Shpëtim Duro, gati për Partizanin

524
Sigal

Pas Nexhipit, Muratit e Antanasijeviçit, me 15 herë kampionët, rinovon edhe Besnik Krasniqi

Partizani po hedh i sigurt themelet për sezonin 2014-2015. Zhgënjimi që pësuan 15 herë kampionët me vendin e pestë në edicionin që sapo u mbyll, nuk u përtyp lehtë nga drejtuesit e klubit të kuq. Dhe puna e parë e sigurisht e madhe e Presidentit Gazmend Demi nis nga garantimi i një bankine cilësore. Bëhet fjalë për Shpëtim Duron, teknikun që e ka drejtuar Partizanin edhe në të kaluarën, madje edhe me kontributin e tij në rikthimin e skuadrës në Superligë, pavarësisht se misionin në sezonin 2012-201 kur të kuqtë ishin në Kategorinë e Parë e përmbylli Hasan Lika. Burime nga klubi i kuq, pranuan faktin se presidenti Demi i ka bërë ftesë Duros për të marrë drejtimin e skuadrës dhe të nisë nga puna për sezonin e ardhshëm futbollistik dhe këtë e pranoi edhe vetë Duro. Aktualisht, Shpëtim Duro drejton Shkëndinë e Tetovës në kampionatin maqedonas, ku në fundjave ka ndeshjen e fundit dhe shpreson të kap një vend në Europë. Duro vlerësohet shumë nga shqiptarët e Maqedonisë, pasi e mori skuadrën tetovare në prag të rënies. Gjatë sezonit 2013-2014, Partizanin sezonin  e drejtuan tre trajnerë: Hasan Lika, Marcio Sampaio dhe Genc Tomori. Lika dështoi ta çonte ekipin të paktën në çerekfinalet e Kupës dhe dha dorëheqjen pas humbjes më Tiranën në javën e 18-të. Bilanci i Likës ishte 8 fitore, 3 barazime dhe 7 humbje (26 pikë nga 54 të mundshmet). Lika u dorëhoq nga Partizani kur skuadra ishte në vendin e 3-të me 27 pikë, po aq sa Kukësi e Laçi, por me një pikë më pak se Teuta e vendit të dytë (Skënderbeu, i pari me 37 pikë). Nën drejtimin e portugezit Sampaio, Partizani zhvilloi 14 ndeshje, ndër të cilat 6 fitore, 5 barazime dhe 3 humbje. Disfata me Skënderbeun në “Qemal Stafa”, që i minimimizoi mundësitë e Partizanit në Ligën e Europës, e detyroi Sampaion të jepte dorëheqjen. Genc Tomori e drejtoi skuadrën vetëm në një ndeshje, dhe e fitoi atë 4-2 ndaj Lushnjë në “Roza Haxhiu”. Partizani bëri një sezon me hope, që e shoqëruan atë nga java e parë dhe deri tek e fundit. Në 33 javë, regjistroi 15 fitore, 8 barazime dhe 10 humbje (53 pikë), duke u renditur në vendin e pestë, pas Skënderbeut (61 pikë, kampion), Kukësit (57), Laçit (54) dhe Teutës (54). Ajo që bie në sy, është fakti se kur të kuqve u duhej patjetër të fitonin me rivalët, ata i humbën takimet: 3-1 me Teutën dhe 2-0 me Laçin, ashtu sikundër humbën edhe me Skënderbeun (2-1, ndeshje që përcaktoi edhe fatin e të kuqve). Partizani u eliminua shumë shpejt nga Kupa e Shqipërisë, madje pa mbërritur në fazën çerekfinale. Ndëshkuesi i madh i të kuqve të drejtuar nga Hasan Lika ishte Vllaznia. Pas barazimit 0-0 në “Qemal Stafa”, shkodranët fituan 1-0 në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi” me golin e Alsid Tafilit të realizuar në kohën shtesë (104’). Në turin e parë, Partizani eliminoi Adën e Velipojës (barazoi 1-1 në Velipojë dhe fitoi 3-1 në Tiranë).

Me objektivin e madh, tashmë jo vetëm për të kapur një vend në Europë, por dhe të fitojë trofe: kampionati i mungon nga viti 1993, ndërsa Kupa nga viti 2004, te Partizani mendojnë se Shpëtim Duro mund të jetë garanti i këtij synimi. Vetë Duro ka fituar kampionatin me Skënderbeun, si dhe Kupën e Superkupën me Besën.

Pas sulmuesit shqiptar nga Maqedonia, Ndërim Nexhipit (4 gola sezonin e kaluar) dhe atij serb Dragan Antanasijeviç, dje ishte  radha e kosovarit Besnik Krasniqi për të hedhur firmën në kontratën e re. Mbrojtësi e shijoi sezonin e tij të parë me fanellën e kuqe, kështu që ai vendosi të pranojë ofertën e presidentit Gazmend Demi, të përcjellë nga trajneri Genc Tomori. “Besnik Krasniqi ka vendosur të vijojë eksperiencën e tij në kampionatin vendas pas bisedës së zhvilluar me trajnerin Genc Tomori duke konfirmuar gatishmërinë e tij për të qenë pjesë e 15 kampionëve të vendit edhe për sezonin e ardhshëm futbollistik”, thuhet në komunikatën e shoqërisë kryeqytetase. Gjatë sezonit që sapo lamë pas, Besnik Krasniqi ishte ndër lojtarët më të aktivizuar: 31 nga 33 ndeshjet e kampionatit, ose 2699 minuta në total. Me rinovimin e kosovarit konfirmohet e njëjta linjë në repartin mbrojtës edhe për sezonin e ardhshëm, pasi sezonin e ardhshëm do të vazhdojnë të luajnë edhe Amir Rrahmani, Labinot Ibrahimi dhe Mevlan Murati, çka e bën mbrojtjen e kuqe edhe “hermetike”, ashtu sikundër ishte dhe këtë sezon, si skuadra që pësoi në pak gola: 26.

