Shpëtim Gjoshi: “Kampionati ka hyrë në një fazë interesante”

557
Sigal

Gazetari dhe specialisti i njohur i futbollit: “Skënderbeu është favorit, por gjithçka mund të ndodhë”

Gazetari dhe specialisti i njohur i futbollit, Shpëtim Gjoshi, tha për “Telegraf” se, ky sezon i Kategorisë Superiore ka shumë rivalitet”:  “Ka hyrë në një fazë interesante dhe shumë konkurruese. Me të vërtetë, tani Skënderbeu është nëntë pikë, por nuk duhet të harrojmë se dhe para dy sezonesh, po aq pikë ishte Flamurtari përpara, por ishin korçarët ata që e fituan titullin.  Për mua, Kukësi tani është një realitet dhe jo një surprizë”, – tha Gjoshi për gazetën.

– Zoti Gjoshi, kur ka mbetur dhe një javë nga përfundimi i fazës së parë të Kategorisë Superiore, Skënderbeu është i shkëputur +9 pikë nga Kukësi i vendit të dytë, ndërkohë që skuadrat e tjera janë më larg. Si do t’i vlerësonit këto 12 javë?

 – Kampionati ka hyrë në një fazë interesante dhe shumë konkurruese. Skënderbeu ka një ecuri pozitive, është ekipi i vetëm që nuk njeh humbje dhe kryeson me meritë. Kjo, falë mbështetjes së një bordi dhe presidence shumë të impenjuar, falë ruajtjes së grupit nga sezonet e kaluara, ku ai u shpall kampion, dhe ndërhyrjeve cilësore shtesë në formacion, ku spikasin Pero Pejiç dhe Sebino Plaku. Nuk duhet të harrojmë kurrsesi, meritat e trajnerit me përvojë Mirel Josa, për të ruajtur ekuilibrat brenda grupit, gjendjen optimale të futbollistëve dhe marrjen e maksimumit prej tyre dhe moralin e skuadrës. Unë mendoj se, Skënderbeu nuk duhet të bjerë në vetëkënaqësi, por duhet t’i marrë ndeshjet një nga një, përderisa ka ende shumë ndeshje në lojë. Pasi tri pikë vlejnë, si fitorja ndaj Flamurtarit, ashtu dhe ajo ndaj Apolonisë. Me të vërtetë, tani Skënderbeu është nëntë pikë, por nuk duhet të harrojmë se dhe para dy sezonesh, po aq pikë ishte Flamurtari përpara, por ishin korçarët ata që e fituan titullin.

 – Në fundjavë, do të kemi dhe një supersfidë të pazakontë, nisur kjo nga emrat, kur përballë do të jenë Skënderbeu kampion dhe lideri i kampionatit ndaj Kukësit debutues dhe tashmë në vendin e dytë. Si e parashikoni?

 – Në futboll çdo ndeshje ka historinë e saj dhe në çdo takim luftohet për pikët e plota. Ndaj skuadrës që të ndjek direkt, ndeshja bëhet dhe më e rëndësishme, pasi automatikisht reduktohet diferenca e pikëve. Sigurisht, që Skënderbeu është në letër më i favorizuar dhe do të kërkojë më çdo kusht fitoren, pasi kështu do të ketë mundësinë të shkëputet dhe më shumë. Kjo do t’i japë mundësinë të jetë më i qetë dhe, me përfundimin e fazës së parë do të ketë më shumë kohë për të plotësuar apo korrigjuar ndonjë defekt, ashtu si çdo sukses i Kukësit do të ndikojë dukshëm në ecurinë e asaj skuadre.

– Sulmuesi i Skënderbeut, kroati Pero Pejiç, me 10 golat e realizuar prej tij është dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit. A ka ardhur koha që në listën e fituesve të “Këpucës së Artë” të Kategorisë Superiore të shohim edhe një lojtar të huaj?

– Pero Pejiç është një futbollist tipik zone, shtatlartë dhe i fortë në lojën në ajër, por ajo që unë dua të veçoj është dhe partneritetit i tij gati i përsosur me sulmuesin tjetër, Sebino Plakun, edhe ky i fundit i ardhur gjatë merkatos së verës. Plaku lëviz shumë mirë taktikisht, është një finalizues i mirë i pasit të fundit dhe i jep mundësi Pejiçit të realizojë vazhdimisht. Nuk dua të lë pa harruar edhe komponentin fizik të kroatit, një lojtar i fuqishëm sidomos në kundërsulm.

– Kukësi është në debutimin e tij historik në Kategorinë Superiore, por skuadra është duke bërë një sezon për t’u pasur zili. Vendi i dytë pas 12 javësh, dhe për me tepër vetëm një humbje pas 10 ndeshjesh, tregon jo pak forcën e kuksianëve. A mund ta konsiderojmë ende një skuadër surprizë?

