Shpëtim Duro: “Na duhen edhe dy afrime cilësore”

466
Sigal

Të kuqtë nisen sot për në Bullgari. Miqësorja e parë, ndaj skuadrës greke, Ksanthi

Partizani do të niset sot në Bullgari, për të kryer dy javë në Bansko pjesën e dytë të fazës përgatitore verore. 15 herë kampionët e Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro përfunduan të dielën përgatitoren në Mavrovë të Maqedonisë, atje dhe ku zhvilluan dy ndeshje miqësore me skuadrat shqiptare nga vendi fqinjë: humbi 1-0 me Vëllazërimin dhe barazoi 1-1 me Gostivarin. Në tokën bullgare, 15 herë kampionët e Shqipërisë kanë në program zhvillimin e të paktën tri ndeshjeve miqësore, e para më 2 Gusht ndaj skuadrës greke Xanthi, e sapongjitur në Superligën e Greqisë. Të kuqtë do të qëndrojnë në Bullgari deri në para fillimit të Kampionatit të 76-të Kombëtar të Futbollit, i cili nis më 23 gusht. Trajneri Shpëtim Duro, në një prononcim për mediat tha se, në Maqedoni ekipi zhvilloi stërvitje intensive dhe përgatitjet shkuan sipas parashikimeve. Lojtarët morën ngarkesat maksimale, këto të alternuara me përgatitja fizike me atë tekniko-taktike. Dy ndeshje miqësore ndihmuan trajnerin, për të parë formën e lojtarëve. Dy javët e ardhshme do të jenë të rëndësishme për stafin teknik, që është në dilemë për sulmuesin Magalhaes, me brazilianin që është shfaqur larg pritshmërie të drejtuesve të kuq. Për këtë arsye merkatoja e Partizanit mbetet ende e hapur, pasi përveç një sulmuesi cilësor që duhet të bëjë diferencën, kërkohet edhe një mesfushor. Bëhet fjalë për vendin e lënë bosh nga Mentor Zhdrella, i cili u largua papritur nga të kuqtë edhe pse kishte firmosur një kontratë 3-vjeçare me presidentin Demi. Të kuqtë do të jenë në vëzhgim të elementëve cilësore për fazën sulmuese deri në momentin e mbylljes së merkatos, për t’u futur në garë me objektiva madhorë. “Na duhen edhe dy afrime cilësore, për të kompletuar plotësisht skuadrën dhe mbyllur gjithashtu merkaton. Do të afrojmë një mesfushor përpara mbrojtjes dhe një sulmues. Ky i fundit do të jetë cilësor dhe do të luajë në krah të Stevan Raçiç”. Në fakt, lojtari serb pati një problem me gishtin e këmbës dhe nuk u stërvit maksimalisht. “Megjithatë, është një futbollist cilësor”, – shtoi Duro. Nëse braziliani Magalhaes nuk do të na bindë gjatë përgatitjeve në vazhdim, do të kërkohet ndonjë alternativë tjetër. Duro u tregua i matur në lidhje me premtimet që, Partizani do ta fitojë me patjetër titullin kampion. “Nuk e kam bërë asnjëherë që të deklaroj se do të fitojmë këtë apo atë trofe. Unë kam shumë besim te skuadra që drejtoj dhe po ju garantoj që Partizani do të rivalizojë deri në fund dhe do të jetë një skuadër pretendente për të fituar çdo gjë”.

SHKURT

 Tirana, në Maqedoni

Tirana nën drejtimin e trajnerit Gugash Magani vazhdon përgatitjet në Ohër të Maqedonisë. Bardheblutë humbën 3-2 në testin e parë kundër Shkëndijës së Tetovës, ndërkohë që te goli shkuan dy blerjet e reja: malazezi Tomislav Bushiç dhe Elis Bakaj. Tirana ka bërë një merkato cilësore. Po, në Maqedoni janë duke kryer përgatitoren edhe  Elbasani me Kukësin.

  Pista “Mustafi”

Shkodran Mustafi vazhdon të jetë në vëmendjen e Juventusit, madje s”ka ditë që mediat italiane mos e përmendin atë. Mbrojtësi 22-vjeçar i Sampdorias dhe i Kombëtares gjermane – doli Kampion i Botës – ka një çmim prej 8 milionë eurosh më merkato. Përveç Juventusit, Mustafi monitorohet edhe nga Borusia Dortmund, Shalke 04, Bayer Leverkusen e Borussia Mënnshengladbah.

  Rikthehet Roshi

Mesfushori i Kombëtares, Odise Roshi, kaloi dëmtimin e pësuar dhe tashmë u është rikthyer stërvitjve me klubin e tij gjerman të Bundesligës 2, FSV Frankfurt. Më këtë skuadër luan edhe sulmuesi durrsak Edmond Kapllani. Sezonin e kaluar, Odise Roshi luajti shumë pak, kjo e kushtëzuar edhe nga dëmtimet, por FSV Frankfurti vendosi ta mbajë lojtarin këmbëshpejtë.

