Shqipëri-Serbi, pas orës 12 bllokohet tuneli, kalimi nga Durrësi

515
Ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi po pritet me masa të rrepta sigurie. Sipas krerëve të Policisë së Shtetit, masat e marra për këtë event sportiv janë të ngjashme me ato të vizitës së Papa Françeskut vitin e kaluar. Megjithatë, menjëherë pas mbërritjes në Tiranë, ekipi serb tha se autobusi i lojtarëve ishte sulmuar me gurë. Ky fakt nuk vërtetohet nga policia, e cila nuk mohon shenjën e lënë në anën e drejtuesit të autobusit. Dyshohet se mjeti është gjuajtur nga një distancë e largët. Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv Shqipëri-Serbi, i cili do të zhvillohet sot në qytetin e Elbasanit. Masat kryesisht kanë qenë më të përforcuara në Tiranë dhe në Elbasan, në akset ku do të kalojë përfaqësuesja serbe. Gjatë ditës së sotme, nga ora 12:00-19:00, do të bllokohet segmenti rrugor nga rruga “Dervish Hima” deri te Rruga e Elbasanit. Për mbarëvajtjen e aktivitetit do të ndalohet qarkullimi në tunelin e Elbasanit.

Tuneli do të qëndrojë i mbyllur deri në përfundim të aktivitetit sportiv në qytetin e Elbasanit. Pas orës 12:00, qarkullimi do të jetë i ndaluar edhe nga qafa e Krrabës. Praktikisht, të gjitha rrugët që lidhin Tiranën me Elbasanin do të jenë të mbyllura, prandaj tifozët kryeqytetas do të duhet të shkojnë në Elbasan nga Durrësi. Për ruajtjen e rendit dhe sigurisë policia ka kaluar në shërbim të përforcuar. Të gjitha komisariatet në zonat që ata kanë në juridiksion, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë verifikuar të gjitha automjetet për të cilat policia ka pasur dyshime. Dita e sotme është konsideruar një sprovë e rëndësishme edhe për Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. “Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese, janë totalisht të angazhuara për të garantuar që ndeshja e nesërme të jetë një festë qytetarie, e denjë për Shqipërinë, për çdo qytetar në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, dhe sigurisht për Kombëtaren tonë”, – ka thënë ai. Sipas ministrit, policia kufitare ka marrë masa në çdo pikë kufitare për monitorimin e kalimit të të gjithë shtetasve, veçanërisht të atyre që kanë precedentë të mëparshëm për akte të dhunshme ose akte huliganizmi gjatë aktiviteteve sportive. Agjentët civilë do të jenë në të gjitha ambientet ku do të ketë grupime njerëzish dhe tifozësh, në akset rrugore, por edhe brenda stadiumit.

Sipas ministrit, në total, për garantimin e ndeshjes nesër, do të jenë të angazhuara mbi 2.300 forca policie, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan. “Është vetëm një ndeshje futbolli. Dhe, pavarësisht emocioneve për Kombëtaren tonë, ndeshja më e rëndësishme është sfida jashtë fushës. Në qoftë se në fushë do të luajnë 11 lojtarët e Kombëtares sonë dhe 11-ëshja e skuadrës mike, jashtë fushës së blertë kemi të gjithë një rol e detyrë për të luajtur: çdo qytetar, i ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe detyrën që kemi për të dhënë një shembull qytetarie, ka një rol në përpjekjen tonë të përbashkët, për të garantuar që kjo ndeshje futbolli të jetë realisht vetëm kaq”, – u shpreh ai.
Sigal