– Në fillim të sezonit mund ta konsideroja të tillë, por tani absolutisht jo. Unë e kam cilësuar atë në emisionin “Nga njëra në ndeshje në tjetrën”, si “Hirushja e kampionatit”. Dua të theksoj rolin e drejtorit teknik, Sulejman Starova, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme, në bashkëpunim dhe me trajnerin Armando Cungu. Kjo që nga blerjet e skuadrës, fazës përgatitore serioze, që detyrimisht do të reflektonin në rezultate pozitive. Ka ndërtuar një skuadër me lojtarë me përvojë, me karakteristika të mira, dhe duke u përshtatur edhe me strategjinë dhe taktikën e lojës ka marrë maksimumin. Kukësi nuk është një skuadër që rrëmbehet, por është kompakte dhe e konsoliduar. Shfrytëzon kundërsulmet dhe rastet që i krijohen. Për mua, tani është një realitet dhe jo një surprizë.

– Shumë skuadra me traditë, si Tirana, Teuta, Flamurtari, Vllaznia, janë duke bërë një sezon me oshilacione. Cilat janë argumentet tuaja?

– Janë me të vërtetë emra të mëdhenj të futbollit tonë, por nuk kanë pasuri një vazhdimësi në ecurinë e tyre. Kanë probleme të brendshme, sa organizative, por dhe të performancës së lojtarëve. Mendoj se, me një organizim më të mirë, me një impenjim serioz, pra dhe me kalimin e këtyre minikrizave, i kanë të gjitha mundësitë të rikthehen tek ajo që i njohim të gjithë. Nuk mund të them se do të dalin kampion, pavarësisht se matematika jua lejon këtë, por së pari duhet të dalin nga paraqitjet me oshilacione, dhe të luftojnë për Ligën e Europës, pasi dhe vendet atje janë të kufizuara.

– Zoti Gjoshi, formula e këtij kampionati parashikon katër skuadra që do të zbresin nga Kategoria Superiore. Sa e rrit konkurrencën për mbijetesë?

– Kampionati është bërë shumë interesant. Rivaliteti dhe lufta sportive ka nisur qysh në fazën e parë, kur shpeshherë bëhet në fazën e dytë. Në përfundim të fazës së parë, të gjitha skuadrat bëjnë analizat e tyre, për të përmirësuar gjendjen e tyre, por ne shohim qysh tani një kampionat mjaft të fortë, kjo dhe për shkak të formulës. Madje kampionati është bërë interesant qysh në gjysmën të fazës së parë, madje çdo ndeshje nuk mund ta gjykosh se kush fiton, edhe pse luhet në shtëpi apo jashtë fushe. Mendoj se, pas katër javëve të para të fazës së dytë, do të qartësohet gjithçka në lidhje dhe me dy blloqet e mëdha, ato që do të luftojnë për titull dhe zonën e Europës, dhe ato për mbijetesë.  Ok, në fazën e dytë mund të ketë dhe aleanca, kjo është e pashmangshme, por në këtë moment ne po shohim një garë të fortë sportive.

– Dhjetë nga 14 skuadrat e Kategorisë Superiore i kanë ndryshuar trajnerët më të cilët nisin sezonin. Sa ju shqetëson ky fakt?

– Duke përjashtuar Skënderbeun, Kukësin, Vllazninë dhe Besën, të cilët u kanë qëndruar besnik trajnerëve të tyre, dhe për mua kanë bërë mirë, të gjitha të tjerat i kanë ndryshuar ato. Lëvizja e trajnerëve asnjëherë nuk është pozitive, sidomos për ato lëvizje që bëhen qysh në javët e para të sezonit. Gjithsesi, ndodh dhe si në rastin e Laçit, që pas largimit të dy trajnerëve të parë, tani duket si i stabilizuar. Më duket nuk është normale që, në javën e parë të kampionatit të largohen, apo dorëhiqen tre trajnerë:  Hulian Rubio nga Tirana, Shkëlqim Muça nga Flamurtari dhe Përparim Daiu nga Laçi. Në javën e dytë u largua Hasan Lika nga Teuta, në javën e katërt, Stavri Nica nga Laçi, në javën e  gjashtë, Artan Mergjyshi nga Kastrioti dhe Nevil Dede nga Luftëtari, por që u rikthye brenda 24 orëve dhe u largua në javën e tetë. Pas javës së tetë, largohen, apo dorëhiqen, Nevil Dede  nga Luftëtari, Ernest Gjoka nga Apolonia, Artur Lekbello nga Tirana, për të vazhduar Gugash Maganin nga Shkumbinin dhe Kristaq Milen nga Tomori. Mund të konsiderosh fajtorë trajnerët, por jo në javën e parë apo të dytë. Mesa duket është presioni i presidentëve.

– A është ky një kampionat me më shumë rivalitet, nga ai sezonit të kaluar?

