Shpëtim Duro: Flamurtari ka stabilitet në lojë, mangësitë kalojnë hap pas hapi

700
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës vlonjate, fitoren në transfertë me Teutën në javën e tretë e quan normale
Në javën e tretë në Durrës, Flamurtari arriti fitoren e parë në transfertë, e kishit menduar këtë rezultat?
Të tilla ndeshje si ajo në Durrës, mendoj se i kanë të tre rezultatet të pranueshme: fitore-barazim-humbje. Por, ne kishim më shumë kualitete në fushën e lojës, në raport me Teutën, e këtu u bë diferenca, e cila na dha edhe tri pikët.

Në raport me dy ndeshjet e para, kishit bërë ndryshime në skuadrën tuaj, në përbërje apo në taktikën e lojës?
Në raport me përbërjen që hedh në fushë, ndërtohet edhe taktika në lojë, dhe në Durrës nuk bëmë asnjë ndryshim në raport me dy ndeshjet e para të këtij sezoni. Arsyeja ishte se, përpos rezultateve që kishim arritur në dy javët e kaluara, skuadra kishte luajtur mirë. Ndaj dhe nuk menduam shumë ndryshim.

Me këto dy fitore radhazi, mendoni se skuadra e ka gjetur formën e saj më të mirë?
Forma e mirë do më shumë ndeshje, por Flamurtari në këtë sezon është i ripërtërirë. Ndaj nuk është rastësi të themi se nga ndeshja në ndeshje ka progres në lojë, të cilën e ka konvertuar me rezultatet që ka arritur. 

Momentalisht, referuar tre ndeshjeve të para të këtij kampionati, çfarë shikoni se mungon te Flamurtari?
Edhe të na mungojë ndonjë gjë, kjo është skuadra deri në muajin dhjetor kur hapet merkatua e dimrit mundet të bëhet ndonjë ndërhyrje, gjithmonë në rast se do të na duhet. E rëndësishme është që, për vazhdimësinë ti japim më shumë besim skuadrës, ky duket se ka munguar te Flamurtari.

Në ndeshjen e radhës, të shtunën, prisni Luftëtarin, si e shikoni këtë sfidë?
Një sfidë shumë të vështirë. Për kushtet e stadiumit, kjo ndeshje nuk luhet në Vlorë, por kudo që të zhvillohet (mundësia është në Fier), ne e kemi vlerësuar si një ndeshje shumë të fortë. Luftëtari është skuadër e organizuar mirë, edhe pse ende nuk ka dhënë më të mirën, por në përballjen me ne, do të ketë maksimumin e vlerësimit.

Në këto tri ndeshjet e para që keni luajtur në Superioren e këtij sezoni, çfarë konkluzioni keni për skuadrën që drejtoni?
Skuadra ka luajtur mirë, madje edhe në ndeshjen që humbëm në Korçë. Në të tria ndeshjet ka treguar stabilitet në lojë, por ka edhe mangësi të vogla, të cilat mendojmë ti kalojë gradualisht

Në ndeshjet që keni zhvilluar, keni pasur pretendime për gjykimet, si kanë qenë ato ndaj Flamurtarit?
Jam djem të rinj dhe duhet të kenë më shumë përgjegjësi për misionin e arbitrit. Javën e kaluar na ndëshkuan me një gol të parregullt, këtë javë me një penallti të paqenë, këto janë pretendimet tona. Nuk kemi thënë asgjë jashtë realitetit, por e rëndësishme është që arbitrit ta ndjejnë më shumë përgjegjësinë e gjykimit.

Ku synon ky Flamurtar i sezonit 2017-2018?
Çdo synim për ne do të vlerësohet hap pas hapi. Rëndësi ka që skuadra të tregojë tërësisht vlerat e saj më të mira, sepse kemi kualitete që garantojnë nivel e cilësi. 
Forma e mirë do më shumë ndeshje, por Flamurtari në këtë sezon është i ripërtërirë. Ndaj nuk është rastësi të themi, se nga ndeshja në ndeshje ka progres në lojë, të cilën e ka konvertuar me rezultatet që ka arritur
6 pikë
Në tre ndeshjet e para, Flamurtari ka marrë 6 pikë, pas 1 humbjeje në Korçë dhe 2 fitoreve, me Lushnjen dhe Teutën
KATEGORIA SUPERIORE
Rezultatet-Java e 3-të
Të shtunën, 23 shtator 2017 
Luftëtari-Vllaznia 0-0
Lushnja-Kamza 0-0
Skënderbeu-Partizani 2-0
Të dielën, 24 shtator 2017 
Kukësi-Laçi 3-0 
Teuta-Flamurtari 1-2
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 3 7
2.Kukësi 3 7
3.Flamurtari 2 6 
4.Teuta 2 6
5.Vllaznia 3 4
3.Luftëtari 3 4
7.Laçi 3 3
8.Kamza 3 2
9.Lushnja 3 1
10.Partizani 3 1
Ndeshjet-Java e katërt
Të shtunën, 30 shtator 2017 
Laçi-Vllaznia 14:00
Flamurtari-Luftëtari 17:00
Të dielën, 1 tetor 2017 
Kamza-Teuta 14:00
Të hënën, 2 tetor 2017 
Partizani-Lushnja 14:00
Kukësi-Skënderbeu 17:00
Sigal