Shpëtim Duro: Merkato dhe “shtegtim” në Maqedoni? Kemi synime ambicioze këtë sezon

523
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Trajneri i Flamurtarit i quan normale hyrje-daljet e futbollistëve në skuadër, ka 11 afrime dhe 18 largime
Në ditën e nisjes për në Maqedoni, ku skuadra e Flamurtarit do të zhvillojë një pjesë të fazës përgatitore në Mavrovë, trajneri Shpëtim Duro deklaroi për gazetën “Telegraf, se deri në këtë periudhë, është bërë një merkato cilësore. Sipas Duros, janë afruar lojtarë, të cilët mendohen si garanci e synimeve për këtë sezon, por njëherësh, ai shpreh edhe keqardhjen për largimet që janë bërë në këtë periudhë. “Kjo është një periudhë shumë aktive për ne, pasi kemi të bëjmë me dy momente që janë të rëndësishme për sezonin e ri. Së pari, kemi bërë përzgjedhjen e mundshme të grupit që mbylli sezonin e kaluar, ku me dhimbje e them se na janë larguar disa lojtarë që e kishin mbyllur kontratën me klubin. Ndërkohë që, me ndihmën e madhe të Administratorit Sinan Idrizi, bazuar në platformën që kemi bërë e miratuar së bashku, afruam deri në datën 23 korrik, 11 futbollistë të rinj, kryesisht në repartet në të cilët ne mendojmë se kemi nevojshmërinë më të madhe”, kështu theksoi trajneri i Flamurtarit për këtë fazë të parë të punës së tij në drejtimin e skuadrës së Flamurtarit për sezonin e ri 2017-2018. Në fakt, te skuadra vlonjate ka një numër “rekord”për të dy ekstremet e merkatos: 18 largime dhe 11 afrime, dhe për këtë fakt, trajneri Shpëtim Duro tregon se kjo është pjesë e një strategjie që kërkon konsolidimin e skuadrës me elementë që garantojnë cilësi më afatgjatë. “Nuk duhet të ketë habi nga të gjithë skeptikët, apo edhe rivalët tanë në këtë sezon, pse Flamurtari po bën merkato me shumë emra. Patjetër që kjo duhet të ndodhë, kur kam parasysh se ne kështu po ndërtojmë një Flamurtar të konsoliduar, ndryshe nga skuadra e sezonit të kaluar. Sepse këtë sezon, synimet nuk do të jenë për mbijetesë, kjo nuk ekziston në mendimet tona, por duke ndërtuar një skuadër të tillë, edhe synimet do të jenë më ambicioze. Flamurtari e ka historinë të shkruar, ndërsa realiteti do të jetë në vazhdimësi të saj”. Ditën e diel, skuadra e Flamurtarit u nis drejt Maqedonisë, ku sipas trajnerit Duro, do të zhvillojë 15 ditë përgatitje, mes tyre edhe tre ndeshje miqësore. Këtë, tekniku i Flamurtarit e quan shumë të domosdoshme për skuadrën e tij. “Dy javë do të përgatitemi në Maqedoni, ku në Mavrovë kushtet akomoduese e stërvitore janë shumë të mira. Aty do të zhvillojmë edhe tre ndeshje miqësore, në të cilat do të shohim më nga afër gjendjen e çdo futbollisti që kemi në dispozicion. Por, pas mbylljes së këtyre përgatitjeve në Maqedoni, Administratori Idrizi ka mundësuar edhe një dyjavor përgatitjesh në Veri të Greqisë, në të cilën do të bëjmë një formatim më të plotë të skuadrës”, ishte kjo deklarata e trajnerit të Flamurtarit, Shpëtim Duro, në të cilën ai tregoi gjithë agjendën përgatitore që vlonjatet do të kryejnë në këtë fazë verore. 
Kam parasysh se ne kështu po ndërtojmë një Flamurtar të konsoliduar, ndryshe nga skuadra e sezonit të kaluar. Sepse këtë sezon, synimet nuk do të jenë për mbijetesë, kjo nuk ekziston në mendimet tona, por duke ndërtuar një skuadër të tillë, synimet tona do të jenë më ambicioze
Merkato te Flamurtari
Largime (18): S. Frashëri, H. Zeqiri, A. Fazlliu, I. Berisha, N. Duriç, M. Rniç, I. Galiç, B. Telushi, D. Shkodra, B. Radoviç, L. Nakamuta, A. Halili, A. Beqaj, A. Shehaj, M. Lelal, D. Alvesh, T. Kuqi, H. Neziraj 

Afrime (11): D. Bicaj, A. Hoxhaj, A. Nurkoviç, E. Musta, G. Siljanovski, M. Huseini, N. Jufo, D. Sidibe, A. Pollozhani, S. Kamara, L. Liçaj, I. Toungara?
Përgatitjet në Maqedoni
Periudha: 24 korrik-7 gusht
Ndeshje miqësore
Datë 30 korrik 2017 
Flamurtari-Maqedonia
Datë 3 gusht 2017 
Flamurtari-Gostivar
Datë 7 gusht 2017 
Flamurtari-Zajaz
Përgatitjet në Greqi
Periudha: 8-22 gusht
Sigal