Shpëtim Duro: Me Partizanin, rezultati ishte i rëndësishëm, por na duhet kjo vazhdimësi

623
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i Flamurtarit, ja situata në skuadër pas fitores me Partizanin dhe në prag të sfidës me Kukësin
Si është situata në skuadrën e Flamurtarit, pas dy fitoreve rresht me Partizanin?
Mendoj se është një skuadër normale, sepse kemi në përbërje lojtarë profesionistë që dinë të reagojnë në shërbim të skuadrës. Me këto dy fitore, duket qartë se Flamurtari po vazhdon ta bëjë mirë detyrën dhe kjo më kënaq, por më shumë do të kërkoja këtë vazhdimësi.

Fitoren në Kupë me Partizanin, e quani një hap drejt gjysmëfinaleve?
Fitorja në Kupë me Partizanin ishte një hap i rëndësishëm, sepse veç fitores, nuk kemi pësuar gol nga kundërshtari. Natyrisht që në ndeshjen e dytë do të vendoset kualifikimi, e deri atëherë, e kemi kohën e duhur për të ndërtuar strategjinë e kualifikimit tonë.

Po Partizani nga ana e tij, si u paraqit në këto dy përballje me Flamurtarin?
Mua si trajner i Flamurtarit, më intereson skuadra ime, por duke bërë analizën e saj në raport me kundërshtarin, mund të them se në të dyja këto përballje, pashë një Partizan që më shumë luante në mbrojtje, dhe kërkonte të na zinte në befasi e të shfrytëzonte rastet.

Muaji janar, ka pasur ngarkesë në skuadrën tuaj me të gjithë agjendën që keni pasur?
Patjetër që ka ngarkesë, por gjithçka është e programuar nga ana jonë. Sepse tashmë është e qartë se, gjatë muajit janar skuadra do të përgatitet, do të bëjë ndeshje miqësore, e njëherësh, do të ketë lëvizje në merkato. Duke qenë skuadër profesioniste, kjo ngarkesë mbetet normale për ne.

Po Flamurtari, çfarë afrimesh ka bërë gjatë kësaj periudhe të merkatos dimërore?
Flamurtari u kompletua me lojtarë shumë cilësorë gjatë merkatos së verës, ndaj gjatë muajit janar na duheshin dy-tre lëvizje. Të gjithë lojtarët që kemi marrë, mendoj se shpejt do të tregojnë vlerat e tyre, ndërsa Tounkara që erdhi nga Italia, ende nuk është vënë në provë. CV-në e ka shumë të mirë, por duhet të presim.

Ju si trajner, kishit pritshmëri të tjera gjatë kësaj merkatoje, apo i përmbaheni çka deklaruar më sipër?
Unë ja u përsëris se, Flamurtari ka qenë skuadër e konsoliduar që në merkaton e verës. Por duke qenë se sezoni është i gjatë, dhe gjatë rrugës na kanë dalë edhe probleme që duhet të rregullonim, kemi marrë këta lojtarë gjatë merkatos së dimrit. Gjatë këtij muaji, besoj se gjithë të afruarve do tu krijohet mundësia të tregojnë vlerat e tyre në fushën e lojës.

Nga Kupa në Kampionat, luani në Kukës, si e keni përgatitur skuadrën për këtë sfidë?
Nuk besoj se skuadra do të kalojë në eufori pas dy fitoreve radhazi me Partizanin, por ne si staf teknik jemi përqendruar këto ditë edhe në anën psikologjike të lojtarëve. Euforia gjithmonë është e dëmshme, ndaj këta do t’ua kërkoja publikisht lojtarëve që të mos e mendojnë.

Cili është synimi juaj për këtë ndeshje të javës së 18-të me Kukësin?
Si çdo ndeshje tjetër, edhe kjo është ndeshja e radhës. Ndryshimi është se luajmë në transfertë dhe ndaj skuadrës Kampione në fuqi, por synimi ynë është që këtu të marrim rezultat pozitiv. Ne besojmë në mundësitë e skuadrës, e cila do të bëjë maksimumin.
Fitorja në Kupë me Partizanin ishte një hap i rëndësishëm, por ne si staf teknik jemi përqendruar këto ditë edhe në anën psikologjike të lojtarëve. Në Kukës shkojmë për një rezultat pozitiv, ndaj dhe besojmë në mundësitë e skuadrës, e cila do të bëjë maksimumin
MERKATO TE FLAMURTARI
Afrime: Igor Nedeljkoviç, Fisnik Zuka, Muharrem Muharrem, Argjend Gafuri, Mamadou Tounkara
Largime: Ergys Mersini, Ivan Jakovljeviç, Lejdi Liçaj, Haxhi Neziraj, Ibrahima Toungara (në huazim) 
Dy prezantime te Kukësi, Edipi dhe Balde e bindin Pakultin
Nga Liga e Katërt e Gjermanisë, te Kukësi, ky është udhëtimi i Lavdërim Edipit në këtë merkato të janarit 2018. Mesfushori që aktivizohej në Ligën e Katërt në Gjermani, kishte ardhur tek verilindorët ditët e fundit të merkatos, ku u vëzhgua disa ditë nga trajneri Pakult, për të parë nëse do të ishte pjesë e grupit. Dhe kjo ka ndodhur dje, pasi Kukësi e zyrtarizoi si përforcimin më të ri në merkato 23-vjeçarin. Po dje, Kukësi prezantoi edhe goditjen e madhe në sulm, pasi Amido Balde firmosi zyrtarisht me kampionët në fuqi për pjesën e mbetur të sezonit. Në kontratë parashikohet edhe klauzola e rinovimit për sezonin e ardhshëm, në rast paraqitjesh bindëse të tij.
KUPA E SHQIPËRISË
Ndeshjet çerekfinale
U luajtën-Takimet e para
Datë 31 janar 2018
Teuta-Skënderbeu 0-2
Laçi-Luftëtari 3-0
Flamurtari-Partizani 1-0
Tirana-Kukësi 1-1
Do luhen-Takimet e kthimit
Datë 14 shkurt 2018 
Kukësi-Tirana 14:00
Luftëtari-Laçi 14:00
Partizani-Flamurtari 17:00
Skënderbeu-Teuta 17:00
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 18-të
Të dielën, 4 shkurt 2018 
Laçi-Teuta 13:00
Skënderbeu-Vllaznia 13:00
(Ndeshja luhet në Shkodër)
Kukësi-Flamurtari 13:00
Lushnja-Luftëtari 13:00
Partizani-Kamza 16:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 17 37
2. Flamurtari 17 31
3. Kukësi 17 28
4. Laçi 17 27
5. Kamza 17 26
6. Partizani 17 24
7. Luftëtari 17 22
8. Teuta 17 16
9. Vllaznia 17 15
10. Lushnja 17 9
Sigal