– Po unë shoh më shumë rivalitet, pavarësisht se Skënderbeu e ka krijuar këtë diferencë prej 9 pikësh. Ndeshjet janë interesante, dhe për mua ka dhe nivel të pëlqyeshëm të takimeve. Vlerësoj faktin, që lufta sportive ka nisur qysh në javët e para, pasi në kampionatet e mëparshme, ajo ka nisur të shfaqet në fazën e dytë. Kampionati nuk e ka humbur interesin. Unë mendoj se, rol pozitiv kanë luajtur terrenet më të mira, por dhe gjykimet, përtej ndonjë kontestimi janë dukshëm më të drejta.

– Ka dhe një kampionat tjetër, Kupa e Shqipërisë. Tashmë janë përcaktuar tetë ekipet çerekfinaliste. Janë eliminuar Tirana, Vllaznia, Besa, por janë në lojë Skënderbeu, Flamurtari, Teuta. Si e parashikoni?

– Duke përjashtuar Tiranën, fituesen në fuqi të Kupës, apo dhe Vllazninë, të cilat u eliminuan nga skuadra më të dobëta në letër, të gjithë skuadrat e tjera kanë ecur në rrugën në të cilën ato do të kualifikoheshin. Besa-Flamurtari ishte dhe një çift shumë intrigues.

____________________________________________________________________

KOMBËTARJA/ “Mrekullitë nuk ndodhin brenda një dite”

Shpëtim Gjoshi ka një jetë të tërë që është marrë me gazetari sportive dhe në komentet e tij ka mijëra ndeshje shqiptare, por dhe disa dhjetëra ndërkombëtare, përfshirë dhe ato të Kombëtares sonë. Por, si e sheh ai Përfaqësuesen e tanishme të drejtuar nga Xhani De Biazi? “Unë mendoj se, trajneri De Biazi ka bërë një punë të mirë. Asnjë trajner në botë, me skuadrat të formatit tonë nuk mund të bëjë mrekulli qysh në vitin e parë. Nuk mund të ndodhë asnjëherë që, një trajner të japë brenda dy vjetësh rendimentin maksimal. Unë jam i mendimit se, një trajner duhet të ketë në dispozicion dy edicione, dhe, veçanërisht për ne shqiptarët, kjo është një domosdoshmëri, pasi nuk kemi dhe shumë mundësi për të kontrolluar një numër të madh lojtarësh. E pëlqej trajnerin De Biazi dhe për frymën që po sjell, duke afruar elementin e ri, për t’i harmonizuar. Madje kam bindjen se, në eliminatoret e ardhshme, Kampionatin Europian “Francë 2016″, Shqipëria mund të ketë pretendime të vërteta, pasi janë dhe 24 skuadra finaliste”, – tha Gjoshi. Specialisti i njohur shton se, edhe te ekipet kombëtare të moshave po punohet me strategji të qartë: “Shpesh herë ne, në këto mosha, u kemi dhënë rezultateve të çastit, kur duhet t’u jepet rëndësi lojtarëve të perspektivës, në funksion të ekipeve pasardhës”.

____________________________________________________________________

TALENTET/ “Më shumë hapësirë për lojtarët e rinj”

Në pajme të parë, duket sikur futbollist shqiptar i mungojnë emrat e mëdhenj dhe të bujshme të së kaluarës, jo vetëm të para viteve 1990, por dhe në njëzetvjeçarin e fundit. Por, Gjoshi shpjegon: “Kjo mund të lidhet edhe me dëshirën e trajnerëve për të mos aktivizuar elementin e ri, pasi mendojnë më shumë për pikët, pra dhe të presidentëve për renditjen, apo objektivat primare të klubit. Gjithsesi, kemi parë një Vllazni që vazhdimisht aktivizon lojtarë të rinj. Apo dhe Tiranën, që tani po luajnë më shumë. Gjithsesi, ka dhe raste kur lojtarët e rinj nuk gjejnë dot hapësirë. Një rast i tillë është Dorian Kërçiku i Skënderbeut, i cili mbërriti me bujë në Korçë nga Tirana, por që me Sebino Plakun dhe Pero Pejiçin nuk gjeti shumë hapësirë dhe ka mbetur në stol. Më mirë do të ishte të kalonin dhe në ekipe të tjera”. Por a ka në kampionatin shqiptar futbollistë të kalibrit të Panajot Panos, Ilir Përnaskës, Arben Mingës? Gjoshi tha: “Çdo kampionat ka emrat e tij, por tani është e vështirë të bësh krahasime reale dhe të vërteta me brezat e mëparshëm, pasi ndrsyhojnë shumë faktorë. Futbolli evoluon, si nga pikëmpamja taktike, ashtu dhe ato fiziko-teknike. Ne kemi elementë të mirë, si nga të rinjtë, por dhe atë me përvojë, me këtë të fundit që janë liderë të vërtetë”.