 Rebelohet Behrami

 Atmosfera në shtëpinë e Napolit nuk është aspak e qetë. një episod aspak i këndshëm ndodhi me mesfushorin Valon Behrami, që u largua para kohe nga stërvitja pas një debati që pati me spanjollin. Lojtari i Kombëtares zvicerane dëshiron të shkojë tek Interi, ndërkohë që klubi italian dëshiron ta shesë atë te Hamburgu, që ofron 7 milionë euro.

Misioni i Mehës

Alban Meha do të debutojë këtë sezon në Bundesligën 1 me Padebornin e tij dhe mesfushori i Kombëtares shqiptare pritet të jetë një nga zbulimet e futbollit elitar gjerman. Meha dha një kontribut të çmuar me 13 golat e tij, duke e ndihmuar skuadrën të ngjitet në Bundesligën 1, por tani misioni i tij i ri është tï sigurojë mbijetesën midis gjigantëve.

Xhemaili te Milan

 Blerim Xhemaili mudn të veshë fanellën e Milanit, për sezonin e ri, duke u dhënë kështu fund minutave të pakta që ai pati me skuadrën e tij aktuale, Napolin. Milan është duke kërkuar një mesfushor qendre, pas dëmtimit të lojtarit të Kombëtares italiane Rikardo Montolivo dhe shqiptari nga Struga, por që luan me Kombëtaren zvicerane shihet si zëvendësuesi ideal.

Klubi shkodran do të testojë mbrojtësin e Kombëtares maqedonase, Mecinoviki dhe serbin Smajoviç

  Ndërkombëtarizohet Vllaznia, vjen një serb e një maqedonas

 Vllaznia është shndërruar në një kantier të vërtetë testimesh, ku lojtarë të ndryshëm, vendas e të huaj, po testohen dhe ata që bindin firmosin apo rinovojnë kontratat. Shoqëria “Gea Sport”, që tashmë ka marrë nën adminstrim klubin shkodran bëri të ditur afrimin e një mbrojtësi maqedonas, një fantazisti serb e një sulmuesi kosovar.

JASMIN MECINOVIKY

Qëndërmbrojtësi Jasmin Mecinoviky (datëlindja 22.10.1990) konsiderohet si një nga lojtarët më të talentuar për momentin në Maqedoni. 23-vjeçari është pjesë e Kombëtares së Maqedonisë dhe kjo është një plus më shumë për të riun. Ai do të mbërrijë sot në Shkodër dhe pritet të firmosë së shpejti në “Loro Boriçi”.

SADIN SMAJOVIÇ

Mesfushori krijues, edhe pse në një moshë të re, është vetëm 19 vjeç, duket se ka bindur parimisht trajnerin italian Baldo Ranieri, i cili e ka ftuar për një testimi lojtarin serb nga Novi Pazar. Smajoviç ka luajtur në Superligën serbe dhe ky është një plus më shumë për atë.

LABINOT OSMANI

Klubi i ka dhënë mundësinë teknikut italian të testojë Labinot Osmanin, sulmuesin 27-vjeçar nga Kosova. Ky i fundit u shpall kampion sezonin e kaluar me Llamkos Kosova duke qenë si protagonist i ekipit, por gjithsesi vetëm pas disa ditësh do të mësohet nëse Osmani do të veshë fanellën e Vllaznisë sezonin e ardhshëm.

Lionel Mesi në telashe, gjykata vazhdon akuzat

 Gjykata e Gavas në Barcelonë hodhi poshtë kërkesën e autoritete tatimore për tërheqjen e akuzave për evazion fiskal ndaj yllit të Barcelonës. Lionel Messi e ka të pamundur t’i mbyllë problemet me drejtësinë. Gjykata e Gavas në Barcelona ka hedhur poshtë kërkesën e autoriteteve tatimore për tërheqjen e akuzave për evazion fiskal ndaj yllit të Barcelonës, madje ka kërkuar ndjekjen e mëtejshme të çështjes, që do të thotë se ndaj 27-vjeçarit dhe babait të tij mund të nisë procesi gjyqësor për tre krime ndaj organeve tatimore. Gjykata i jep në këtë mënyrë 10 ditë kohë Prokurorisë dhe Avokatit të Shtetit që të nisin gjykimin ose ta mbyllin çështjen. Gjykata ka refuzuar pretendimin e Prokurorisë për të pushuar çështjen kundër Lionel Mesit, duke i adresuar akuzat vetëm te babai i tij Horge, sepse mendon se ka të dhëna të mjaftueshme për të besuar se futbollisti mund të ketë patur dijeni, madje edhe mund të ketë lejuar krijimin e një shoqërie fiktive, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore nga të ardhurat që i siguronte nga e drejta e imazhit.