Shqipëri-Serbi, UEFA e SHISH mbledhje në FSHF për masat e sigurisë

444
UEFA po ndjek me vëmendje të veçantë përgatitjet për ndeshjen e kthimit mes Shqipërisë dhe Serbisë që do të zhvillohet më datë 8 Tetor në Elbasan.
Për të shmangur atë që ndodhi në Beograd fiks një vit më parë, qeveria e futbollit europian përmes një të dërguari në Shqipëri është informuar për masat që po merren nga autoritetet shqiptare për të garantuar rendin dhe sigurinë në stadium dhe jashtë tij.
Në takimin e organizuar në ambientet e FSHF, kanë qenë të pranishëm përfaqësuesi i Federatës Shqiptare, Ilir Shulku, nga Federata Serbe, ambasadori serb në Shqipëri Miroljub Zariç, zv. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato, zyrtarë të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ Shtetëror, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Sporteve, Plarent Ndreca.
Mbledhja është drejtuar nga Oficeri i Sigurisë së UEFA-s, Kenny Scott. Në qendër të vëmendjes, së këtij takimi, ishin masat që do të merren në mënyrë që gjithçka në këtë ndeshje të shkojë sa më mirë.
Pas takimit ka pranuar që të komentojë vetëm Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku. “Ishte një takim informues, në vazhdën e konsultave dhe takimeve që kemi zhvilluar gjatë gjithë kësaj periudhe, për organizimin sa më të mirë të kësaj ndeshjeje.
Të gjithë të pranishmit, informuan në lidhje me masat që duhet të marrin në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë. Sot kishim një mbledhje të zgjeruar, që u drejtua nga përfaqësuesi më i lart i UEFA-s për sigurinë.
Është diskutuar me detaje dhe për çdo gjë rreth organizimit të ndeshjes, janë paraqitur masat paraprake, nga ardhja e ekipit serb në Tiranë e deri te largimi i tyre. Është marrë një plan shumë i fort masash për sigurinë.
Të gjitha janë në shërbim të ndeshjes, që të jetë sa më korrekte. Masat po merren mos të ketë incidente brenda dhe jashtë stadiumit” deklaroi ai.
Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s, të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Policisë së Shtetit, u nisën për në Elbasan ku inspektuan stadiumin “Elbasan Arena”. 
Sigal