainë-Shqipëri, 2-2, Z

7: Ukrainë-Shqipëri, 2-2, Z

8: Shqipëri-Bjellorusi, 2-4, Z

9: Shqipëri-Maltë, 3-0, Z

10: Shqipëri-Portugali, 1-2, Z

11: Shqipëri-Qipro, 6-1, M

12: Shqipëri-Danimarkë, 1-1, Z

13: Shqipëri-Mali i Zi 3-2, M

14: Shqipëri-Francë 1-2, Z

15: Luksemburg-Shqipëri 2-1, Z

16: Shqipëri-Katar 2-1, M

17: Shqipëri-Qipro 3-1 Z

18: Shqipëri-Gjeorgji  M

Golashënuesit

18: Erjon Bogdani

14: Alban Bushi

12: Ervin Skela

11: Altin Rraklli,

10: Sokol Kushta, Igli Tare

Asnjë fitore me Gjeorgjinë në miqësore 

 Në pesë ndeshjet miqësore të zhvilluar deri tani kundër Gjeorgjisë, Shqipëria nuk ka mundur të fitojë asnjë: dy barazime dhe tri humbje është bilanci me gjeorgjianët, edhe pse tri prej ndeshjeve janë luajtur në “Qemal Stafa”. Kështu, në turneun ndërkombëtar “Kupa Rothmans”, të zhvilluar në Maltë, në shkurt të vitit 2008, Shqipëria, atëherë e drejtuar nga Astrit Hafizi, humbi 3-0 (8 shkurt 2008). Në miqësoren e 22 marsit 2006, Kombëtarja e drejtuar nga Hans-Peter Brigel barazoi 0-0 në “Qemal Stafa”, pikërisht në ndeshjen e fundit të gjermanit në bankinën e Shqipërisë. Në miqësoren e 10 qershorit 2009, Shqipëria sërish dështoi të fitonte ndaj miqve gjeorgjianë. Në impiantin ndërkombëtar të kryeqytetit ndeshja u mbyll 1-1 (gol i Ansi Agollit). Kombëtarja drejtohej nga Josip Kuzhe. Vitin e kaluar humbëm 2-1 në Tbilisin (29 shkurt 2012): Shqipëria drejtohej nga De Biazi, ndërsa golin për kuqezinjtë e shënoi Çani. Në ndeshjen e 6 shkurtit 2013, Shqipëria e De Biazit humbi sërish 2-1. Bogdani shënoi golin për kuqezinjtë. Në 8 ndeshjet zyrtare kundër Gjeorgjisë, kemi fituar 3 dhe pësuar 5 humbje. Në 13 ndeshje në total, Gjeorgjia ka fituar 8 takime, Shqipëria 3 dhe në barazim janë mbyllur 2 ndeshje.

 PESË MIQESORET ME GJEORGJINË

 “Kupa Rothmans”, Maltë

08.02.1998: Tr.: A.Hafizi

Shqipëri-Gjeorgji 0-3

22.03.2006, Tr.: H.P.Brigel

Shqipëri-Gjeorgji 0-0

10.06.2009, Tr.: J.Kuzhe

Shqipëri-Gjeorgji 1-1

29.02.2012, Tr.: Xh.De Biazi

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

06.02.2013, Tr.: Xh.De Biazi

Shqipëri-Gjeorgji 1-2