 1 kampionat

ka fituar Shpëtim Duro në karrierën e tij si trajner, pikërisht me Skënderbeun në sezonin 2011-2012

 1 Kupë

të Shqipërisë ka fituar trajneri i njohur tiranas, atë me Besën e Kavajës në sezonin 2009-2010

1 Superkupë

të Shqipërisë ka koleksionuar ish-ndihmësi i Oto Bariçit, me Besën në edicionin 2009-2010

 Zyrtarizohet fitorja 3-0 në tavolinë e Tiranës me kavajasit. Hera e tretë që dënohet një ekip

 Penalizohet Besa, e nis me -3 pikë në Kategorinë e Parë

 Besa do ta nisë me -3 pikë sezonin e ardhshëm të saj në Kategorinë e Parë, atje ku kavajasit do të marrin pjesë pas rënies nga Superliga. Vendimi u morr nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, për mosparaqitje në ndeshjen me Tiranën, e vlefshme për javën e 33-të dhe të fundit të sezonit 2013-2014. Kjo e bazuar në nenin 55/1 të Kodit të Drejtësisë Sportive. Kavajasit humbën edhe ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, që e bashkoi skuadrën e presidentit Nexhat Bizhdili me Lushnjën, Kastriotin e Bylisin. Kjo është hera e tretë, që jepet një fitore në tavolinë. Kështu, fitore në tavolinë pas ndeshjeve të zhvilluara morën Vllaznia ndaj Kukësit (rezultati origjinal 3-1 për Vllazninë) dhe Laçi ndaj Bylisit (rezultati origjinal ishte 0-0). Gjithsesi, përjashtimi i Bylisit prodhoi 9 fitore 3-0 në tavolinë. Përfituesit ishin: Skënderbeu, Lushnja, Kastrioti, Vllaznia, Tirana, Flamurtari, Besa, Teuta dhe Kukësi. Në këtë sezon ishte Flamurtari ai që u dënua me zbritjen e tri pikëve. Vlonjatët u ndëshkuan pas incidentit të tifozëve me presidentin e Skënderbeut, Adrian Takaj në ndeshjen e javës së 2-të, Flamurtari-Skënderbeu.

Gjobitet Vllaznia

Protesta e tifozëve në fund të ndeshjes, duke hedhur sende të forta ne fushën e lojës si protetë për mosimpenjimin e lojtarëve shkodranë në ndeshjen e humbur 3-1 me Flamurtarin, solli edhe ndëshkimin e klubit kuqeblu me 50 mijë lekë bazuar në nenin 66/1 të Kodit të Drejtësisë Sportive. Për Vllazninë kjo ishte hera e gjashtë që gjobitet këtë sezon, duke e çuar shumën në 275 mijë lekë. Duke parë dënimet me gjoba ndaj klubeve nga ana e Komisionit të Disiplinës, do të verifikonim lehtësisht se të 12 skuadrat e Superligës janë dënuar të paktën nga një herë me gjobë. Shuma në total arrin në 2 milionë e 650 mijë lekë. “Rekordin” përsa u përket gjobave e mban Tirana, me gjashtë tilla, më shumën në total prej 650 mijë lekësh, përfshirë he  200 mijë lekë janë për shkatërrimin e stolave nga ana e tifozëve bardheblu të stadiumit të Korçës. Në podiumin e ekipeve më fatura të larta gjobash janë dhe Kukësi me 300 mijë lekë dhe Vllaznia me 275 mijë lekë.

EKIPET E GJOBITURA

GJATË KËTIJ SEZONI

Tirana  650 mijë lekë

Kukësi 300 mijë lekë

Vllaznia 275 mijë lekë

Partizani     200 mijë lekë

Skënderbeu 150 mijë lekë

Teuta            150 mijë lekë

Laçi              125 000 lekë

Bylis     100 mijë lekë

Flamurtari 120 mijë lekë

Kastrioti       50 mijë lekë

Besa             50 mijë lekë

Lushnja 30 mije lekë

Shuma në total: 2 650 000 lekë

Granit Xhaka, “Ambasadori” i Kosovës

 Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti yllin shqiptar të Borussia Monchengladbach, Granit Xhakën, të cilit ia dorëzoi medaljen “Ambasador Nderi”, me të cilën e ka dekoruar më 17 Shkurt të këtij viti. Presidentja Jahjaga e përgëzoi Granit Xhakën për punën e tij, për sukseset që ka arritur në fushën e sportit të futbollit dhe theksoi se të rinjtë nga Kosova po bëhen ambasadorë të shtetit të tyre dhe po tregojnë vlerat e tyre kudo në botë.